Dymbëdhjetë persona kanë vdekur nga helmimi me monoksid karboni në një resort skish në Gjeorgji, ka bërë të ditur policia të hënën.
Trupat e 11 të huajve dhe një shtetasi gjeorgjian u gjetën në një zonë gjumi në një restorant në Gudauri, që njihet si resorti më i madh dhe më i lartë i skive në ish-shtetin sovjetik, sipas zyrtarëve.
Policia ka thënë se "testet paraprake nuk tregojnë ndonjë gjurmë dhune në trupa" dhe gjithçka dukej se ishte një incident, njoftoi agjencia e lajmeve AFP.
Trupat u zbuluan të shtunën në katin e dytë të një ndërtese ku ndodhet një restorant indian.
Autoritetet kanë hapur një hetim për ngjarjen teksa identiteti i viktimave nuk është bërë ende i ditur.
Gudauri është një destinacion popullor turistik për të apasionuarit pas skijimit dhe snoëboardit, pasi ofron një sërë aktivitetesh sportive dimërore për vizitorët e të gjitha niveleve.
Historia e saj daton në shekullin e 19-të kur njihej si një pikë tregtare në rrugën e lashtë ushtarake gjeorgjiane që lidh Rusinë me Gjeorgjinë.
Gudauri ndodhet në malet e Kaukazit në rajonin Mtskheta-Mtianeti në rreth 2,200 m mbi nivelin e detit dhe është rreth 120 km në veri të kryeqytetit të Gjeorgjisë Tbilisi.