BETIMI PËR DREJTËSI

Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe

Hetimet për pronën milionëshe u pushuan bazuar në një zarf që erdhi në rrugë jozyrtare nga Serbia

Një pliko-zarf me ngjyrë të verdhë përmes postes “DHL” kishte udhëtuar nga Beogradi për në zyrën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Në këtë zarf, sipas Prokurorisë gjendej e vërteta mbi historiatin e pronës milionëshe në Veternik, e cila dyshohet se u fitua përmes falsifikimeve të po këtyre dokumenteve pronësore që u dorëzuan me postë.

Prokurorja e këtij rasti, Nebahate Salihu e cila po hetonte Ylber Hysenin dhe Afrim Gashin për dallavere me këtë pronë,  pushoi hetimet bazuar pikërisht në këtë zarf të ardhur nga Serbia përmes rrugëve jozyrtare.

Zarfi i nisur me pretendimin  nga Arkivi i Serbisë, çuditërisht për herë të parë i referohet Kosovës Republikë dhe i gjithë lokacioni është shkruar në gjuhen shqipe. Çka sipas palëve ngritë dyshimet për një falsifikim tjetër të radhës.

Por, në fillim të rikujtojmë pak të kaluarën e pronës.

Historiku i betejës për këtë pronë është i gjatë.  Fitimi i pronësisë brenda 9 muajve, sekuestrimi e mossekuestrimi i saj, arratisje, arrestime,  dokumente të dyshuara si të falsifikuara, përfshirje të zyrtarëve të lartë,  dyshime për fshehje të provave e deri tek mbyllja e hetimeve nga shkalla e parë e Prokurorisë.

Nexhat dhe Gursel Sadiku, pretendojnë se kjo pronë iu është marrë atyre përmes falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit.

“Realisht, kjo është toka jonë, është historikisht toka jona, ne kemi fletëposeduese të vitit 1961 e cila e vërteton se kjo tokë është e jona dhe historikisht jemi në Gjykata për vërtetimin e pronësisë të kësaj toke, Nga viti 1984 kur kemi iniciuar vërtetimin e kësaj toke kemi qenë në kontekst me AKP-në, deri në vitin 1999 kur filloi lufta në Kosovë. Me përfundimin e luftës 1999 në vitin 2000 ne vazhdojmë procesin ku ka mbete në Gjykatë të Prishtinës. Prej atij viti kemi bo padi në institucionet në Gjykatat e Kosovës në vitin 2010, formohet Dhoma e Posaçme e cila është kompetente për trajtimin e lëndëve që janë kontekste shoqërore me AKP-në. Në 2010, në të njëjtin vit ne bëjmë padi tek kjo Dhomë që është kompetente për trajtimin e këtyre lëndëve”, ka thënë Egyn Sadiku, djali i palës së dëmtuar Nexhat Sadiku.

Padia që Nexhat dhe Gursel Sadiku kishin bërë për vërtetim të pronësisë nuk ishte trajtuar për 7 vjet nga Gjykata, madje ata nuk kishin marrë as ftesë për seancë.

“Në vitin 2020/21 e kuptojmë që toka jonë për të cilën ne jemi në procedura gjyqësore, ka pësuar është tjetërsuar dhe ka dal në emër të dikujt tjetër”, ka shtuar ai.

Derisa familja Sadiku po ndiqte procesin gjyqësor prej dekadash për fitimin e të drejtës së tyre, prona i kaloi dikujt tjetër dhe madje në procedurë të përshpejtuar.

Kjo pronë, me procedurë të përshpejtuar i kishte kaluar Zojë Hysenit, 84-vjeçare e cila kishte vdekur gjatë procedurave gjyqësore.

“Në 2014, kur Zoja bën padinë në Dhomë të Posaçme,  formohet prapë një trup gjykues, prapë prej tre gjyqtarëve të cilët janë gjyqtarët e njëjtë të rastit të padisë tonë nga 2010. Brenda 9 muaj ditëve në 2015 i njihet e drejta për 9 hektar tokë në Veternik të Prishtinës, pjesë e këtyre 9 hektarëve është edhe parcela 1743, e cila është toka e babait tim”, ka thënë Sadiku.

Emri i të ndjerës Zojë Hyseni, dyshohej të ishte përdorur për një skemë të madhe mashtrimi, pikërisht nga djali i saj Ylber Hyseni. Ai fillimisht në të gjitha dokumentet do paraqitej si përfaqësues i saj, e më pas dhe si trashëgimtari i vetëm i kësaj prone milionëshe.

Pa vonuar, Hyseni pronën filloi ta parcelizonte dhe shiste.

Palët e dëmtuara, Nexhat dhe Gursel Sadiku, kishin iniciuar rast në Prokurori mbi pretendimet se dokumentet pronësore me të cilat e ndjera kishte fituar pronësinë, sipas ekspertizave grafologjike që kishin bërë ishin të falsifikuara.

Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” dhe debati i zhvilluar në “Tempus” më 13 shtator 2021  do bënte që Prokuroria të trajtonte kallëzimin penal të bërë nga palët.

Për këtë rast, ishte lëshuar urdhërarrest për Ylber Hysenin i cili gjendej në arrati, ndërsa ishte arrestuar bashkëpunëtori i tij Afrim Gashi, i cili ishte  autorizuar nga Ylber Hyseni për të bërë shitblerjen e kësaj prone.

Mbi këtë bazë, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar 5 herë radhazi sekuestrimin e përhershëm të kësaj prone. Kërkesë kjo që ishte refuzuar pesë herë nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe kthyer në rivendosje katër herë nga Apeli.

Kontradikta ishte se për rastin e njëjtë, Afrim Gashi po mbahej në arrest shtëpiak, derisa prona nuk sekuestrohej.

“Edhe për bindjen time është bajagi e paqartë të thuash këtu se nuk ekziston dyshimi i bazuar që ka kryer veprën penale, ndërsa atje të thuash që nuk ekziston dyshimi i bazuar se dhe njëra edhe tjetra nuk mund të shqiptohen pa ekzistu dyshimi i bazuar”, kishte thënë profesori universitar Fejzullah Hasani.

Avokatja thotë se përgjigjja zyrtare nga Serbia u fsheh nga prokurorja e rastit

Zojë Hyseni të drejtën e pronësisë  prej 9 hektarësh në Veternik e kishte fituar në bazë të dokumenteve që pretendohet të jenë nxjerrë në vitet 60-ta aso kohe në gjuhën serbe dhe në gjykatë ishin paraqitur të noterizuara.

Në mesin e tyre, rreth 3 hektarë, dyshohet se iu është marrë Nexhat dhe Gursel Sadikut përmes “mashtrimit” dhe dokumenteve të falsifikuara. Për çka po hetohen Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi.

Këto dokumente i kishte noterizuar noterja Valdete Ademi, e cila në deklaratën e saj në Polici kishte deklaruar se me përgjegjësi të plotë deklaron se ajo këto dokumente i kishte noterizuar nga origjinali dhe se ajo asnjëherë nuk noterizon diçka pa pasur në dorë origjinalin.

Megjithëse,  aktgjykimi i Gjykatës mbi bazën e së cilit Zojë Hyseni e kishte fituar pronën thoshte se origjinali i tyre gjendej në arkivat përkatëse të Komunës së Prishtinës, e vërteta nuk qëndronte ashtu.

“Përgjigja e Arkivit zyrtare është që dosja në arkiv më këtë numër brenda saj ka të bëjë me pronën e Ndërmarrjes Shoqërore “Drenica”, jo me pronë në Prishtinë e cila nuk mund të menaxhohet nga një ndërmarrje e në rastin konkret Ndërmarrja “Drenica”, ka thënë mbrojtësi i Nexhat dhe Gursel Sadikut, avokati Florim Shefqeti.

Rrjedhimisht, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe ai ndërkomunal i Prishtinës kishin kthyer përgjigje se dokumentet e kërkuara nuk gjenden në arkivat e tyre.

Kësisoj, Prokuroria kishte kërkuar bashkëpunimin ndërkombëtar edhe me Serbinë, për të parë nëse origjinali i këtyre dokumenteve gjendej në arkivat e tyre.

Kjo kërkesë ishte realizuar përmes Policisë së Kosovës, përkatësisht Njësisë së Koordinimit Ndërkombëtar për Zbatim të Ligjit, Drejtorisë për Bashkëpunim Juridik apo ILECU. Për këtë çështje, Serbia kishte kthyer përgjigje përmes zyrës se EULEX-it.

Prokuroria kishte kërkuar bashkëpunimin ndërkombëtar edhe përmes Ministrisë se Drejtësisë, më 27 janar 2023.

Përgjigjja zyrtare e autoriteteve të Serbisë e ardhur në maj 2024 përmes ILECU thotë se në arkivat e tyre nuk posedojnë dokumentet e kërkuara. Për këtë dokument, avokatja e palëve të dëmtuara thotë se u fsheh nga Prokuroria.

“Prokuroria e çështjes Nebahate Salihu qysh më datën 29 kishte pranuar nga Policia e Kosovës përgjigjen nga ILECU, Policia për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, rruga e vetme që ka Kosova me Serbinë për bashkëpunimin policor ndërkombëtar dhe këtë përgjigje e kishte mbajtur për vete në dosjen e lëndës në Prokurori të Shtetit duke mos e proceduar në Gjykatë për të sekuestruar parcelën 1743, do të thotë neve kemi shumë dyshime si është trajtu ky rast nga ana e prokurores së shtetit”, ka thënë avokatja tjetër e të dëmtuarve, Saranda Keqekolla-Sadiku.

Megjithëse kjo ishte përgjigja zyrtare, prokurorja Salihu nuk ia fali besimin.

Besimin ajo vendosi t’ia fal një zarfi të ardhur përmes rrugëve jozyrtare.

Kësisoj, edhe në aktvendimin për pushimin e hetimeve, ajo nuk e përfshiu përgjigjen zyrtare përmes ILECU.

Në arsyetimin për pushimin e hetimeve, thuhet se Prokuroria ka kërkuar nëse dokumentet gjenden në Arkivin e Serbisë përmes rrugëve zyrtare, duke iu referuar kërkesës përmes Ministrisë së Drejtësisë, përgjigjen e së cilës nuk e pranoi por iu referua  zarfit të dërguar më DHL.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, në këtë çështje penalo-juridike me qëllim të sigurimit të provave gjegjësisht dokumentit të dyshuar si i falsifikuar Aktvendimin Resenje me numër Broj 461/61 të datës 7.VIII.1961, më datë 27.01.2023 ka parashtruar kërkesë për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare në Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës që të njëjtën kërkesë të Prokurorisë ta përcjell tek organi Përgjegjës Qendror Kadastra i Republikës së Serbisë, që të sigurohen të dhënat dokumentacioni nëse gjenet në arkivat e tyre historiati i parcelës 1743 Zona Kadastrale Prishtinë, në sipërfaqe prej 2.88.29 hektarë në vendin e quajtur Veternik Prishtinë”, thuhej në arsyetimin e aktvendimit për pezullim të hetimeve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm më datë 19.09.2024, përmes postës DHL, DHL-Express, ka pranuar dokumentacionin në pliko të mbyllur ngjyrë të verdhë, fillimisht e dërguar në Zyrën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ku është bashkangjitur i gjithë historiati dokumentacioni i parceles 1743 Zona Kadastrale Prishtinë në vendin e quajtur Veternik Prishtinë, i kërkuar përmes rrugëve diplomatike, Ndihmës Juridike Ministrisë së Drejtësisë…”

“Është për çudi qe ia falin besimin një dokumentit që vjen në mënyrë private në një rast ku dyshohet se është kryer një vepër penale e falsifikimit. Si ka mundësi qe Prokurorja e rastit te mos e vej në dyshim dokumentin e pranuar në mënyre private me DHL poste”, ka thënë Keqekolla-Sadiku.

“Nëse e merrni me analizu aktvendimin për pushimin e hetimeve prokurorja e shtetit thotë vazhdimisht se në dokumentin e pranuar me DHL të kërkuar përmes rrugëve zyrtare por asnjëherë nuk e cek se të njëjtin dokument  ka pranuar përmes rrugëve zyrtare, sepse dihet në rastin konkret nuk është respektuar bashkëpunimi juridik ndërkombëtar”, ka shtuar.

“Ne kemi kërkuar qasje edhe në Prokurori-Departamentin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar se kush, ku, kur dhe në çfarë forme e ka kërku këtë përgjigje. Cila është mënyra e komunikimit të një institucioni të Republikës së Serbisë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë jashtë linjës zyrtare. E aq më tepër për ne do të ishte mirë sikur të ishte ashtu kur kjo pliko iu referohet Prokurorisë Themelore në Prishtinë, madje i referohet në gjuhën shqipe”, ka thënë në anën tjetër avokati Florim Shefqeti.

Prokurorja s’përgjigjet se pse pushoi hetimet për pronën milionëshe bazuar në një zarf që erdhi nga Serbia

Zojë Hysenit, 84-vjeçare e cila kishte vdekur gjatë procedurave gjyqësore, kishte fituar rreth 9 hektarë tokë në Veternik-Prishtinë. Për 3 hektarë prej tyre Nexhat dhe Gursel Sadiku pretendojnë se janë të tyre.

Djali i Zojë Hysenit, Ylber Hysenit dyshohet se bashkë me Afrim Gashin fituan këtë pronë përmes mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve. Në aktgjykimin ku Hyseni kishte fituar pronësinë thuhej se ato gjendeshin në arkivat përkatës të Prishtinës. Por, ato nuk janë gjendur. Kështu Ministria e Drejtësisë, më kërkesë të Prokurorisë i është drejtuar autoriteteve serbe nëse këto dokumente gjenden në arkivat e tyre.

Në një përgjigje zyrtare nga Ministria e Drejtësisë (MD) për “Betimi për Drejtësi”, thuhet se deri më tani Ministria nuk ka pranuar përgjigje nga autoritetet serbe lidhur me këtë kërkesë

“Në lidhje me pyetjen e parë, ju njoftojmë se kërkesa është përcjell në janar 2023, por deri më sot nuk kemi pranuar përgjigje. Gjithashtu, kërkesa është përcjell përmes kanaleve të përcaktuara në marrëveshjen dypalëshe në fuqi me Serbinë, pra përmes Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë (EUSR)”, thuhet në përgjigjën e MD-së.

Sipas Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, kërkesë bëhet në Ministrinë e Drejtësisë. Kjo e fundit, pastaj, e dërgon në Zyrën e Bashkimit Evropian  në Kosovë, nga ku kalon të Zyra e BE-së në Serbi dhe prej aty të Ministria e Drejtësisë e Serbisë. Përgjigjja, po ashtu, duhet të shkojë në këtë formë.

Pra, nuk ka bashkëpunim direkt me Serbinë por përmes Zyrës se BE-së në Kosovë dhe asaj në Serbi.

Edhe sipas nenit 215 të Kodit të Procedurës Penale, për kërkesat ndërkombëtare, të gjitha kërkesat për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar bëhen përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe ministria ka të drejtën e aprovimit përfundimtar të kërkesës.

Në mënyrë që dokumentet zyrtare të një shteti të huaj të mund të pranohen si dëshmi dhe prova në procedura gjyqësore të njëjtat duhet të kalojnë përmes rrugëve diplomatike, respektivisht përmes Ministrisë së Drejtësisë, Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar.

Në rastin konkret, Prokuroria Themelore në Prishtinë në kundërshtim me këtë obligim ligjor ka zgjedhur që të pranojë dhe t’i njehë si dëshmi dokumente zyrtare që janë kërkuar përmes rrugëve zyrtare-Ministrisë së Drejtësisë por që janë pranuar në mënyrë klandestine përmes postës së shpejtë DHL drejtpërdrejtë në Prokurori dhe duke anashkaluar MD si në Kosovë ashtu dhe në Serbi, në kundërshtim me marrëveshjen mes dy shteteve.

Lidhur me atë se pse prokurorja vendosi t’i falë besimin një zarfi i cili nuk ka ndjekur ketë linjë të komunikimit, dhe ka mbyllur hetimet në këtë rast,  “Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të marrë në intervistë prokuroren Nebahte Salihun, por e cila ka refuzuar te përgjigjet, duke referuar tek zëdhënësi i Prokurorisë.

“Krejt çka keni është zëdhënësi këtu i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. I bëni kërkesat të i njëjti dhe përmes tij kthehet përgjigjja. Sepse unë edhe ashtu jam shumë e nxane, jam me terren, kështu që ai është personi adekuat që mundet me iu dhanë informata. Hiq kurgjo unë nuk kam çka me deklaru mundeni me thirre zëdhënësin…”, ka thënë ajo fillimisht përmes telefonit.

Pas kësaj, “Betimi për Drejtësi” sërish ka insistuar ta intervistojë, por pa sukses.

Gazetarja: A është e rëndësishme për juve, përgjigja zyrtare që është dërgu prej ILECU? Pse e keni marrë si të mirëqenë një dosje që është dërgu përmes postës? Prokurore a mund të na përgjigjesh të lutem?

“Të lutem, jam për ngutë. Përgjigjem me kohë. Ju kam tregu edhe herën e kaluar, se jam për ngutë, e kam një kërkesë atje. Më fal”, ka deklaruar prokurorja.

Për vendimin për pushim të hetimeve nuk ka pranuar të flasë as Kryeprokurori i Prishtinës Zejnullah Gashi duke thënë se deklarimi i tyre cenon integritetin e hetimeve, meqë rasti po trajtohej nga shkalla e dytë e Prokurorisë, ajo e Apelit.

Çfarë përmban zarfi i ardhur më postë nga Serbia që u përdorë për pushim të hetimeve?

Por çfarë përmban ky zarf, të cilit Prokuroria Themelore ia fali besimin dhe pushoi hetimet?

Në brendësi të këtij zarfi gjendet një historiat i pronës në Veternik, ku thuhet se “Departamenti i arkivës së Entit Gjeodezik republikan, organ kompetent për kadastër i Serbisë në Beograd- Departamenti për Libra Tokësor për Prishtinë ka gjetur dokumentacionin e kërkuar, andaj, për siguri mund t’ju njoftojmë që ekziston dokumentacioni i kërkuar te ne”. Duke bashkangjitur një kopje që pretendohet të jetë e origjinalit.

Në këtë rast dyshohet se përmes legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit, rreth 3 hektarë tokë në Veternik iu është marrë palëve Nexhat dhe Gursel Sadiku, duke kaluar në emër tani të ndjerës Zojë Hyseni dhe më pas prona ka kaluar të djali i saj Ylber Hyseni, i cili edhe po hetohet bashkë me Afrim Gashin.

Në mesin kopjeve të  bashkangjitura, ishte  një vërtetim i pronësisë i lëshuar më 18 nëntor 1961, e që figuron të jetë ditë e shtunë. Po ashtu,  të mbulesa dhe përmbajta e shkresave, shkruhet data 20 mars 1966 dhe  figuron të jetë ditë e diel. Ndërsa, nuk ishte bashkangjitur fleta poseduese që ishte përdorur në Gjykatë e që mbante datën 26 prill 1969, ditë e shtunë

Pale e dëmtuar tregon të metat që këto dokumente kanë.

“Dokumenti “Reshenje” të cilin e ka përdorur Zojë Hyseni dhe Ylber Hyseni, të metat e këtij dokumenti janë: Të meta ligjore, të meta gramatikore apo gjuhësore dhe të meta faktike apo administrative. Çka nënkupton kjo administrative? Në preambulë, i njëjti dokument ka emërtim Narodi Odbor opstine Pristina. Kurse në vulë ka emërtimin Gracki Narodni Odbor nuk përputhet me emërtimin e institucionit që e ka lëshuar këtë dokument”, ka thënë Ergyn Sadiku, djali i palës se dëmtuar.

Përveç këtij dokumenti, sipas tij, të meta kanë edhe dokumentet tjera.

“Dokumenti i dytë është dokumenti “Potvrda”. Ky dokument thuhet se është lëshuar nga Sekretariati për Financa i skupstine Pristina.  Do të thotë e ka datën e njëjte vitin e njëjtë 1961 është dokumenti “Potvrda” 1961 është dokumenti “Reshenje” mirëpo i kanë emërtimet e ndryshme kinse ky dokument është lëshuar nga Instituti Skupstine Pristina”. Nuk mundet që në të njëjtin vit, i njëjti institutit t’i ketë dy emërtime të ndryshme. Përveç kësaj, dokumenti “Potvrda” është i ditës së shtune”, ka thënë tutje ai.

“Betimi për Drejtësi”, ka dërguar pyetje në Institutin Gjeodezik Republikan në Serbi, që të marrë informata nëse ky zarf është dërguar nga ta përmes postës dhe nëse po pse kanë zgjedhur kjo rrugë dhe nuk e kanë dërguar përmes rrugëve zyrtare, mirëpo, ata nuk kanë kthyer përgjigje.

“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë përgjigje se kush ishte dërguesi i zarfit edhe nga posta DHL.

Mirëpo, përmes një përgjigje me shkrim nga menaxheri i shitjeve Filip Trajkovski kanë thënë se DHL Serbia nuk është e autorizuar të zbulojë asnjë informacion mbi dërgesën personave që nuk janë as palë e transportit dhe as palë marrëse.

“Ne rekomandojmë që pronari i llogarisë, me shpenzimet e të cilit transportohet dërgesa, të kontaktojë drejtpërdrejt me DHL Serbia për ndihmë të mëtejshme”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Tashme pas ankesës së palëve Prokuroria e Apelit ka kthyer këtë rast serish në rishqyrtim, duke i dhënë rekomandime Prokurorisë Themelore se si duhet të veproj tutje.

Gjatë kësaj procedurë hetimore nuk ishte arritur të sigurohej asnjëherë Ylber Hyseni, për të cilin sipas burimeve kishte edhe urdhërarrest ndërkombëtar.

Por, nga Policia ishte intervistuar motra e tij, Sanie Hyseni.

Ajo kishte thënë se nuk e di për pronën që e ka fituar vëllai i saj, dhe se i njëjti gjendet në Hungari.

Ajo ishte shprehur se para 20-30 vjetëve nëna e saj e ndjera kishte përmendur se ka një tokë në Prishtinë, por kjo asnjëherë nuk e ka ditur se në cilin vend gjendet ajo pronë.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar me motrën e Ylber Hysenit por ajo ka refuzuar të flasë për këtë teme duke thënë se është shumë e sëmur dhe nuk di për këtë çështje.

Mbi 5 milionë euro transfere, Inteligjenca Financiare kishte  kërkuar hetime për Afrim Gashin dhe gruan e tij

I autorizuari i Ylber Hysenit për shitblerjet për këtë pronë, Afrim Gashi ishte arrestuar më 25 gusht 2023. Policia në shtëpi, përveç armëve i kishte gjetur qindra dosje të parcelave.

Në këtë rast dyshohet se përmes legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit, rreth 3 hektarë tokë në Veternik iu është marrë palëve Nexhat dhe Gursel Sadiku, duke kaluar në emër tani të ndjerës Zojë Hyseni dhe më pas prona ka kaluar të djali i saj Ylber Hyseni, i cili edhe po hetohet bashkë me Afrim Gashin.

Nga raporti i Policisë thuhej se ndonëse Gashi ishte i autorizuar vetëm për shitblerjen e parcelave, në dosje gjendet i gjithë dokumentacioni origjinal për këtë pronë përfshirë edhe ankesat e palëve të cilat nuk dihet si ka arritur t’i sigurojë.

Gjithashtu në laptopin e tij personal  thuhet se janë gjetur disa akte noteriale të punuara me word të cilat dyshohet se i ka përdorur për falsifikim.

Përveç dokumenteve për këtë pronë në Veternik, Policia ka thënë se janë gjetur edhe dokumente të pronave tjera të cilat Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit si dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i hetuar dhe ka edhe urdhër ndalues. Madje, thuhet se i dyshuari Gashi ka ofruar për shitje një pronë e cila ka masë të sigurisë me urdhër të gjykatës.

I dyshuari Gashi për të gjitha këto është mbrojtur në heshtje.

Por Gashi duket se është i njohur për organet e drejtësisë.

Nga të dhënat e Policisë së Kosovës, Afrim Gashi në 4 raste ka qenë i dyshuar për mashtrim, 3 raste për falsifikim të dokumenteve, 1 rast për dhënie ryshfeti, 1 rast për kanosje, Si dhe ka katër raste për kundërvajtje 2 raste për prishjen e rendit publik, dhe 2 raste për ngasje e influencuar apo në gjendje të dehur.

Për falsifikim të dokumenteve, ai ka aktakuzë aktive në Gjykatë që nga viti 2008.

Për Afrim Gashin dhe gruan e tij Melihate Gashin, raport ka nxjerrë edhe Njësia për Inteligjencë Financiare, kur ka kërkuar të hetohen për transfere të dyshimta dhe shmangie nga tatimi.

“Nga Njësiti Inteligjente Financiar ishte përpiluar një raport ku ishte analizuar në mënyrë të detajuar transferet bankare, shitblerjet që ishin bërë në llogari të Afrim Gashit ku për një periudhë kohore nga viti 2006 deri në vitin 2021 kishte qarkullim bankar prej 5 milionë e diçka qarkullim bankar ku të gjitha këto të holla ishin tërhequr në formë “cash” dhe se nuk dihet se kah kanë shku përpos dy transfereve ku ishin bërë në emër të Ylber Hysenit”, ka thënë avokatja e palëve të dëmtuara, Saranda Keqkolla-Sadiku.

Në raportin e NJIF-it, thuhet se edhe para se Policia të kërkonte informata tek Njësia ishin raportuar dy raste të transaksioneve të dyshimta lidhur me Gashin dhe gruan e tij  Melihate Gashi dhe kështu, kërkesa e Policës e kishte rritur dyshimin.

Sipas raportit, Afrim dhe Melihate Gashi aktivitet kryesor kanë patundshmëritë. Në disa raste shumë të mëdha parash ishin transferuar tek njeri tjetri.

Afrim Gashi, nga tri llogari bankare kishte të hyra mbi 5 milionë e 385 mijë euro si dhe 10 mijë euro të pranuara përmes Unionit Financiar, agjent i Western Union për Kosovë. Ndërsa, po aq kishte bërë edhe dalje, ndërsa thuhet se përmes Unionit Financiar në 41 raste kishte dërguar afër 55 mijë euro tek persona të ndryshëm, në shtetet si Serbia, Zvicra, Belgjika, Gjermania, Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë.

Gruaja e Afrim Gashit nga katër llogari bankare, ka pasur të hyra 790 mijë euro si dhe në katër raste ka pranuar afër 6 mijë euro përmes Unionit Financiar.

Në anën tjetër, ka bërë mbi 789 mijë euro dalje.

Nga marsi deri në nëntor 2021, Afrim Gashi, kishte bërë të hyra mbi 1 milion euro, ndërsa vetëm 240 mijë euro i kishte tërhequr me përshkrimin për pronarin legjitim Ylber Hysenaj.

Sipas raportit që Polica kishte bërë për Prokurorinë, paratë tjera që janë tërhequr nga banka nuk dihet qëllimi i tyre dhe se ku kanë shkuar.

Sipas ATK-së, Afrim Gashi është pronar biznesi individual por nuk ka ofruar deklarata vjetore tek ky institucion.

Po ashtu, edhe Melihate Gashi si pronare e “ADEX Trade”  nuk ka bërë asnjë deklarim të qarkullimit afarist në ATK.

Kështu, NJIF në raportin e saj thotë se Policia e Kosovës hetimet duhet t’i zgjerojë dhe të përfshije edhe evazionin fiskal.

Melihate Gashi, në biznesin e saj ku ishte pronare, sipas ARBK-së, drejtor ka qenë Vekislav Janicijeviq. Ky biznes është pasiv që nga 9 qershori i 2022. Ky biznes kishte një sërë aktivitetesh si: transport rrugor të mallrave, aktivitetet e ndërmjetësimit për shitjen e mallrave të materialeve të ndërtimit, pajisjeve industriale, tregti të pijeve, duhanit, tekstilit, etj.

Pasiv në të njëjtën ditë, pra më 9 qershor 2022 biznesin e tij e ka bërë edhe Afrim Gashi, të cilin e ka të regjistruar që nga viti 2002 dhe aktivitetin kryesor e kishte me patundshmëri.

“Duhet të angazhohet njësiti i AKI-së dhe ta hetojë këtë rast në detaje; Kush janë Sfetllana Millan Josefoviq që Melihat Gashi i dërgon 30 mijë euro të njëjtës? Kush është Vekisllav Janicieviq që figuron që ka punuar si drejtor në biznesin me pronar Melihate Gashi? Kush është Mihajllo Millovanoviq i lindur në Podujevë dhe çfarë lidhje ka ai me Kosovën dhe me njerëz në Kosovë”, ka thënë Ergyn Sadiku, djali i palës Nexhat Sadiku.

“Betimi për Drejtësi”, ka pyetur edhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, nëse po heton Afrim Gashin dhe gruan e tij sipas gjetjeve të NJIF, por nuk ka marrë përgjigje.

“Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të bjerë në kontakt me Afrim dhe Melihate Gashin por ata kanë qenë të pa qasshëm.

Sadiku: Mbrapa të dyshuarve Hyseni dhe Gashi qëndrojnë figura të fuqishme institucionale

Djali i Nexhat Sadikut, i cili pretendon të jetë pronari i vërtetë i kësaj prone, thotë se arsyeja pse po hasin në pengesa për të zbardhur ketë rast është se mbrapa Ylber Hysenit dhe Afrim Gashit qëndrojnë njerëz të fuqishëm.

“Kemi gjetur fotografi që janë të komentuara në rrjete sociale mes anëtareve të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale z. Blerim Isufaj, fëmijët e tij bëjnë komente tek familja e Afrim Gashit, konkretisht i bëjnë komente bashkëshortes së Afrim Gashit, Melihate Gashit”, ka thënë Ergyn Sadiku, djali i  Nexhat Sadikut, palë e dëmtuar.

Ai thotë se sipas rrjeteve sociale, ekziston një lidhje miqësore edhe mes fëmijëve të kryeprokurorit Isufaj dhe vajzës se të dyshuarit Gashi.

“Problemi ekziston tek natyra të cilën z.Isufaj e ka. Ekziston një Kod i Etikës i cili e rregullon këtë çështje të marrëdhënieve sidomos publike, qofshin edhe ato jopublike me njerëz apo të afërm të një personi i cili ka të kaluar kriminale”, ka shtuar.

Ai ka thënë se ka disa pyetje drejtuar Kryeprokurorit për të cilat pret përgjigje.

“A e njeh Afrim Gashin? Nëse po, si e njeh Afrim Gashin? Nga cili vit e njeh Afrim Gashin? A kanë raporte anëtarët e familjes tuaj me anëtarët e familjes së Afrim Gashit? Nëse kanë raporte, cilat janë raportet e tyre të cilat ne i kemi parë përmes komenteve e të cilat duket se janë raporte shumë të afërta”, ka thënë ai.

I apostrofuar për ndikim në këtë lëndë, Kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj, i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, nuk është përgjigjur në pretendimet e palëve, duke theksuar se pyetjet për këtë rast i ka pranuar, por që sipas tij, ato janë tendencioze kundër tij.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar një fotografi në rrjetin social “Fb” ku shihet Noterja Valdete Ademi, e cila kishte noterizuar dokumentet e Ylber Hysenajt me shoqëri të Melihate Gashit. Në mesin e atyre që kanë pëlqyer këtë foto është edhe prokurorja Nebahate Salihu, e cila e ka mbyllur rastin.

Prokurorja Salihu ua ka shpërndarë një lule të madhe në koment.

Noterja Ademi tashme po hetohet për keqpërdorim të detyrës mbi dyshimet se noterizoi këto dokumente për shkak të shoqërisë.

Ndërkaq, Njësia e Inteligjencës Financiare ka rekomanduar hetuesit të hetojnë Melihate Gashi nen dyshimin për shpëlarje te parave dhe evazionit fiskal.

Por, askush nuk është marrë me lidhjet e prokurores Nebahate Salihu me noteren dhe gruan e te dyshuarit kryesor.

“Betimi për Drejtësi”, më 6 prill 2024 kishte publikuar hulumtimin për betejën ligjore për sekuestrimin e kësaj prone. Palët kishin përmendur emra tjerë të cilën ata besojnë janë të fuqishëm dhe janë bërë bashkëpronarë në këtë pronë.

Në mesin e tyre ishte edhe Nevruz Hasani, zyrtar policor. Palët ngisnin dyshimet për shpëlarje parash pasi Hasani i kishte shitur një lokal Ylber Hysenajt dhe pastaj edhe ishte bërë pronar në këtë parcelë.

Nevruz Hasani për “Betimi për Drejtësi”, kishte thënë se këtë pronë e ka blerë në mënyrë të rregullt.

“Dëgjo, unë e kam blerë atë në mënyrë legjitime, konform kushteve të tregut, edhe e kam regjistru krejt në mënyrë të rregullt, me djersë teme e kam ble. Çka kam me thanë unë ma tepër”, ishte shprehur ai.

Ai deklaratat e palës së dëmtuar i kishte quajtur të anshme dhe subjektive dhe kishte treguar se ka bërë padi për fyerje dhe shpifje ndaj avokates Keqekolla-Sadiku për deklaratat e dhëna në emisionin “Tempus”.

Në anën tjetër palët Nexhat dhe Gursel Sadiku, Hasanin e kanë denoncuar edhe në Inspektorat Policor, i cili po trajton rastin.

Gjithashtu, ata kanë paraqitur edhe kallëzim penal ndaj noteres Valdete Ademi për keqpërdorim të pozitës zyrtare në bashkëkryerje  me Ylber Hysenin dhe Afrim Gashin, duke hedhur pretendime se dokumentet ishin noterizuar pasi noterja ka raporte miqësore me gruan e Afrim Gashit.

Fillimisht, ky kallëzim penal ishte hudhur pjesërisht nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për noteren Valdete Ademi duke thënë se është parashkruar vepra penale. Ndërsa për Hysenin dhe Gashin jo. Mirëpo, Prokuroria e Apelit këtë aktvendim e kishte anuluar dhe e ka kthyer tek Themelorja për rivendojse dhe ndërmarrjen e veprimeve shtesë.

Në anën tjetër, palët kishin shtuar se parcelat në këtë pronë ishin shitur shumë herë më lirë se çmimi i tregut.

Pronari i kompanisë ndërtuese në këtë pronë, Hysen Haxha kishte thënë se puna e tyre ishte legjitime.

“Të gjitha informatat janë sqaruar nuk kam çfarë të shtoj, informatat janë të qarta, informatat janë ligjore d.m.th., ato çka i keni dëgju ju përmes televizionit të njëjtat informata nuk kemi çfarë të shtojmë më shumë”, ka thënë ai.

Ndërsa, ka prej atyre që kanë blerë dy herë në këtë pronë. SH.K në vitin 2000 e kishte blerë këtë pronë nga Familja Sadiku  por nuk kishte mundur ta regjistronte, dhe pasi kishte kuptuar që tashme pronar është Ylber Hyseni, pronën e kishte blerë edhe prej tij.

“Unë jam i dëmtuar prej dy palëve, na e këna ble edhe prej atyre edhe prej atyre kështu që na nuk jemi palë në kontest”, ishte shprehur ai.

Para se të pushonin hetimet nga shkalla e parë, Gjykata e Apelit po trajtonte për herë të pestë çështjen e sekuestrimit të pronës. Për këtë çështje, Gjykata e Apelit ende nuk ka vendosur. Përderisa pritet zbardhja e këtij rasti, katet e ndërtimit në këtë pronë po shtohen. Dëmi po konsiderohet i madh dhe i shumanshëm, pasi tashmë pronarë të kësaj parcele nuk është vetëm Ylber Hyseni por dhjetëra qytetarë që kanë blerë në këtë pronë. Drejtësia po shkon me hapa të ngadalshëm dhe pritja e palëve për zbardhjen e të vërtetës po duket i vështirë.