Të paktën 10 presona janë vrarë si pasojë e një sulmi izraelit në një shkollë që po shfrytëzohej si strehimore nga familje të zhvendosura në Gazën veriore, ndërkohë që një sulm tjetër ka goditur një spital të fëmijëve, sipas stafit mjekësor, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.
Që kur armëpushimi i janarit u prish më 18 mars, sulmet izraelite kanë vrarë më shumë se 1,600 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës që kontrollohen nga Hamasi, ndërsa qindra mijëra të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre derisa Izraeli e ka pushtuar atë që e quan zonë neutrale në Gaza.
Izraeli po ashtu e ka vendosur një bllokadë ndaj të gjitha produkteve që hyjnë në Gazë, duke përfshirë karburantet dhe energjinë, që nga fillimi i marsit.
Të mërkurën, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë kanë bërë thirrje të përbashkët ndaj Izraelit që t’i përmbahet të drejtës ndërkombëtare dhe të lejojë kalimin e papenguar të ndihmave humanitare për në Gaza.
Po ashtu ata kanë bërë thirrje që armëpushimi të rikthehet dhe kanë kërkuar që të lirohen pengjet e kidnapuara nga Hamasi.
“Ndihma humanitare kurrë nuk duhet të përdoret si mjet politik dhe territori palestinez nuk duhet të zvogëlohet apo të jetë subjekt i ndryshimeve demografike”, kanë vlerësuar ministrat përmes një deklarate të përbashkët.