BETIMI PËR DREJTËSI

Dyshimet për pazarllëqe me lëndë në emër të gjykatësve

“Betimi për Drejtësi” ju sjell hulumtimin se si avokatja Shemsije Sheholli i kërkoi 25 mijë euro ryshfet nga klienti i saj ne emër të anëtarëve të Kolegjit të Gjykatës së Apelit.


Audio-incizimi dëshmon se avokatja ia kërkoi palës 25 mijë euro për ta pranuar vendimin e Apelit

Besim Sopi, pas më shumë se një dekadë nëpër gjykata, po priste një vendim përfundimtar që t’i lirohen pesë banesa në lagjen “Mati 1” në Prishtinë të cilat i ishin shitur pa lejen e tij.

Në këtë rast, Themelorja kishte vendosur në vitin 2018. Pesë vjet pasi Themelorja kishte vendosur në favor të tij në vitin 2023 do vendoste edhe Apeli, duke e vërtetuar vendimin e shkallës së parë.

Por, ndryshe nga palët tjera të përfshira në rast, të cilat vendimin e Apelit të marrë më 25 korrik 2023 e kishin pranuar, ishte Besim Sopi ai që ndonëse kishte dëgjuar se ka një vendim,  nuk e kishte pranuar.

Sopi thotë se problemi ishte vetë avokatja që e kishte përfaqësuar atë në këtë lëndë, Shemsije Sheholli.

“Nuk e kam pas marrë hala vendimin e Apelit. Ma bojke po unë dëgjova prej këtyre banorëve që ishin aty në banesa të mija që ata e kanë marrë vendimin e Apelit. E kjo me thojke ty nuk ta lëshojnë Apelin pa jau dhanë eurot, paret pa jav dhanë, të hollat qysh dush quaj komisionit të gjykatësve ty nuk ta lëshojnë Apelin, e nëse don ti me i hup banesat hupi për qit 10 %. Unë prape nuk pranova.  Thash le të shkon landa sipas gjyqit. Unë ata gjykatës as që i ngjoh e as se di kush janë. Me emër po, a në jetën tem nashta edhe i kam pa po si kam ditë se cili është”, ka thënë Sopi

Nga një audio-incizim të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të cilin pala thotë ta ketë bërë më 15 gusht 2023, 21 ditë  pasi ishte marrë vendimi nga Apeli,  gjatë një takimi mes Besim Sopit dhe avokates Shemsije Sheholli, dëgjohet se kjo e fundit nga pala po kërkonte 25 mijë euro në mënyrë që vendimin e Apelit ta pranonte edhe ai.

Audio-incizimi prej 27 minutash dëshmon se si avokatja i thotë Sopit se vendimin nuk mund ta marrin pa i kryer obligimet. Kjo ndonëse Apeli kishte vendosur dhe ekzistonte një vendim.

“Besim Sopi…ma qunë një vendim, iu kish shku tanëve vendimi…

Avokate Sheholli: Atyre ju ka shku, po neve s’na qojnë pa e kry obligimin..

Besim Sopi: (Nuk kuptohet.)

Shemsije Sheholli: Atyre ju ka shku se e di unë ata, atyre ju ka shku vendimi a neve nuk na qojnë se na duhet me shku me bo të plotfuqishëm, me bo të ekzekutueshëm, atë vendim.

Besim Sopi: Po sa ka afat ky vendim?

Shemsije Sheholli: Ky vendim ka afat 15 ditë.

Besim Sopi: 15 ditë. Krejt me i bo qeto.

Shemsije Sheholli: Krejt me i bo qeto.

Besim Sopi, tregon historikun e kësaj bisede dhe lëndës se tij në gjykatë.

Sopi i cili jetonte për shumë vite në Angli, ishte pronar i një toke në lagjen Mati 1 në Prishtinë. Aty do investohej për banesa, ku atij do i takonin disa prej tyre. Ai kishte ofertë që 5 prej tyre t’i shiste.

“Sopi: Kam qenë pronar i tokës, baba ma ka lanë ata tokë, me fletë poseduese me të gjitha.

Gazetarja: Dhe të kanë taku 5 banesa?

Sopi: Jo ma shumë më kanë taku, po pesë ai mi lypke për me ja shitë, mirëpo nuk më dha kurrfarë pare dhe si e kam ditë pastaj që kam shku unë në Angli, i kish shti pesë familje në çdo banese.  Pesë banesa ka një familje, pesë familjes. Në Gjykatë kam pas rast prej 2011-ës edhe për 5 banesa.

Sopi thotë se pas kthimit nga Anglia, kishte tentuar të binte në kontakt me personin që banesat e tij i kishte shitur tek personat tjerë. Por, meqë nuk kishte rënë në kontakt me të, ai vendos që rastin ta dërgojë në Gjykatë.  Në këtë proces gjyqësor, ai do angazhonte avokaten Sheholli, për të cilën pretendon se edhe në fillim i kishte dhënë para për të përshpejtuar rastin.

“Mirëpo, kaloi pak një procedurë, ajo m’i lypi edhe do pare për me e shpejtu landën me e qit pa rend në gjykatë. E bani ata dhe unë ja dhashë. Mi lypi 1000 euro ja dhashë edhe e qiti landën në gjyq edhe tash filloi gjyqi po sikur gjyqi ma, një herë tre muaj thirrke, në katër muaj seancat që u majshin. Për çdo seancë e kam pagu avokaten. Edhe ata jam i bindur prej 300 euro deri ne 1000 euro e kam pagu”, shton tutje ai.

Sopi këtë shumë të parave dhe parat tjera për seanca thotë se i ka dhënë kesh po nuk ka dëshmi për këtë. Por ai mendon se shuma që kishte paguar prej 1 mijë euro për avokaten kishte ndikuar që të niste procedura në Gjykatë.

“Po tash se di unë sa shkojnë landë, sa vonohen. Veç mi mur, 1 mijë euro mi lypi ja dhashë. Nuk shkoj 3-4 muaj e qiti landën në Themelore e tani vazhdoj landa në Themelore. Gjykata e zgjati diku ka 12-13 vjet e ka zgjat. Herën e parë nuk me ka thanë gjyqtari as kurgjo. Ato i ka lyp për veti a për kon i ka lyp nuk e di”, është shprehur Sopi.

Në lidhje me këtë pretendim të tij, se avokatja i kishte kërkuar para për të shpejtuar rastin, “Betimi për Drejtësi” ka pyetur në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe gjyqtarin e rastit Hasim Sogojeva, i cili tani është gjyqtar në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme.

“Se pari, pyetja e parë i takon të përgjigjet Oda e Avokatëve, sa i përket pyetjes së dytë, më kujtohet se kontesti ka qenë për disa shitblerje të banesave dhe se palët që kanë blerë banesa kanë bërë disa ankesa për zvarritje të rastit, por, rasti është proceduar sipas radhës për kundër ankesave”, ka thënë gjyqtari Sogojeva, ndërsa nga Gjykata Themelore në Prishtinë, nuk janë përgjigjur.

Për procedurën e nisur në 2012, Gjykata Themelore në Prishtinë, do merrte vendim në nëntor 2018, ku aprovohej kërkesa e Besim Sopit dhe detyroheshin të paditurit që në afat prej 15 ditësh t’ia lirojnë banesat.


“10 % gjykatësve”, avokatja i thotë qytetarit se pa i dhënë paratë s’mund ta marrin vendimin e Apelit

Qytetari Besim Sopi, kishte një lëndë civile në gjykatë prej viti 2012. Në 2018, Gjykata Themelore t’ia njihet të drejtën për pesë banesa që iu ishin shitur pa dijeninë e tij. Për katër vjet, ishte në pritje të vendimit të Gjykatës se Apelit. Por ndonëse Apelit kishte marrë vendim në korrik 2023, ai këtë vendim nuk e kishte pranuar.

Problemi sipas tij, ishte vetëm avokatja që e kishte përfaqësuar, Shemsije Sheholli.

“Në Apel tha ka me zgjat, po unë tha të ndihmojë edhe në Apel. Prita-prita u banë katër vjet. E thirra ni herë, thash qa asht e mundun kaq gjatë. E thirri e veta avokaten çka është kjo vonese. A tha qeshtu tha veç tha shkoj edhe këqyri edhe të informoj. Edhe unë masanej e prita edhe shkova të banesa e saj ni kafe afër, ajo kafja u thirrke “T” a çka po di unë në Breg të Diellit afër shkollës “Ismail Qemaili” edhe ja filloi me m’tregu, tha duhet me ua dhanë komisionit të gjykatësve, trupit gjykues çka po di unë qysh shkon ajo 10 %, 10 % të banesave. Edhe unë e pash që diçka s’o në rregull, nuk pranova, nuk pajtova”, ka thënë Sopi.

Pas këtij takimi, për të cilin pala pretendon se kishte ndodhur me avokaten, duke e parë që diçka nuk po shkonte si duhej, herën e dytë, ai kishte vendosur ta incizonte bisedën.

“Kur me thirri për s’dyti prapë i shkova. U përgatita mirë edhe e incizova. E incizova çka po don ajo prej meje edhe ja filloi- e kam incizimin e plotë në CD se qysh m’i lypke paret me këmbëngulje se duhet me jav dhanë gjykatësve. Qaj grup i gjykatësve, njanin ma tregoi me emër tha është kryetar i grupit- Burim Shala i Pejës tha është gjykatës kryesor. Tha s’bon, biri gurit e drunit e gjithqysh kit 10 % gjykatëseve mu me duhet me ja ua dhanë”, ka treguar Sopi.

Kjo bisede, sipas palës ka ndodhur më 15 gusht 2023. Avokatja flet për “fjalë të mëdha” të cilat thotë se i ka dhënë.

Besim Sopi: Këqyre Sheme… që the mas mramti, jam qetash në gjendje shumë të randë financiarisht.

Shemsije Sheholli: Besim, unë nesër duhet me shku.

Besim Sopi: Nal nal, veç pak të kryej (s’kuptohet), se s’kam ka ja maj se…

Shemsije Sheholli: Na s’muj e marrim vendimin qaq shumë i kam dhanë unë fjalët e mëdhaja sa s’muj e marrim vendimin.

Besim Sopi: Vallah Sheme po (nuk kuptohet)…banesave.

Shemsije Sheholli: Po s’mundemi Besim, s’muj e marrim tani të hupë ekzekutimi ti bo çka të dush. Të hup ekzekutimi.

Besim Sopi: Oj Shemë… qetash po t’i lypi ty 10 mijë euro

Shemsije Sheholli: Me myte mu…

Besim Sopi: E mu…

Shemsije Sheholli: Besim ti je ndryshe…

Besim Sopi: O vallahin për momentin nuk kam kurgjo oj Shemë.

Shemsije Sheholli: Besim, biri gurit e drunit, çka të dush bo. Çka boj unë nesër mos me shku hiç a? Na qashtu u morrem vesh, që më shku nesër.

Besim Sopi: U morrem vesh po thash që muj me kry diçka punë po dal po bisedoj me ty edhe me the për sot veç një 10-she.

Shemsije Sheholli: Po.

Besim Sopi:…veç një 10she tani 15 mas 2 jave.

Shemsije Sheholli: Qashtu.

Besim Sopi: Unë qare nuk kam pa e prit çiken ja dhandrin.

Në këtë bisedë, avokatja pretendon se po shkruan me dikë, për t’u marrë vesh lidhur me sipas saj shtyrjen e afatit për t’i dhënë këto para.

Shemsije Sheholli: Kur Besim, që po iu çoj po iu tham jam smutë s’muj me ardhë…

Besim Sopi:… Sa ma shpejt.

Shemsije Sheholli: Jo Besim se duhet me u lidh për një fjale.

Besim Sopi: A Shemë, kur t’i kam në xhep pasha Zoti, pasha të lumin Allah…

Shemsije Sheholli: A një ditë, a një jave?

Besim Sopi: Unë kur i kam në xhep…?

Shemsije Sheholli: Jo po tham a një ditë a një jave?

Besim Sopi: Shemë, për një ditë s’munden me ardhë ato.

Shemsije Sheholli: Jo për një ditë s’munën e di edhe unë.

Besim Sopi: Nuk mujnë me ardhën. Veç shkruju gurit e drunit…

Shemsije Sheholli: Biri gurit e druni Besim është e fundit…

Besim Sopi: Edhe i boj paret…

Shemsije Sheholli: Qashtu, qashtu.


Qytetari thotë se avokatja fillimisht kërkoi 50 mijë € e më vonë 25 mijë € për gjyqtarët

Avokatja e qytetarit Besim Sopi, Shemsije Sheholli, dyshohet se ka kërkuar para në emër të Kolegjit gjykues të Apelit, me pretendimet se Sopi, nuk mund ta marrë vendimin për lëndën e tij pa përmbushur  sipas saj “obligimet”, ndaj gjykatëseve.

Ndonëse, në kohen kur pretendohet të këtë ndodhur kjo bisede mes Sopit dhe avokates, tashme Apeli kishte vendosur për rastin e tij.

Në takimin e parë, Sopi thotë që avokatja ia kishte kërkuar 50 mijë euro.

“Po m’i lypke për 5 banesat ka 10 %. Që i bijke diku ajo qysh ma llogaritke, çdo banesë ma llogaritke 100 mijë euro, i bike dikun 50 mijë euro e unë nuk pranova. Tani me tha, me thirri për të dytën herë, tha ta kam rrzu çmimin pak, ta kom ba 25 mijë euro. Unë apet nuk ia dhashë paret”, shprehet Sopi.

Sipas bisedës në audio-incizim, 25 mijë euro, nuk iu duken shumë avokates.

Besim Sopi: … Vallahin a s’po ta merr menja, nal veç po të veti, a s’po ta merr mendja që janë shumë a?

Shemsije Sheholli: Jo vallah nuk janë shumë Besim, gjithmonë shkon 10 %. 10 % të kishin taku 50 mijë euro, se janë 5 banesa, ka 100 mijë euro, 500 mijë, përgjysmë.

Kjo bisedë shkon me tej, atëherë kur avokatja aludon se këto para duhet t’i jap për anëtaret e Kolegjit të Apelit që kishin trajtuar këtë rast.

Shemsije Sheholli: Mas një jave dite apo. Këta, nuk është një gjykatës, këta janë tre.

Besim Sopi: Qeky i Pejës (nuk kuptohet mirë).

Shemsije Sheholli: I Pejës, për një jave. A qashtu?

Besim Sopi: Këqyre për një jave (nuk kuptohet)

Shemsije Sheholli: Mirë, për një jave.

Besim Sopi: Për një jave thuju atyne po nuk po tham kurgjo fjalë të Besimit, se kur thotë Besimi i bon pasha Zotin.

Shemsije Sheholli: Vallah Besim duhet.

Besim Sopi: Pasha zotin i pjellë. Veç gurit e drunit kam me i ra kam me lypë….

Shemsije Sheholli: E fundit, po thotë një javë.

Shemsije Sheholli: Me vendime të gjyqit s’ka hajgare.

Besim Sopi: Jo.

Shemsije Sheholli: Kape, biri gurit e drunit e kryje.

Besim Sopi:… 25 mijë euro shumë janë kush mi jep, unë i marrë po kush mi jep.

Shemsije Sheholli: I merr Besim se ti qon Zoti, t’i qon Zoti, t’i sjell Zoti.

“Po, edhe me këmbëngulje, edhe thojke pa ua dhënë paret gjyqtarëve, neve, d.m.th. asaj edhe mu, nuk na lëshohet ai vendim, sepse duhet me ua dhënë gjyqtarëve. Bile një gjyqtar e përmend edhe me emër, Burim Shala, është i Pejës. Ajo herë më thojke janë 5 gjyqtarë, herë më thojke janë 3 gjyqtarë. Unë gjyqtarët as nuk i njoh, as nuk i kam pa, as nuk e di kush ka qenë me ta, a i kanë lyp pare a nuk i kanë lypë, unë i bindur jam që jo, por kjo për veti dojke me i marrë ato pare”, shprehet gjatë intervistës Sopi.


Avokatja pretendonte se qytetari nuk mund të merrte vendimin e Apelit pa dhënë para

Për më shumë se një dekadë në proces gjyqësor, qytetari Besim Sopi, po priste një vendim të Apelit në rastin ku kërkonte t’iu ktheheshin pesë banesa që iu ishin shitur pa lejen e tij.

Më 25 korrik 2023, Apeli kishte vendosur në favor të tij, duke konfirmuar vendimin e Themelores. Por, këtë vendim, ai nuk e kishte pranuar si palët tjera të përfshira në rast. Kjo pasi, siç dëshmohet me një audio-incizim, që pretendohet se është bërë më 15 gusht 2023, avokatja e Sopit, Shemsije Sheholli, po i kërkonte para në emër të tre gjykatësve të Kolegjit të Apelit.

Tutje, avokatja Sheholli në audio-incizim pretendon se si gjyqtarët kanë besim në të.

Shemsije Sheholli: Besim, mos me bo hajgare e lojme ketë temë, i thash një javë ditë ja qova mesazhin.. edhe më besojnë se nuk i kam rrejt kurrë.

Besim Sopi: Po pse duhet, vendimi është lëshu.

Shemsije Sheholli: Atyne ja u lëshojnë, se ata duhet me i liru banesat, e ty s’ta lëshon se ti s’ki me çka me e bo propozimin për ekzekutim.

Besim Sopi: Me përmbarues.

Shemsije Sheholli: Se duhet me pas vendimet në dorë, që bohet e plotfuqishme, duhet me bo të ekzekutueshme.

Besim Sopi:… d.m.th. pa qato pare jo…s’ka shancë a?

Shemsije Sheholli: O s’ka shancë a po donë me të rrejt jo. S’ka shancë.

Besim Sopi: S’po tham me m’rrejt po po tham ndihmoma.

Shemsije Sheholli: Boll të kam ndihmu për gjysmë i ke…për gjysmë

Shemsije Sheholli: Një jave shumë është, i thash një jave, edhe e ke sekondën e fundit, se ndërron gjithçka.

Besim Sopi: Pse?

Shemsije Sheholli: Ndërron gjithçka, e ki sekondën e fundit hajde edhe qeta edhe e kryve dole në selamet.

Avokatja Sheholli pretendon se mund të ushtroj ndikim tek një rast që tashme Apeli kishte vendosur

Fakti që Gjykata e Apelit kishte vendosur më 25 korrik 2023, pra gati një muaj prej kur pretendohet të ketë ndodhur takimi, mund të jetë indikacion se avokatja po tentonte të tregoj se mund të ushtroj ndikim tek një rast që tashme veç ishte vendosur.

Gazetarja: Z.Besim para se me dalë te kjo, ju gjatë bisedës keni lënë edhe një takim tjetër. A keni besu në atë kohë që ju nuk keni me mujtë me e marrë atë vendim, pa i dhënë ato para? Qysh tu ka kriju bindja nga biseda me të?

Sopi: Ajo ish kategorike që s’muj e marr, por unë isha i bindur që e marr, se gjykata si ke negative vendimi si ke pozitiv, gjykata ma jep mu vendimin.

Për t’u ballafaquar me ketë audioi-ncizim, “Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar nga avokatja Shemsije Sheholli intervistë për disa ditë me rrallë, por ajo nuk i është përgjigjur as e-mailit, thirrjeve telefonike e mesazheve të dërguara. Ekipi Betimi për Drejtësi, ka shkuar edhe të zyra e avokates por ajo nuk ishte aty, ndërsa nga banoret është thënë se ajo gjendet në pushim mjekësor.

Apeli në këtë rast, kishte refuzuar ankesat e paditësve duke vërtetuar edhe vendimin e Themelores.


Gjyqtarët mohojnë çdo pretendim të avokates që dëgjohet teksa kërkon para në emër të tyre

Avokatja Shemisje Sheholli, nga një audio-incizim të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, dyshohet si i kërkon klientit të saj Besim Sopit, 25 mijë euro në emër të Kolegjit Gjykues të Apelit për të marrë aktgjykimin në rastin e Sopit. Data e këtij incizimi pretendohet të jetë 15 gusht 2023, afër një muaj pasi Apeli tashme kishte vendosur për rastin e Sopit.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar më gjyqtarët e Apelit të këtij rasti se si e vlerësojnë faktin se avokatja kishte kërkuar para në emër dhe llogari të tyre.

Kryetari i Kolegjit gjykues, gjykatësi Burim Shala, ka thënë se Kodi i Etikës nuk i lejon të komentojë.

Mirëpo ka mohuar të ketë folur me avokaten në fjalë për pranimin e ndonjë shume të parave.

“E kam pa e-mailin, për media nuk kam të drejtë me u prononcua se e ka nxjerrë një udhëzim Këshilli Gjyqësor i Kosovës, a po me kupton, po me vjen shumë keq përgjigjet ua kthen kryetari i Gjykatës, veç një gjë mundem me ta thanë, asnjë nuk janë të saktë ato që i keni dërgu ju, a po kupton”, ka thënë përmes telefonit Shala.

Anëtari i kolegjit gjykues Nehat Idrizi, ka thënë se nëse avokatja e ka bërë një gjë të tillë ajo mund të ketë rënë në zonën kriminale.

“Gjyqtari Idrizi: Po nëse e ka ba këtë veprim, po them në një pozitë, supozimet që i ka bo, ka ba shkelje edhe të Kodit të Etikës por ndoshta edhe në aspektin e zonës kriminale.

Gazetarja: A ka pas tentime apo pretendime avokatja në fjalë që me ushtru këtë ndikim?

Gjyqtari: Jo, jo me të s’kam pas kurrfarë… të unë jo s’ka pas as kontakt as, unë e njoh prej kur ka qenë ish- gjyqtare përpara ma me vite me të s’kam kontaktu as s’kam kontakt”, ka thënë

Anëtarja tjetër e turpit gjykues, Hunaida Pasuli, ka thënë se nëse avokatja ka thënë një gjë të tillë atëherë ato janë trillime.

“Nuk kam pasur mundësi që ta dëgjoj audio incizimin të cilit ju i referoheni në e-mailin si më poshtë. Nëse vërtetë këto janë thënë nga avokatja, e vlerësoj si veprim që e dëmton rëndë imazhin e gjykatës. Deklarimi i tillë i avokates, (nëse qëndron), konsideroj se është trillim dhe mos respekt ndaj profesionit. Avokatja në fjalë asnjëherë gjatë këtyre viteve sa jam e ngarkuar me detyrën e gjyqtares, nuk ka biseduar me mua për ndonjë lëndë konkrete, jashtë seancës gjyqësore”, ka thënë gjyqtarja Pasuli.

“Pra, në rastet kur avokatja ka qënë e autorizuar në një lëndë, atëherë e njëjta pretendimet lidhur me padinë apo përgjigjen në padi, varësisht se cilën palë e ka përfaqësuar, i ka parashtruar kryesisht gjate seancës gjyqësore dhe atë derisa kam qënë gjyqtare në gjykatën e shkallës së parë”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër, Sopi thotë se parat nuk i kishte dhënë.

Mirëpo, vendimin nga avokatja thotë ta ketë marrë pak ditë pas këtij takimi, kur e kishte informuar avokaten se e kishte incizuar bisedën në të cilën ajo i kërkonte parat për trupin gjykues.

“I thashë unë kam edhe incizim edhe dëshmi për ty, edhe ja qova përmes telefonit fjalët e sajna që mi ka lypë paret edhe ajo ma ka dhanë vendimin”

Në anën tjetër, nga Gjykata e Apelit kanë thënë se vendimi i tyre është konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme në shkurt të vitit 2024.

“Lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit me numër Ac.nr.1383/2019, të datës 25.07.2023, të nxjerrë nga kolegji në përbërje prej gjyqtarëve: Burim Shala – kryetar i kolegjit dhe Hunaida Pasuli e Nehat Idrizi – anëtarë të kolegjit, ju njoftojmë se vendimi  në fjalë i gjykatës tonë, është vërtetuar/konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës. Andaj në rastin konkret dhe përderisa vendimi në fjalë është konfirmuar edhe nga instanca më e lartë gjyqësore në vend, ne nuk kemi asgjë çka të deklarojmë për pretendimet e cekura të personave të tretë”, thuhet në përgjigje .

“Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe me pushtete të ndara, ku me Kushtetutën tonë garantohet pavarësia e sistemit gjyqësor. Kushdo që mendon se në një procedurë gjyqësore, administrative apo kundërvajtëse, i është shkelur ndonjë e drejtë e pretenduar subjektive juridiko – civile, apo çfarëdo e drejtë tjetër, ka të drejtë që t’iu drejtohet organeve dhe institucioneve përkatëse kompetente”, thuhet tutje në përgjigjen e Apelit.

Pas këtij vendimi, edhe banesat e tij të shitura pa të drejtë, kanë filluar të lirohen nga ana e blerësve.

Për të gjitha këto, pala nuk ka paraqitur ankesë në Oden e Avokatëve të Kosovës, megjithatë “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar intervistë edhe ta për të diskutuar se si vepron Oda në këto raste dhe nëse veprimet e avokates bien ndesh me Kodin e Etikës. Mirëpo, deri në publikimin e emisionit nuk ka marrë përgjigje.


Gzim Shala kërkon hetime nga Prokuroria dhe Oda e Avokatëve ndaj avokates Sheholli

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në lidhje audio-incizimin ku dyshohet se avokatja Shemsije Sheholli kërkonte nga klienti i saj Besim Sopi, 25 mijë euro në emër të gjykatëseve të Kolegjit gjykues të Apelit, ka thënë se Prokuroria duhet ta hetojë avokaten për tentim të “ushtrimit të ndikimi”.

“Në rastin konkret, nëse qëndron kjo situatë atëherë ngritët dyshimi se kemi të bëjmë me kryerjen e veprës penale të ushtrimit të ndikimit. Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës secili person që kërkon ose pranon një shumë të caktuar madje në qoftë edhe vetëm premtimin për një shumë të caktuar të parave me pretendimet se është në gjendje të ushtroj një ndikim te padrejtë të personi zyrtarë, atëherë ai ka kryer ketë vepër penale. Në rastin konkret kemi dy situata kur dyshohet se ka ndodhur kjo; rasti i parë është për shpejtim të lëndës dhe rasti i dytë është për marrje të vendimit dhe që në këtë situate definitivisht kemi të bëjmë me dyshim për kryerje të kësaj vepre penale dhe prokurori i shtetit duhet të kryej një hetim në këtë rast”, ka thënë Shala.

Shala tha se përveç Prokurorit të Shteti, kjo situatë krijon dyshimin edhe për përgjegjësi disiplinore e që duhet të trajtohet nga Oda e Avokatëve të Kosovës, pasi veprimet e tilla e cenojnë edhe integritetin e profesionit të avokatit dhe edhe besimin në gjyqësor.

“Në rastin konkret, nëse i shohim bisedat dhe përmbajtjen e bisedave, atëherë shohim që në njëfarë forme tentohet të paktën objektivisht nga ajo që shihet tentohet që të përdorët ai laiciteti i palës dhe panjohuria e palës përkitazi me procedurat në mënyrë që të kërkohen para në emër të trupit gjykues dhe madje të kolegjit të Apelit, dhe mandej në kohen kur vendimi veç kishte qenë i nxjerrë. Në këtë situate, përdorimi i emrit të gjyqtareve duke kërkuar në emër të tyre ryshfet defenitivisht se e rendon situatën dhe kjo është edhe arsyeja që të gjitha këto elemente duhet të kërkojnë një vlerësim holistik nga ana e prokurorit të shtetit për t’u qartësuar nëse kemi të bëjmë me përgjegjësi penale në rastin konkret. ”


25 mijë euro i mori përmes përmbarimit, fillimisht dështoi t’i merrte në emër të ndikimit te gjyqtarët

Avokatja Shemsije Sheholli dyshohet se ka kërkuar 25 mijë euro ryshfet nga klienti i saj, Besim Sopi në emër të anëtarëve të Kolegjit të Gjykatës së Apelit.

Mirëpo, historia e avokates për t’i marrë këto para nuk përfundon me kaq.

Avokatja Shemsije Sheholli pasi nuk kishte arritur të merrte shumën prej 25 mijë euro, siç pretendohet, duke tentuar të paraqitej se ka fuqinë e ushtrimit të ndikimit, ajo këtë shume nga pala e ka marrë në një mënyrë tjetër.

25 mijë euro, ia janë tërhequr Besim Sopit nga avokatja përmes procesit të përmbarimit, mbi pretendimet për një marrëveshje shpërblimi.

Avokatja, tek përmbaruesi ka paraqitur një kontratë për kryerjen e shërbimeve dhe shpërblimin e avokatit për punën e tij. Në këtë kontratë thuhej se Besim Sopi pajtohej që nëse e fiton kontestin gjyqësor 10% e vlerës së përgjithshme të kontestit i takonin avokates.

“Jo kurrëgjë, s’kemi bë kurrfarë marrëveshje, kurrfarë shpërblimi. Se ajo shpërblimin e ka pas prej ditës së parë çdo seancë nga 300, 500, 1000 euro mi ka marrë. Kurrfarë marrëveshje s’kemi pas. Mi ka marrë rreth 20 mijë euro, veç në çdo seancë, edhe jo po ta shpejtoj lëndën, po ta qoj më shpejt në gjykatë”, është shprehur Besim Sopi.

Sopi pretendon se edhe nënshkrimi i vënë në këtë kontratë nuk ishte i tij.

“Edhe mua kjo po më brengos, qysh mujti me mrri me shti përmbaruesin, çka di unë ndoshta ka ndonjë lidhje me përmbaruesin, as nuk ka qenë nënshkrim i jemi, as nuk ka qenë  të noteri, e noterizume, fatura që kish ardhë aty, hiq nuk kish nënshkrim, as emër, veç të atij përmbaruesit kish nënshkrim. E qata tani unë ja bëjsha përmbaruesit qysh mundesh ti me shku me i tërhjekë paret e mija. Pa u bë noterizimi, pa i nënshkru unë, pa e nënshkru edhe faturën unë qysh ke mujt?”, ka thënë tutje ai.

Vlera e këtij kontesti, në vendimin e Themelores thuhej se ishte 200 mijë euro, andaj edhe 10% i shpërblimit i binte të ishte 20 mijë euro dhe jo 25 mijë euro.

Sopi, për këtë përmbarim ishte njoftuar vetëm atëherë kur e kishe vërejtur se i janë tërhequr paratë nga llogaria bankare.

“E pashë që nuk janë 25 mijë euro, thash kah më kanë shku, kush mi ka marrë? Shkova pyeta në bankë edhe ma gjetën kush i ka marrë e krejt edhe shkova e gjeta përmbaruesin, thash me çfarë arsye, ku mujte ti, për çka me mi marrë paret. Tha, ke bë marrëveshje me avokaten me ja dhënë 10%, avokatja tha e ka fitu lëndën e unë e kam për detyrë si përmbarues me i marrë paret”, ka treguar Sopi.

Këtë urdhër përmbarimor, e kishte lëshuar përmbaruesi privat Isak Islami. Në shkresat e këtij përmbarimi, shihet se avokatja kishte lëshuar një faturë për Sopin, por këtë faturë nuk e kishte pranuar asnjëherë Sopi dhe nuk kishte as nënshkrim të tij.


Avokatja ia mori qytetarit 25 mijë euro me një procedurë të dyshimtë përmbarimi

25 mijë euro i janë tërhequr Besim Sopit nga avokatja Shemsije Sheholli, përmes procesit të përmbarimit, mbi pretendimet për një marrëveshje shpërblimi. Për të cilën Sopi thotë se nuk është bërë kurrë.

Këtë urdhër përmbarimor, e kishte lëshuar përmbaruesi privat Isak Islami. Në shkresat e këtij përmbarimi, shihet se avokatja kishte lëshuar një faturë për Sopin, por këtë faturë nuk e kishte pranuar asnjëherë Sopi dhe nuk kishte as nënshkrim të tij.

Përmbaruesi Islami, njoftimin për këtë përmbarim ia kishte dërguar Sopit, por nga fletëkthesa postare, adresa nuk ishte gjetur. Kësisoj, Sopi nuk ishte njoftuar asnjëherë.

“Kurrë, asnjë, asnjë. Muj me thënë me fatura të rrymës, ujit, bërllokut, diçka naj thirrje naj sen, më kanë ardhë në atë banesë, a prej atij përmbaruesit as Shemës, kësaj avokates kurrgjë nuk më ka ardhë. Ai thojke e kam qu të ti. Masi e ke qu, pse nuk janë? Kur mujnë krejt të tjerat me ardhë në atë adresë, pse e jotja nuk vjen? Me më njoftu.

Përmbaruesi Islami, urdhrin përmbarimor të datës 21 dhjetor 2023, e kishte dërguar tek Sopi përmes postes. Në flete kthesën e 11 janarit 2024, ishte evidentuar si adresë “Jo e gjetur, jo e plotë”.

Pas kësaj, përmbaruesi privat, më 15 janar, kishte lëshuar njoftim apo afishim i cili do qëndronte për 7 ditë deri më 22 janar 2024. Pas këtij njoftimi, me 9 shkurt 2024, Sopit i ishin tërhequr paratë nga banka.

Këtë urdhër përmbarimor, Sopi e konsideron të kundërligjshëm për çka edhe ka bërë ankesë në gjykatë.

Në ankesë, fillimisht thuhet se fatura e paraqitur si dokument i besueshëm nuk i është dorëzuar fare por vetëm është paraqitur si provë. Ndonëse, avokatja kishte paraqitur letrën e dorëzimit të postës me rekomande, në ankesë thuhet se e njëjta nuk e kishte paraqitur shkresën se dërgesa është pranuar.

“Pra nënshkrimi është kushti kryesor që do vërtetonte se kemi të bëjmë me pranimin e një fature)” thuhet në ankesë duke shtuar se dokumenti mbi të cilin është lejuar përmbarimi nuk përben dokument të pambarueshëm.

Në ankesë po ashtu thuhet se përmbarimi pas afishimit ishte në kundërshtim me ligjin.

Sipas tyre, Ligji për Procedurën Kontestimore, përkatësisht nenet 110, 111 dhe 112, kanë paraparë se dokument në fjalë duhet t’i dorëzohen personalisht palës, personit të autorizuar, ndonjë anëtari të rritur të familjes së tij, ose nëse të njëjti nuk gjenden në banese, fqinjit të tij nëse pajtohet.  Nëse personat e cekur pa ndonjë arsye ligjore refuzojnë marrjen e shkresës, dorëzuesi duhet të shënoj datën orën dhe arsyen e refuzimit dhe në këtë mënyrë komunikimi mund të konsiderohet i kryer në mënyrë të ligjshme.

Sipas ankesës, meqenëse adresa ka rezultuar jo e gjetur dhe jo e plotë, atëherë do duhej të caktohej një përfaqësues i përkohshëm dhe jo të bëhej afishimi, duke theksuar se afishimi në tabele të shpalljes mund të bëhet për persona juridik por jo persona fizik si në këtë rast.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, përmbaruesi privat, Isak Islami, ka thënë se meqë rasti është në gjykatë nuk mund të jap intervistë. Por, konsideron se përmbarimi ishte i ligjshëm.

“Gazetarja: Qysh i vlerësoni ju pretendimet e palës që përmbarimi ka qene i pa lejueshëm

Isak Islami: E nderume çdo pale ka të drejtë ankese ai ka ushtru ankesë, gjykata vendos do të thotë me pretendimet e tij çdo palë ka të drejtë, mendon që është qashtu do të thotë e ai ka ushtru ankesë lënda është në gjykatë kjo është…

Gazetarja: Po qysh ka ndodh procedura përmbarimit në këtë rast a mundesh me na shpjegu…

Isak Islami: E nderune sipas neve çdo gjë do të thotë është në rregull sipas neve çdo gjë është në rregull, do me than sipas neve, po ai mendon, ai ka mendu ndryshe ka ushtru ankesë gjykata vendos.

Gazetarja: A e keni dërgu njoftimin sipas ligjit që parasheh nëse ai nuk mundet me pranu me ja dërgu familjarëve…

Isak Islami: Të gjitha procedurat (Nuk dëgjohet)  edhe procedurën përmbarimore, kam një telefonatë tjetër,  të përshëndes e nderume…

Gazetarja: Nuk po të dëgjoj të lutëm edhe njëherë?

Isak Islami: Sipas neve do të thotë na e kena respektu ligjin në bazë të ligjit këna vepru.

“Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar intervistë edhe nga Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat, Isa Shala. Ai ka thënë se meqenëse rasti është në gjykatë nuk mund të deklarohet për rastin, por në një përgjigje me shkrim ka shpjeguar në parim se si ndodhë përmbarimi për personat fizik.

Ai ka thënë se në rastet kur lejohet përmbarimi dhe urdhri përmbarimor dorëzohet sipas Ligjit për procedurën Kontestimore, që vlen edhe për procedurën e përmbarimit.

“Neni 110.1  i LPK përcakton se  Padia, përgjigjja në padi, letërthirrja për në seancë, urdhërpagesa, aktgjykimi dhe aktvendimi, kundër të cilit lejohet ankim i veçantë, mjeti i goditjes së vendimit, i dorëzohet personalisht palës, gjegjësisht përfaqësuesit ligjor apo përfaqësuesit me prokurë të saj. Shkresat e tjera do t’i dorëzohen personalisht adresatit kur një gjë e këtillë shprehimisht parashihet me këtë ligj apo kur gjykata konkludon se për shkak të dokumenteve origjinale që i janë bashkangjitur shkresës që duhet dorëzuar, ose nga ndonjë shkak tjetër, nevojitet kujdes i shtuar”, ka thënë ai.

“Neni 110.2 Në qoftë se personi të cilit duhet dorëzuar personalisht shkresa nuk gjendet atje ku duhet bërë dorëzimi, dorëzuesi do të njoftohet se kur dhe ku do të mund ta gjejë këtë person dhe do t’ia lejë ndonjë personi të theksuar në nenin 111 paragrafi 1 dhe 2 të këtij ligji njoftimin me shkrim që për marrjen e shkresës të jetë në ditën dhe në orën e caktuar në banesën e vet, përkatësisht në vendin e vet të punës”, ka shtuar ai.

“Po që se edhe pas kësaj dorëzuesi i shkresës nuk e gjen personin të cilit duhet dorëzuar shkresa, atëherë ai do të veprojë sipas dispozitave të nenit 111 të këtij ligji, dhe kështu dorëzimi do të konsiderohet i kryer”, ka shpjeguar tutje Shala.

Ndërsa tutje, ka shpjeguar se si në rast se nuk gjendet personi që duhet t’i dorëzohet shkresa, atëherë ajo i dërgohet ndonjë anëtari të familjes, e nëse as ata nuk gjenden t’i jepet fqinjit nëse pajtohet.

Pastaj shpjegon se shkresa mund t’i dorëzohet personit që punon me të, nëse ai pajtohet.


Shala: Hetim edhe ndaj përmbaruesit, dyshohet se s’ka ndjekur procedurat kur qytetarit iu morën 25 mijë euro

Qytetarit Besim Sopi, 25 mijë euro, ia janë tërhequr nga avokatja Shemsije Sheholli, përmes procesit të përmbarimit, mbi pretendimet për një marrëveshje shpërblimi. Për të cilën Sopi thotë se nuk është bërë kurrë.

Sopi, për këtë përmbarim ishte njoftuar vetëm atëherë kur e kishe vërejtur se i janë tërhequr paratë nga llogaria bankare.

Për lëshimin e këtij urdhri përmbarimor, përmbaruesi Isak Islami thuhet se nuk ka ndjekur një serë procedurash të parapara me ligj.

Në lidhje me këtë, Gzim Shala, Hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se përmbaruesi duhet të hetohet nëse ka bërë shkelje në këtë rast.

“Është obligim i përmbaruesit, që fillimisht të kryej, të ekzekutoj shumën që kërkohet të përmbarohet mirëpo në anën tjetër, edhe të mbrohet interesat e palës debitorë. Në rastin konkret, nëse personi në fjalë nuk është gjetur është obligim i përmbaruesit që të ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale për ta gjetur debitorin në mënyrë që të njëjtit t’i mundësohet, prapësimi. Në rastin konkret, prej asaj çfarë kemi para vetës dyshohet se kjo nuk ka ndodhur, për shkak se thjesht është kaluar nga një veprim në momentin kur nuk është gjetur debitori është kaluar të veprimi tjetër e që është afishimi, është aplikuar një dispozitë që nuk është e aplikueshme tek qytetarët, tek personat fizik por është i aplikueshëm vetëm tek personat juridik.

Ai tha se në rastin konkret përmbaruesi është dashur të ndjeke një serë veprimesh të përcaktuara në ligjin për Procedurën Kontestimore, për ta gjetur debitorit që i njëjti të kishte mundësi që urdhrin përmbarimor ta atakonte në gjykatë.

Shala ka shtuar se objekt i hetimit duhet të jetë edhe procedura e ndjekur pranë përmbaruesit privat.

“Po ashtu edhe organet që i mbajnë përgjegjës përmbaruesit që të kryejnë një hetim nëse në rastin konkret kishim të bënim me shkelje. Duhet pasur parasysh që mënyra dhe procedura përmbarimore nuk guxojnë që të shndërrohen në një objekt i pasigurisë juridike për qytetarët të cilët kuptojnë për një procedurë përmbarimore vetëm kur atyre iu ekzekutohet urdhri përmbarimor.

Hulumtuesi i IKD-së, ka përmendur edhe faktin se si ky urdhër përmbarimi ishte bërë në bazë të një kontratë shpërblimi që thuhej 10% i kontestit gjyqësor, ndërkaq shumë është me e madhe.

“Kontrata thotë se behet fjalë për 10 % të shumës se përgjithshme të kontestit, shuma e përgjithshme e kontestit është 200 mijë euro, që i bie se 10 % i saj është 20 mijë euro dhe se fatura e lëshuar është 25 mijë euro përtej kontratës është plotësisht e çuditshme se si ka ardhur deri te kjo shumë, por edhe në anën tjetër po ashtu është dyshuese fakti se ky 25 mijë euro lidhet me shumën e kërkuar në emër të tre gjyqtarëve dhe të gjitha këto elemente nuk flasin për një procedurë normale dhe të rregullt të përmbarimit. Dhe kjo është edhe arsyeja pse iu takon institucioneve që t’i trajtojnë gjitha këto çështje dhe të mbajnë llogari dhënës dhe ta njoftojnë opinionin se çfarë ka ndodhur në këtë situate”, ka thënë Shala.

Pas këtij përmbarimi, Besim Sopi ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndaj avokates Shemsije Sheholli për vepër penale të mashtrimit dhe legalizim të përmbajtës së rreme.

Betimi për Drejtësi, ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të dijë se në çfarë faze të procedurës është rasti.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se deri më tani, prokurori i çështjes ka marrë deklaratë nga pala e dëmtuar, ndërkaq konform dispozitave të KPPRK-së është duke vazhduar me trajtimin e çështjes në fjalë”, thënë në një përgjigje me shkrim, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Avokatja Shemsisje Sheholli më parë kishte qenë gjyqtare në ish-Gjykatën Komunale në Prishtinë. Në vitin 2013, Prokuroria e Shtetit kishte ngritur aktakuzë  ndaj saj për keqpërdorim të pozitës zyrtare si gjyqtare.

Në vitin 2016, Sheholli ishte shpallur fajtore dhe është dënuar me 3 muaj burgim efektiv. Prokuroria ishte ankuar në Apel lidhur me lartësinë e dënimit. Në Apel ishte ankuar edhe vet Sheholli.

Rasti ishte kthyer në rivendosje, por në 2017 ishte parashkruar lënda penale. Kjo pasi në rivendosje Gjykata e Prizrenit nuk kishte arritur të mbante asnjë seance pasi, Sheholli në vazhdimësi kishte refuzuar të merrte pjesë në seanca me arsyetimin se vuante nga një sëmundje e rëndë.

Besim Sopi i cili ka jetuar për 30 vjet në Angli dhe ka zgjedhur të kthehet dhe jetoj në Kosovë thotë se ka besim në sistemin e drejtësisë se do ta zbardhë këtë rast.

“Jam i bindur, jam i bindur që drejtësia nuk humbë, vonon, vonon por nuk humbë”, ka thënë Sopi.

Besim Sopi thotë se më nuk ka kontaktuar me avokaten pasi ajo nuk ka qenë e qasshme, por ka marrë një mesazh nga ajo.

“ I kam dërgu mesazh ma ka bo, ma ka kthy mesazhin “shihemi në gjyq”.