Dhjetë persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë janë lënduar pasi një veturë është futur në turmën e njerëzve në “Bourbon Street” të New Orleansit, SHBA në orët e para të vitit 2025, raporton agjencia “AP”.
Agjencia e Emergjencave e New Orleansit (NOLA Ready) ka njoftuar për ngjarjen, ndërsa u ka këshilluar qytetarëve që ta evitojnë atë zonë. Policia e New Orleansit në SHBA më herët të mërkurën njoftoi për një incident me disa viktima.
Është thënë se të lënduarit janë dërguar në pesë spitale lokale.
Guvernatori i Louisianas, Jeff Landry, në një postim në platformën “X” e ka dënuar aktin.
“Një akt i tmerrshëm dhune ndodhi në ‘Bourbon Street’ më herët këtë mëngjes...Ju bëjë thirrje të gjithëve që janë afër që ta evitojnë zonën”, ka shkruar Landry.
FBI-ja po e heton sulmin në New Orleans si “akt terrorizmi”, vritet i dyshuari
Të paktën 10 persona kanë vdekur dhe 30 të tjerë janë plagosur për shkak të përplasjes së një veture në turmën e njerëzve në rrugën Burbon të New Orleansit të mërkurën, kanë bërë të ditur autoritetet, transmeton agjencia “AP”.
Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka thënë përmes një deklarate i dyshuari për kryerje të sulmit është i vdekur dhe që sulmi po hetohet si “akt terrorizmi”.
Në deklaratë është bërë e ditur se i dyshuari është përfshirë në përleshje të armatosur me policinë, gjatë të cilës ka humbur jetën.
Sulmi ka ndodhur në një zonë shumë të popullarizuar për turistët.
Kryeinspektorja Anne Kirkpatrick ka thënë se incidenti ka nisur rreth orës 3:00 të mëngjesit, sipas kohës lokale dhe që ngasësi e ka drejtuar veturën në rrugën Burbon me shpejtësi të madhe.
Kirkpatrick ka thënë se burri ka shpërfaqur “sjellje të qëllimshme” dhe ka tentuar të godasë sa shumë njerëz.
Ajo ka paralajmëruar që numri i viktimave mund të rritet.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti amerikan, Joe Biden është njoftuar për “lajmin e tmerrshëm”, dhe që presidenti ka kontaktuar me zyrtarë të New Orleansit.