Tre kandidatë dyshohen se hynë në sallën e testimeve për patentë shoferë në Gjakovë me pajisje kopjuese
Sallat e testimit për patentë shoferë janë hapi i parë për ata që duan të bëhen shoferë. Aty ku vlerësohet aftësia për të drejtuar një automjet, duhet të sundojë korrektësia, transparenca dhe mbikëqyrja strikte.
Përgjegjësitë e zyrtarëve dhe institucioneve në këtë hallkë janë të qarta: të garantojnë që në rrugë të dalin vetëm persona të testuar profesionalisht dhe të përgatitur siç duhet. Çdo cenim i këtij procesi nuk është vetëm dështim administrativ, por është rrezik potencial për jetën e qytetarëve.
Në një rast të ndodhur në Njësinë e Patentë Shoferëve në Gjakovë, gjithçka duket gati deri pak çaste pasi të fillon testimi. Më 2 korrik 2024, ditë e martë, në ora 14:30 është paraparë testimi teorik dhe kandidatët hyjnë në sallën e testimit. Njëri pas tjetrit, kandidatët zënë vendet e tyre pranë kompjuterëve. Por, jo të gjithë prej tyre i shkojnë deri në fund testimit.
Hulumtimi i “Betimit për Drejtësi”, tregon që tre nga kandidatët që iu nënshtruan testimit teorik, dyshohet se hynë në sallë me pajisje kopjuese të dyshimta. Në anën tjetër, rasti i cili u raportua në Polici po në atë ditë, u dërgua në Prokurori pas 7 muajsh me raport informues.
Gjithçka filloi kur monitoruesit e Departamentit për Patentë Shoferë nga Prishtina pretendojnë se panë në kamera që kandidatët në Gjakovë kanë diçka të dyshimtë, pasi u ulën për t’i plotësuar testet. Dyshimet u ngritën fillimisht për dy persona, e të njëjtit ende pa përfunduar testimet e tyre largohen nga salla.
Fejzullah Mustafa, Drejtor i Departamentit për Patentë Shofer, ka thënë se për tre kandidatët dyshimet ishin se posedojnë pajisje kopjuese – kamera të vendosura në trup.
“Atë ditë ishim në qendrën e monitorimit bashkë me monitoruesin e kamerave të pjesës teorike dhe vërejtëm dyshime tek dy kandidatë, të cilët në rastin e uljes në karrige filluan të çvezhen në njëfarë mënyre në proces testimi dhe filluan të rregullojnë kompjuterët përmes kamerave të verifikuara, para se të shohin pyetjet e mundshme në ekran. Ju e dini që ne e kemi digjitalizu të gjithë procesin dhe një pyetje del e vetmja në ekran dhe mundësia e vetme aktualisht është që të përdorin kamerat për të përfundu procesin e testimit që është mënyrë jo legjitime, jo legale, jo të rregullt. Përpos këtyre dyve ne që i kemi vërejtë, ka qenë edhe i treti të cilin e kemi vërejtë dikur më vonë”, u shpreh Mustafa.
Çka iu kumtua kandidatëve të dyshuar që largohen nga provimi teorik?
Emisioni me titull “Testimet për patentë shoferë: Pajisje nën xhaketë, dështon sistemi i kontrollit”, ka sjellur pamje eksluzive të tre kandidatëve që dyshohet se iu nënshtruan testimit teorik me pajisje kopjuese të dyshimta.
Pas dyshimeve të ngritura nga Departamenti për Patentë Shoferë, ekzaminerit apo pyetësit Mihill Bibaj i bëhet një telefonatë gjersa mbahej testimi, brenda sallës së Njësisë së Patentë Shoferëve në Gjakovë. Sipas drejtorit të Departamentit për Patentë Shoferë, Fejzullah Mustafa, telefonata u bë nga ai me qëllim të informimit për dyshimet e ngritura.
Në pamjet që ka siguruar Betimi për Drejtësi, ekzamineri Bibaj, sapo mbyll telefonatën, shihet teksa del nga salla e testimit dhe vazhdon për tek zyrat përballë sallës ku po mbahej testimi. Pas kthimit të tij në hapësirën e korridoreve, prapa ekzaminerit shihet po ashtu Koordinatori i Njësisë në Gjakovë, Kamber Shabani.
Tutje në momentin e hyrjes së ekzaminerit Mihill Bibaj tek dera e sallës, e që në pamje shihet edhe krahu i një personi tjetër, dy kandidatëve për të cilët kishte dyshime se kishin pajisje të kopjimit, përnjëherit nga larg i’u kumtohet diçka dhe të njëjtit largohen nga salla e testimit.
Gjatë daljes nga salla njëri nga kandidatët harron letërnjoftimin e tij në sallë, ku pas disa minutave këtë dokument e merr ekzamineri Mihill Bibaj e që për të ka versione të ndryshme se ku është lënë.
Sidoqoftë, duke dalë nga qendra e testimit para dy të dyshuarve është koordinatori Kamber Shabani. Ai, siç shihet në pamje, duke u kthyer në zyrë flet në telefon, e që siç tha Fejzullah Mustafa, drejtor i Departamentit për Patentë Shofer, telefonatën e bëri ai për t’i thënë që personat që po largohen nga testimi duhet të ndalohen dhe të ftohen organet e rendit.
Teksa Kamberi flet në telefon, dy të dyshuarit kthehen për të marrë gjërat e tyre personale dhe largohen përfundimisht nga Njësia, pa u ndaluar.
“Unë kam diskutu vetëm se me atë përgjegjësin kryesor që është, e përgjegjësi kryesor në procesin e testimit është ekzamineri ose pyetësi i pjesës teorike, atë e kam informu. Po, meqenëse të ju them të drejtën për të më duket ka qenë dita e parë ose dita e dytë në proces të testimit, ka qenë fillestar dhe sadopak edhe ai është hutu në procesin e gjithë kësaj. Kam kërku edhe nga pyetësi edhe nga koordinatori i Njësisë që të ndalohet dhe të ftohet Policia, meqenëse ata nuk kanë ndërmarrë veprime, të cilat është dashtë t’i ndërmarrin dhe janë shmangë kandidatët veç kanë ikë nga Njësia për Patentë Shoferë. Dy kanë ikë, njëri e ka përfundu procesin e testimit sepse nuk e kemi vërejtë, e kemi vërejtë dikur më vonë”, ka thënë drejtori i Departamentit për Patentë Shoferë.
Kandidati që u identifikua pas përfundimit të testimit thotë se provimin e kaloi në mënyrë të rregullt
Kandidatët që iu nënshtrohen provimeve teorik dhe praktik, duhet të ju përmbahen disa rregullave sipas Ligjit për Patentë Shoferë dhe Udhëzimeve Administrative që derivojnë nga ky ligj.
Për rastin e ndodhur në Njësinë e Patentë Shoferëve në Gjakovë, të datës 2 korrik 2024 dyshimet ishin se tre nga dymbëdhjetë kandidatët që iu nënshtruan provimit posedonin pajisje kopjuese.
Sipas Udhëzimit për dhënien e provimit për patentë shoferë, kandidatit nuk i lejohet të hyjë në sallën e testimit apo të përdor në sallën e testimit mjete të palejueshme kufje në vesh, kamera, pajisjet inxhizuese, apo të ngjashme që ndikojnë në proces të testimit. Dhe në rast që veprohet në këtë mënyrë, të njëjtit duhet të lajmërohen tek organet e rendit. Në këtë rast, monitoruesit e Departamentit për Patentë Shoferë, fillimisht ngritën dyshime për dy kandidatët, për posedim të kamerave.
Megjithatë, me qëllim që të parandalohen veprime të tilla, institucioni ndërmerr edhe masa të tjera, siç është kontrolla me detektor. Në këtë rast, kandidatët duke hyrë në sallën e testimit kontrollohen nga punëtori apo sigurimi që ka pajisjen sinjalizuese apo detektorin RF (radiofrekuencash).
Për të tre kandidatët e dyshuar, detektori sinjalizoi më dritë të kuqe edhe pasi i lënë gjërat personale në tavolinë para se të hyjnë në sallë. Për dy prej tyre, prezent afër punëtorit që ka pajisjen sinjalizuese është edhe koordinatori Kamber Shabani. Megjithatë, ata u lejuan të hyjnë.
Fejzullah Mustafa, tregoi se për tre kandidatët janë marrë masa ndëshkuese.
“Ne si Ministri kemi ndërmarrë masat e tona administrative konform legjislacionit në fuqi, do të thotë ndalohen për 3 vite t’i nënshtrohen provimit dhe mospajisjes me patentë shoferë. Normal, që i kemi njoftu edhe Policinë, të cilët kanë marrë edhe video incizimet nga ana jonë, por procesi ku ka mbetë aktualisht nuk e di. Presim nga Policia t’i kemi informacionet e duhura nëse do të na informonin me këtë proces”, u shpreh drejtori i Departmentit për Patentë Shoferë.
“Betimi për Drejtësi”, ka provuar të kontaktojë me dy personat që nën dyshimin për posedim të pajisjeve të kopjimit, u larguan nga procesi i testimit teorik. Përkundër tentativave disa javore, kontakti me ta ishte i pamundur. Ndërsa, kandidati që u identifikua pas përfundimit të provimit të tij tha se ka hyrë në mënyrë të rregullt në testim dhe që nuk ka pasur pajisje kopjuese.
“Unë jam shku në test edhe e kom japë testin e krejt, më kanë thirrë për me shku në Ministri, më thanë ki kopju edhe kur shkova aty më thanë ki kopju dhe ju thash qitni kamerat, i qiten kamerat. Më thanë ke pas diçka në vesh, une ju thash sigurimi më ka kontrollu e krejt, e kom japë në mënyrë normale”, ka thënë njëri nga kandidatët.
Tutje nga gazetarja e Betimit për Drejtësi pyetet edhe nëse është intervistuar nga organet e drejtësisë për këtë rast.
Gazetarja: Po ti a ke pas kështu diçka realisht?
Kandidati: Kurgjë, kurgjë hiç edhe ma ka kanë ndalu…
Gazetarja: Në Polici ose në Prokurori, a ju kanë marrë në pyetje ndonjëherë?
Kandidati: Po më kanë thirrë, jom kanë në Prishtinë më kanë çu.
Gazetarja: Edhe çka ju kanë thënë, çka keni deklaru aty?
Kandidati: Nuk kom pas, qeto fjalë çka po t’i them ty qeto i kom pas, nuk kom pas kurgjë.
Ekzamineri thotë se nuk di kush i informoi kandidatët e dyshuar për t’u larguar nga testimi
Rasti që ndodhi në Njësinë e Patentë Shoferëve në Gjakovë, më 2 korrik 2024, nga hulumtimi i “Betimit për Drejtësi” tregon që tre nga kandidatët që iu nënshtruan testimit teorik, dyshohet se hynë në sallë me pajisje kopjuese të dyshimta.
Në sallën e testimit qëndroi pyetësi apo ekzamineri Mihill Bibaj. Prandaj, për të sqaruar në versionin e tij situatën që ka ndodhur më 2 korrik të vitit të kaluar, ekipi i “Betimit për Drejtësi” kërkoi një intervistë nga ekzamineri Mihill Bibaj, i cili në telefonatë pranoi të flasë për çështjen.
“Po, po mundesh. Jam në Pejë për momentin, po na 12 deri në ora 1 e kemi pauzën në qatë kohë kisha mujtë ma së miri se deri në 4 jemi nxënë kështu me punë gjatë gjithë kohës. Koha ma e mirë kish me qenë 12 deri në 1”, ka thënë ekzamineri Bibaj përmes telefonit.
Një ditë pas telefonatës, ekipi i “Betimit për Drejtësi”, arrin në kohën e caktuar për të marrë intervistën nga ekzamineri Mihill Bibaj. Por, ai nuk pranon të intervistohet.
“Tash jam i zënë, tash e kam pushimin e drekës. Me shku me marrë vendimin prej zv. ministrit, drejtorit tonë me deklaru se më tepër ne s’kemi çka me u deklaru, s’muj me tu deklaru unë ty. Ministria duhet me pru një vendim, që unë kam kam të drejtë me u deklaru zyrtarisht, me m’thirrë zyrtarisht Ministria, drejtori jem shembull, nuk mundem me u deklaru unë”, theksoi ekzamineri Bibaj.
Pas përfundimit të pauzës së tyre ekipi i “Betimit për Drejtësi”, tenton të marrë një version të ekzaminerit Mihill Bibaj. Ai tha se ka biseduar me zyrtarët e ministrisë, por mohon se iu është thënë që të dyshuarit duhej të ndaloheshin deri sa të vinin organet e rendit.
Gazetarja: A ju kanë thënë që duhet me qëndru brenda ata persona..
Mihill Bibaj: Jo, jo s’na kanë thënë askush
Gazetarja: A ju kanë thirrë zyrtarët e ministrisë?
Mihill Bibaj: Po, kemi dhënë intervistë.
Gazetarja: Edhe çka ju kanë thënë zyrtarët e ministrisë?
Mihill Bibaj: Kemi dhënë intervistë.
Gazetarja: Edhe çka ju kanë thënë zyrtarët e ministrisë, a i keni ndalu?
Mihill Bibaj: Të lutem, të lutem ruju bre
Gazetarja: Kush i ka informu ata që kanë dalë jashtë dhe kanë ikë?
Mihill Bibaj: Ti zonjë, nuk e di qe 7-8 muaj ditë, je ka më bën pyetje palidhje këtu
Gazetarja: Jo, jo. Ju keni qenë aty prezent edhe në ndërkohë keni dalë jashtë çka ka ndodhë në qato momente…?
Mihill Bibaj: Zonjë, shko merr zyrtarisht..
Ekzamineri Mihill Bibaj, kishte marrë një letënjoftim që e kishte harruar njëri nga kandidatët e dyshuar për pajisje kopjuese.
Gazetarja: A mundeni me na tregu atë ditë e keni pas një letërnjoftim, kujt ja keni dorëzu atë letërnjoftim?
Mihill Bibaj: Koordinatori e ka pas, koordinatori..
Gazetarja: Ju ja keni dorëzu koordinatorit?
Mihill Bibaj: Koordinatori e ka marrë
Në anën tjetër, paraprakisht, gjatë bisedës për realizimin e intervistës ekzamineri Mihill Bibaj, përgjegjësinë për kontrollimin e kandidatëve e lë tek sigurimi që ka detektorin.
“Ne si ekzaminer aty jena brenda në sallë, ne nuk i shohim, dikush jashtë i thirr ata për shembull, koordinatori i ka thirrë kandidatët brenda, roja është ai që i kontrollon me atë aparatin që i kontrollon se a kanë ata pajisje, a nuk kanë pajisje e ne nuk kemi qasje në pajisje, roja i ka kontrollu. Atëherë, ata gjithmonë janë me shpinë nga ne edhe na nuk e kemi vërejte, atëherë Ministria kur i ka vërejte që janë ka bëjnë lëvizje edhe faktikisht ata më kanë lajmëru në telefon mu edhe më kanë thënë a ka mundësi me dalë jashtë”, ka thënë Bibaj.
“Betimi për Drejtësi”, pas situatës së krijuar për marrjen e një interviste, kërkoi aprovimin nga Ministria e Infrastrukturës për realizimin e intervistës më ekzaminerin Mihill Bibaj, por ai ka thënë se nuk është i gatshëm të flasë.
Koordinatori ishte prezent kur dedektori sinjalizoi tek dy kandidatët e dyshuar para se të hynin në sallë
Në hulumtimin e “Betimit për Drejtësi”, për testimet për patentë shoferë, ky dyshohet se tre kandidatë në Njësinë e Patentë Shoferëve në Gjakovë iu nënshtruan testimit teorik me pajisje kopjuese të dyshimta, ndërlidhet edhe emri Kamber Shabani.
Kamber Shabani, Koordinator i Njësisë së Patentë Shoferëve në Gjakovë, përmes telefonatës ka thënë se është i gatshëm për intervistë në momentin që aprovohet kërkesa e “Betimit për Drejtësi” në ministri. Kur ekipi e telefonoi pas aprovimit të kërkesës për intervistë, ai u shpreh se nuk është në Njësinë e Patentë Shoferëve në Gjakovë. Ekipi i “Betimit për Drejtësi”, që po qëndronte afër Njësisë në ato çaste, sapo ndaloi telefonatën ka parë Shabanin teksa po hynte brenda qendrës, ku pastaj iu kërkuan sqarime rreth rastit të ndodhur verën e kaluar.
“Nuk me kujtohet kurgjë, nëse bën me fol çka të du unë edhe i referohem vetëm raportit të zyrtarit përgjegjës, i cili ka qenë përgjegjës ka dy vite ose tri që ne nuk jemi më përgjegjës për sallë edhe më në fund”, tha fillimisht Shabani.
Gazetarja: I nderuar, ju keni qenë atë ditë në korridor kur disa persona kanë hy dhe ju keni qenë prezent përderisa punëtori që ka qenë…?
Kamber Shabani: Po po, ata hyjnë e dalin edhe sot hyjnë e dalin…
Gazetarja: Punëtori që e ka pas detektorin, ka sinjalizu drita edhe ju veç e keni kalu, pse është tejkalu..?
Kamber Shabani: Detektori reflekton edhe në zingjirë të dukatit edhe ai herë…
Gazetarja: A nuk e keni pa të arsyeshme me me e shiku se a mundet me pas diçka?
Kamber Shabani: Përditë ka të tilla probleme e raste, përditë detektori dhezet edhe ndalet, po dihet arsyeja pse se edhe në pullë me qenë dhezet kurgjë nuk është ajo.
Gazetarja: Po, por ju keni qenë prezent aty, a nuk e keni pa të arsyeshme me e kontrollu?
Kamber Shabani: Jo më shumë, se sa detektori e verifikon.
Shabani, që mban pozitën e Kordinatorit të Njësisë së Patentë Shoferëve në Gjakovë, bazuar në përshkrimet e detyrave të punës së tij, është përgjegjës për pranimin, kontrollimin dhe regjistrimin e dokumentacionit të kandidatëve për testim, formimin e listave të kandidatëve që i nënshtrohen provimit teorik dhe praktik, kryen detyra sipas nevojën dhe kërkesës së eprorëve etj.
Për rastin e datës 2 korrik, ai tutje thotë se nuk i kujtohet nëse është telefonuar nga zyrtarët e ministrisë, teksa mohon se ekzamineri Mihill Bibaj ka hyrë në zyrën e tij.
“Në zyrën teme nuk ka hy, se janë tri zyre aty, po ai ka fol me personat përgjegjës, jo me mu”, ka thënë Shabani.
Tutje nga gazetarja e “Betimit për Drejtësi” pyetet nëse është telefonuar nga zyrtarët e ministrisë.
Kamber Shabani: Jo, mu askush nuk më ka telefonu kurgjë.
Gazetarja: Në ato momente ju thoni që nuk ju ka telefonu askush?
Kamber Shabani: Mu në atë moment nuk më kujtohet që më kanë telefonu njeri, jom dalë…
Gazetarja: A nuk ju kujtohet apo nuk ju kanë telefonu?
Kamber Shabani: Jo nuk më kujtohet, edhe nuk muj me të thon me rrejt se unë s’di me rrejt, s’kom arsye. Aq më tepër pse me m’telefonu mu kur unë nuk jam përgjegjës për sallë…
Shabani, po ashtu mohon se ka shkuar tek salla e testimit me ekzaminerin Mihill Bibaj, në momentin që kandidatëve iu kumtua diçka, e të cilët u larguan nga testimi pas kësaj situate.
“Nuk jam shku, absolut jo. Po shihem, po është rruga për me shku te banjot deri qaty sheh ti edhe banjot edhe te arkivat, po jo në sallë”, u shpreh koordinatori i Njësisë së Patentë Shoferëve në Gjakovë.
Ndërsa, për letërnjoftimin e njërit nga të dyshuarit që e kishte lënë brenda sallës së testimit e që ekzamineri Mihill Bibaj, tha se e ka dorëzuar tek Shabani, ky i fundit mohon këtë gjë.
Kamber Shabani: Administrata nëse e ka pranu, e ka pranu edhe mennjëherë e ka marrë personi…
Gazetarja: Neve z. Mihill Bibaj na ka thënë që e ka dorëzu tek ju, a është e vërtetë?
Kamber Shabani: Në administratë, në administratë, jo te unë.
Gazetarja: Jo, ai ka thënë që e ka dorëzu tek ju?
Kamber Shabani: Jo, nuk është.
Koordinatori Kamber Shabani, theksoi se për këtë rast nuk është intervistuar nga organet e drejtësisë, ndonëse rasti është lajmëruar në Polici nga Departamenti për Patentë Shoferë.
Sigurimi me detektor thotë se nuk ka vërejtur asgjë të dyshimtë tek kandidatët
Me qëllim që të parandalohen veprime të palejueshme të kandidatëve që iu nënshtrohen provimit teorik ose praktik për patentë shoferë, institucioni ndërmerr edhe masa të tjera, siç është kontrolla me detektor.
Për rastin e ndodhur më 2 korrik 2024 në Njësinë e Patentë Shoferëve në Gjakovë të tre kandidatëve të dyshuar që hynë në provim teorik, detektori sinjalizoi më dritë të kuqe edhe pasi i lënë gjërat personale në tavolinë.
Adrian Batusha, punëtori apo sigurimi që kontrollon kandidatët me detektor, fillimisht nuk pranon se me 2 korrik ka qenë në punë.
Gazetarja: Janë disa persona aty që kur hyjnë ju shfaqet drita e kuqe dhe ju i lejoni me hy brenda. A mundemi me ditë pse është lejuar një gjë e tillë?
Adrian Batusha: Jo, nuk kam leju askënd me hi unë mrena, absolut. Unë se kam ditë as nuk jam në ngjarje absolut për këtë temë.
Batusha, insiston se nuk ka vërejtur asgjë të dyshimtë, ndonëse bazuar në pamje drita kuqe sinjalizon tek personat, për të cilët ishin ngritur dyshime se posedojnë pajisje kopjimi.
“Jo, jo nuk kam vërejtur, unë s’kam vërejtur diçka të dyshimtë. Unë, jam duke të kuptu çka jeni duke thënë po unë nuk kam vërejtë diçka të dyshimtë, absolut. Unë personat nuk i preki në pjesët intime, as nuk ia shti duart personave me i prek as kurgjë absolut se nuk më lejohet. Unë i kontrolloj, iu gjej diçka, mirë i qesim në tavolinë me telefona me kuleta, kurgjë s’kanë”, u shpreh Batusha.
Në anën tjetër, ndonëse, për kandidatët u ndërmorën veprime ndëshkuese nga Departamenti për Patentë Shoferë, njëjtë nuk u veprua për ekzaminerin, koordinatorin e Njësisë dhe punëtorin e sigurimit
Sipas Udhëzimit Administrativ për dhënien e provimit për patentë shoferë, kandidatët nuk lejohet të hyjnë në sallë me mjete të palejueshme në provim. Dhe, për të parandaluar një gjë të tillë zyrtarët duhet të kontrollojnë kandidatët në hyrje me detektor dhe në rast se edhe kjo hallkë dështon atëherë ekzamineri brenda sallës së testimit duhet të lajmërojë organet e rendit.
“Nuk ka pasur vendim. Nëse Policia na vjen me një komunikatë ose me një informacion që edhe këta kanë qenë të involvuar ne menjëherë do të ndërmarrim masat për Komision Disiplinor”, u shpreh Fejzullah Mustafa, Drejtor i Departamentit për Patentë Shofer.
Policia dërgoi raport informues për rastin pas shtatë muajsh në Prokurorinë Themelore në Gjakovë
Emisioni “Testimet për patentë shoferë: Pajisje nën xhaketë, dështon sistemi i kontrollit”, ka sjellur pamje eksluzive të datës 2 korrik 2024, të tre kandidatëve që dyshohet se iu nënshtruan testimit teorik me pajisje kopjuese të dyshimta në Njësinë e Patentë Shoferëve në Gjakovë.
Për këtë rast, Departamenti për Patentë Shoferë, lajmëroi po atë ditë Policinë e Kosovës.
Fejzullah Mustafa, drejtor i këtij Departamenti konsideron se në këtë rast ka elemente të veprës penale, për çka tha se kanë dërguar rastin në Polici, porse nuk janë marrë asnjëherë në pyetje.
“Unë mendoj që, jo që është vepër penale, por konsideroj që kjo është një krim i organizuar sepse në kuadër të procesit të testimit aty janë të involvuar dy e më shumë persona. Ai që i nënshtrohet provimit, ai që e vendos kamerën, ai që e ndihmon nga jashtë në proces të testimit. Unë mendoj që, jo që është vepër penale, por është krim i organizuar sepse ka dy e më shumë njerëz, të cilët janë të involvuar në proces të kryerjes së provimit në mënyrë jo legjitime, jo legale përmes kamerave, të cilët kopjojnë ose marrin informacione nga jashtë për përfundimin e procesit të testimit”, u shpreh Mustafa.
“Betimi për Drejtësi”, ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës, por të njëjtit fillimisht nuk janë përgjigjur. Në anën tjetër, në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, treguan se për këtë rast raportin informues nga Policia e Kosovës , përkatësisht Sektori për Hetime Financiare në Prishtinë e kanë pranuar më 7 shkurt të këtij viti. Sipas përgjigjes, rasti është duke u trajtuar dhe janë duke u grumbulluar informacione.
Në ndërkohë “Betimit për Drejtësi”, iu kërkuan informata shtesë nga Policia e Kosovës, saktësisht u kërkuan përgjigjet e Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe Ministrisë së Infrastrukturës.
Pas dërgimit të informatave, Policia e Kosovës ktheu një përgjigje, në të cilën u dhanë informatat e njëjta që “Betimi për Drejtësi” i’a përcolli paraprakisht këtij institucioni. Pra, në përgjigjen e tyre, tregohej se muaj më parë është dërguar raporti informues në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.
Po ashtu, u kërkua intervistë pikërisht më zyrtarin hetues, të cilit iu dërgua shkresa për këtë rast, por deri në publikimin e këtij emisioni nuk u pranua asnjë konfirmim apo përgjigje.
“Betimi për Drejtësi”, kuptoi që një rast i ngjashëm në Njësinë e Patentë Shoferëve në Gjakovë , kishte ndodhur disa muaj pas. Sipas informacioneve nga burimet, Policia kishte arritur në vendin e ngjarjes, pra në sallën e testimit dhe kishte kapur këto pajisje tek kandidatët.