Të paktën 10 persona kanë mbetur të vdekur në Indonezi, si pasojë e një seri shpërthimesh vullkanike në ishullin e largët të Flores, ka bërë të ditur Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive të Indonezisë.
Shpërthimi në malin Lewotobi Laki Laki rreth mesnatës shkaktoi hi të trashë deri në 2,000 metra në ajër dhe hiri i nxehtë preku disa fshatra, duke djegur shtëpi, raporton AP.
Ekipet e shpëtimit po kërkojnë për më shumë trupa të varrosur nën shtëpitë e shembura, ka thënë Abdul Muhari, zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive.
Ai ka shtuar se të paktën 10,000 njerëz janë prekur nga shpërthimi në gjashtë fshatra të rrethit Wulanggitang dhe katër fshatra në rrethin Ile Bura. Disa kanë ikur në shtëpitë e të afërmve ndërsa qeveria lokale po përgatit shkollat për t'i përdorur si strehimore të përkohshme.
Agjencia e monitorimit të vullkaneve të vendit ka rritur statusin e alarmit të vullkanit në nivelin më të lartë dhe më shumë se dyfishoi zonën e përjashtimit në një rreze prej 7 kilometrash, pas mesnatës të së hënës, pasi shpërthimet u bënë më të shpeshta.