BETIMI PËR DREJTËSI

Prokuroria ngriti aktakuzë afër 12 vjet pas rastit, i plagosuri vdiq pa parë epilogun e rastit

Betimi për Drejtësi

Hulumtimi “Abuzimet e prokurorëve me hetime” (Betimi për Drejtësi)

H.B në vitin 2008, si 60-vjeçar u plagos me dy predha të pushkës mu në ballë.

Për fatin e tij, ai kësaj plage do i mbijetonte. Por, drejtësinë për këtë rast nuk do ta priste.

Ai ndërron jetë më 2017, ndërsa aktakuza për këtë rast do ngritej tek më 2019, afër 12 vjet pas rastit.

Prokuroria e Qarkut në Prishtinë atë kohë, kishte zhvilluar hetimet dhe mbledhur provat. Megjithatë, për afër 12 vjet, kjo dosje kishte mbetur e pluhurosur diku në ndonjë dollap të Prokurorisë.

Do ndërrohej edhe Kodi i Procedurës Penale e tek më 2019, do ngritej aktakuza ndaj Besnik Krasniqit për vrasje të rëndë në tentativë. Por, tanimë kishte kaluar afati ligjor dhe aktakuza ishte ngritur jashtë çdo afati ligjor.

Për mbajtjen në sirtar të kësaj dosje për kaq shume vjet, përgjegjës nuk është mbajtur askush.

Pak ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 3 shkurt 2008, Besnik Krasniqi, si 20 vjeçar thuhet se kishte gjuajtur me pushkë, të dëmtuarin H.B që e kishte në lagje.

“Po rasti ka ndodhur në shkurt të 2008, pas një zënke të vogël që ka ndodhur mes neve, ku i akuzuari- personi në fjalë e ka gjuajtë babën tim me llovaqkë, ku faktikisht ky e ka gjuajt për me vra edhe si pasojë e qasaj gjuajtje babi im ka pësuar lëndime në kokë. Ka pas dikun katër ose pesë saçme (predha) në kokë, këtë pjesën ballore. Lëndimet kanë qenë jashtëzakonisht të rënda, por falë mjekëve kanë arritë me pshtu babën tem”, ka thënë B.B, djali i të dëmtuarit.

Vetë i akuzuari për ketë rast, në deklaratën e dhënë në Prokurori atë kohë, do pranonte se e kishte bërë këtë, duke përshkruar se si kishte nisur konflikti, pas një zënke me djalin e të plagosurit në rrugë.

“Pasi ka ardhur B., me vëlla dhe me disa shokë, ka filluar të më ndjekë, duke ikur mua më ka zënë dhe më ka goditur me pendrek në kokë, por prapë kam ikur dhe jam larguar në drejtim të shtëpisë sime…”, ishte shprehur ai.

Deklarata e tij, vazhdonte me atë se si kishte marrë armën në shtëpi.


Nuk e trajtoi për afër 12 vjet, prokurori thotë se nuk i kujtohet rasti

Besnik Krasniqi, dyshohej se kishte plagosur me pushkë 60-vjeçarin H.B në vitin 2008.

Pas afër dy muajsh, atij i ishte ndërprerë masa e paraburgimit me kërkesën e prokurorit. Kjo me arsyet se familjet ishin pajtuar mes vete dhe nuk kishte më rrezik të ikjes, dhe nuk ka më ndonjë pretekst racional për të përfunduar veprën penale të tentim vrasjes.

Gjithashtu, thuhej se janë ndërprerë edhe shkaqet tjera, si ndikimi në dëshmitarë, pasi Prokuroria thuhet se kishte marrë deklaratat e tyre.

“Nuk e di këtu, kjo me të vërtetë është për me u çuditë, këta njerëz qysh munden me arritë kështu. Ky rast ka qenë faktikisht vrasje në tentativë dhe për një vrasje në tentativë një person mos me mbajtë burg as dy muaj ditë, kjo është absurde. Nuk e di çfarë drejtësie është kjo edhe ka është tu shku ky vend”, ka thënë B.B., djali i të plagosurit.

Djali i tani të ndjerit, thotë se familjet ishin pajtuar, për t’ia lënë në dorë drejtësisë.

“Po, babai im nuk ka dashtë me vazhdu me hasmëri kështu ta quajmë, ia ka falë, është dalë kështu me njerëz edhe ia ka falë, por nuk do të thotë kështu tash që ia ka falë baba këtë rast, duhet me ia falë edhe gjyqësia ose drejtësia në këtë rast”, ka shtuar ai.

Ndërsa, avokati i të akuzuarit thotë se kontaktin e fundit me drejtësinë, i mbrojturi i tij e kishte pasur më 2008.

“Po, i mbrojturi im kontaktin e fundit që ka pas me Prokurorinë e Shtetit ka qenë më 2008, e ka dhënë deklarimin e vet, pavarësisht asaj që ka qenë edhe laik, e ka dhënë deklarimin e vet dhe kur u ftua në vitin 2021, ai në njëfarë forme s’e ka ditë as për çka po shkon, tek kur jemi shku në gjykatë bashkë e kemi kuptu për çfarë rasti, tu mendu që ka përfundu e u mbyll a. Nuk ka pas njohuri fare se çka ka ndodhë me rastin. I mbrojturi im, atëherë e ka kuptu që rasti i 2008 hala s’u kry”, është shprehur avokati Naser Sopjani.

Ky rast, për 11 vjet, 9 muaj e dy ditë nuk ishte trajtuar më, derisa prokurori kishte dalë në pension.  Prokurori Tunuzliu është pensionuar më 7 qershor 2019, pra ka pasur në dispozicion 11 vjet, katër muaj e katër ditë për ta kryer ketë rast.

Se pse e kishte lënë këtë rast në sirtar, prokurori Tunuzliu thotë se nuk i kujtohet rasti.

“Oj çikë, unë që 5 vjet jam në pension. Kurgjo nuk di. Absolutisht kurgjo”, ka thënë ai përmes telefonit.

Ndiqeni të plotë hulumtimin “Abuzimet e prokurorëve me hetime” nga “Betimi për Drejtësi”: