Një zjarr përfshiu një repart të kujdesit intensiv neonatal në një spital në Indinë veriore të premten vonë, duke shkaktuar vdekjen e 10 foshnjave të porsalindura dhe duke lënduar 16 të tjera, njoftuan autoritetet.
Zjarri ka ndodhur në një spital në qytetin Jhansi në shtetin Uttar Pradesh të Indisë.
Zyrtarët thanë se zjarri u përhap me shpejtësi në repart, ku po trajtoheshin 55 foshnja.
Zëvendëskryeministri i Uttar Pradeshit, Keshav Prasad Maurya tha se zjarri ndodhi për shkak të një qarku të shkurtër dhe premtoi një hetim të nivelit të lartë.
Ekipet e shpëtimit duhej të thyenin dritaret për të arritur tek foshnjat e porsalindura. Dëshmitarët okularë thanë se operacioni i shpëtimit filloi rreth 30 minuta pasi shpërtheu zjarri. Aksidenti ka ngritur pikëpyetje mbi masat e sigurisë së spitalit.
Teksa alarmet e zjarrit ishin instaluar në njësinë e kujdesit intensiv, prindërit dhe dëshmitarët thanë se ata nuk u aktivizuan gjatë zjarrit. Stafi i spitalit veproi vetëm pasi panë shenja tymi dhe zjarri.
Zjarret janë të zakonshme në Indi, ku ligjet e ndërtimit dhe normat e sigurisë shpesh shpërfillen nga ndërtuesit dhe banorët.