Botë

Zjarr në Parlamentin e Kenias pasi protestuesit arrijnë të hyjnë brenda ndërtesës

Protestat e dhunshme në Kenia

Protestat e dhunshme në Kenia

Foto: Associated Press

E përditësuar (15:52) - Një pjesë e ndërtesës së parlamentit të Kenias është përfshirë nga flakët të martën, pasi mijëra protestues kundër një ligji të ri që parasheh rritjen e taksave, kanë hyrë brenda saj. 

Ngjarja po llogaritet si sulmi më i madh ndaj institucioneve në dekada. Raportohet se të paktën 10 persona kanë mbetur të vdekur jashtë parlamentit, pasi policia ka hapur zjarr ndaj tyre, raporton AP. 

Protestuesit kanë kërkuar që ligjvënësit të votojnë kundër projektligjit të diskutueshëm që vendos taksa të reja ndaj në një vend ku kostoja e lartë e jetesës ka qenë problem prej vitesh.

Protestuesit manovruan policinë për të hyrë në parlament menjëherë pasi ligjvënësit votuan për miratimin e projektligjit. Ligjvënësit ikën përmes një tuneli, por protestuesit lejuan ligjvënësit e opozitës që votuan kundër projektligjit të dilnin nga ndërtesa e rrethuar.


10 të vdekur pasi policia në Kenia gjuan me armë protestuesit që po tentonin të hynin në Parlament

Të paktën 10 persona kanë mbetur të vdekur pasi policia ka hapur zjarr ndaj protestuesve jashtë parlamentit të Kenias, teksa ata tentonin të sulmonin ndërtesën gjatë kohës kur deputetët ishin duke miratuar një ligj të ri për rritjen e taksave.

Policia filloi të gjuante me armë zjarri pasi gazi lotsjellës dhe topat e ujit nuk arritën të shpërndanin një turmë prej mijëra personash që po tentonin hyrjen brenda ndërtesës, raporton The Guardian.

“Ne duam të mbyllim parlamentin dhe çdo deputet duhet të shkojë dhe të japë dorëheqjen,” ka thënë për Reuters një protestues.

“Do të kemi një qeveri të re”, ka shtuar ai. 

Demonstruesit kundërshtojnë rritjen e taksave në një vend që po lëkundet nga një krizë e kostos së jetesës dhe shumë po bëjnë gjithashtu thirrje që presidenti William Ruto të largohet. Protesta dhe përleshje u zhvilluan edhe në qytete dhe qyteza të tjera anembanë vendit.

Ruto fitoi zgjedhjet pothuajse dy vjet më parë në një platformë për të mbrojtur të varfrit që punojnë në Kenia, por është në trysni nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili po i kërkon qeverisë të shkurtojë deficitet për të pasur më shumë fonde. 

Keniasit kanë luftuar për të përballuar disa goditje ekonomike të shkaktuara nga ndikimi i vazhdueshëm i pandemisë COVID, lufta në Ukrainë, dy vite radhazi thatësira dhe zhvlerësimi i monedhës.

Parlamenti miratoi projektligjin e financave të martën, duke e kaluar atë në një lexim të tretë nga ligjvënësit. Hapi tjetër është që legjislacioni t'i dërgohet presidentit për nënshkrim. Ai mund ta kthejë atë në parlament nëse ka ndonjë kundërshtim.