Ish-arkëtari pretendon se myftiu Tërnava kërkoi para nga BIK-u pa mbulesë
Mirëpo, pas gjithë këtyre, Rexha ka hedhur akuza të tjera ndaj drejtim të myftiut të Kosovës, Naim Tërnava dhe kryetarit të Këshillit të BIK në Prishtinë, Sopjani.
Rexha pretendon se në vitin 2022 për motive personale myftiu Tërnava t’i ketë kërkuar njëherë 20 mijë e më pas 15 mijë euro para cash nga arka e Këshillit të BIK në Prishtinë.
Rexha parat thotë t’ia ketë dorëzuar në zyrë bashkë me zëvendëskryeimamin e këshillit, Idriz Gjigoli.
“Gazetarja: A ka pasur rast, zoti Rexha, kur juve është kërkuar me tërhekë pare prej arkës dhe për me i dhënë dikujt pa mbulesë?
Rexha: Pas deklarimit që e pata si me avokatët ë do të bëjmë kallëzimin penal, nuk kisha dashtë të zgjas më shumë, po veçse po e kërkoni ë është një rast, domethënë, që mua më ka thirrë zëvendëskryemami i Këshillit, Idriz Gjigoli, dhe më ka thënë se po i kërkon myftiu njëzet mijë euro dhe pas një periudhe kohore, i ka kërkue edhe pesëmbëdhjetë mijë euro të tjera.
Gazetarja: Kur i ka, kur i ka kërkuar këto para në emër të Myftisë Tërnava?
Rexha: Gjatë vitit dy mijë e njëzet e dy, parafërsisht, dikun ka qenë data dy gusht dy mijë e njëzet e dytën, dhe prezent domethënë për krejt këtë ka qenë Idriz Gjigoli.
Gazetarja: Pra ai ka kërkuar nga ju, një herë njëzet mijë euro, një herë pesëmbëdhjetë mijë euro?
Rexha: Nuk i ka kërku direkt nga unë. Mu më ka thirrë Idriz Gjigoli dhe më ka thënë: Myftiu po i kërkon. Këtë vlerë të mjeteve prej njëzet mijë euro.
Gazetarja: Dhe ju çka keni bo?
Rexha: Ia kemi dhënë.
Gazetarja: Kujt ia keni japë ju?
Rexha: Myftiut.
Gazetarja: Një herë njëzet mijë dhe herën e dytë?
Rexha: Herën e dytë jua kam dhënë pesëmbëdhjetë”.
Këto mjeta, Rexha thotë t’i ketë kthyer myftiu Tërnava në vitin 2023.
Por, si ia doli ai ta arsyetoj mungesën e mjeteve?
Këta ai thotë ta ketë bërë, duke mos i regjistruar të hyrat e pagesave të anëtarësisë për vitin 2022.
Të njëjtat thotë se i regjistroi tek në vitin 2023, kur myftiut Tërnava thotë se ia ktheu 35 mijë euro.
“Gazetarja: Qysh e keni bo arsye?
Rexha: Jo, vetëm një formë është përdorë këtu. domethënë thotë bllokat e shërbimeve fetare dhe të anëtarësisë të vlerës së tyre nuk janë regjistru në atë vit për mos me dalë domethënë minusi dhe me deklaru që i ka marrë myftiu mjetet borxh edhe jon te ai. E kemi përdorë domethënë qët metodë me i bartë bllokat pa regjistru dhe i kemi regjistru në vitin që vjen po i bie, keni regjistru mandej në vitin dy mijë e njëzet e tre.
Gazetarja: Kur?
Rexha: Prej vitit, prej janarit e tutje
Gazetarja: A ka tregu ai pse ju ka ndash këto para?
Rexha: Nuk ka tregu. Dhe nuk është e imja dhe nuk e kam pyetur. Nuk është e imja me pyet, duke llogaritë se në njëfarë forme është i zot i shtëpisë apo është udhëheqësi.
Gazetarja: A i ka kthy krejt mjetet prej tridhjetë e pesë mijë euro?
Rexha: I ka kthy.
Gazetarja: I ka kthy te ju apo te Idrizi?
Rexha: Jo, i ka kthy në zyrë.
Gazetarja: Ka ardhë tek ju?
Rexha: Te na e ka ardhë në zyrë. Edhe i ka kthy.
I pyetur Rexha nëse kjo ka qenë praktikë e tyre, e ka mohuar.
“Gazetarja: A ka qenë kjo praktikë që është përdorur edhe në raste të tjera, zoti Rexha, kur paratë që janë tërhekur nuk janë regjistruar bllokad e anëtarësisë për atë periudhë, dhe janë regjistruar pastaj vitin tjetër?
Rexha: Për borxhe të tilla ka pasë raste, do të thotë që janë bartë prej vitit në vit.
Gazetarja: Pra, edhe një herë… A ka pasë raste tjera përveç kësaj me zotëri Tërnave?
Rexha: A jo jo, nuk kam.
Gazetarja: A ka naj rast tjetër të ngjashëm?Rexha: Unë nuk kam.
Mirëpo, e njëjta praktikë rezulton të jetë përdorur edhe një vit më parë.
Komisioni financiar në një raport të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” jepte vërejtje për pagesat e anëtarësisë dhe shërbimeve fetare të vitit 2021, që ishin regjistruar më vonë, në vitin 2022.
Mirëpo, nuk dihet nëse edhe në këtë rast, parat ishin dalë jashtë arkës së BIK, dhe kush të ketë qenë shfrytëzuesi i tyre.
“Kemi hasur në dëftesa të shumta të anëtarësisë dhe shërbimeve fetare të vitit 2021, të regjistruara si të hyra të vitit 2022”, thuhet në raport.
“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një përgjigje për ketë nga myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.
Mirëpo, i njëjti nuk i është përgjigjur shkresave elektronike.
Në anën tjetër, gazetarja ka tentuar ta takoj të njëjtin në zyrë.
Por, me arsyetimin se do të përgjigjen përmes postës elektronike nuk kanë pranuar.
Përgjigje nuk ka marrë as nga Gjigoli të cilin e përfshinë në rast Rexha.
Tutje, Rexha ka hedhur akuza të rënda për përfitime financiare në drejtim të kryetarit Sopjani.
“Rexha: Zoti Sopjani, përveç kësaj na dhe në të kaluarën, edhe detyrat se ku ka qenë, në të gjitha xhamitë ku ka shërby, ai nuk ka mujt me qëndru gjatë, se vetë është domethënë njeri që i shkel forma. E kemi rastin në me zgjidhjen në Tophane që xhematlinët kanë kërku largimin e tina për keqpërdorim që ka ba. Do më thotë mjetet, të cilat janë kohë për mirëmbajtje të xhamisë, xhemati në kanë deklaru në zyrë e kanë thënë se mi ka marrë dhe nuk po mujna me pagu rrymën edhe obligimet e tjera”.
Tutje, ai thotë të ketë vendosur në billboard në objekt të xhamisë, dhe të hyrat nga ai t’i ketë përvetësuar.
“Rexha: Gjithashtu, e ka bo një bilbord se është transferu pastaj, pasi që xhemati kërkuan që ai më të mos jetë pjesë e kësaj xhamie e kanë transferu në Xhaminë e Mesme ose afër muzeut dhe aty e ka vendosë një billbord. Unë i kam tregu, i kam tërhek vërejtje, i kam thënë se nuk bën këtë formë Forma e pagesës së billbordit do të thotë qiraja e tij duhet të shkojë përmes zyrës. Që ta paguan pastaj sikur forma që i ka bo të tjera, le ta bënë edhe atë, mirëpo jo në formë të tillë.
Rexha: I ka marrë pagesat direkt ai nga pronari i billbordit apo atij që i ka dhënë leje me me vendosë dhe në momentin që kanë dëgju myftiu në këtë rast, i ka thënë me fjalë menjëherë me shku me hjek ata”.
Rexha hedh edhe akuza të tjera për keqpërdorim të detyrës.
“Mos të flas për çështje cikrrime. E ka marrë pagën që ka qenë si kryetar, e ka marrë pagën që ka qenë si imam, mund të them që ndoshta ai vetmi punëtor që e ka marrë pagën është shku në xhami kurrë por edhe e ka përdorë, shkruan diku nëpër raport e është e ka përdorë edhe kartelën për përdorimin e naftit Punëtorët më kanë thënë se unë s’e kam pa, punëtorët më kanë thënë se kryetari Hetemi e mbush me kartelën e këshillit shumë herë e kerrin e vet dhe shumë herë kerrin e familjes”.
Krejt në fund, Rexha shprehet i gatshëm për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë, mbi cdo gjë që ka ndodhur në Këshillin e BIK në Prishtinë, që kur ai punonte aty.
“Me avokatët e mi Kastriot Feka dhe Flutra Selimi, jemi duke përgatitë edhe kallëzimin penal për krejt këto shkelje. Jemi në gjendje para çdo institucionit të drejtësisë të prokurorisë të gjithave me dhanë përgjigje për çdo gjë që ka ndodhë gjatë kohës kur unë kam qenë”.
Lidhur me këtë rast “Betimi për Drejtësi” informacionet e para i kishte marrë rreth gjysmë milioni euro keqpërdorime në BIK.
Më pas shuma ra në 260 mijë.
Derisa shuma zyrtare tashmë pretendohet të jetë 166 mijë euro vjedhje nga të hyrat e sadakasë, vitrave, zeqati, anëtarësia e të hyrat nga qerat e lokaleve.
Por, kjo mbetet të zbulohet nga organet e drejtësisë.
BIK amnistoi nga hetimi i brendshëm kryetarin Hetem Sopjani
Përveç që Rexha dyshohet për zhdukjen e 166 mijë eurove të sadakas, vitrave, zeqatit, anëtarësisë dhe të hyrave nga qeratë e lokaleve, edhe kryetari i këshillit, Hetem Sopjani, mund të ketë konsumuar veprën penale “moslajmërim i veprës penale apo kryerësve të tyre”
“Sipas Kodit Penal, personi përgjegjës i cili nuk e lajmëron veprën penale të cilën e ka zbuluar gjatë ushtrimit të detyrës së tij, dënohet me burgim deri në tri vite, nëse vepra që sështë raportuar është e dënueshme me së paku tre (3) vjet burgim. Kështu, mos raportimi i këtij rasti, eventualisht mund të ngrisë dyshime për përgjegjësi penale sipas këtij neni”, ka thënë hulumtuesi i IKD-së, Flamur Kabashi.
“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të zhvilloj intervistë edhe me kryetarin Sopjani, mirëpo i njëjti nuk i është përgjigjur shkresës elektronike, shkrimeve në rrjete sociale a as thirrjeve telefonike.
E pas një muaj pritje, kur Sopjani është hasur në rrugë, sërish i shmanget ballafaqimit me argumentet duke e quajtur ndaljen e tij joetike.
“Gazetarja: Zotëri Sopjani a mundeni me na tregu pse i keni nënshkruar faturat e Bahri Rexhës përmes së cilave pretendohet që i ka vjedh 160 mijë euro?
Sopjani: Ëëë, për këtë çështje mundeni me bisedu edhe me avokatin ju lutem kisha lut, ai është prononcu para mediave.
Gazetarja: Mirëpo, ju keni qenë epror i tij dhe jeni nënshkrues i ..
Sopjani: Po edhe nuk është etike në rrugë me më ndal kështu, më vjen shumë keq.
Gazetarja: A mundesh me na tregu shkurtimisht pse?
Sopajni: Jam në detyrë.
Gazetarja: A është bërë një hetim ndaj juve?”
“Gazetarja: Që i bie pra zotëri Sopjani për dy vjet i ka mbajtur lëndën që është dashur ta dorëzoj në prokurori në sirtarin e tij, duke mos e raportuar tek organet. E bën përgjegjës kjo zotëri Rexhën për mos lajmërim të kryerjes së veprës penale?
Shefqeti: E para nuk ka qenë dy vite sepse prej momentit të suspendimit ka kaluar një kohë e caktuar prej të cilës është vendosur për ndërprerje të marrëdhënies së punës sepse është nevojitur hetim brenda për brenda institucionit për të parë gjetjet se sa janë të qëndrueshme, dhe deri në raportin e fundit të komisionit të aludimit ska qenë e faktuar me prova se cilat janë lëshimet e zotërit Rexha dhe në momentin që këto lëshime kanë marrë bazë.
Gazetarja: Kur ka përfunduar raporti i komisionit të auditimit?
Shefqeti: Nuk i ka as gjashtë muaj që ky raport ka përfunduar?
Gazetarja: E gjashtë muaj pas për çfarë është pritur?
Shefqeti: Është pritur sepse fillimisht thash është diskutuar ideja e kompensimit vullnetar të dëmit, dhe meqë kjo nuk është arritur.
Gazetarja: A nuk është kjo fshehje e veprës nga zotëri Sopjani?
Shefqeti: Po të ishte fshehje ai nuk do t’i raportonte vetë rastin.
Gazetarja: a nuk e ka raportuar pas interesimit të “Betimit për Drejtësi” pasi para se të autorizoheshit ju 10 ditë para apo dy javë para kemi diskutuar ne me zyrtarë të Bashkësisë Islame për këtë temë.
Shefqeti: Nuk e di, por ajo çfarë di është që zotëri Sopjani është ndjerë jashtëzakonisht keq dhe i dëshpëruar me keqpërdorimin e besimit që i është bë, madje ndihet keq edhe në aspektin që duke qenë hoxhë i ka ndodh diçka që dikush të ketë kësi veprime”.
Si rrjedhojë, përmes padisë së ushtruar, Shefqeti thotë se kanë kërkuar kthimin e mjeteve nga Rexha.
Ndërsa në kallëzimin penal të deponuar në prokurori, të njëjtin e akuzojnë për një varg veprash penale.
“Në kallëzim penal ne dyshojmë pala e dëmtuar kryetari që e përfaqëson Këshillin e Bashkësisë Islame, se janë kryer disa vepra penale, përveç keqpërdorimit të besimit që është ndër veprat bazë, poashtu edhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare, respektivisht vjedhja apo përvetësimi i pasurisë së huaj sepse nga dosja që ne kemi të njëjtën e kemi dorëzuar në prokurori. Normalisht në gjykatë kemi paraqitur padi për kompensimin e dëmit të shkaktuar dhe kemi kërkuar masë të sigurisë që ndaj tij të bëhet bllokimi i llogarisë bankare për tu siguruar kërkesa e Këshillit të Bashkësisë Islame”, ka thënë Shefqeti.
Por, në kallëzim penal nuk u përfshinë edhe pronarët e bizneseve, përkundër se vetë BIK prentedon të jenë të përfshira në skemën e bashkëpunimit.
Edhe në këtë rast, kryetari Hetemi vendosi t’ua fal besimin, duke u bazuar vetëm në deklaratat e tyre.
“Shefqeti: Ne nuk i kemi përfshirë bizneset sepse bizneset e para biznesi i parë thotë unë jam detyruar që përmes iks personit t’i dërgoj parat. Dhe prokuroria do ta vlerësojë nëse i njëjti apo do të jetë deklaruesi i veprimeve kriminale të dikujt apo do të jetë i dëmtuar, kompania e dytë që punëtori kontabilisti i tij nuk e ka mbyll kompaninë dhe ka vazhdu tutje. Dhe për ne për kryetarin.
Gazetarja: Dhe në këtë rast zotëri Sopjani sërish ua ka falur besimin bizneseve?
Shefqeti: Nuk është ideja që u ka fal besimin, por duek qenë përson që për herë të parë ballafaqohet me një ngjarje të tillë, duke ngjarë që dikush t’i keqpërdor besimin nga fakti që është predikues fetar, i njëjti është drejtuar prokurorisë, që prokuroria të bëjë vlerëismin e të gjitha veprimeve tij. Por qëllimi i tij ka të bëjë mbroja e apra së paguar nga qytetarët dhe ruajtja e besimit të institucionit sepse ska qenë e lehtë për të ndaj një personi të paraqet kallëzim penal.
Gazetarja: Por pse nuk janë përfshirë bizneset?
Shefqeti: KA qenë obligim i tij për shkak që i njëjti përfaqëson institucionin. Se dyti ne e kemi njoftuar prokurorin me të gjitha këto veprime, ne nuk e dimë a ka kryer vepër penale pronari i biznesit apo kontabilisti i tij.
Gazetarja: emgjithatë ajoështë punë e prokurorisë, pse nuk është ngritur dyshimi nga ana juaj.
Shefqeti: Ne kemi bashkangjitur edhe provat dhe mbetet cështje e prokurorisë”.
Ndërsa asnjë masë nuk u morë ndaj kryetarit të Këshillit të BIK në Prishtinë, Hetem Sopjani, përkundër se i njëjti kishte qenë nënshkrues i cdo fature.
“Gazetarja: A është hetuar edhe zotëri Sopjani nga ana e Bashkësisë Islame?
Shefqeti: Nuk ka pasur për çka me u hetu.
Gazetarja: Duke qenë se ka qenë nënshkrues i çdo fature.
Shefqeti: Ai ka qenë nënshkrues për shkak të pozicionit të tij nuk ka qenë as paraqitës i kërkesës për furnizim, as autorizim në bankë nuk ka pas, të gjitha kanë qenë të zotërit Rexha. Sepse edhe ky ka bërë nënshkrimin e faturave për shkak se i është kërkuar një faturë e tillë.
Gazetarja: Megjithatë procedura të fut në përgjegjësi apo jo?
Shefqeti: As nuk ka qenë i autoriziuar në bankë, i vetmi ka qenë zotëri Rexha i autorizum.
Gazetarja: Megjithatë një pjesë e të hollave në Bashkësi Islame qarkulloojnë përmes arkës së brendshme,
Shefqeti: E cila mbahet nga arkatari jo nga kryetari.
Gazetarja: Por që cdo dalje bëhet me nënshkrim të kryetarit.
Shefqeti: Apsolutisht po, por nuk merren nga kryetari ose të merren dhe dorëzohen nga kryetari, asnjë cent i vetëm nuk është i tillë”.
“Duke kuptuar gjithë këtë situatë, ajo çfarë duhet theksuar është se kërkesa për këtë lloj nënshkrimi do duhej të kishte ndonjë arsye, e që supozohet të ishte një lloj mbikëqyrje. Nëse kjo lloj mbikëqyrje nuk ka ndodhur vazhdimisht, kjo eventualisht do të mund të ngriste dyshimet për përgjegjësi disiplinore, sipas mekanizmave të brendshëm që ka institucioni i Bashkësisë Islame”, ka sqaruar Kabashi nga IKD.
Në anën tjetër, kallëzim penal paralajmëron edhe avokati i Rexhës, i cili thotë se rasti nuk është lajmëruar më parë në organet ndjekëse me qëllimin që të mos dëmtohet imazhi i BIK.
“Feka: E nuk e kanë lajmëruar për shkak se i njëjti ka tentuar ta ruajë institucionin ku ka punuar për një kohë të gjatë edhe si një mysliman i devotshëm ka qenë e rëndësishme për të, ta ruajnë qoftë myftiun, qoftë institucione, qoftë Bashkësinë Islame. Dhe kjo ka qenë arsyeja prej fillimit, edhe pse ne si avokatë kemi insistuar dhe tashmë jemi në përgatitje të kallëzimit penal që do ta ushrojmë në emër të Bahri Rexhës për këto raste, për shkak që i njëjti posedon dëshmi për çdo pagesë që është bërë.
Gazetarja: Ndaj kujt do të bëhet kallëzim penal dhe për çfarë saktësisht?
Feka: Ndaj bashkësisë islame, si dhe ndaj personave, të cilët janë pjesë e këtyre keqpërdorimeve, për të cilat ata po e akuzojnë klientin tim”.
Këshilli i BIK-ut në Prishtinë tentoi ta mbyllte rastin e keqpërdorimit të 166 mijë eurove
Por, për afër dy vjet, Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës ka mbajtur të fshehtë për institucionet e drejtësisë këtë vjedhje të pretenduar.
Madje, të njëjtit kanë tentuar ta mbyllin këtë rast brenda organeve të BIK, duke mos e raportuar në institucionet e drejtësisë. Këtë e argumenton edhe avokati i këshillit, i cili thotë se nga Rexha kanë kërkuar kthimin e mjeteve në mënyrë që rasti të mos raportohej në organet ndjekëse.
“Gazetarja: Që i bie zotëri Sopjani pavarësisht se i ka pasur për afër dy vjet të gjitha këto prova në sirtarin e tij, nuk e ka autorizuar më herët juve apo ndonjë avokat tjetër për ta bërë kallëzimin penal?
Shefqeti: Ne e kemi diskutuar edhe këtë pjesë për shkak të natyrës së funksionimit të Këshillit të Bashkësisë Islame, për shkak të imazhit të tyre, ata kanë thënë që kanë pasur diskutime përmes personave të tretë që zotëri Rexha të bëjë kthimin e shumave që dyshohet të jenë marrë dhe kjo çështje të mos ketë impakt as të dëmtimit.
Gazetarja: Megjithatë për dy vjet i ka kthyer zotëri Rexha një pjesë të shumës apo jo?
Shefqeti: Për ata është diskutuar që kjo çështje të sqarohet sepse keni parasysh sepse edhe programi i ATK-së me të cilin ka funksionuar zotëri Rexha ka qenë fizik dhe jo elektronik ku kyçën direkt në Administratë Tatimore.
Gazetarja: A i ka kthyer parat për këto dy vjet zotëri Rexha?
Shefqeti: E di që diçka kanë diskutuar por sa unë kam informacion, shuma për të cilën është bërë padia për kthimin e tyre është 166 mijë euro.
Gazetarja: I ka kthyer ndonjë pjesë të parave Rexha?
Shefqeti: Nuk kam informacione”.
Të njëjtën e ka konfirmuar edhe avokati i Rexhës, Kastriot Feka.
Mirëpo, Feka thekson se nga Rexha është kërkuar kthimi i vetëm 30 mijë eurove, ani se i njëjti po akuzohej për 166 mijë euro vjedhje.
“Feka: E ka përmendur klienti ynë këtë marrëveshje, por që i njëjti nuk ka marrë asnjë të hollë apo mjete monetare dhe nuk ka pasur mundësi t’i kthejë ato që janë kërkuar.
Gazetarja: Çfarë është kërkuar nga ai?
Feka: I kam kërkuar një shumë afërsisht rreth tridhjetë e mijë euro për me mbyllë këtë temë.
Gazetarja: T’i kthejë në mënyrë zyrtare apo si është paraparë kjo marrëveshje?
Feka: Nuk e di, nuk kam informacione, por më kanë thënë që e kanë thënë në mënyrë verbale Bashkësia Islame që rreth tridhjetë mijë euro duhet t’i japë për me e mbyllë këtë, por që i njëjti nuk ka mundësi as financiare t’i japë, por as nuk është i detyruar, për shkak që nuk ka keqpërdorur asgjë”.
Përkundër se Rexha nuk i ktheu parat për të cilat po akuzohet t’i ketë përvetësuar, BIK sërish nuk e kishte njoftuar Policinë e Kosovës e as Prokurorinë për këtë.
Ky njoftim u bë vetëm pas fillimit të hulumtimit nga “Betimi për Drejtësi”.
Avokati Shefqeti, pranon se është autorizuar vetëm një ditë para ushtrimit të kallëzimit penal dhe padisë, pra më 25 shkurt, afër një muaj pasi “Betimi për Drejtësi” kishte filluar hulumtimin.
“Gazetarja: Kur e keni pranuar autorizimin ju?
Shefqeti: E kemi pranuar mendoj një javë ka, një javë ka që e kemi pranuar autorizimin.
Gazetarja: Dhe i bie brenda javës e keni bërë padinë si avokat dhe kallëzimin penal?
Shefqeti: Ditën që ne e kemi pranuar autorizimin të nesërmen e kemi dorëzuar padinë dhe kallëzimin penal”.
BIK-u e largoi nga puna arkëtarin e Prishtinës bazuar në dyshimet për keqpërdorim
Nën këto dyshime, Bahri Rexha fillimisht është suspenduar.
Suspendimi është bërë në mars 2023.
Ndërsa, nëntë muaj pas, përmes masës disiplinore, është larguar nga puna si arkëtar i Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë.
“Bashkësia Islame klientin tonë Bahri Rexha e ka shkarkuar me arsyetimin se ai e ka keqpërdorur detyrën e tij si zyrtar financiar e që ne e kemi kundërshtuar brenda fatit ligjor, por se asnjëherë nuk kemi marrë ndonjë përgjigje për këtë ankesë”, ka thënë avokati i angazhuar nga Rexha, Kastriot Feka.
Në fakt përgjigje ishte dhënë vetëm nga shkalla e parë e Komisionit për Parashtresa dhe Ankesa të Kuvendit të Bashkësisë Islame më 17 qershor 2023, të cilët e kishin refuzuar ankesën e Rexhës si të pabazuar.
Ndërsa, për ndaj ankesës së dytë të bërë më 21 dhjetor 2023 mbi shkëputjen e marrëdhënies së punës, BIK nuk ka dhënë ende përgjigje.
Këshilli i BIK-ut në Prishtinë lëshoi fatura për biznesin që nuk funksiononte
Ndryshe nga kompania “Adhurimi” që dyshohet t’i ketë fryrë faturat, fatura fiktive, pa u dhënë asnjë shërbim, ishin lëshuar në emër të kompanisë “Përparimi Bau sh.p.k”.
Në deklaratën e dhënë për BIK më 12 qershor 2023 të cilën poashtu e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Përparim Bytyqi pronar i këtij biznesi, thotë se se biznesi i tij kishte qenë joaktiv, dhe nuk kishte qenë në dijeni të pagesave të bëra në emër të biznesit të tij.
Bytyqi kishte deklaruar se biznesi i tij është keqpërdorur nga kontabilisti, të cilit i kishte kërkuar t’i mbyllte kompaninë.
Sipas kësaj deklarate, edhe në këtë keqpërdorim del të jetë i përfshirë një punëtor tjetër i BIK, kësaj radhe kontabilisti Granit Berisha.
Bytyqi sqaron se Berisha ka qënë kontabilist në kompaninë e tij, e njëkohësisht edhe punëtor i BIK.
“Bytyqi: çka kishin bo ata nuk e di, unë jaukom jep letrat me ma mshel firmën, se sun kom punu kurrë, më ka thanë spo muj menihër spo muj e msheli. Kur më kanë thirr prej BIK më kanë thanë qështu qështu për do material, ju thash jo valla skom pru unë material.
Gazetarja: Për çka ka qenë firma e juaj?
Bytyqi: Për ndërtim e kom pas unë që jom kthy prej së jashti ama sun kom punu, se jom hy në Trafik Urban edhe skom punu kurrë me atë firmë.
Gazetarja: A e keni kuptu për çka jon lëshu faturat në emër të biznesit të juj?
Bytyqi: Jo, jo hiç se se nuk um kanë kallu as sen se di hiç.
Gazetarja: Graniti ju po thoni që ka qenë kontabilisti juaj po ka punu edhe në Bashkësi Islame?
Bytyqi: Po edhe i ka pas, bile unë e bo si kontratë me ia qit firmën ne emër të juaj.
Gazetarja: Ai ka qenë edhe kontalibst i BIK
Bytyqi: Po edhe aty kish qenë kontabilist me atë arkëtarin kishin pas ba diçka”.
I kontaktuar Berisha përmes telefonit, ka thënë se faturimi fiktivë është bërë në emër të shpenzimeve të këshillit. Për këtë ai thotë të jetë larguar nga puna.
“Berisha: Sipas kërkesës së Këshillit ose personit përgjegjës të tyre, ata kanë bo disa shpenzime të cilat janë të paarrsyetueshme edhe kanë kërku prej meje që me jau dhanë me ua lëshu do faturat që me i arsyetu ato fatura përbrenda këshillit.
Gazetarja: E cfarë shpenzime ka bo këshilli?
Berisha: Nuk e di se unë ua kom pas dhanë me vulë me fakturë, ata vetë i kanë bo në këshill ato.
Gazetarja: E kush ka thanë në këshill që me bo këtë mënyrë të arsyetimit?
Berisha: Arkatari.
Gazetarja: A ka qenë në dijeni dikush tjetër përvec arkatarit?
Berisha: A atë pjesë nuk e di unë, përderisa fakturat janë të nënshkrume dëftesat janë të nënshkrume prej kryetarit, sdi a i vulos edhe kryetari a kush, unë nuk kom mujt me ditë që sështë kërkush në dijeni prej këshillit”.
I pyetur avokati i BIK nëse ka persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në bashkëpunim me Rexhen, nuk e ka mohuar por nuk ka dhënë detaje.
“Dhe ajo që pyetet me të drejtë: Se a ka të tjerë të përfshirë? Mund të ketë. Ne nuk mund të paragjykojmë.
Rexha i pyetur për këtë rast nuk jep sqarim konkret.
“Rexha: Edhe më herët e përmenda edhe këta. Do me thotë ëë me autorizimin ose me marrëveshjen e këshillit, në këtë rast gjegjësisht të Hetemit që është autorizu kontabilisti që të përdorë një formë të tillë për mbulimin e shpenzimeve edhe me firmën tjetër, që është bë dalja e anëtarësisë, por edhe me me këtë. Dhe asnjëherë as nuk e njoh, as nuk e kam pa, as nuk e di kush është.
Gazetarja: Çfarë pagesa i keni bërë në emër të çkafit këtij? ë për Zyrtarisht, kur e keni bo pagesën, për çka e keni bo?
Rexha: Është bo, do të thotë për mbulimin e shpenzimeve të përqindjes së anëtarësisë”.
Një pjesë e parave të BIK-ut dyshohet se u keqpërdor duke lëshuar fatura fiktive
Raporti në vazhdimësi përmend një biznes për furnizim me dërrasa për varrim. Sipas raportit, për tre vjet me radhë kompania ishte paguar mbi 40 mijë euro më shumë.
“Mostrimi për shërbimet e varrimit (dërrasa dhe piramida), tregon dalje për Adhurim sh.p.k në vlerë 65.427.56 euro. Mirëpo, sipas evidencës të Këshillit dhe programit të MMS-së raste e vdekjes janë 1.368 raste. Kur të shumëzohen rastet me shpenzimet e dërrasave piramidës (një rast 36) totali na del 49.248 euro. Diferenca financiare është 16.179.56 euro. Për këtë kemi kërkuar sqarime nga furnizuesi”, thuhet në verifikimin për 2020.
Për vitin 2021, BIK e kishte paguar kompaninë 13.429 euro më shumë se sa kishte pranuar mall, ndërsa për vitin 2022 10.939 euro më shumë.
Porosit dhe pagesat ishin bërë pa pasur kontratë me kompaninë.
Rexha thotë se kërkesat për dërrasa janë bërë nga njësit e tjera, dhe ai vetëm i ka pranuar faturat.
“Gazetarja: Kanë qenë duke u bërë pagesa më të mëdha sesa sasitë që i keni pranuar?\
Rexha: Nuk e di, nuk e di që ka pasë pagesa më të mëdhaja.
Gazetarja: A e keni evidentuar ndonjëherë se çfarë sasie keni pranuar kur e keni bërë pagesën?
Rexha: Me shku me kontrollu mallin, a?
Gazetarja: Po.
Rexha: Jo, ka qenë persona përgjegjës.
Gazetarja: Kush kanë qenë personat përgjegjës?
Rexha: Shërbimet fetare.
Gazetarja: A mund të na thoni me emër e me mbiemër, se kur është pranuar një mall, para se të bëhet pagesa, kush e ka bërë kontrollin e tij?
Rexha: Jo, nuk e kam.
Gazetarja: Po ju keni kryer një pagesë pa e bërë kontrollin e mallit.
Rexha: Po, po nuk është detyrë e jemja me shku me bërë kontrollin e…
Gazetarja: Detyrë e kujt ka qenë?
Rexha: Ka qenë e përgjegjësve.
Gazetarja: Po kush janë përgjegjësit?
Rexha: Për shërbime fetare.
Gazetarja: Po e kam pru një raport te ju, për me tregon…
Rexha: Jo, vetëm faturën.
Gazetarja: Pra, ju keni pranuar mall, keni bërë pagesa dhe nuk është kontrolluar malli.
Rexha: E sa qe e nderuar, bile bile me rregull ka qenë që faturat t’i shoh shoh njëherë kryetari, pastaj të jepet urdhri për ekzekutim”.
Biznesi akuzon për ryshfet ish-arkëtarin e Këshillit të BIK në Prishtinë
Por, e vërteta pasqyrohet ndryshe nga bizneset. Biznesi në fjalë përmes një deklarate të dhënë pranë Bashkësisë Islame më 15 qershor 2023 të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thotë të jetë detyruar nga Rexha për t’i dhënë ryshfet në mënyrë që të vazhdohet porositja e dërrasave për varrezat tek ai, ose në të kundërt do t’i ndërpritej bashkëpunimin.
Por, Rexha vazhdon të mohojë edhe këtë akuzë.
“Gazetarja: A e njihni Adhurim Nuredinin, pronuar i kompanisë Adhurimi ShPK? A e njihni?
Rexha: Po.
Gazetarja: Çfarë raporti keni pasur me të?
Rexha: Raport kontraktual.
Gazetarja: A ka ndodhur ndonjëherë të keni pasur ndonjë raport me të përtejë raportit kontraktual ose është si ka qenë i rregulluar raporti juaj dhe raporti i tij… ?
Rexha: Unë s’kam pasë raporte, se s’po du me përmend emra, s’kam pasë raporte të këqija me askënd dhe s’kam pasur raporte të mira me askënd, domethënë se secili e ka kry detyrën e vet edhe kemi vazhdu.
Gazetarja: Zotin Nuredini në një deklaratë që e ka dhënë më pesëmbëdhjetë qershor dy mijë e njëzet e tre ka thënë, po e citoj: “Deklaroi se gjatë periudhës trevjeçare sa kanë pru dërrasa dhe piramida arkëtari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë më ka obliguar me rritje të faturave dhe paratë, të cilat m’i ka transferuar përmes bankës, më është dashtë t’ia çoj në shtëpi. Këtë e kam pas kushtëzim nga arkëtari zotëri Bahri Rexha, për shkak se ka tha: Nëse nuk më i rrit kështu, të ndërroj dhe marr dikë tjetër në Prishtinë për furnizim të gjitha këto fatura, pasi kam kontrolluar gjendjen e furnizimit për vitin 2020, 2021 dhe 2022 arrijnë vlerën dyzet mijë e pesëqind e dyzet e shtatë euro, me pretekstin se kemi shpenzime dhe më duhen paratë për ndihmë te zotëri Halil Ahmetit, po ashtu edhe për disa çështje të tjera të KBI Prishtinë.
Rexha: Mu po më çudit vetë fakti, domethënë nëse unë e kam bo një gjë të tillë, apo kupton se di sa unë kupton, po të ishte brenda për institucionin, hajde është forma e rregullt, ose menaxhimi i brendshëm. Ky pse? Nëse unë e kam bo kushtimisht.
Gazetarja: A e keni bo?
Rexha: Nëse po u them kushtimisht, pse s’më ka denoncu? Unë mendoj që jo veç kjo, por edhe shumë tjera janë bo vetëm për me ma humb imazhin tim, vetëm për me më humb imazhin tim.
Gazetarja: Çfarë përgjigje keni për këtë pretendim?
Rexha: Por, për këtë pretendim, vetëm me shkojmë me padi, për shpifje edhe për përlyerje të emrit.
Gazetarja: A ka kërkuar dikush prej juve që me i rritë, me i fry faturat në raport me këtë biznes?
Rexha: Asnjëherë.
Gazetarja: Kush është Halil Ahmeti?
Rexha: Është punëtor i këshillit.
Gazetarja: Me pretekstin se kemi shpenzime dhe duhen paratë për ndihmë të zotëri Ahmeti.
Rexha: Asnjëherë, asnjëherë! Jo, jo, hiç asnjëherë! Unë kam me kërku prej institucioneve drejtësisë për këtë çështje.
I kontaktuar përmes telefonit, Nuredini nuk ka dhënë arsye se nuk e ka raportuar rastin në BIK, Polici apo Prokurori.
Derisa, ka thënë se në njohuri për këtë ka qenë vetëm Rexha, pasi pranuesi i mallit nuk ka pasur qasje në faturat e fryra.
Faturat e fryra ai thotë t’i ketë bërë me shenjë për t’i identifikuar.
Nuredini: Qato fatura që i kom pas me ka një shenjë, që qato pare i kom pas te ai, i kom pas me njëfar sheje kështu pak, edhe e mbrrijnë qat vlerë.
Gazetarja: Ku ia keni dërgu paret ju?
Nuredini: Në shpi, zakonisht në shpi, e kom pas të imponume.
Nuredini: Pse ju nuk e keni njoftu Këshillin e Bashkësisë Islame?
Gazetarja: Ma së shumti qëtu është gabimi jem ma i madhi e din vetë kryetari e sekretari e krejt”.
Ndërsa, “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të kontaktoj dhe me punëtorin e BIK, Halil Ahmeti, mirëpo nuk është përgjigjur.
Në rast se ky pretendim argumentohet, atëherë Rexha duhet të akuzohet për marrje ryshfeti, ndërsa Nuredini për dhënie ryshfeti.
Kush është Bahri Rexha që po dyshohet nga Këshilli i BIK në Prishtinë për 166 mijë € keqpërdorime?
Për tre vjet me radhë të ardhurat e sadakasë, vitrave, zeqatit, anëtarësisë si dhe qerave të objekteve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë dyshohet të jenë keqpërdorur.
Nga viti 2020 deri më 2022 parat e BIK dyshohet të jenë tërhequr nga arka “cash” pa mbulesë, e përmes llogarive bankare të kenë shkuar në llogari të ndryshme, herë me përshkrim të arsyes e herë pa të.
Personit që po i drejtohet gishti t’i ketë përvetësuar qindra mijëra euro është Bahri Rexha, ish-arkëtar i Bashkësisë Islame për Prishtinë.
“Resha: Unë jam Behri Rexha, aktualisht jam i angazhuar profesor në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë.
Gazetarja: Çfarë lënde jepni në këtë universitet dhe në cilën degë?
Rexha: “Shkenca sociale”, “Politikat ekonomike”.
Rexha që tash i mëson studentet për politikat ekonomike, fillimisht dyshohej nga BIK t’i ketë përvetësuar hiç më pak se 260 mijë euro.
Zanafilla e këtij hetimi të brendshëm pretendohet të ketë filluar kur Rexha i kishte thënë kryetarit të Këshillit të BIK në Prishtinë, Hetem Sopjani, se nuk ka buxhet për t’i paguar punëtorët.
“I ishte thënë kryetarit që nuk ka para për pagesën e punëtorëve, dhe kjo kishte qenë shqetësuese për kryetarin duke qenë se ky kishte krijuar një besim jashtëzakonisht tek personi. Dhe më pastaj arkatari thotë jo i kam siguruar parat. Këtu fillon dyshimi se si ka ndodhur kjo çështje”, ka thënë Florim Shefqeti, avokat i angazhuar nga Këshilli i BIK në Prishtinë.
Por, shuma që BIK tashmë zyrtarisht pretendon të jetë përvetësuar nga ish-arkëtari Rexha ka rënë.
Avokati i angazhuar nga BIK në Prishtinë thotë se kjo ka ndodhur për shkak se analiza e parë është bërë nga një komision i përbërë nga hoxhallarët, pa njohuri në fushën e financave.
“Shefqeti: Dhe në momentin që është vërejtur mospërputhje të tilla formohet një komision i brendshëm nga 3 hoxhallarë të cilët si shuma hyrëse dhe dalëse gjejnë që janë të njëjta, por brenda për brenda përmbajtjes së tyre, ky raport ka konstatuar se nuk i është ofruar dokumentacion i mjaftueshëm. Po ashtu gjenë mospërputhje me dëftesa në pagesa.
Gazetarja: Sa ka qenë dyshimi fillimisht, cila ka qenë shumë që dyshohet se është përvetësuar nga zotëri Rexha?
Shefqeti: Shikoni, me aq sa kam pa me rastin e përpilimit të padisë, por edhe kur i kemi dorëzuar në gjykatë, shuma është afër 166 mijë euro.
Gazetarja: Ka qenë fillimisht dyshimi se shuma mund të jetë shumë më e lartë ose raportet e para çfarë shume kanë nxjerr?
Shefqeti: Shikoni, ne po flasim mbi një raport të auditimit që konsiderohet persona profesional”.
Si rrjedhojë, këshilli kishte themeluar një komision tjetër në përbërje të personave me njohuri në fushën e financave, i cili kishte kontrolluar faturat për periudhën 2020-2022.
Pas këtij analizimi llogaria doli se mungonin 166 mijë euro.
Ky raport i 6 qershorit 2023, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, pasqyron të gjitha pagesat dhe tërheqjet që dyshohet të jenë bërë nga arka dhe banka, pa nënshkrim të pranuesit të mjeteve apo pa përshkrim.
Këto ishin bërë në emër të individëve privat e bizneseve.
“Sipas mostrës statistimore e nxjerrë nga popullata e regjistrit të dokumentacionit tregon që shuma totale e shpërdoruar- keqpërdorur brenga Këshillit të BI-së në Prishtinë e kap vlerën prej 166,528.30 euro. Komisioni mbas mbarimit të punës ka marrë dëftesat si dëshmi të mostrës dhe atë: 26 dëftesa të vitit 2022, 17 dëftesa të vitit 2021 dhe 13 dëftesa të vitit 2020 të cilat janë cekur si më lartë si dhe regjistrin e borxheve të supozuara në fotopkoje. Në të njëjtën kohë janë marrë edhe listat e kthimit të trustit të cilat duhet të verifikohen nga Këshilli i BI-së në Prishtinë”, thuhet në raport.
Ish-arkëtari mohon keqpërdorimin, thotë se çdo faturë u nënshkrua nga kryetari Sopjani
Por, Bahri Rexha e mohon t’i këtë përvetësuar këto para. Ai arsyetohet se çdo faturë e ka vulën dhe nënshkrimin e eprorit të tij, kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, Hetem Sopjani.
“Gazetarja: Kush ka qenë urdhërdhënësi juaj?
Rexha: Kryetari i Këshillit në këtë rast.
Gazetarja: Kush është kryetari i Këshillit? Kush ka qenë?
Rexha: Është Hetem Sopjani.
Gazetarja: Pra, po thoni që ju nuk keni bërë asnjë pagesë pa lejen e Hetem Sopjani.
Rexha: Po asnjë. Në të kundërtën, nëse pavarësisht çfarëdo që të jetë, është pa nënshkrimin e kryetarit, unë e marr të gjitha përgjegjësitë.
Gazetarja: Po e ka ditur zoti Sopjani se për çfarë pagesa, për çfarë sasie jeni duke kryer ju pagesën si arkëtar, meqenëse po thoni se çdo gjë është bërë me nënshkrimin e tij?
Rexha: Po gjithçka është me nënshkrimin e tij përndryshe Komisioni nuk thotë në fund të vitit apo në fund të kontrollës se që të gjitha dokumentet ishin të nënshkruara dhe të vulosura.
Gazetarja: por ndonjëherë e ka ditur zotëri Sopjani se po dihet se për çfarë pagese…?
Rexha: Nëse nuk e ka ditë atëherë pse, ku ka qenë detyra e tina? Ku ka qenë ai? Nëse ai nuk e ka ditë”.
Avokati i angazhuar nga BIK, pranon që çdo faturë të jetë nënshkruar nga Sopjani.
Mirëpo, për 166 mijë euro fatura të tërheqjes përmes së cilave pretendohet të jenë realizuar vjedhje, thotë t’i ketë nënshkruar në mirëbesim.
“Shefqeti: Shikoni, sipas procedurës secili dokument financiar që i është prezantuar klientit tim është nënshkruar në besim.
Gazetarja: Pra, zotëri Sopjani ka nënshkruar fatura në vlerë 166 mijë euro, që sot për të gjitha këto pretendon t’i jetë shkelur besimi?
Shefqeti: Shikoni, sipas procedurës përgatitja e dosjes së pagesës, nga ana e personit në fjalë financierit është përgatitur në dosjen komplet se si procedohet tutje, dhe normal që kjo faturë është nënshkruar sepse ka qenë kriter edhe nënshkrimi nga ana e kryetarit, por kryetarit por kryetari nuk ka pasur informacion se çka ka ndodh me cilëndo prej faturave ose që s’është bë fare furnizmi”.
Rexha pranon të ketë ekzistuar raporti i mirëbesimit.
Mirëpo thotë se akuzat janë vetëm pretekste pasi ai ishte pengesë për dikë pa e pasur idenë se për kë dhe pse.
“Gazetarja: A ju ka besuar juve zotëri Sopjani në punën që keni kryer dhe në përgjegjësitë që i keni pasur?
Rexha: Nëse nuk më kish besu, pse i ka nënshkru.
Gazetarja: Atëherë ai bie që ai ka besuar se ju jeni duke e kryer punën si duhet dhe në mirëbesim ka nënshkruar çdo faturë të dërguar nga ju?
Rexha: Po gjithçka është e procesume në formë të mirë.
Gazetarja: Si mendoni në formë të mirë?
Rexha: Në formën më të mirë se ajo nuk është bo, nëse është më ka besu mua, edhe më ka besu me marr para, po nuk toleron kurrkush e nderuar.
Gazetarja: Atëherë, pse Komisioni Financiar ju akuzon vetëm juve?
Rexha: Për këtë pyetje ata m’i pyet, dhe mua më vynë me marrë një përgjigje pse unë kam qenë pengesë e tyre?
Gazetarja: Pse ju keni qenë pengesë e tyre?
Rexha: Nuk e di”.