Presidenti i Ukrainës kishte shpresuar se do ta linte Shtëpinë e Bardhë të premten me bisedime pozitive me presidentin amerikan, me mbylljen e marrëveshjes për mineralet nëse jo me garancitë për sigurinë.
Por, Volodymyr Zelensky u përball me një retorikë të fortë përpara mediave, pasi presidenti Donald Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance kërkuan që ai të tregonte më shumë mirënjohje për mbështetjen e SHBA-së, raportoi BBC.
Presidenti ukrainas iu kundërvu sugjerimit të partnerëve të tij më të fuqishëm se ai duhet të punonte më shumë për t’u pajtuar për një marrëveshje armëpushimi me Vladimir Putinin, presidentin rus. Miqtë amerikanë u përgjigjën se ai po tregohej “i parespektueshëm”.
Në ndërkohë Zelenskyt iu tha që të largohej nga Shtëpia e Bardhë disa orë para se ai dhe Trump të mund të dilnin në një konferencë të planifikuar.
Dhe marrëveshja për mineralet u la pa u nënshkruar.
“Kthehu kur të jesh i gatshëm për paqe”, shkroi Trumpi në rrjetet sociale.
Ishin disa pika më me tension gjatë diskutimit të tyre.
Në pikën e parë u pa zëvendëspresidenti Vance, i cili e akuzoi Zelenskyn se po tregohej i parespektueshëm. Ishte mbrojtja e Vancet ndaj qasjes së Trumpit për luftën – me hapjen të komunikimeve me Putinin për të arritur armëpushim – që fillimisht përshkallëzoi tensionet me liderin ukrainas.
Pasi Vance e sfidoi Zelenskyn, ky i fundit sugjeroi se Trumpi kishte dështuar të kuptonte se si të merrej me agresorin e luftës. Ajo që e nxiti Trumpin ishte kur Zelensky i tha që nëse do ta kënaqte Rusinë, lufta “do të vijë te ju”.
Por, Trumpi iu kthye me përgjigje menjëherë. “Mos na trego çfarë të bëjmë. Ti nuk je në atë pozicion të na tregosh”.
Ky shkëmbim fjalësh mund të jetë fitore për ata që e admirojnë Zelenskyn e që duan ta shohin të përballet me Trumpin, por ky moment mund të jetë kritik për të vendosur një periudhë të luftës dhe paqes në Evropë.
Në një moment tjetër Zelensky tha: “Që nga fillimi i luftës, ne kemi qenë vetëm, dhe ne jemi mirënjohës”.
Kjo e zemëroi Trumpin.
“Nuk keni qenë vetëm. Nuk keni qenë vetëm. Ne ju kemi dhënë – përmes këtij presidenti budalla – 350 miliardë dollarë”, tha Trumpi duke iu referuar Bidenit.
“Do të jetë shumë e vështirë të bëhet biznes kështu. Do të jetë marrëveshje e vështirë të bëhet sepse qëndrimet duhet të ndryshojnë”, shtoi Trumpi.
Ndërkohë, mirënjohja për SHBA-në u përsërit disa herë nga presidenti e zëvendëspresidenti amerikan.
“Vetëm thuaj faleminderit”, kërkoi Vance në një pikë.
Jashtë kamerave që ishin të fokusuara te ta, njëra kapi edhe ambasadoren e Zelenskyt në Washington, Oksana Markarova, e cila u pa me kokën poshtë ndërsa bisedimet përshkallëzonin.
Përballja me Trumpin ashtu siç bëri Zelensky të premten, mund të nënkuptojë humbje ndaj Putinit.