Betimi për Drejtësi ju sjell hulumtimin rreth dyshimeve për mospërdorim të sistemit SMIL në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kush po i ndan lëndët në PSRK?
Kush e konfirmoi në KPK se në PSRK nuk ndahen lëndët bazuar në SMIL?
Pse PSRK dhe KPK thonë se po respektohet rregullorja për SMIL?
Kush po e thotë të vërtetën?
Cilat janë vlerësimet e shoqërisë civile për këtë situatë?
Kushtoi miliona euro, ngrihen dilema se PSRK-ja nuk e shfrytëzon sistemin SMIL për ndarjen e lëndëve
Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve i njohur si SMIL, u krijua për të siguruar barazi dhe transparencë në gjykata dhe Prokurori.
Para se ky sistem të funksionalizohej lëndët ndaheshin përmes metodës se shortit dhe rotacionit.
Përmes shortit, emrat e të gjitha lëndëve shkruheshin në letra të cilat mbylleshin dhe përziheshin nga referenti i departamentit përkatës dhe prokurorët dhe gjyqtarët e atij departamenti ftoheshin për të tërhequr lëndën.
Kurse, përmes rotacionit bëhej që lëndët të tërhiqeshin me radhë sipas listës se krijuar nga referenti.
SMIL, ka eliminuar këto procedura dhe është një sistem i avancuar që përmes caktimit automatik të lëndëve, largon dyshimet në caktim e lëndëve tek gjyqtarët apo prokurorët.
Fatmir Rexhepi, shef i IT-së në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, thotë se fillimisht ka qenë e rëndësishme që lëndët me iu caktu gjyqtarëve se më herët që është e mundur.
“ Me regjistrimin e dhënave të para me caktu gjyqtarin dhe me u njoftu pala që ky tash është numri unik i landës dhe ky është ky është gjyqtari i landës suaj. Pastaj lënda, kriteri i shpërndarjes së lëndëve duhet me qenë të njëjta për të gjithë gjyqtarët, domethënë mos me pas dallime kriteret për gjyqtarë grupe të ndryshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, algoritmet e këtij sistemi janë të atilla që referentet që vendosin lëndët në sistem, në asnjë rrethanë mos ta dinë se cili gjyqtarë do të caktohet.
“Edhe në rastin kur në Departament janë dy gjyqtarë, personi që e regjistron lëndën gjithmonë prej perspektivës së tij, ka me qenë pesëdhjetë-pesëdhjetë fillim me lëndën. Domethënë, nëse kanë qenë dy gjyqtarë gjyqtari A e gjyqtari B, nëse një lëndë ka ardhë dhe ka marrë gjyqtari A, tash nuk domethënë që gjyqtari B e merr landën tjetër”.
“Domethënë, ka mundësi prapë gjyqtari A. Domethënë, algoritmi është i zhvillu në atë mënyrë që prej perspektivës përdoruesit, në asnjë rrethane, edhe në ato më të thjeshtat nuk mundet me ditë se cili gjyqtarë do ta merr lëndën”, ka thënë ai.
Përmes SMIL, evidentohet data e saktë e pranimit të lëndës, kur është ndarë të gjyqtari dhe secili veprim i ndërmarrë me teje në atë lëndë deri në arkivimin e saj.
Qasje në këtë sistem kanë vetëm personat e autorizuar dhe çdo veprim regjistrohet.
Në këtë sistem vendosen të gjitha shkresat e lëndës, duke përmirësuar efikasitetin, llogaridhënien, transparencën si dhe rritjen e saktësisë së informacioneve në gjykata dhe prokurori të Kosovës
“Totali i projektit që është investu, përkrahur nga donatorët Qeveria Norvegjisë është, e kalon 10 milionë, pra është dikun 10,5 milionë. Gjatë kësaj periudhe dy Këshillat kanë bashkëfinancu projektin dmth, dikun bashkëfinancimi është sillë rreth 3 milionë euro”, ka thënë Rexhepi.
Por, për projektin i cila ka kushtuar miliona euro dhe financuar nga Qeveria Norvegjeze janë ngritur dilema se nuk gjenë zbatim në prokurorinë që ka kompetencë të hetoj rastet më të rënda penale, , në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ku ngritën dilema për mos ndarje të lëndëve përmes SMIL, por ndarje të tyre nga Zyra e Kryeprokurorit të kësaj prokurorie.
Florian Smajli, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se njëra ndër synimet kryesore të SMIL ka qenë automatizimi i procesit të ndarjes së lëndëve.
“Edhe në të kaluarën, kur lëndët janë ndarë në mënyrë automatike, është synuar që edhe procesi manual të ndërtohet në atë mënyrë që nuk lejon parashikueshmërinë në ndarjen e lëndëve. Kjo pasi në asnjë rrethanë, një lëndë e caktuar mos të shkoj tek një gjyqtar apo prokuror i caktuar. Mundësia e caktimit apo të paktën parashikimit të gjyqtarit apo prokurorit që do ta trajtojë lëndën përkatëse paraqet një potencial serioz korruptiv”, është shprehur ai.
Lëndët nuk ndahen me SMIL në PSRK, kishte deklaruar zëvendëskryeprokurori
Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve SMIL, është sistem i avancuar për ndarjen automatike të lëndëve dhe menaxhimin e tyre. Por, a ndahen lëndët në Prokurorinë Speciale me këtë sistem nuk sqarojnë as nga PSRK e as nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
E këto përgjigje zyrtare dallojnë shumë me atë se çfarë zëvendëskryeprokurori Valdet Gashi deklaroi më 23 janar 2025 në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Se lëndët nuk ndahen me SMIL, zv.Kryeprokurori nuk e përmendi gjersa po prezantonte raportin vjetor për 2024. Derisa për këtë u pyet nga anëtari i shoqërisë civile në KPK, Visar Krasniqi.
“ Pyetja e parë, ka të bëjë me atë se si bëhet ndarja e lëndëve në PSRK”, pyeti ai.
Përgjigja ishte se lëndët nuk ndahen përmes SMIL
“Sa i përket ndarjes së lëndëve në Prokurorinë Speciale, ndarja e lëndëve të na në Prokurorinë Speciale nuk bëhet përmes SMIL. Arsyeja pse nuk bohet përmes SMIL-it ndoshta ma se miri do ta shpjegon menaxheri, nuk e di çfarë funksioni ka, që e menaxhon SMIL-in. Nexhati”, ishte shprehur zv.Kryerprokurori Gashi.
“Ne kemi diskutu me të, ai ka thënë se për shkak specifikave dhe departamenteve që janë në Prokurorinë Speciale duhet me bo një ndërhyrje në SMIL. Ndërhyrja sipas përgjigjes se Visarit kërkon miratime edhe të një kompanie që është për ndryshimin e SMIL-it, për projekt, nuk jam shumë në informacion, s’kam shumë informacion se si po kjo është arsyeja. Nuk është kjo diçka, se për ne është shumë ma e lehte me i nda rastet me SMIL sesa me u nda në mënyrë manuale se si ndahen tash”, kishte vazhduar ai.
Sipas zv.Kryeprokurorit Gashi, ndonëse lëndët ndahen në mënyrë manuale, vetëm në disa raste ndodhë që prokurorët të kenë lëndë më shumë ose me pak.
“Mirëpo, referuar raportit shihet se rastet, mund të ketë 2-3-4 raste një prokurorë një ma shumë një ma pak, po kjo të jeni të bindur nuk bëhet me qëllim që dikush të këtë raste ma shumë dikush ma pak por varet pak edhe prej lëvizjes se lënda brenda prokurorëve, sepse, tash po e tregoj pse mund të jetë ky dallim. P.sh unë kam rast që e kam në regjistrin PP edhe tash gjatë zhvillimit të procedurës plotësohen kushtet që ajo lëndë të kaloj në regjistrin PPS, tash automatikisht një lëndë po bëhet me shumë se prokurorët tjerë, veç një shembull, ose e kundërta në regjistrin P. Dhe kjo është ajo si veprohet sepse arsyeja pse dikush mund të ketë pak më shumë dikush me pak”, ka thënë në mbledhjen e KPK-së, Gashi.
Zv.kryeprokurori tha se lëndët nuk ndahen me SMIL, PSRK thotë se zbatohet rregullorja
Lëndët në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), nuk ndahen me Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), kishte deklaruar zëvendës Kryeprokurori Valdet Gashi, gjatë kohës sa po raportonte në mbledhjen e Këshillit Prokurorial.
Duke qenë se mos ndarjen e lëndëve më SMIL zv. Kryeprokurori Gashi ia atribuoi problemeve teknike, “Betimi për Drejtësi”, më 30 janar, i është drejtuar Prokurorisë Speciale për të kërkuar më shumë informatat se sa herë kanë bërë kërkesë që ky problem teknik të zgjidhej nga kush dhe çfarë përgjigje kanë marrë?
Por, Prokuroria Speciale vendos të jap një version krejt ndryshe nga ajo që është thënë nga vetë zv. Kryeprokurori. Nga kjo përgjigje, ata lënë të kuptohet se gjithçka po funksionon si duhet me këtë sistem.
“Ju informoj se Prokuroria Speciale e zbaton rregulloren për menaxhimin e lëndëve përmes sistemit elektronik (SMIL). Të gjitha rastet ndahen në harmoni me këtë rregullore, ndërkaq për të marrë informata tjera mund t’i drejtoheni organit kompetent gjegjësisht Këshillit Prokurorial të Kosovës”, ka thënë Liridonë Kozmaqi-Hajdaraj, udhëheqëse e Zyrës për Komunikim Publik në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Në lidhje me SMIL, Avokati Artan Çerkini thotë se edhe avokatët duhet të kenë qasje në këtë sistem.
“Qasja e avokatëve në SMIL do ta bënte SMIL-in të kompletuar, mungesa e qasjes së avokatëve në SMIL, SMIL-in e bëjnë jo funksional. Shumë seanca gjyqësore shtyhen për shkak se avokatët nuk kanë qasje në SMIL. Po e marrim një shembull, shpesh avokatët në seanca fillestare deklarojnë se nuk i kanë provat, nëse do të kishin qasje në SMIL edhe avokatët atëherë kjo bazë për shtyrjen e seancave nuk do të ekzistonte ngase të gjitha provat që janë në posedim të gjykatës dhe prokurorisë do të ishin në dispozicion edhe të avokatët.
Sipas tij, nëse lëndët ndahen manualisht, duhet të tregohet se me çfarë metode, pasi nuk ka dileme se ndarja e lëndëve përmes SMIL-it, është ndarje e lëndëve më transparente dhe është në funksion të asaj se për çfarë është krijuar SMIL-i.
“Sa i përket integritetit të punës se prokurorisë Speciale, tash besoj se duhet të sqarohet se edhe ndarja manuale a është bërë në përputhje me kriteret e caktuara në rregullore. Sepse edhe rregullorja për të cilën po flisni ju, nuk e ndalon ndarjen manuale të lëndëve mirëpo i parasheh disa kritere. E tash çështja e dytë që duhet të parashtrohet është nëse ato kritere janë zbatuar në rastin e ndarjes manuale të lëndëve nga ana e Prokurorisë Speciale”, ka thënë Çerkini.
Çfarë thotë rregullorja për menaxhimin e Sistemit SMIL, e miratuar nga Këshilli Prokurorial në dhjetor 2021.
Sipas kësaj rregulloreje, të gjitha lëndët e pranuara nga personeli i administratës së Prokurorit të Shtetit, sipas radhës se arritjes, regjistrohen në SMIL dhe pastaj nëpërmjet sistemit bëhet ndarja automatike e tyre.
Neni 17 i kësaj rregulloreje parasheh rastet kur lëndët mund të ndahen manualisht.
“Lëndët e natyrës urgjente, lëndët për të cilat është bërë kërkesë në gjykatë për caktimin e ndonjë mase për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedura, kërkesat për sekuestrimin e sendeve, përfshirë edhe masat e fshehta, janë lëndë që ndahen në mënyrë manuale dhe i takojnë prokurorit kujdestar”, thuhet në rregullore.
“ Bazuar në kompetencat ligjore, kryeprokurori mund të ushtrojë të drejtën e shpërndarjes së lëndëve në mënyrë manuale, duke u bazuar në natyrën e lëndëve”, thuhet tutje në rregullore.
Shefi i IT-së në KGJK, Fatmir Rexhepi tregon se edhe në rastet kur për arsye të caktuara ligjore një gjyqtarë përjashtohet nga rasti, edhe ricaktimi bëhet serish me SMIL.
“Në rastet kur kryetari vendos me e ricaktu lëndën, atëherë sistemi në mënyrë automatike e cakton gjyqtarin tjetër me kriteret të njëjta, qysh është caktu gjyqtari i parë”, ka thënë ai.
Sikurse PSRK-ja edhe në Këshillin Prokurorial thonë se lëndët ndahen sipas rregullores
Prokuroria Speciale e Republikë së Kosovës (PSRK) në një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se zbatohet rregullorja për menaxhimin e lëndëve përmes sistemit elektronik (SMIL), por ndryshe kishte deklaruar zv. Kryeprokurori Valdet Gashi në mbledhjen e 261 të Këshillit Prokurorial?
Sipas tij për shkak të problemeve teknike me SMIL, lëndët ndahen në zyrën e Kryeprokurorit
“Rastet ndahen sipas radhës, ne e kemi një regjistër d.m.th. i cili mbahet në zyrën e Kryeprokurorit, është person adekuat i caktuar, zyrtari që punon në zyrën e Kryeprokurorit i cili në koordinim me Kryeprokurorin sipas renditjes, sipas radhës ndahen lëndët për secilin prokuror”, ka thënë ai.
Ndonëse i gjithë diskutimi u zhvillua në mbledhjen e Këshillit, ku të pranishëm ishin 11 anëtarët, në përgjigjen më shkrim të dhënë për Betimi për Drejtësi, Këshilli thotë se SMIL po zbatohet në gjithë prokuroritë.
“SMIL-i është duke u zbatuar nga të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe shkëmbimin elektronik me sistemin e Policisë, Gjykatës dhe Regjistrit Civil dhe të Bizneseve”, ka thënë u.d udhëheqësi i zyrës për komunikim publik në KPK, Bedri Gashi.
Por, zv. Kryeprokurori gjatë asaj mbledhje konfirmoi se lëndët nuk ndahen me SMIL edhe kur u pyet nga anëtari Arian Gashi.
“Prokurori Valdet, tash dul një pyetje nga përgjigjja juaj që thatë në pyetjet e anëtarit Visar, theksuat se në Prokurorinë Speciale nuk po zbatohet sistemi SMIL i ndarjes së lëndëve, a është e saktë?”, pyeti ai për çka zv.Kryeprokurori konfirmoi.
“Unë veç po ju informoj juve që ekziston një rregullore për ndarjen e lëndëve e cila ka përcaktuar vetëm një formë të ndarjes së lëndëve që është SMIL-i.
Nëse kjo rregullore, tash për pjesën e dytë që po e cekni, nëse ka arsye për me u perjashtu atëherë duhet me vendim të Kryeprokurorit, që ka konflikt interesi apo rrethana tjera që duhet me lanë të ri-caktohet tek prokurori tjetër dhe ato çështje teknike që ju i përmendet ne i kemi pas të njëjtat në Apel i kemi tejkalu shumë mirë sepse sistemi mund të modifikohet se ka asnjë problem në kuptimin e ndarjes së lëndeve”, u shpreh tutje anëtari Arian Gashi.
Mirëpo, sipas tij çdo lëndë duhet të ndahet përmes sistemit SMIL.
“Sistemi SMIL është ndër sistemet me të avancuara që ka Kosova edhe në raport me vendet e rajonit dhe besoj që është bë investim i madh andaj, po shpresoj që në të ardhmen do të reflektoj Prokuroria Speciale dhe ndarja të bëhet përmes sistemit SMIL, është më transparente dhe besoj që nuk lë vend besoj për komente”, shtoi ai.
Gashi theksoi prapë se ka të bëjë me probleme teknike e jo sipas tij mungesë vullneti për zbatimin e SMIL-it.
“Unë nuk kam qejf me u keqkuptua, nuk është problemi që ne si prokurori Speciale nuk kemi vullnet, veç mos të tingëllon në këtë mënyrë, që s’kemi vullnet me zbatu sistemin SMIL. Unë thash është një problem teknik të cilin ka mbete zyrtari përgjegjës për menaxhimin e SMIL-it me trajtu në të ardhmen për mënyrën se si me bë dizajnimin e SMIL-it me iu përshtatë Prokurorisë Speciale”, u shpreh zv. Kryeprokuror Gashi.
Sipas tij edhe me akte ligjore dhe nënligjore lekohet ndarja manuale sipas vlerësimit të Kryeprokurorit duke pas parasysh një rrethanë të tillë.
“Ajo çka ka rëndësi e thash edhe me herët që ndarja bëhet në mënyrë shumë të rregullt, nuk ka ndonjë pakënaqësi apo ankesë nga asnjë prokuror deri me tani për mënyrën se si ndahen lëndët”, kishte shtuar ai.
Sipas zv. Kryeprokurorit, ndarja e lëndëve nga Kryeprokurori Blerim Isufaj është shumë transparente.
“Është shumë transparent Kryeprokurori me ndarjen e këtyre lëndëve dhe kanë qasje secili prokuror në regjistrin e ndarjes së lëndëve, cilido prokuror që mendon apo dyshon për mënyrën se si ndahet lënda”, kishte thënë Gashi.
E ky problem teknik, del që është veç në ndarje të lëndëve. Prokurori Special, njëherësh anëtar i Këshillit Prokurorial, Milot Krasniqi tha se të gjitha shkresat dhe procedurat pas ndarjes së lëndëve i kryejnë me SMIL.
“Është fjala vetëm për çështjen e ndarjes së lëndëve në fillim kur i ngarkohet një rast një prokurori të caktuar në departamentin e caktuar, ndërkaq për publikun dhe Këshillin dhe të tjerët ju njoftojmë se trajtimi i rastit tutje, gjitha aktet procedurale, shkresat, vendimet përcillen me SMIL. Po ashtu edhe rreth ankesave ndaj një lëndë të caktuar, përcjellja përveç mënyrës fizike bëhet edhe në mënyrë elektronike kështu që çdo lëndë 100% është e regjistruar në Sistemin e Menaxhimit Elektonik (SMIL)”, ishte shprehur Krasniqi.
Bunjaku: Nëse ndarja e lëndëve është duke u bërë nga Kryeprokurori i PSRK-së, KPK ka dështuar
Viona Bunjaku, nga Lëvizja FOL, e cila monitoron Këshillin Prokurorial të Republikës së Kosovës (KPK), thotë se nëse lëndët ndahen manualisht në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Këshilli ka dështuar.
“Nëse shpërndarja manuale është duke u bërë nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Kjo i bie që Këshilli Prokurorial është duke dështuar që të marrë masa konform kësaj çështje dhe i bie që Kryeprokurori po ndan lëndët për prokurorët e asaj prokurorie në mënyrë se si ai i dëshiron dhe se si i sheh ata prokurorë”, ka thënë ai.
Se lëndët nuk ndahen me Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), në PSRK kishte bërë të ditur vetë zëvendës Kryeprokurori Valdet Gashi në mbledhjen e KPK-së, sipas tij për çështje teknike. Por, më pas mosndarja me SMIL e lëndëve u mohua nga KPK dhe vetë PSRK.
Sipas Bunjakut, arsyetimi me probleme teknike nuk qëndron dhe se kjo situatë krijon efekt negativ të prokurorët.
“Në këtë rast arsyeja për çështje teknike nuk mund të vlejë, pasi është që disa vite kjo çështje dhe është dashur që të kontrollohet dhe të menaxhohet në mënyrë efektive. Normalisht që kjo krijon një situatë shumë konfuze edhe tek vetë prokurorët, të cilët punojnë brenda Prokurorisë Speciale, pasi që menaxhmenti e ka në dorë që të caktojë lëndët tek ata dhe kjo nuk mund të jetë në përputhje as me normat ligjore, por as me normat etike”, ka thënë ajo.
Sipas saj, kjo do të ndikoj negativisht, pasi që do të krijojë disbalancë në mes të prokurorëve dhe pabarazi në shpërndarjen e lëndëve.
Nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, kanë thënë se Kontrata për Mirëmbajtje dhe Avancimin e SMIL-it e cila është e përbashkët në mes të KPK-së dhe KGJK-së ka përfunduar më 30 prill 2024 dhe që nga ajo kohë nuk kanë arritur të kontraktojmë ndonjë operator, pasi nuk kanë rezultuar të suksesshëm sipas kritereve të parapara.
“KPK-ja është duke realizuar për herë të tretë procedurat për kontraktimin e shërbimeve “Ri-tender – Mirëmbajtja dhe Avancimi i Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL)” në kuadër të një tenderi të publikuar, mirëpo është ende në fazën e ankimimit”, ka thënë u.d udhëheqësi i zyrës për komunikim publik në KPK, Bedri Gashi.
Sipas tij, në momentin që do të kontraktohet operatori i ri do të bëhet avancimi i SMIL-it sipas kërkesave që tashmë grupi punues ka identifikuar në të gjitha nivelet e prokurorive të vendit.”
Narracion: Betimi për Drejtësi, ka pyetur kompanitë që kanë qenë të kontraktuara për të parë nëse PSRK apo Këshilli ka kërkuar ndonjëherë rregullimin e këtij problemi.
Sipas kompanisë Altimas, para afër 2 muajsh iu ka përfunduar mbulushmeria e Suportit për SMIL, ndërkohë që janë në proces të tenderimit. Mirëpo, thonë se para kësaj nuk iu kujtohet të kenë pasur ndonjë ankesë për probleme në PSRK.
Gazetarja: A është anku ndonjëherë Prokuroria Speciale që nuk po mundet me i nda lëndët me SMIL? Dmth, a keni pas një ankesë të tillë që s’po funksionon të ta?
Kompania Altimas: Nuk na kujtohet diçka e tillë d.m.th, krejt çka kanë qenë janë raportu mes sistemit dhe na i kemi kry krejt ato, nuk ka mbete diçka e tillë e pa kryme.
Gazetarja: D.m.th. asnjëherë prokuroria nuk ka raportu për këtë problem teknik për të cilin ata po thonë se e kanë për shkak të specifikave…
Kompania Altimas: Jo, sa na kujtohet, nuk ka raportu po edhe nëse ka raportu ajo është rregulluar edhe ose ka qenë rast i izoluar tash nuk po di, nuk po me kujtohet ndonjë rast që është kanë. Përndryshe, krejt funksionojnë ngjashëm d.m.th. krejt Prokuroritë funksionojnë ngjashëm ato janë taskat e përgjithshme, nëse e ndërron një ID të prokurorisë ai nuk ish dashtë me kanë problem veç me Speciale ish dashtë me kanë edhe me tjerat.
Sipas kompanisë specifikat e një Prokurorie nuk janë problematike për t’i rregulluar.
“Nuk është ndonjë problematikë e madhe diçka mundet me u modifikua. Të Apeli kemi pas raste ku është dashtë me u bo ashtu diçka”, kanë thënë nga kompania. .
Këtë bisedë, zyrtari i kompanisë të nesërmen ka kërkuar që mos të transmetohet, duke thënë se kanë marrëveshje për konfidencialitet me Këshillat dhe se gjitha shpjegimet i ka bërë duke menduar se po fliste me dikë nga sistemi Prokurorial.
Në anën tjetër, edhe kompania Cacctus, e cila ka bashkëmenaxhuar SMIL-in bashkë me kompaninë tjetër “Altimas,” kanë thënë se kontrata u ka përfunduar në prill 2024, dhe se deri në përfundim të saj, kanë adresuar secilën kërkesë.
Zëvendëskryeprokurori apo PSRK dhe KPK, kush po e thotë të vërtetën?
Versionet nëse Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) zbaton apo jo sistemin SMIL për ndarjen e lëndëve, dallojnë nga ajo që kishte thënë zv.Kryeprokurori i saj, Valdet Gashi, dhe ajo se çfarë thotë tash vetë PSRK dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).
Gashi në mbledhjen e KPK kishte thënë se PSRK nuk ndanë lënët me SMIL por ato ndahen në zyrën e Kryeprokurorit. Kurse, PSRK dhe KPK kanë thënë se zbatohet Rregullorja për SMIL.
Duke qenë se versionet e PSRK-së dhe Këshillit dallojnë nga ai i dhënë në mbledhje, Betimi për Drejtësi, ka pyetur serish zv. Kryeprokurorin Gashi se si bëhet ndarja e lëndëve.
Prokurori Gashi tregon se lëndët ndahen nga menaxhmenti, siç shton ai, në koordinim më procedurën e SMIL, ndërkohë që insiston t’i referohemi përgjigjes së Këshillit Prokurorial.
“Gazetarja: Në mbledhje të Këshillit Prokurorial keni thanë që lëndët në PSRK nuk ndahen me SMIL, a mundeni me na tregu që sa kohë nuk ndahen me SMIL lëndët?
Valdet Gashi: Jemi përgjigje për atë çështje. Është përgjigje zyrtari i Këshilli.
Gashi, në vazhdimësi kërkon që t’i referohemi përgjigjes së Këshillit Prokurorial, e cila është e kundërta e asaj që ai vetë kishte deklaruar.
Tutje ai pyetet se si prokurori, si i pranon lëndët, të ndara përmes SMIL apo manualisht?
Valdet Gashi: Na i marrim lëndët sipas radhës që na ndahen.
Gazetarja: Kush ua ndanë?
Valdet Gashi: I ndanë, dihet kush i ndanë, menaxhmenti.
Gazetarja: Menaxhmenti apo SMIL-i.
Valdet Gashi: Menaxhmenti në koordinim me procedurën SMIL.
Por, Këshilli edhe në përgjigjën e dytë të dhënë më 18 mars thotë se “ndarja e lëndëve është duke u zbatuar sipas Rregullores për Menaxhimin e Lëndëve përmes Sistemit Elektronik (SMIL).
Sipas Florian Smajlit, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), janë dy fakte shqetësuese në këtë situatë:
“E para është deklarata se lëndët nuk ndahen përmes SMIL por në mënyrë manuale. Problemi i dytë është që qasja e PSRSK dhe KPK lidhur me këtë situatë. Nëse e kemi zv. Kryeprokurorin që thotë se lëndët ndahen në mënyrë manuale dhe përgjigjet janë se ndahen me SMIL, pa dhënë sqarime lidhur me deklaratën e zv. Kryeprokurorit, tregon mungesë të vullnetit për të adresuar këtë situatë”, ka thënë ai.
Sipas tij KPK dhe PSRK do duhej të tregonin ose pse nuk ndahen lëndët përmes SMIL ose të tregonin se çfarë ka qenë ajo deklaratë e zv. Kryeprokurorit dhe se mënyra se si ka vepruar sistemi prokurorial këtu, vetëm rritë dyshimet në lidhje me ndarjen e lëndëve në PSRK.
Sipas Smajlit në secilin rast, lëndët duhet të ndahen vetëm me SMIL
“Nuk duhet të ketë asnjë arsyetim për këtë situatë. Lëndët duhet të ndahen në mënyrë automatike përmes SMIL. Përkundër që nuk arsyetohen me mangësi të akteve ligjore apo nënligjore, edhe sikur të kishte mangësi të këtij niveli këto do duhej të adresoheshin, por në asnjë rrethanë që lëndët të ndaheshin në mënyrë manuale. Sistemi duhet të funksionoj në atë mënyrë që dora e njeriut mos të ketë kurrfarë ndikimi në ndarjen e lëndëve”, ka shtuar ai.
Pyetja që lind në këtë rast, është se kush po e thotë të vërtetën?
Blerim Isufaj nuk përgjigjet se si ndahen lëndët në PSRK, pyetjes nuk iu përgjigjen as disa prokurorë
Zëvëndëskryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Valdet Gashi, në mbledhjen e Këshillit Prokurorial (KPK), kishte thënë se lëndët në këtë Prokurori nuk ndahen me SMIL. Por kjo me pas u mohua nga PSRK dhe vetë Këshilli, duke mos sqaruar këtë situatë.
“Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të marrë një përgjigje dhe nga i pari i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj. Por, kryeprokurori nuk i është përgjigjur as thirrjeve telefonike dhe as kërkesës se dërguar me email.
Por, çfarë deklaronte Isufaj 7 vite me parë, sa ishte Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, kur SMIL ishte në funksionalizim e sipër.
“Menaxhimi i lëndëve në mënyrë elektronike i mundëson Këshillit Prokurorial që të realizoj vizionin e tij për një sistem prokurorial efikas, transparent, llogaridhënës dhe i qasshëm për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo vendim dhe të zbatojmë politika adekuate me qëllim të vënies në zbatim të Sistemit Elektronik të Menaxhimit të lëndëve në gjitha Prokuroritë e Kosovës”, shprehej Isufaj.
Se lëndët ndahen apo jo me SMIL, të vështirë për të konfirmuar një gjë të tillë e kanë edhe disa prokurorë që Betimi për Drejtësi ka pyetur.
Habibe Salihu, prokurore speciale refuzon të përgjigjet kur pyetet se a i pranon lëndët përmes sistemit SMIL apo ndarja ju bëhet fizikisht.
“Nuk është kjo çështje që unë duhet me të dhanë përgjigje mundesh me iu drejtu i këna organet kompetente që mujnë me dhanë, i drejtohet zëdhënësi atje dhe e merrni përgjigjën”, ka thënë ajo.
Deshta shkurt me iu pyet qysh iu ndahen lëndët në PSRK, iu ndahen përmes SMIL-it, apo i ndanë Kryeprokurori?
“A mundeni ju lutëm më e-mail këtë pyetje me e bë, të zëdhënësi, a ka mundësi”, ka thënë në anën tjetër prokurori Naim Abazi.
“Betimi për Drejtësi, ia ka dërguar pyetje edhe përmes e-mailit prokurorit Abazi por nuk ka marrë përgjigje.
Viona Bunjaku nga Lëvizja FOL, thotë se mos sqarimi i mjaftueshëm për këtë situatë tregon së KPK nuk e do transparencën.
“Ashtu siç e kemi cekur edhe më herët, që Këshilli Prokurorial është duke bërë disa përpjekje të vogla për rritjen e transparencës, mirëpo me këto përgjigje dhe me këto arsyetime, të cilat vazhdimisht po i dëgjojmë, na bën të dyshojmë që Këshilli Prokurorial me të vërtetë nuk e do transparencën në publik dhe nuk e do llogaridhënien ndaj publikut”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Këshilli do duhet të tregonte se cilat janë problemet teknike që PSRK po has me sistemin.
“Normalisht që Këshilli Prokurorial do duhej që të tregonte se cilat janë ato probleme teknike për të cilat kemi rezerva, pasi që siç e përmenda, këto rregullore janë miratuar që që tre-katër vite dhe nuk do të mund të ekzistonte më problemi i çështjes teknike, pasi që çështjet teknike mund të ndodhin që një javë të funksionojnë dhe një ditë të mos funksionojë sistemi dhe të rregullohet menjëherë”, ka thënë tutje Bunjaku.
Rexhepi: Moszbatimi i SMIL mund të hap rast disiplinor, u krijua për të larguar subjektivizmin
Teksa janë ngritur dilema nëse sistemi për Menaximin Informativ të Lëndëve (SMIL) po zbatohet për ndarjen e lëndëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Fatmir Rexhepi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) thotë SMIL po zbatohet në të gjitha gjykatat dhe tregon për rëndësinë e ndarjes se lëndëve me këtë sistem.
“Ka qenë se fillimisht ata referentët në gjykatë që kanë punu kanë regjistru lëndë e kanë hjek atë barrën që disa herë gjyqtarët i kanë akuzu pse mua ma ke caktu këtë lëndë ose pse atë lëndë ose dhe kryetarit kanë ditë me adresu për raste komplekse të rënda pse ka adresu mu domethanë kjo është tejkalu. Mandej ane ka pasë edhe subjektivizma edhe te ne që lëmë të caktuani, shkojnë gjyqtarëve të caktuanim, unë kjo është ma kjo është çështje e e tejkalume”, ka thënë ai.
Prokuroria Speciale nuk u sqarua mjaftueshëm se po e përdorë apo jo SMIL-in, Rexhepi thotë se sipas rregulloreve që ka miratuar Këshilli Gjyqësor moszbatimi i SMIL-it, mund të hap rast edhe për masa disiplinore.
“Përveç dokumentit që e rregullon çështjen e shpërndarjes së landëve, në Këshill janë aprovu edhe të gjitha rregulloret që duhen për me ba obligativ sistemin dhe me përdorë sistemin, mospërdorimi i sistemit ose përdorimi jo i duhur është Sipas Këshillit tonë është edhe masë me ngritë masa disiplinore për përdoruesit, të cilët nuk e përdorin sistemin në mënyrën e duhur”, ka thënë ai. Transparenca dhe barazia janë thelbësore për sistemin e drejtësisë, ndërsa SMIL-i u krijua edhe për të lehtësuar punën por edhe për të rritur besueshmërin dhe ulur mundësitë për ndikim në ndarjen e lëndëve.
Ky sistem, i zbatuar me sukses në të gjitha prokuroritë dhe gjykatat e tjera, për fat të keq, mbetet sikur mister për Prokurorinë Speciale.
Zv. Kryeprokurori thotë se SMIL nuk zbatohet për shkak të “problemeve teknike”, ndërsa përgjigjet zyrtare nga Prokuroria Speciale dhe Këshilli Prokurorial thonë SMIL po zbatohet në secilën prokurori.
Ajo që duhet të sqarohet është nëse problemet teknike janë justifikim apo mungesë vullneti për të zbatuar këtë sistem.
Apo edhe diçka më shumë përtej kësaj?