Mbi dhjetë vjet më parë, saktësisht më 8 mars 2014, fluturimi MH370 me Boeing 777 i “Malaysia Airlines” u zhduk pa lënë gjurmë. U ngrit nga Kuala Lumpuri drejt Pekinit. Por nuk mbërriti asnjëherë destinacionin e fundit. U zhduk sapo kaloi hapësirën ajrore të Malajzisë. Ende mbetet një nga misteret më të mëdha të aviacionit.
Bashkë me aeroplanin, të zhdukur janë edhe 239 pasagjerë. Gjatë kësaj periudhe, u gjetën vetëm disa copëza që besohet të jenë të aeroplanit të zhdukur. Tani, një ekip studiuesish ka dalë me një mënyrë të re për të llogaritur se ku mund të jetë aeroplani. Do të hedhin pjesë të aeroplanit 777 në Oqeanin Indian në emër të shkencës.
Një program i quajtur “Finding MH370 Project” është nisur për të bërë pikërisht atë që tregon emri i tij: të gjejë mbetjet e aeroplanit Boeing 777 që u zhduk në mars të vitit 2014. Për ta bërë këtë, projekti nuk do të ketë nevojë për dronë të pajisur me sonar ose kërkime gjatë gjithë shtratit të detit. Në vend të kësaj, ekipi planifikon të lëshojë pjesë të Boeing 777 në Oqeanin Indian dhe të gjurmojnë lëvizjet e tyre.
Projekti është nisur nga gazetari i shkencës dhe piloti privat Jeff Wise, i cili ka shkruar libra mbi zhdukjen e MH370, prezanton podcaste dhe është intervistuar në dokumentarë të ndryshëm për aeroplanin e zhdukur.
Pjesë që besohet të jenë të aeroplanit të zhdukur për herë të parë u gjetën në plazhin në Saint Denis, ishullin Reunion në korrik të vitit 2015. Në vitet që pasuan, shkencëtarët janë përpjekur të llogarisin lëvizjen e këtyre pjesëve në mënyrë që të përpiqen të kuptojnë se nga erdhën në Oqeanin Indian.
Ekipet madje shkuan aq larg sa hodhën krahun e aeroplanit në det për të parë se sa larg mund të shkonte. Megjithatë, Wise dhe ekipi i tij thonë se këto eksperimente nuk shkuan aq larg sa duhet. Ai tash shpreson të hedh një krahë të aeroplanit Boeing 777 në Oqeanin Indian të lidhur me sensorë dhe telemetri. Gjatë 18 muajve, ekipi i tij do të analizojë lëvizjen e krahut të aeroplanit dhe do të gjurmojë rritjen e organizmave të oqeanit në të për të parë se si kjo krahasohet me pjesët nga MH370 që u “gjetën” në breg.
“Produkti përfundimtar i projektit do të jetë raport që detajon gjetjet tona dhe zbulon implikimet për atë që ndodhi me aeroplanin e zhdukur”, ka thënë Wise.
Nuk ka ende kornizë kohore se kur mund të fillojë projekti, pasi po kërkohen fonde për të filluar. Megjithatë, nëse do të vazhdojë, do t'i bashkohet dhjetëra misioneve të tjera që u bën për të zbuluar sekretet e MH370.
Dhjetë vjet pas zhdukjes, zyrtarët malajzianë njoftuan se do të “bënin gjithçka” për të zbuluar përgjigjet në lidhje me vendndodhjen e aeroplanit. Kjo përfshin partneritetin me një kompani që vendos drone të pajisur me sonar në thellësitë e oqeanit për ta parë fundin e detit.