BETIMI PËR DREJTËSI

Kush është Bahri Rexha që po dyshohet nga Këshilli i BIK në Prishtinë për 166 mijë € keqpërdorime?

Bahri Rexha

Për tre vjet me radhë të ardhurat e sadakasë, vitrave, zeqatit, anëtarësisë si dhe qerave të objekteve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë dyshohet të jenë keqpërdorur.

Nga viti 2020 deri më 2022 parat e BIK dyshohet të jenë tërhequr nga arka “cash” pa mbulesë, e përmes llogarive bankare të kenë shkuar në llogari të ndryshme, herë me përshkrim të arsyes e herë pa të.

Personit që po i drejtohet gishti  t’i ketë përvetësuar qindra mijëra euro është Bahri Rexha, ish-arkëtar i Bashkësisë Islame për Prishtinë.

“Resha: Unë jam Behri Rexha, aktualisht jam i angazhuar profesor në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë.
Gazetarja: Çfarë lënde jepni në këtë universitet dhe në cilën degë?
Rexha: “Shkenca sociale”, “Politikat ekonomike”.

Rexha që tash i mëson studentet për politikat ekonomike, fillimisht dyshohej nga  BIK t’i ketë përvetësuar hiç më pak se 260 mijë euro.

Zanafilla e këtij hetimi të brendshëm pretendohet të ketë filluar kur Rexha i kishte thënë kryetarit të Këshillit të BIK në Prishtinë, Hetem Sopjani, se nuk ka buxhet për t’i paguar punëtorët.

“I ishte thënë kryetarit që nuk ka para për pagesën e punëtorëve, dhe kjo kishte qenë shqetësuese për kryetarin duke qenë se ky kishte krijuar një besim jashtëzakonisht tek personi. Dhe më pastaj arkatari thotë jo i kam siguruar parat. Këtu fillon dyshimi se si ka ndodhur kjo çështje”, ka thënë Florim Shefqeti, avokat i angazhuar nga Këshilli i BIK në Prishtinë.

Por, shuma që BIK tashmë zyrtarisht pretendon të jetë përvetësuar nga ish-arkëtari Rexha ka rënë.

Avokati i angazhuar nga BIK në Prishtinë thotë se kjo ka ndodhur për shkak se analiza e parë është bërë nga një komision i përbërë nga hoxhallarët, pa njohuri në fushën e financave.

“Shefqeti: Dhe në momentin që është vërejtur mospërputhje të tilla formohet një komision i brendshëm nga 3 hoxhallarë të cilët si shuma hyrëse dhe dalëse gjejnë që janë të njëjta, por brenda për brenda përmbajtjes së tyre, ky raport ka konstatuar se nuk i është ofruar dokumentacion i mjaftueshëm. Po ashtu gjenë mospërputhje me dëftesa në pagesa.

Gazetarja: Sa ka qenë dyshimi fillimisht, cila ka qenë shumë që dyshohet se është përvetësuar nga zotëri Rexha?

Shefqeti: Shikoni, me aq sa kam pa me rastin e përpilimit të padisë, por edhe kur i kemi dorëzuar në gjykatë, shuma është afër 166 mijë euro.

Gazetarja: Ka qenë fillimisht dyshimi se shuma mund të jetë shumë më e lartë ose raportet e para çfarë shume kanë nxjerr?

Shefqeti: Shikoni, ne po flasim mbi një raport të auditimit që konsiderohet persona profesional”.

Si rrjedhojë, këshilli kishte themeluar një komision tjetër në përbërje të personave me njohuri në fushën e financave,  i cili kishte kontrolluar faturat për periudhën 2020-2022.

Pas këtij analizimi  llogaria doli se mungonin 166 mijë euro.

Ky raport i 6 qershorit 2023, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, pasqyron të gjitha pagesat dhe tërheqjet që dyshohet të jenë bërë nga arka dhe banka, pa nënshkrim të pranuesit të mjeteve apo pa  përshkrim.

Këto ishin bërë në emër të individëve privat e bizneseve.

“Sipas mostrës statistimore e nxjerrë nga popullata e regjistrit të dokumentacionit tregon që shuma totale e shpërdoruar- keqpërdorur brenga Këshillit të BI-së në Prishtinë e kap vlerën prej 166,528.30 euro. Komisioni mbas mbarimit të punës ka marrë dëftesat si dëshmi të mostrës dhe atë: 26 dëftesa të vitit 2022, 17 dëftesa të vitit 2021 dhe 13 dëftesa të vitit 2020 të cilat janë cekur si më lartë si dhe regjistrin e borxheve të supozuara në fotopkoje. Në të njëjtën kohë janë marrë edhe listat e kthimit të trustit të cilat duhet të verifikohen nga Këshilli i BI-së në Prishtinë”, thuhet në raport.

Ish-arkëtari mohon keqpërdorimin, thotë se çdo faturë u nënshkrua nga kryetari Sopjani

Por, Bahri Rexha e mohon t’i këtë përvetësuar këto para. Ai arsyetohet se çdo faturë e ka vulën dhe nënshkrimin e eprorit të tij, kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, Hetem Sopjani.

“Gazetarja: Kush ka qenë urdhërdhënësi juaj?
Rexha: Kryetari i Këshillit në këtë rast.
Gazetarja: Kush është kryetari i Këshillit? Kush ka qenë?
Rexha: Është Hetem Sopjani.
Gazetarja: Pra, po thoni që ju nuk keni bërë asnjë pagesë pa lejen e Hetem Sopjani.
Rexha: Po asnjë. Në të kundërtën, nëse pavarësisht çfarëdo që të jetë, është pa nënshkrimin e kryetarit, unë e marr të gjitha përgjegjësitë.
Gazetarja: Po e ka ditur zoti Sopjani se për çfarë pagesa, për çfarë sasie jeni duke kryer ju pagesën si arkëtar, meqenëse po thoni se çdo gjë është bërë me nënshkrimin e tij?
Rexha: Po gjithçka është me nënshkrimin e tij përndryshe Komisioni nuk thotë në fund të vitit apo në fund të kontrollës se që të gjitha dokumentet ishin të nënshkruara dhe të vulosura.
Gazetarja: por ndonjëherë e ka ditur zotëri Sopjani se po dihet se për çfarë pagese…?
Rexha: Nëse nuk e ka ditë atëherë pse, ku ka qenë detyra e tina? Ku ka qenë ai? Nëse ai nuk e ka ditë”.

Avokati i angazhuar nga BIK, pranon që çdo faturë të jetë nënshkruar nga Sopjani.

Mirëpo, për 166 mijë euro fatura të tërheqjes përmes së cilave pretendohet të jenë realizuar vjedhje, thotë t’i ketë nënshkruar në mirëbesim.

“Shefqeti: Shikoni, sipas procedurës secili dokument financiar që i është prezantuar klientit tim është nënshkruar në besim.
Gazetarja: Pra, zotëri Sopjani ka nënshkruar fatura në vlerë 166 mijë euro, që sot për të gjitha këto pretendon t’i jetë shkelur besimi?
Shefqeti: Shikoni, sipas procedurës përgatitja e dosjes së pagesës, nga ana e personit në fjalë financierit është përgatitur në dosjen komplet se si procedohet tutje, dhe normal që kjo faturë  është nënshkruar sepse ka qenë kriter edhe nënshkrimi nga ana e kryetarit, por kryetarit por kryetari nuk ka pasur informacion se çka ka ndodh me cilëndo prej faturave ose që s’është bë fare furnizmi”.

Rexha pranon të ketë ekzistuar raporti i mirëbesimit.
Mirëpo thotë se akuzat janë vetëm pretekste pasi ai ishte pengesë për dikë pa e pasur idenë se për kë dhe pse.

“Gazetarja: A ju ka besuar juve zotëri Sopjani në punën që keni kryer dhe në përgjegjësitë që i keni pasur?
Rexha: Nëse nuk më kish besu, pse i ka nënshkru.
Gazetarja: Atëherë ai bie që ai ka besuar se ju jeni duke e kryer punën si duhet dhe në mirëbesim ka nënshkruar çdo faturë të dërguar nga ju?
Rexha: Po gjithçka është e procesume në formë të mirë.
Gazetarja: Si mendoni në formë të mirë?
Rexha: Në formën më të mirë se ajo nuk është bo, nëse është më ka besu mua, edhe më ka besu me marr para, po nuk toleron kurrkush e nderuar.
Gazetarja: Atëherë, pse Komisioni Financiar ju akuzon vetëm juve?
Rexha: Për këtë pyetje ata m’i pyet, dhe mua më vynë me marrë një përgjigje pse unë kam qenë pengesë e tyre?
Gazetarja: Pse ju keni qenë pengesë e tyre?
Rexha: Nuk e di”.

Lexo përditësimet tjera
BIK - Prishtina

Ku u zhdukën 166 mijë euro në Këshillin e BIK në Prishtinë?