BETIMI PËR DREJTËSI

Provat që nuk u “panë”, kur drejtësia zgjedh anë

Policia nuk ia dorëzoi të gjitha provat Prokurorisë për incidentin Beqa-Elezi

Më 29 nëntor 2023 në këto ambiente ku do duhej të mbrohej konkurrenca e të luftoheshin marrëveshjet e fshehta që për qëllim kanë rritjen e çmimeve në treg, zyrtarët publik degraduan, duke u përleshur fizikisht.

Drejtori i Autoritetit të Konkurrencës, Selajdin Beqa pati një incident me ish- ushtruesin e detyrës të Departamentit për Mbikëqyrjen e Tregut, Shemsi Elezi.

Versionet se për çka nisi përleshja fizike janë të ndryshme.

I pari i institucionit Beqa thotë se Elezi e kishte kapur për fyti, duke i refuzuar ofrimin e llogaridhënies dhe në vetëmbrojtje e kishte shtyrë, për çka ishte përplasur në cepin e derës.

“Unë kam qenë duke vazhduar në zyrën time, ai ishte duke më pritur aty dhe me një tonë kërcunues nga ana e majtë më deklaron që mos më dërgo më emaile kësisoj dhe ndaloj këto kërkesa. Thash emaile dhe kërkesa për punë do të kemi vazhdimisht për punë jena këtu. Atëherë më ka kapur për fyti kam tentuar ta largoj dhe nuk u hiqte nga qafa ime, më kapi për fyti, dhe në atë moment e kam shtyrë, e kam parë që zënë në shtyllën e derës dhe si gjysëm i rrëzuar në korridor, dhe unë hapa derën për të hyrë në zyrën time. Në atë momënt u zgjua dhe më ka shar me nënë, atëherë i kam thënë e ke njohur nënën time ke qenë tek nëna ime, nuk është mirë me sha ashtu. Në atë momënt është vërsul me godit në këtë pjesë por nuk ka mundur të më qëlloj dhe atëherë e kam shtyrë përsëri mbrapa dhe përsëri ka zanë në shtyllën e dërës dhe është rrëzuar dhe kanë ndërhy kolegët kaq ka qenë”.

Ndryshe nga Beqa, Elezi thotë kishte dalë për të fotokopjuar dokumente, kur drejtori Beqa e kishte sulmuar fizikisht.

“Elezi: Jom drejtu me dalë prej zyrës për me shku te printeri në fund të korridorit, edhe pa njo pa dy, ka dalë prej derës prej zyrës së tij edhe më ka godit në trup në kry, edhe dyshoj që edhe sipas analizave që i ka bo instituti i mjekësisë ligjore, dyshohet për një mjet të fortë jo i mprehtë, që mundet me kanë dhashtë Zoti s’ka pas, mundet me qenë një mjet tjetër, që ko me ardh puna kom me kërku prej institutit me vlerësu qai mjetë, po unë dyshoj që mundet me kanë edhe armë që më ka godit më ka preh në qaf edhe më ka godit tona pjesët e trupit me shkelma unë s’kom pas asnjë mundësi asnjë lëvizje me ba si më ka godit në kry kom ra për toke Dhe gjatë gjithë kohës më ka godit për nja një minut a dy.
Gazetarja: Pra po thoni që nuk ka pas asnjë diskutim ka pas direkt sulm?
Elezi: Hiç, hiç asnjë diskutim unë veç durt xhepa i kom pas dhe kom shku direkt.
Gazetarja: Dhe për sa ka ushtruar dhunë po thoni?
Elezi: A kanë qënë 2 3 minuta a 5 minuta nuk e di”.

Si rrjedhojë, të dy kishin raportuar rastin në polici.

Gjatë denoncimit të rastit në polici, ishin ftuar edhe stafi mjekësor për kontrollimin e tyre.

Raportet përshkruajnë gjendjen e njëjtë për të dy.

Në raportin mjekësor të Beqës thuhet se “pacienti ankohet për dhimbje koke dhe ka gërvishtje të lehta në qafë”.

“Beqa: Po unë kam marrë lëndime në qaf kam pasur gërrvishje për të cilat i kam deklaruar edhe gjatë dhënies së deklaratës në polici për të cilën kam edhe foto që duket qartazi këshimma e shqyer dhe gërrvishjet në qaf.
Gazetarja: Keni raport të mjekut?
Beqa: Natyrisht.
Gazetarja: Kur e keni marrë raportin?
Beqa: Gjatë kohës që kam qenë aty policia ma kanë sjellur ekipen mjekësorë në stacion policor”.

Në anën tjetër, në raportin mjekësor të Elezit shkruan “dhimbje koke, gërvishtje në qaf”.

Ndryshe nga Beqa, Elezi nuk i kishe besuar këtij raportit mjekësor të Qendës Mjeksore Urgjente në Prishtinë, dhe si rrjedhojë kishte bërë kontrolle shtesë në QKUK, të cilat nuk i kishte kryer menjëherë por në mbrëmje.

“Elezi: Gërvishtje po goxha e ranë, edhe jo veç një gërrvishje po edhe goditje në kry krejt fotografit i kanë.
Gazetarja: A keni ekzaminim mjekësor që keni pranu goditje në kokë?
Elezi: Po more i kom bo krejt.
Gazetarja: A i keni raportet mjekësore me veti?
Elezi: I kam unë krejt qaty i kom.
Gazetarja: Po atë ditë që janë bë?
Elezi: Po atë ditë në mbramje jom shku se nuk i kom besu kësaj cka kanë ba mjeksia, qendra e mjëksisë familjare. Kam shku në spital me shokun kolegun tem Avni Gjocaj edhe i kena ba krejt inqizimet.

Bazuar në raportet e ofruara nga Elezi, më 30 nëntor Elezi e kishte thirrur Qendrën e Mjekësisë Urgjente për kontroll, ani se të njëjtës thotë se nuk i kishte besuar një ditë më parë.

Megjithatë, jo të gjitha këto prova u deponuan.

Hetuesi policor Sabri Osmani, në kallëzimin penal të ushtruar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, nuk e deponoi fare raportin mjekësor të Beqës.

Madje, Osmani në kallëzim penal kishte konstatuar se Beqa nuk kishte pasur shenja të lëndimit dhe si rrjedhojë edhe nuk kishte pranuar kontroll mjekësore.

Kësisoj, duke vënë në pikëpyetje paanshmërinë në trajtimin e këtij rasti nga Policia.

Lidhur me këtë, “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar sqarime nga hetuesi Osmani si dhe rreshteri përgjegjës Naser Berisha, se pse kjo provë nuk ishte përfshirë në kallëzim penal, nuk i ishte ofruar prokurorisë si dhe pse kishte deklaruar rrejshëm se Beqa nuk kishte pranuar trajtim mjekësor, ani se ftesa ishte bërë nga ana e tyre dhe trajtimi mjekësor i ishte dhënë në stacion policor

Mirëpo, përkundër pritjeve, Policia e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje.


Shala për incidentin Beqa-Elezi: Mund të ketë vepër penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar

Bazuar vetëm në provat e Policisë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Beqën, ndërsa Elezin e ka cilësuar si viktimë.

Madje, lëndimet e përshkruara të Elezit i kishte vërtetuar edhe eksperti mjekoligjor, i cili kishte konstatuar se i njëjti përveç gërvishtjeve në anën e majtë të qafës, kishte pësuar edhe ndrydhje në kokë.

“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar sqarime nga prokurori i rastit Besnik Jakupi, nëse është trajtuar raporti mjekësor i Beqës, si dhe pse nuk e ka intervistuar atë nëse ka akuzuar Elezin se e ka sulmuar fizikisht, në mënyrë që t’i kërkoheshin dëshmi mbështetëse për deklaratën e dhënë në polici, veprim ky i cili do ta shmangte anshmërinë e hetuesit policor.

Në përgjigjen me shkrim të prokurorisë thuhet se ky dokument nuk ekziston në dosjen e dorëzuar nga zyrtari policor.

Derisa nuk është dhënë përgjigje, se pse prokurori nuk e ka intervistuar vetë Beqën.

“Prokuroria me rastin e pranimit të kallëzimit penal të ushtruar nga Policia e Kosovës, në provat e pranuara me kallëzim penal nuk ekziston një dokument i tillë që lidhet me raportin mjekësor për të pandehurin Selajdin Beqa, dhe lidhur me  deklaratën se të njëjtit të dhënë në polici, Prokurori ka vlerësuar mbrojtjen e të pandehurit mirëpo mbrojtja e të njëjtit nuk gjenë mbështetje në as një provë dhe se një deklarim i tillë i pandehuri e ka bërë vetëm me qëllim që t’i shmanget përgjegjësisë penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Beqa thotë se përveç raportit mjekësor, në provat e prokurorisë mungon fotografia nga lëndimi në qafë si dhe kallëzimi penal ndaj Elezit.

“Kam vrejtur se në dosje mungon kallëzimi im penal ndaj tij sepse vazhdimisht ka bërë kërcënime, ka bërë komunikime me palët e trata jashtë dhe poashtu mungon dokumenti mjekësor i imi aty, dhe foton, po foton me gjasë është bardhë e zi por tash në komunikim me prokurorinë dhe gjykatën do ta shohim a është fotoja ime aty”.

Mos ofrimi i provave nga ana e hetuesit policor Sabri Osmani ngrit dyshime për kryerjen e veprës penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

“Në rastin konkret, zyrtari policor dyshohet se kishte në dosjen e tij një provë kruciale, lëndimet e palës, që vërtetoheshin edhe më një raport mjekësor. Mos përfshirja e kësaj prove dhe dhënia e përfundimit se pala nuk i është nënshtruar kontrollove mjekësore, vë në dyshim paanshmërinë në trajtimin e këtij rasti. Këtu mund të ketë vepër penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar. Këtu duhet të ketë një hetim nga IPK”, ka thënë hulumtuesi i lartë ligjor në IKD, Gzim Shala.


A ndikoi ish-gjyqtari Behrami tek prokurori për ngritjen e aktakuzës ndaj Beqës?

Dyshimet mbi këtë rast i hedh edhe një dëshmi e re e siguruar së fundmi. Kjo fotografi është komunikim i realizuar nga Elezi me ish-gjyqtarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, tash avokat Daut Behrami.

Bazuar në screen shot-in e bërë në platformën e komunikimit “Viber”, Behrami i është drejtuar Elezit dy ditë para protokollimit të aktakuzës me fjalët “Përshëndetje shoq, porosia u krye”.

Në fotografin e dërguar me këtë mesazh, shihet një kompjuter në të cilin po shkruhej aktakuza.

Aktakuza në fotografi është e njëjtë me atë të protokolluar.

Rrjedhimisht, duke ngritur dyshimet për ushtrim ndikimi.

Elezi ka pranuar se njihet me ish-gjyqtarin Behrami prej mbi 20 vjetësh.

Fillimisht ai thotë se ka raport shoqëror, e më pas e mohon atë.

“Gazetarja: A mundesh me na tregu zotëri Elezi, çfarë raporti raporti keni me ish-gjyqtarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë tash avokat, Daut Behrami?
Elezi: Kurgjo raport, raport shoqëror kurgjo tjetër sen mi kit tokë.
Gazetarja: Qe sa njiheni?
Elezi: Moti njihemi moti, noshta 20 vjet 25 vjet prej maslufte.
Gazetarja: Keni raport të afërt shoqëror apo edhe familjar?
Elezi: Jojo familjar jo, s’kom raport shoqëror ai ka qenë gjyqtar në Drenas, edhe më ka ra me u konsultu me qeto veprimet e fundit me ta, dhe jom mundu sa ma shimë njërëz me gjete, dhe me u konsultu çka me bo”.

Kur “Betimi për Drejtësi” është paraqitur në zyrat e ish-gjyqtarit tash avokatit Daut Behrami, fillimisht ka thënë se nuk i kujtohet ky rast duke kërkuar që ekipi t’i lirojë zyrën.

Ai nuk e ka pranuar se ka raport shoqëror me Elezin, duke thënë se njihen duke qenë se jetojnë në të njëjtin qytet, dhe i ka dhënë këshilla të njëjtit kur ka pasur probleme me prona.

“Behrami: Unë jom i Drenasit edhe kom punu në Drenas, edhe vonë kom ardh në Fushë Kosovë edhe tash punoj në Fushë Kosovë.

Gazetarja: Po Shemsi Elezin qe sa e njeh.

Behrami: Po Drenasi komuna është e vogël edhe jemi njoftë si rreth, unë kom punu në gjykatë në Drenas edhe e njoh si Shemsi si familje e mirë edhe ka pas do lokale, do ndërtime do probleme rreth pronave, dhe më ka konsultu ma herët rreth provave rreth do procedurave”.

Elezi ka pranuar se nga posta elektronike e tij kanë rrjedhur dokumente dhe fotografi si pasojë e hakimit.

E në mesin e shumë materialeve, ka qenë edhe kjo fotografi.

Ai konfirmon vërtetësinë e kësaj fotografie por data e bisedës thotë të jetë e manipuluar.

Elezi që në cilësinë e viktimës përfaqësohet nga Prokurori i Shtetit, e ka angazhuar si avokat të autorizuar RifatKelmendin.

Por, Elezi sikur thotë se u konsultua edhe me ish-gjyqtarin tash avokatin Daut Behrami.

“Elezi: Po jemi konsultu  dikun, se unë avokatin tem personal e kom zgjedh njo që e kemi pas aty afër, kom bisedu me Rifat Kelmendi.
Gazetarja: Po me zotërin Daut Behrami për cka jeni konsultuar?
Elezi: Me to jom konsultu vec rrerth përrvojës së tij të gjatë, qysh mundet me u trajtu një rast, cka mundet në të ardhmen me u shtu si rast te rasti i jem që e kam.
Gazetarja: për insidencin me zotërin Beqa jeni konsultuar?
Elezi: Po kryesisht jom konsultu, se aty është një problem se nuk u trjatu në mënyrën q qëysh duhet se u dashtë me u fut sulm ndaj perosnit zyrtar, e kjo ka qenë që gjatë përfaqësimit në gjykatë me shti si pikë të diskutimit.
Gazetarja: Po në emailin tuaj zotëri Elezi, është një screen shot i bisedës tuaj me zotërin Behrami “Përshëndet shoq porosia u krye”, dhe në fotografi është aktakuza që është ngrit ndaj drejtorit të përgjithshëm të autoritetit, Selajdin Beqa për “lëndim të lehtë trupor”, për incidentin e ndodhur mes juve më 29 nëntor 2023, ky screen shot u është përcjell disa ditë para se aktakuza të jetë final dhe të ju  përcjellet jvue si palë dhe palëve të tjera.
Elezi: Nuk ka të bëjë kjo kjo është mashtrim i tyre, i Selajdin Beqës nuk ka të bëjë fare me aktakuzën time, une kam bisedu me avokatin ëpr cështjet që duhet me i ngrit në të ardhmen qysh është e mundshme me ngrit cështjen të kodi penal sulm ndaj zyrtatit publik. Kjo ka qenë se unë jom demtu, edhe në polici e kom diskutu pse nuk e keni trajtu rastin si duhet po e keni bo lëndim të lehtë trupor, u deshte me bo “sulm ndaj zyrtarit publik”.
Gazetarja: Mirëpo në bisedën që ju e keni pas më datë 16 mars 2024, që po i bie dy ditë para se aktakuza të përpilohet final dhe të protokollohet, ju shkruan “Përshëndetje shoq, porosia u krye” fotografi që është dërguar me aktakuza përkon pikërisht me aktakuzën finale që u është dërguar juve Beqës si i iakuzuar.
Elezi: Nuk ka të bëjë kjo, aty është data, ka manipulime, për qëta thash që gjasat janë që me manipulu këta edhe me fotot e mija edhe me të gjitha dokumentacionet”.


Elezi mohon se angazhoi ish-gjykatësin për të ndikuar në ngritjen e aktakuzës

Ani se në screen shot-in e siguruar shihet qartë se pas shkrimit “Përshëndetje shoq, porosia krye”, është dërguar mënjëherë fotografia e aktakuzës dhe jo argumentet për plotësimin saj. Në foton e dërguar nga ish-gjyqtari Behrami është aktakuza, e cila është identike me atë të deponuar. Vepra penale në aktakuzën e dërguar nga ish-gjyqtari Behrami është po ashtu “lëndim i lehtë trupor”.

Ai thotë që Behrami t’i ketë thënë “porosia u krye” jo për të ndikuar në rast, por për t’ia përgatitur të gjitha argumentet avokatit të angazhuar me autorizim Ridvan Kelmendi, që as nuk janë në të njëjtën zyrë, pretendimet për ta ndryshuar veprën penale nga “lëndim i lehtë trupor” në “sulm ndaj personit zyrtar”.
“Gazetarja: E çka ka bë avokati, ish-gjyqtari që tash është avokat, që ka thënë porosia u krye, cka u kry, cka ka kry ai?
Elezi: Qeto sene cka unë i kom thanë, ai i ka marrë për me i përshkru për me i bo gati, që kur të shkoj kur të vjen, bile më ka thanë e ki Rifatin avokat, ata merre qeto ja shpjegoj edhe unë e takoj, edhe nuk e di ma a jon taku a cka kanë bo, po qeto sene duhet me i paraqit kur të vjen koha për sulm zyrtar.
Gazetarja: Pse ka pas nevojë me i bë behrami gati dhe nuk i ka bë Rifati meqë ti e ki të angazhum zyrtarisht.
Elezi: Shiko kishte angazhime të mëdhaja përvoja e tij qëto raste, rifatin e kom pas si mik temin që kena që e kom pa që është i vendost edhe e kom marrë”.

Në anën tjetër avokati Behrami, kur është pyetur nëse fotografia ku shihet duke u hartuar aktakuza është dërguar ai, e ka mohuar, ani se pak sekonda më parë tha se nuk i kujtohet të jetë zhvilluar kjo bisedë.

“Gazetarja: Është siguru një fotografi prej emailit të tij ku ju i keni thënë “Përshëndetje shoq, porosia u kry” dhe këtu është aktakuza që ju ka hartu  Selajdin Beqës dhe screen shoti është bë më 16 mars 2024, dy ditë para se me u protokullu aktakuza dhe më ju dorëzu palëve më datë 18.
Behrami: Albertë, çka të ki dyshime që ju vyjnë për prononcime të juaja.
Gazetarja: Jo, por unë jom këtu zotëri Berhami. Ky komunikim a është mes juve dhe tij?
Behrami: Nuk deklarona, dhe veç në email mi dërgon.
Gazetarja: Po a e keni bë qet bisedë.
Behrami: Unë të thash as nuk më kujtohet, as nuk di as s’kom ba.  Çka të kesh në email dërgomi me email pyetjet.
Gazetarja: Po a e keni bë qet bisedë me të?
Behrami: Po jo, oj Albulenë, Albertë, unë po të them që për me qenë korrekt mi dërgo pytje me email krejt çka ki se jom me qeto urgjente krejt.
Gazetarja: A e keni bë qet bisedë?
Behrami: Jo jo skom bo unë biseda, krejt çka të kish urdhno.
Gazetarja: Për çka i keni thënë porosia u krye zotërit Elezi?
Behrami: Ooo nuk kom bo unë biseda, se di  s’më kujtohet as kjo bisedë kur.
Gazetarja: 2024-ën para një viti.
Behrami: Nuk më kujtohet.
Gazetarja: Për çka ju ka konsultu para një viti zotëri Elezi?
Behrami: Unë të lutna të thash vetëm në dërgo pytje me email, në email të përgjigjem.
Gazetarja: Çka ke me mu përgjigj në email ndryshe prej kësaj që mundesh më mu përgjigj  tash.
Behrami: Pyetjet e juja.
Gazetarja: Po unë po të pys, a e keni bo fillimisht dhe për çka i keni thënë porosia u kry?
Behrami: As nuk kom bo as nuk më kujtohet që u bo.
Gazetarja: Për çka ju ka konsultu para një viti?
Behrami: Të thash që njoh moti nuk e di kur kom bisedu me të.
Gazetarja: A ia keni dërgu ju qet fotografi të aktakuzës?
Behrami: Jo, jo të garantoj që jo.
Gazetarja: Tash po ju kujtohet, se më herët më that që nuk po ju kujtohet që kur e keni bo këtë bisedë?
Behrami: urdhno?
Gazetarja: Pak minuta më herët më that që nuk po ju kujtohet kur e keni bë këtë bisedë, tash po thu të jesh e sigurt që nuk e kom dërgu këtë fotografi.
Behrami: S’kom bo unë.

Behrami i pyetur nëse njihet me prokurorin e rastit Besnik Jakupi, ka refuzuar të përgjigjet sërish.

“Gazetarja: A keni raporte me prokurorin e landës Besnik Jakupi?
Behrami: Unë po thash vetëm në email mos më pengo të lutëm se jom tu punu për me i dorëzu sot se tri landë i kom”.

Betimi për Drejtësi ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga avokati i autorizuar i Elezit, Rifat Kelmendi.

Mirëpo, i njëjti nuk ka gjetur kohë.

I pyetur se pse e ka ruajtur si fotografi bisedën me Behramin, Elezi pretendon ta ketë bërë pa dashje.

Derisa thotë se biseda e realizuar në viber me Behramin tashmë ta ketë fshirë.

“Gazetarja: Juve personalisht pse e keni be sccren shot kete bisede
Elezi:  A e din ka mundësi që telefonin kur te mbajsh në dorë a diçka që mundesh me bo scren shota plotë që i kam do as vetë se di i kom shlu plotë, që i kom pas p.sh i kom pas një email qel a diçka rusisht e prek njeri me dorë, plotë gabimisht i kom bo,  nuk ka të bëjë kurgjo me tjetër sen.
Gazetarja: po thoni që e keni bë pa dashje.
Elezi:  pa dashje, e screen shotat që i kom bo me dashje.
Gazetarja: po qeta e e keni bo me dashje a pa dashje tash?
Elezi:  Pa dashje këta e kom bo, ama nuk e  kom nuk e di qysh e kom prek telefonin”.
Gazetarja: A e keni bisedën në viber me zotëri Behrami?
Elezi: Jo skom se e kom fshi moti i kom fshi se i kam fshihet ato hiqen ato vetë.
Gazetarja: Pse i keni fshi?
Elezi:  Fshihen a e din pse spo du me pas a pe she në kompjuter noshta skom pas.
Gazetarja: E qysh mundemi me argumenti që nuk është data 16 po janë datë tjetër, se spe është nxjerr prej fotografive të juaja në gmailin e juaj?
Elezi: Po e din ata qysh mi kanë manipulu krejt qeto të dhana qysh aknë hi në krejt, është manipulu edhe kjo”.

Në anën tjetër, i pyetur Elezi nëse kjo tregon një tendencë për të ndërhyrë në rast, në mënyrë që të akuzohej vetëm Beqa, duke qenë se akuzonte Elezin për sulm fizik, e ka mohuar.

“Gazetarja: Duke e marrë parasysh këtë që e kemi si provë e nxjerr prej emailit të juaj.
Elezi: Po.
Gazetarja: A keni tentu me ndërhy në rast përmes Daut Behramit që është ish-gjyqtar tash avokat?
Elezi: As një, unë kom pas problem tu u ballafaqu me drejtësinë.
Gazetarja: Jo, po ju pyes shumë shkurt dhe thjeshtë: Keni tentuar me ndërhy në rast me u ngrit aktakuzë vetëm ndaj Selajdin Beqës dhe jo ndaj juve, duke qenë se edhe ai u akuzon juve se ju keni qenë i pari që e keni fillu sulmin ndaj tij.
Elezi: Asnjëherë unë nuk kam tentu me ndërhy në drejtësi, unë jam ballafaqu ditën e parë, nëse u dashtë me pas drejti me shku në mbajtje menjëherë pasi krejt shenjat janë kanë të mijat”.


Elezi akuzon kolegët e punës së ia hakuan e-mailin privat prej nga i doli biseda që ngrit dyshimet për ndikim në rast

“Elezi: Ka mundësi që është drejtori i përgjithshëm, bashkë me kryetaren e autoritetit dhe zyrtarin e IT-së i cili i kryen dy pozita eështë edhe zyetar i IT-së edhe udhëheqës i divizionit për marrëveshje të ndaluara

Gazetarja: Kush janë a mund të na thoni me emra
Elezi: Selajdin Beqa, kryetarja Naime Binaku Isufi dhe Albion Rexhepi”.

“Akuzat që po i quaj akuzë që më paska Shemsi Elezi kinse unë kam hakuar, ato janë të pabaza krejt janë jo logjike dhe krejtësisht tendencioze përndryshe unë jam udhëhehqja e institucionit dhe detyrat e mija janë të përcaktuara kjaftë me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës:”, ka thënë Naime Binaku, Kryetare e Autoritetit të Konkurrencës

“Ai mund të më akuzoj mua në cilësinë sepse i kryej edhe detyrat e IT-së në Autoritetin e Konkurencës, por unë jam jurist i diplomuar, dhe nuk jam IT aq më pak haker që të hakoj telefonin apo emailin e tij privat. Kur kanë ndodhur ato sulme me 18 mars na kanë ardhur të gjithëve, përfshie dhe disa zyrtar të tjërë dhe unë menjhëerë kam kontaktuar përsonat përgjegjes për ndalimin e këtyre emaileve, përkatësisht IT e Kuvendit të Kosovës, dhe ASHI-n të cilët i kanë ndërmarrë disa masa dhe i aknë ndaluar ato emaile”, ka thënë Albion REXHEPI, Udhëheqës i divizionit per marrëveshje te ndaluara në AKK.

Lidhur me ndikimin e mundshëm në ngritjen e akuzën “Betimi për Drejtësi” e ka pyetur edhe prokurorin Jakupi.

Mirëpo, i njëjti nuk është përgjigjur.

Mos përfshirja e të gjitha provave në kallëzim penal nga Policia e Kosovës, më pas mos intervisitimi i palëve nga vetë prokurori, e biseda e zhvilluar mes Elezit me ish-gjykatësin Behrami, ngrit dyshimet për kryerjen e veprës penale.

“Këtu kemi një foto, që dyshohet se ka pasur një komunikim dy ditë para ngritjes së aktakuzës, ku shihet aktakuza. Kjo situatë ka nevojë për hetim. Vepra penale e ushtrimit të ndikimit kryhet edhe nëse ndikimi fare nuk është ushtruar. Përballë këtij pretendimi, edhe Prokurori i Shtetit duhet të qartësoj pozicionin e saj, për shkak se bëhet fjalë për dyshime në lidhje me një dokument të saj, e që është aktakuza në fjalë”,  ka thënë hulumtuesi i lartë ligjor në IKD, Gzim Shala.


Në ditën kur Autoriteti i Konkurrencës hapi hetim ndaj Devolli Corporation, kjo kompani tentoi të deponojë kërkesën për përqendrim

Ndaj Beqës u ngrit edhe një aktakuzë tjetër,  nga kallëzimi penal i deponuar nga kompania Devolli Corporation,  për kryerjen e veprës penale “cenim i së drejtës për ushtrimin e mjetit juridik”.

Në këtë rast nuk u përfshi prova kryesore dhe  e pakontestueshme, e që janë pamjet e kamerave, të cilat e rrëzojnë pretendimin kryesor mbi të cilin është ngritur aktakuza.

Si ndodhi kjo?

Më 20 mars 2023 komisioni i Autoritetit të Konkurrëncës së Kosovës kishte thirrur një mbledhje në të cilin u morë edhe vendimi për hetimin e kompanisë Devolli Corporation për blerjen e kompanisë Kujtesa net, në vitin 2022, veprim ky pa e njoftuar autoritetin, e që sipas tyre cenon tregun e lirë.

“Hetimi është duke ndodhur për një përqëndrim të panotifikuar, përqëndrimi i panotifikuar është kur një kompani apo ndërmarrje blenë asetet apo aksionet e ndërmarrjes tjetër pa e notifikuar Autoritetin e Konkurrencës duke i plotësuar kushtet e përqendrimit, kushtet janë që njëra ndërmarrje të ketë mbi 3 milionë euro qarkullim në tregun e kosovës ose mbi 20 milionë euro qarkullim në tregun e jashtëm, dhe kjo është arsyeja pse është hap hetim ndaj Devolli Corporation”, ka sqaruar Albion REXHEPI, Udhëheqës i divizionit per marrëveshje te ndaluara në AKK.

Pas përfundimit të kësaj mbledhje ku edhe u morë vendimi për hetim, përfaqësuesja e kompanisë Devolli Corporation, Arbresha Qena, ishte paraqitur në zyrat e Autoritetit të Konkurrencës për paraqitjen e kërkesës për përqendrim.

“Së pari udhëzimi administrativ për notifikimin e përqëndirimeve e thotë qartë që kërkesa për pqëndrim duhet të ndodh para se të nënshkruhet kontrata, dhe tani për të mos hy në lëndë të rastit ka ndodhur më herët së viti 2024, para 2023 dhe qysh atëherë Devolli Corporation ka qenë i obliguar që ta njoftoj Autoritetin e Konkurrencës për këtë përqendrim, por e ka bërë në ditën e hapjes së hetimeve”, ka shtuar Rexhepi.

Në pamjet e kamerave të cilat i ka siguruar “Betimi për Drejtësi” shihet se ora kur Qena ishte paraqitur në zyrat e autoritetit shënon 16:03 minuta.

Si rrjedhojë, të njëjtës i ishte pamundësuar parashtrimi i kërkesës për përqendrim.

“Kur e pash e Devollit ma zgjoj kureshtjen më shumë, thash ku është pala, pala tha është këtu. Palën e kam ulur në zyrën time, dhe i kemi tregu që je mas orës 4. Me zyrtarin përgjegjës e kemi kqyr nëse ka hy para orës 4 a mas orës 4  në orarin zyrtar të punës në autoritet. Në atë moment i jam prezantu i kam prezantu edhe kolegët e tjerë dhe i kam tregu që ka nis nje hetim  ndaj jush. Është një fat i çuditshëm në vendin tonë që për herë të parë në jetën e tij nga 7 nëntor kur u themelu ky institucion asnjëherë nuk kemi pas një rast të tillë, nis hetim ndaj dy kompanivedhe pas 10 15 minutave ta bjen të njëjtën kërkese”.

Si rrjedhojë, Beqa thotë se ka dyshime të ketë pasur rrjedhje të informacioneve.

“Gazetarja: Keni pasur rrjedhje të informacioneve?
Beqa: Sipas dyshimeve tona janë që po, sepse konkluduam në atë moment, kur e pam që ka ardhur pas orës 4, kemi udhëzu që të vijë nesër, dhe nuk kishim ndonjë rast. Paoshtu legjislacioni korniza ligjore nuk e përcakton këtë situatë, sepse ata kishin kohë kontata ishte e lidhur në mes SV dhe Kujtesa më 6 maj 2022, në kohën edhe kur ne i kishin dyshimet tona dhe mbi ato dyshime kishim hapur hetim në dhjetor të atij viti, dhe asnjë hap apo humbje te afati ligjor nuk do të kishte nëse do të vinte edhe nesër edhe pas një jave dy jave, kishte kohë dy vite”.

E njëjta ishte udhëzuar që kërkesën ta depononte ditën e nesërme më 21 mars 2023.

Por, edhe këtë ditë Beqa thotë kërkesa të mos i jetë deponuar menjëherë, pasi fakti se kompania po kërkonte paraqitjen e kërkesës për përqendrim dy vjet me vonesë, e pikërisht në ditën kur institucioni kishte marrë vendim për hetim, ishte situatë e pa ndodhur më parë, andaj edhe nuk dinin se si të vepronin.

“Beqa: Në ndërkohë kryetarja ka thirr në ora 8 e 30 mbledhje urgjente, dhe këtë rast e kam paraqitur si sekretariat në komision ta vendos komisioni, komisioni ka vendosur me propozimin tim sic mund të shihet me procesverbalin e mbledhjes 21 mars, i kam propozuar që të pranohet si e tillë, për shkak të parimit të ligjshmërisë ne kemi hapur hetim, e si cështje paraprake do ta diskutojmë pasi të vendoset mbi hetimin të cilin e kishim filluar.
Gazetarja: Në sa ora ka qenë pala këtu?
Beqa: E gjithë ngjarja është e regjistruar, dhe dikun para orës 10 pala ka kry punë pasi që komisioni ka votuar për pranimin e tyre me propozimin ti,
Gazetarja: Megjithatë pala ka qenë para orës 8 këtu
Beqa: Ka ardh pak para orës 8 ka ardh 1 herë apo 2 herë dhe i kemi thënë deri sa të vendos komisioni për pranim apo jo”.

Si rrjedhojë kërkesa edhe i ishte deponuar.


Prokurori Zeka nuk i mori si prova pamjet e kamerave, ngriti aktakuzë duke u bazuar në dëshmitarë

Mirëpo, kompania Devolli Corporation kishte ushtruar kallëzim penal pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndaj drejtori Beqa, duke e akuzuar se me këto veprime i ishte “cënuar e drejta për ushtrimin e mjetit juridik”.

Për këtë, “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar të zhvilloj intervistë me përfaqësuesen e kompanisë Qena, si dhe menaxherin e kontratës për blerjen e kompanisë Kujtesa.

Mirëpo, nuk janë përgjigjur në kërkesën e adresuar përmes postës elektronike.

Si rrjedhojë, në deklaratat e punëtorëve të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës, të gjithë kishin deklaruar se përfaqësuesja kishte ardhur në fund të orarit dhe jo jashtë tij, ndryshe nga ajo që e argumentojnë pamjet e kamerave.

Kësisoj duke ngritur edhe dyshime për bashkëpunim të mundshëm me kompaninë Devolli Corporation.

Prokurori i rastit Kushtrim Zeka u bazua vetëm në deklarimet e palëve tëë cilat bien ndesh me pamjet e kamerave. Këështu, Zeka kishte ngrit aktakuzë ndaj Beqës.

Për bazë nuk ishin marrë pamjet e kamerave, të cilat argumentonin se përfaqësuesja e kompanisë ishte paraqitur në zyra jashtë orarit të punës.

Në përgjigjen me shkrim të prokurorit Zeka, thuhet se pamjet e kamerave të sigurisë nuk ishin relevante për asnjë moment, kësisojë duke ua falur besimin deklaratave të punëtorëve të autoritetit.

Ani se, kompania Devolli Corporation kishte tentuar ta deponoj kërkesën pikërisht në ditën kur komisioni kishte marrë vendim për hetim.

“Deri tek ky përfundim është arritur mbi bazën e deklaratave të dëshmitareve të cilat në mënyrë të detajuar kanë përshkruar veprimet e palës ankuese dhe të pandehurit, përkatësisht kanë deklaruar se pala ankuese ka arritur në zyrat e AKK-së brenda orarit të punës për çka edhe kanë filluar protokolimin e dokumentit dhe kanë lëshuar fletëpagesën.
Pamjet e kamerave të sigurisë nuk kanë qenë relevante për asnjë moment, duke marrë për bazë faktin se zyrtarët e pranimit të dokumenteve në AKK kanë deklaruar se pala ka arritur brenda orarit, ku të njëjtat kanë filluar pranimin dhe protokolimin e dokumenteve, mirëpo më pas janë penguar dhe nuk janë lejuar nga i pandehuri të përfundojnë procedurën e filluar”, thuhet në përgjigjen e prokurorit Zeka.

Prokurori Zeka poashtu është pyetur nëse ka zhvilluar hetim në drejtim të veprës penale “zbulim i informacionit zyrtar” duke qenë se kompania kishte tentuar të deponoj kërkesën pikërisht ditën kur u morë vendimi për hetim.

Mirëpo, i njëjti nuk është përgjigjur.

“Pretendimet tuaja se kërkesa është paraqitur dy (2) vite me vonesë dhe në kundërshtim me Ligjin nuk janë aspak relevante për procedurën penale për faktin se të njëjtat është dashur që të vlerësohen nga Organi kompetent, përkatësisht nga autoriteti të cilit i është drejtuar kërkesa.

Andaj, mbi bazën e provave të elaboruara në aktakuzë, Prokurori i Shtetit ka kërkuar nga Gjykata kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënoj sipas Ligjit”, thuhet në përgjigjen e prokurorit Zeka.

“Prokurori i Shtetit ka për detyrë ti mbledhë të gjitha provat, si fajësuese ashtu edhe shfajësuese. Fokusimi vetëm në njërën anë të medaljes ngrit dyshime për paanësi në trajtimin e rastit. Në këtë situatë, Prokurori i shtetit nuk mundet apriori të thotë do të bazohem vetëm në deklarata dhe jo edhe në prova të tjera. Ajo çfarë është dashur të ndodhë është marrja edhe e pamjeve të kamerave dhe vlerësimi i të gjitha provave së bashku, për të ardhë në një përfundim. Tutje, është e paqartë se si vie deri në përfundimin e kryerjes së kësaj vepre penale, përrderisa pala: 1) ka pasur mundësi ta dorëzoj nesër, pa asnjë pasojë ligjore 2) ka pasur mundësi ta dorëzoj me postë”, ka thënë hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala.

Prokuroria dhe policia, dy organe ndjekëse të së vërtetës, kaluan në dy organe që ndjekën anë.

E ndjekja e tyre për lëshimet e bëra mbetet në vullnetin dhe profesionalizmin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës, pas transmetimit të hulumtimit nga “Betimi për Drejtësi”