Rritja e pagës minimale në Kosovë shkakton sfida për bizneset dhe rrezikon vendet e punës
Në vitin 2011, paga minimale u përcaktua në 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata deri në 65 vjeç. Pas këtij vendimi, paga minimale mbeti e pandryshuar për më shumë se një dekadë, duke rezultuar në një stagnim të rritjes së saj deri në gusht të këtij viti ku përmes një vendimi të Qeverisë, u vendos që paga minimale në Kosovë të bëhet 350 euro, për të gjitha grupmoshat e punëtorëve.
Ndryshim shumë i nevojshëm, por procedurat për caktimin e pagës minimale janë kontestuar nga grupe të ndryshme shoqërore. Problemet në lidhje me procedurën e ndjekur, transparencën dhe përfshirjen e palëve të interesit janë problemet me të cilat këto grupe e kontestojnë një rritje të tillë.
Madje, në disa raste, vihet në dyshim edhe mundësia e ekzekutimit të pagës minimale nga kompanitë private.
Kompanitë që ofrojnë shërbime në institucione publike dhe private, përmes kontratave publike të nënshkruara para rritjes së pagës minimale, kanë probleme në ekzekutimin e tyre. Rritjes së pagës minimale nuk i parapriu parashikimi lidhur me vlerat e kontratave me kompanitë që ofrojnë shërbime ndaj institucioneve publike.
Sipas të dhënave nga Administrata Tatimore e Kosovës, do të jenë rreth 105 mijë përfitues në rast të rritjes së pagës minimale, por shumë prej tyre tani, rrezikojnë të mbesin pa punë, për shkak të rrezikut të shkëputjes së kontratave të punës, meqë ato varen nga pagesat që vetë institucionet kanë parashikuar të bëjnë nga operatorëve ekonomik, sipas kontratave të nënshkruara për shërbime.
Përfaqësues të Organizatës INPO, organizatë kjo e specializuar në fushën e prokurimit publik, thonë se është në dorën e Qeverisë që të ndërmarrë hapa të tjerë për t’a zgjidhur këtë problem, ndërsa Oda Ekonomike e Kosvoës, konsideron se po të trajtohej në rrafshin konkret ky ndryshim, nuk do të përballeshin me këto probleme.
Sindikatat e punëtorëve janë të pafuqishme në këtë drejtim, e shteti akoma nuk ka dhënë një një zgjidhje të caktuar për këtë problem.
Rritja e pagës minimale gëzon punëtorët, por vendos në vështirësi kompanitë private
Merita Curri dhe Oruq Ajazi punojnë si sigurim fizik në një kompani private. Të dy, si edhe shumë roje fizike të cilët janë angazhuar në punë nga kompani private për të shërbyer në institucione publike dhe private, i janë gëzuar lajmit për rritjen e pagës minimale.
“Normal që pagat i dimë si janë, i kemi pagat normalisht të vogla për punën administrative 8-orëshe që bëjmë, por gjithmonë shpresojmë se do të bëhet më mirë për ne”, thotë Merita Curri, e cila punon si sigurim fizik në Komunën e Prishtinës.
Kjo pasi paga aktuale e tyre është nën pagën e re minimale të përcaktuar nga Qeveria. Ata arrijnë të marrin deri në 300 euro pagë kur punojnë në ndërrime të natës ose gjatë ditëve të festave.
“Normal që i jam gëzuar, sepse presim të mbajmë familjen me këtë rrogë. Presim të marrim diçka më shumë, një pagë pak më të lartë. Mendoj se me rritjen e rrogës, diçka do të bëhet më mirë, sepse tani është pak më vështirë. Unë kërkoj një pagë më të mirë, sikurse të gjithë; besoj që do të bëhet me këtë ligjin e ri që e ka miratuar qeveria”, tha Oruq Ajazi, i cili punon si sigurim fizik në një kompani private
Më 27 gusht të këtij viti, Ministria e Financave ka shpallur rritjen e pagës minimale, duke e ngritur minimumin nga 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata deri në 65 vjeç në 350 euro bruto për të gjitha grupmoshat.
Megjithatë, ekzekutimi i pagave minimale vlerësohet si i pamundur për një pjesë të kompanive që i kanë punësuar këta punëtorë. Kjo për shkak se përllogaritjet për koston e ofrimit të shërbimeve janë bërë duke u bazuar në nivelin e mëparshëm të pagës minimale dhe, sipas atij niveli, janë nënshkruar kontratat për ofrimin e shërbimeve me institucionet publike.
Arsim Latifi, menaxher financiar në kompaninë e sigurimeve “Delta Security”, e cila ka disa kontrata me shtetin për ofrimin e shërbimeve, konsideron se ky ndryshim i ka dëmtuar shumë.
“Ndryshimi i ligjit për nivelin e pagave ka ardhur në mënyrë të ngutshme nga qeveria, dhe kjo normalisht na ka dëmtuar në çdo aspekt të ekzekutimit të punëve tona. Nuk na u dha kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij vendimi; ndryshimet janë të shpejta dhe të gjitha kontratat duhen ndryshuar me secilin klient, përfshirë institucionet shtetërore,” tha Latifi për Betimi për Drejtësi.
Ndërsa Yll Zekaj, përfaqësues ligjor i kompanisë Besa Group, tregon se që nga muaji shtator u janë drejtuar autoriteteve kontraktuese për të shqyrtuar mundësinë e zgjidhjes së këtij problemi.
“Kemi kërkuar nga shumica e autoriteteve kontraktuese që të takohemi për të gjetur një zgjidhje për situatën, pasi jemi të vetëdijshëm se prej 1 tetorit do të hyjmë në këtë situatë. Ende nuk kemi marrë përgjigje. Presim që Ministria e Financave apo ndonjë dikaster tjetër të dalë me një udhëzim për autoritetet kontraktuese që të na tregojnë se cila do të jetë zgjidhja,” deklaroi Zekaj për Betimi për Drejtësi.
“Ne ju kemi adresuar shumicës së këtyre autoriteteve kontraktuese, për t’u takuar, për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar, sepse kemi qenë të vetëdijshëm që prej 1 tetorit do të hyjmë në këtë situatë. Ju kemi shkruar gjatë muajit shtator që të ulemi dhe të shohim se cila do të jetë zgjidhja. A do të ulet kohëzgjatja me qëllim që të mbulohet kjo kosto që do të prodhojnë këto kontrata në dëm të operatorëve ekonomik. Ende nuk marrë një përgjigje. Presim që qoftë Ministria e Financave apo zyra e thesarit apo ndonjë dikaster tjetër në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të del me një udhëzim për të gjitha autoritetet kontraktuese që të na tregoj se cfarë zgjidhje do të propozojnë për të dalë nga kjo situate, përndryshe në fund të tetorit, të gjithë operatorët ekonomik, të gjithë ata që ofrojnë shërbime, apo kanë të lidhur kontratë me autoritetin kontraktues për ofrim të shërbimeve, do të ballafaqohen me humbje goxha të mëdha dhe në pamundësi për t’i vazhduar kontratat e tyre të cilat i kanë aktive edhe për vitet në vazhdim”, ka deklaruar Zekaj për Betimi për Drejtësi.
Sipas Arsim Latifit, kompania që ai përfaqëson, ka disa kontrata me ministri të ndryshme, për t’u ofruar shërbimin e sigurimit fizik. Dhe për të fituar tenderin, sipas ligjit të prokurimit publik, kanë ofertuar me cmime minimale. Kështu, tani e kanë të pamundur të mbulojnë shpenzimet e pagave për punëtorë, sipas vendimit të ri.
“Ministria e Infrastrukturës kanë pranu me bë një negocim lidhur me këtë, por maksimalisht sic tregova deri në 30% që nuk është i mjaftueshëm. Ministria e Planifikimit Hapsinor nuk kanë dhënë përgjigje, nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me këtë drejtim”, deklaron ai.
Yll Zekaj, përfaqësues ligjor i kompanisë Besa Group, thotë se kompania të cilën e përfaqëson, ka të nënshkruara 7 kontrata me institucionet publike për ofrim të shërbimit të sigurimit fizik të objekteve të cilat do të zgjasin për rreth 3 vjet.
Sipas të dhënave të kompanisë, nëse do të aplikojnë vendimin e ri për pagën minimale, në këto kontrata të nënshkruara, dalin në humbje për 1.7 milion euro, ose 72% të vlerës monetare, deri në përfundim të tyre.
“Kemi me dhjetëra kontrata me institucione publike, shumica nga këto kontrata janë tri vjeçare dhe të lidhura gjatë këtij viti, kështu që kemi edhe më shumë se 2 vite që do të ballafaqohemi me këtë problem, në aspektin formal kemi një rritje të pagës prej 106% të pagës e cila reflekton në këto kontrata dhe në aktivitetin ekonomik që e zhvillon kompania të cilën e përfaqësoj unë”, thotë Zekaj.
Kompanitë e sigurimit fizik kërkojnë zgjidhje nga institucionet për zbatimin e pagës minimale
Të dy kompanitë, të cilat ka kontaktuar “Betimi për Drejtësi” kanë deklaruar se kanë kontaktuar drejtpërdrejtë institucionet publike me të cilat kanë lidhur kontratë për shërbime, por deri më tani nuk kanë marrë përgjigje adekuate.
Yll Zekaj, përfaqësues ligjor i “Besa Group” ka treguar se për të zgjedhur këtë problematikë, shkresa u kanë adresuar të gjitha institucioneve me të cilat kanë kontrata.
“U kemi dërguar edhe shkresa, për shkak se në të gjitha këto kontrata parashihet që para se të ndërmerret ndonjë veprim tjetër, duhet të kontaktojmë për zgjidhje miqësore të kontesteve, problemeve që dalin gjatë zbatimit të këtyre kontratave”, ka deklaruar Zekaj.
Ai ka thënë se autoritetet kontraktuese duhet që të bëjnë një zgjidhje sa më shpejtë për shkak se prej 1 tetorit kanë filluar ndryshimet e pagave.
“Për shkak të pagës minimale dhe pastaj normative e prokurimt publik, ligjit të prokurimit publik dhe rregullorja për prokurim publik kërkon që autoritetet kontraktuese gjatë gjithë kohës sa zgjatë një kontratë publike të merren, të kontrollojnë nëse paga është në minimumin e pagës minimale. Kështu që, tashmë kemi një rritje prej 106% të pagës minimale dhe duhet të gjendet një zgjidhje nga shteti, përkatësisht nga autoritetet kontraktuese me të cilat kemi lidhur kontratë”, ka deklaruar Zekaj.
Arsim Latifi, menaxher i financave në Kompaninë e Sigurimeve “Delta Security”, tregon se shqetësimet e tyre i kanë adresuar në institucione edhe përmes Shoqatës së Kompanive të Sigurimit Fizik në Kosovë.
“Pyetje: Ku e keni adresu këtë shqetësimin e juaj?
Përmes shoqatës të kompanive të sigurimit, janë dërgu, besoj u janë dërgu shkresat edhe qeverisë edhe institucioneve të tjera. Por ne u jemi drejtu secilit klient individualisht që ne u ofrojmë shërbim fizik të sigurimit.
Pyetje: Dhe cili është bashkëpunimi që keni hasë në këtë relacion me institucionet që veç keni marrëveshje për ofrim të shërbimit?
Pjesërisht është bërë ndryshimi. Disa klientë pranojnë që të bëhet ndryshimi, e që është ndryshim minimal, 10% afërsisht, te disa, e disa nuk pranojnë fare. Kemi disa klientë që operojnë jashtë vendit, p.sh operojnë në Slloveni dhe i njëjti decidivisht nuk pranon më shumë se 10% të bëhet ndryshimi i asaj, e 10% përqind i asaj është prapë rreth 40% nën nivelin e dëshiruar për pagën minimale”, ka deklaruar Latifi.
Ekrem Dreshaj, Kryetar i Bordit të Kompanive Private të Sigurimit Fizik në Kosovë, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se ka pranuar shumë ankesa nga të gjitha kompanitë që kanë lidhur marrëveshje kontraktuale me institucionet në Kosovë, por deri tani, përveç që nuk kanë pranuar përgjigje zyrtare për zgjidhjen e problemit, kanë mbetur në udhëkryq dhe nuk dinë si të veprojnë për të vazhduar tutje.
“Në Kosovë diku numërojmë mbi 50 kompani private të sigurimit fizik të cilat janë të licencuara në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Pjesa më e madhe e tyre kanë kontrata me sektorin publik, nuk kam numër ose shifër të caktume, por në takimin e fundit që kemi mbajtë me anëtarët e shoqatës, të gjithë ata që janë në këtë fushë, në kuptimin e ofrimit të shërbimeve në sektorin publik, kanë bërë ankesat e veta, të gjithë u janë drejtu edhe në mënyrë individuale edhe autoriteteve kontraktuese me të cilat kanë marrëveshje për ofrimin e shërbimeve, për gjetjen e një zgjidhjeje, janë drejtu edhe në organet përkatëse edhe në mënyrë individuale, mirëpo deri tash nuk ka një përgjigje adekuate se si të veprohet më tutje”, ka deklaruar Dreshaj për “Betimi për Drejtësi”.
Dreshaj thotë, se si shoqatë, i janë drejtuar edhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, por as nga ata nuk kanë marrë përgjigje konkrete.
Osman Vishaj, Kryetar i Bordit të KRPP-së ka thënë për “Betimi për Drejtësi” që si institucion kanë pranuar ankesa nga operatorët ekonomik e autoritetet kontraktuese, por si institucion i pavarur nuk komentojnë vendimet e qeverisë.
“Ne, ankesa kemi pranu edhe nga operatorët ekonomikë edhe nga autoritetet kontraktuese. Mbi 5-6 ankesa deri sot kanë ardhë prej këtyre palëve.
Pyetje: Atëherë si i keni trajtu këto ankesa?
Këto ankesa i kemi trajtu, u kemi kthy secilës palë vec e vec përgjigje, ku kemi parë që është bërë një numër i madh i kërkesave dhe kemi lëshu një interpretim, opinion, për të gjitha palët.
Pyetje: Çka kanë kërku operatorët ekonomik, e çka autoritetet kontraktuese nga ju?
Të njëjtën, si autoritetet kontraktuese si operatorët ekonomikë, kanë kërku për lidhur me vendimin e qeverisë për pagën minimale. Ndërsa ne, në sqarimin që e kemi bërë këtyre autoriteteve kontraktuese dhe operatorëve ekonomikë, kemi citu se mandati i Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik është dhënia e ndihmës teknike për zbatimin e interpretimit të dispozitave të ligjit të prokurimit publik dhe legjislacionit dytësorë, rrjedhimisht nuk është në mandatin e KRPP-së interpretimi i vendimeve të Qeverisë ose ndonjë mandati tjetër”, ka deklaruar Vishaj, për “Betimi për Drejtësi”.
Sipas Vishajt, barra e ndryshimit të këtyre kontratave bie mbi autoritetet kontraktuese.
“Operatori ekonomik është e pamundshme me zbatu. Është autoriteti që duhet me bë zgjidhjen. Është Qeveria, komuna, ndërmarrja publike. Autoritete Kontraktuese janë pjesë qeveritare, ndërmarrjet publike, komunat. Ata duhet e i bë, se s’ka tjetër kush. Biznesi është çelë me fitu e jo me humbë”, thotë Vishaj.
Bizneset të detyruara të zgjedhin mes humbjeve financiare dhe ndërprerjes së kontratave
Ashtu siç është joligjore pagesa e punëtorëve sipas ligjit të vjetër për pagën minimale, edhe shkurtimi i kohës së realizimit të kontratës ose shkurtimi i numrit të punëtorëve të paracaktuar në marrëveshjet kontraktuale paraqet shkelje të obligimeve kontraktuale. E dëmshme është edhe shkëputja e njëanshme e kontratave nga bizneset. Asnjëra nga këto skenarë të parashikuara nga bizneset nuk është pa pasoja.
Megjithatë Arsim Latifi, menaxher i financave në Kompaninë e Sigurimeve “Delta Security”, deklaron se detyrohen të tërhiqen nga kontratat e nënshkruara.
“Thjeshtë, detyrohemi me u tërhjekë, me u tërhjekë nga të gjitha ato pika ku ofrojmë shërbime, sepse përndryshe detyrohemi me shkelë ligjin, pastaj janë pasoja të tjera dhe detyrohemi me i mbyllë ato pika. Unë besoj se një pjesë e madhe pësojnë edhe punëtorët që i kemi. Sepse çdo tërheqje, çdo mbyllje e pikës, ku nuk pranohet ndryshimi i çmimit, detyrohesh m’u tërhjekë. Tërhjekja p.sh një pikë e caktuar që ka pas 24 orësh shërbim të sigurimit, në mënyrë automatike 4 punëtorë e humbin vendin e punës, sepse edhe këtu neve na shkakton problem, sepse punëtori duhet të lajmërohet një muaj përpara se vendi i tij i punës përfundon mas muaj dite dhe as kjo nuk na ka dhënë një veprim të tillë, sepse nuk kemi informatë të mjaftueshme, me kohë, për të gjitha këto ndryshime që janë bë. Realisht ky ndryshim i Ligjit të Pagave është deshtë me dhënë kohë të mjaftueshme, ose edhe me 1 vit, 2 vite, deri sa të përfundojnë kontratat aktuale që i kemi me klientin. Pastaj kur përfundon një kontratë aktuale, lidhet kontrata tjetër, nëse gjendet marrëveshje me klientin mirë, nëse nuk gjendet ndërprehet shërbimi dhe vazhdohet tutje, jo kështu siç është bërë brenda një muaj dite të gjitha këto ndryshime. Së pari të gjitha këto kontrata është e pamundur që të ndryshohen brenda një muaj dite”, ka deklaruar ai.
Pyetje: Kur po flisni për tërheqje të pikave, po flisni vetëm për disa pika, apo për tërheqje të kontratave?
Të gjitha ato pika të cilat janë nën nivelin, të hyrat nga të cilat nuk i mbulojnë atë nivelin e pagave minimale që kërkohen, thjeshtë ne duhet të punojmë me bilanc negativ, me humbje dhe dashje e padashje, detyrohesh me i mbyllë ato pika, sepse nuk ka mundësi me ju dhënë shërbimin dhe me njëjtë në kuadër të ligjit me punëtorët”, shpjegon gjendjen në kompaninë e tij, Latifi.
Yll Zekaj, përfaqësues ligjor i “Besa Group” thotë se janë në udhëkryq dhe pa opsione për të ndërmarrë ndonjë veprim.
“Duhet të gjejmë një zgjidhje, operatorët ekonomik nuk mund të ndërprejnë këto kontrata sepse kostoja do të jetë shumë e madhe nëse nuk ndërmerr diçka autoritetet kontraktuese, kostoja do të jetë shumë e madhe në dëm të operatorëve ekonomik, por e kanë të pamundur edhe ndërprerjen e këtyre kontratave, për shkak se ligji i prokurimit publik thotë se ndërprerja e këtyre kontratave në mënyrë të një anshme nga ana e operatorit ekonomik, atëherë kemi rrezik të konfiskimit të sigurimit të tenderit, përkatësisht të garancionit të tenderit, të cilat operatorët ekonomik i lënë në rastin e lidhjes së kontratave, kështu që këto garancione janë shumë të mëdha që do të dëmtojnë shumë operatorin ekonomik nëse bëhet një zgjidhje e njëanshme”, deklaroi Zekaj.
As institucionet nuk e kanë diskutuar se si do t’ia bëjnë me kontratat pas rritjes së pagës minimale
Fatmir Thaçi, udhëheqës i Zyrës së Prokurimit Publik në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, përmes telefonit se nuk kanë ndonjë plan se si do të vazhdojnë t’i realizojnë këto kontrata, pasi që deri tani nuk është diskutuar ndonjë zgjidhje e kësaj problematike të krijuar.
“Duhet me i respektu kontratat, për momentin. Duhet me respektu qysh shkruan në kontratë, ligji nuk e lejon ndryshimin e çmimit gjatë kohëzgjatjes së kontratës”, ka deklaruar ai.
Pyetje: Tash a duhet operatorët ekonomikë me i pagu punëtorët me pagën e mëparshme?
Fatmir Thaçi: Nuk e di, operatorët ekonomikë duhet me pasë parasysh edhe atë se kur të ofertojnë, me pas parasysh se munden me ju rritë shpenzime dhe me ofertu me çmime adekuate.
Pyetje: Ju si MPB në kontratat që i keni për shërbime edhe për mirëmbajtje edhe për sigurim fizik të objekteve, kontratat e nënshkruara para vendimit të qeverisë, qysh keni me i ekzekutu?
Fatmir Thaçi: Unë mendoj që këtu nuk mundemi me i ndryshu.
Pyetje: A keni pranu ankesa nga operatorë ekonomik që i keni nënshkru kontratat për shërbime? Ka një kërkesë nga një operator.
Fatmir Thaçi: Duhet me diskutu, ende nuk i kemi dhënë përgjigje. Kontrata është ligj dhe kontratën duhet me respektu, atëherë qysh mundemi me ndryshu ato nuk janë të parapame.
Pyetje: Po tash në nëntor duhet me u dhënë rroga e muajit tetor?
Fatmir Thaçi:Nuk e di, nuk e di.
Pyetje: Vendimi i qeverisë thotë që duhet me i dhënë rrogat me rritje?
Fatmir Thaçi: Jo jo momentalisht jo.
Por është fundi I muajit tetor, kur keni me analizu këtë çështje?
Fatmir Thaçi: Nuk e di”, ka deklaruar Thaçi përmes telefonit për Betimi për Drejtësi.
Diellor Gashi, hulumtues i Lartë në Organizatën jo Qeveritare Iniciativa për Progres, e cila është e specializuar në fushën e prokurimit publik, ka treguar se kanë analizuar ndikimin e pagës minimale në kontratat e nënshkruara.
“INPO ka analizu ndikimin e vendimit për rritjen e pagës minimale në kontest të zbatimit të kontratave të zbatimit të kontratave të prokurimit publik, te pjesa e kontratave për shërbime dhe ka identifiku disa çështje të cilat mund të ndikojnë në koston e ekzekutimit të këtyre kontratave, tu e marrë parasysh që tek këto kontrata, autoritetet kontraktuese, në procedurat e tenderimit qesin si kusht respektimin e pagës minimale, në këtë rast kontratat ekzistuese aktive të cilat janë lidhë para hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë për pagat, sigurisht që kanë marrë parasysh ofertat të cilat operatorët i kanë ofru me lartësinë e pagës minimale të mëparshme”, ka deklaruar Gashi.
“Kemi analizu disa kontrata ekzisuse, del që këto kontrata ekzistuese do të kenë një kosto të konsiderueshme për operatorët ekonomik, gjë që i bjen që këto kontrata nuk kanë mbulueshmëri financiare për shkak të pamundësisë së kryerjes së obligimeve nga këta operator ekonomik, sic është theksuar nga të njëjtit. Prandaj zbatimi i pagës minimale me rritje për këto kontrata do të jetë problematike në këndvështrimin tonë, duke marrë parasysh gjithnjë vështirësitë ekonomike që mund t’i kenë bizneset e caktuara por edhe lidhshmërisë juridike të marëdhënies së punës së këtyre punonjësve me këto kontrata”, shpjegoi Diellor Gashi, hulumtues i Lartë në INPO.
Gashi, vlerëson se aktualisht, nuk ka alternativë për zgjidhjen e këtyre problemeve, me ligjet ekzistuese, të cilat janë në fuqi.
“Legjislacioni për prokurim publik, çështjen e pagës minimale apo respektimit të saj e parasheh vetëm në procedurat e tenderimit, si ligji për prokurim publik, ashtu edhe rregullorja, por edhe kontratat të cilat nënshkruhen në mes të operatorëve ekonomik dhe autoriteteve kontrakuese, nuk përmbajnë një klauzolë të veçantë, e cila parasheh ndryshimet e mundshme të politikave me ndikim në pagën minimale gjatë ekzekutimit të tyre. Obligimi i operatorëve ekonomik në një proces tenderimi është që në fazën e ofertimit të prezantojnë lartësinë e pagës së punonjësve që do t’i angazhojnë në një aktivitet të prokurimit në vlerën e pagës ekzistuese”.
Sipas tij, nëse lëndët shkojnë në gjykata atëherë duhet t’iu jepet e drejtë operatorëve ekonomikë.
“Është një zbrastirë juridike megjithëse në rast të një situate tjetër ku do të ketë shkëputje të këtyre kontratave, për shkak të mos respektimit të saj nga këndvështrimi i autoriteteve kontraktuese dhe në rast se do të kemi procedura gjyqsore, atëherë mendoj që gjykata do t’u japin të drejtë operatorëve ekonomik, duke marrë parasysh ligjin për marrëdhënie detyrmore, i cili në nenin 16 parasheh situatat e paparashikueshme, ekzistimi i të cilave mund të ndikoj në rishikimin e kontratave”, deklaroi Diellor Gashi, hulumtues i lartë në INPO.
Që këto raste të mos përfundojnë në procedura gjyqësore, sipas hulumtuesit të INPO-s është obligim i qeverisë që të ndërmarrë hapa konkret për të adresuar problemin e krijuar nga rritja e pagës minimale.
Rritja e pagës minimale pa konsultime, sindikatat dhe bizneset kërkojnë transparencë dhe gjithëpërfshirje
Grupe të ndryshme shoqërore, organizata të shoqërisë civile dhe organizatat sindikale në vazhdimësi kanë kërkuar rritjen e pagës minimale për të adresuar sfidat ekonomike dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës për qindra-mijëra punëtorë në Kosovë. Në anën tjetër, procedurat për caktimin e pagës minimale janë kontestuar nga këto grupe shoqërore. Procedura e ndjekur, problemet në lidhje me transparencën dhe përfshirjen e palëve të interesit janë ende në qendër të vëmendjes, duke e bërë të nevojshme një qasje më gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në analiza të hollësishme në procesin e vendimmarrjes.
Atdhe Hykolli, Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BPSK), ka deklaruar se ata nuk janë konsultuar fare si organizatë.
“Nuk jemi konsultu fare, me ju thënë të drejtën kishte me qenë mirë, ne si Bashkim i Sindikatave të Pavarura të Kosovës i kemi ekspertë tanë të cilët anë pjesë e Këshillit Ekonomiko Social dhe kishim rekomandu partnerin social që të ketë një pagë më dinjitoze për të punësuarit në Kosovë. Siç e dimë të gjithë, paga minimale negociohet çdo fundvit. Tash është deshtë të negociohet paga tjetër, për vitin tjetër”, thotë Hykolli.
Lulzim Rafuna, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se rritja e pagës minimale ishte më se e nevojshme, por jo në këtë mënyrë.
“Padyshim që a ka pas nevojë me u ngritë paga minimale, ka pas nevojë. Mirë po ne kërkesën tonë ndaj Qeverisë e kemi pas që para se të sillet një vendim i tillë, të kemi procedurën e konsultimit me sektorin privat, ashtu siç e parasheh edhe Ligji për Këshillin Ekonomiko Social. Vetëm kjo ka qenë kërkesa jonë, sepse ne asnjëherë nuk e kemi kontestu që duhet me u rritë paga minimale. E sa duhet me u rritë paga minimale, sa do të ishte paga minimale, e përshtatshme për momentumin që gjendet Kosova dhe rrethanat në të cilat gjendet sektori privat, kjo, më së miri do të ishte vendosë në takimin e Këshillit Ekonomiko Social, ku do të ishte udhëhequr, në fakt ligji e sheh që duhet të udhëhiqet nga ministri i Punës dhe Financave, aty do të ishin odat dhe sindikatat e pavarura”, deklaroi Rafuna për “Betimi për Drejtësi”.
Këshilli Ekonomiko-Social përbëhet nga pesë përfaqësues të punëtorëve (sindikatave), pesë përfaqësues të punëdhënëseve (odat ekonomike) dhe pesë zyrtarë që caktohen nga Qeveria.
Atdhe Hykolli, Kryetar i BSPK-së, tregon se ky këshill nuk është funksional nga marsi i vitit 2023.
“Por ne ende nuk kemi të fnksionalizuar Këshillin Ekonomiko Social. Pyetje: Pse nuk është funksional Këshilli Ekonomiko Social? “Për këtë duhet me pyetë partnerin ekonomiko social, Qeverinë e Kosovës, sepse ata janë të obliguar dhe është me ligj, qe t kemi Këshillin Ekonomiko Social, mirë po ata ende nuk e kanë qitë konkursin dhe ne jemi në pritje. Pritje çdo herë kur komunikojmë në atë kuptimin, me të shkruar, ne ende nuk kemi një përgjigje se përse nuk është konstituu këshilli ekonomiko social. Të kemi parasysh se pa një Këshill Ekonomiko Social, pa një dialog social, Kosova do ta ketë shumë problem të inkuadrohet në mekanizmat e Bashkimit Evropian. Në krejt botën, ne krejt Evropën, ne i kemi dialogun social ndërsa tek ne jo. Ne jemi si BSPK edhe pjesë e Këshillit Ekonomiko Social atje dhe marrim pjesë atje, ndërsa në Kosovë nuk kemi Këshill Ekonomiko Social. Thash është shumë e pa pranueshme dhe shumë e çuditshme pse nuk kemi këshill ekonomiko social kur kjo, ekziston edhe me ligj,”, thotë Hykolli.
Lulzim Rafuna, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës thotë se kërkesa e tyre ndaj qeverisë ka qenë që të konsultohen dhe që faza e tranzicioit të përgatitet nga ana e biznesit, që të implementohet sa më mirë në praktikë.
“Është thënë në mbledhje të qeverisë, paga minimale nga 1 tetori do të lirohet nga tatimi në të ardhura personale, ndërsa ne thuajse jemi në mes të muajit tetor dhe ende nuk e kemi plotësim ndryshimin i cili kalon në qeveri së pari, sepse është procedurë me kalu edhe në Kuvend pastaj që me u bë ndryshimi i tatimit në të ardhura personale. Dhe sot ti e ke një pagë të vendosur me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës ndërsa nuk është e liruar nga tatimi në të ardhura personale”, tregon Rafuna.
Vendimi për rritjen e pagës minimale konsiderohet i paligjshëm për mungesë të konsultimeve me Këshillin Ekonomiko-Social
Fakti që Qeveria nuk e konsultoi Këshillin Ekonomiko Social për ndryshimin e pagës minimale e bënë vendimin e paligjshëm.
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD, thotë se procedura për vendosjen e pagës minimale është bërë në kundërshtim me Ligjin të cilin vet Qeveria ka propozuar.
“Sepse, Ligji tregon që paga minimale përcaktohet në fund të çdo viti kalendarik në përputhje me propozimin e Këshillit Ekonomik dhe Social (KES). Në rast se KES-i nuk paraqet një propozim të tillë, Ministri i Financave, pas informimit të Këshillit Ekonomik dhe Social, ka mundësinë të paraqesë një propozim të ri për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Kjo procedurë është shmangur, sepse Këshill Ekonomiko Social nuk ka pasur të konstituuar me fajin dhe përgjegjësinë e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, ku që nga data 18 prill 2023 nuk ka KES të funksionalizuar Rrjedhimisht, vendimi i Qeverisë mund të konsiderohet i paligjshëm, pasi nuk respekton ligjin që vetë Qeveria e ka propozuar dhe që Kuvendi e ka miratuar. Për më tepër, shuma e propozuar prej 350 euro nuk është nënshtruar konsultimeve publike në Platformën Online të Konsultimeve Publike. Kjo mungesë e konsultimeve mund të cenojë transparencën dhe legjitimitetin e vendimeve të marra. Çdo ndryshim në politikën e pagës minimale ka ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qindra mijëra punëtorëve dhe stabilitetin ekonomik të vendit. Ndaj, procesi i vendimmarrjes duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i bazuar në analiza të hollësishme dhe konsultime të gjera me të gjitha palët e interesuara”, thotë Jakaj.
Atdhe Hykolli, Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se aktualisht po presin për të parë se çka do të ndodhë.
“Sepse nuk e di se cilën rrugë do të zgjedhin që partneri social të aplikoj këtë pagë minimale. Ne në fakt, nuk kemi bë ndonjë diçka ligjore, për shkak se nga 130 dhe 170 që është paga minimale, është një ndryshim, që të them shumë i vogël dhe sindikatat nuk e pranojnë sepse është shumë pak, por ne nuk kemi hy më tutje, por po bëjmë presion që të ulemi sa më shpejtë, ta bëjmë këshillin ekonomiko social dhe të diskutojmë shumë sinqerisht dhe të kemi një pagë minimale”.
Naim Jakaj thekson, se ashtu siç edhe është paracaktuar në vendimin për rritjen e pagës minimale, ekzekutimin e këtij vendimi duhet ta bëjnë institucionet vartëse të qeverisë, të cilat njëkohësisht bartin edhe pasojat e këtyre ndryshimeve.
“MEF, ATK, Inspektorati i punës kanë përgjegjësinë e zbatimit të këtij vendimi, veçanërisht ATK dhe Inspektorati i Punës. Se si do të minitorohet, zbatohet dhe cilat do të jenë rezultatet, pritet të shihet me 1 nëntor kur dalin pagat e reja”, thotë Jakaj.
Ministri i Financave thotë se është e ligjshme rritja e pagës minimale, kërkon të përditësohen kontratat
“Betimi për Drejtësi” ka provuar të marrë përgjigje nga Ministria e Financave për sfidat në zbatimin e vendimit për rritjen e pagës minimale. E vetmja mënyrë për t’i marrë këto përgjigje ishte pyetja e Ministrit të Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit, në konferencën për medie të mërkurën e 30 tetorit, pas mbledhjes së qeverisë.
“Gjithsesi, sa i përket buxhetit, ishte pyetja sa i përket autoriteteve kontraktuese, të gjitha autoritetet kontraktuese e kanë hapësirën e lëvizjes së buxheteve e sidomos tani në tre mujorin e fundit. Pra jo gjithmonë ekzekutohet i tërë buxheti në të gjitha programet pra mund të ketë lëvizje aty këtu, që mund të kompensojnë apo mbulojnë këtë ndryshim që mund të jetë minimal për një pjesë të kontratave në kuadër të buxhetit të tërësishëm të autoriteteve kontraktuese.
Pyetje: A e din sa është buxheti që bën diferencën?
Sado që të jetë, kjo varet dhe derivon nga vetë autoritetet kontraktuese të cilat pra, duhet të përshtasin buxhetet e tyre. Pra ne si Ministri e Financave nuk është se e kemi përmbledhur një shifër të tillë sepse as nuk i kemi informatat për kontratat që përmbajnë pra dispozita të tilla, shërbime të tilla në të gjithë sektorin publik”, ka deklaruar ministri Murati, pasi “Betimi për Drejtësi” i ishte drejtuar me pyetje direkte në konferencë për medie.
Sipas Muratit, vendimi për të rritur pagën minimale është veprim i ligjshëm.
Sipas tij, janë duke u ndërmarrë masa që kontratat në fuqi të përditësohen.
“Sa i përket pagës minimale ne si qeveri kemi marrë vendimin dhe vendimi është në kuadër të kornizës ligjore, pra bëhet pjesë përbërëse e kornizës ligjore që përcakton edhe pagën minimale por edhe është ngjashëm sikurse të gjitha vendimet tjera që bazohen apo derivojnë nga korniza ligjore. Në këtë aspekt pra do të duhej që edhe kontratat ekzistuese që janë, të reflektojnë ngjashëm siç ka ndodhë në të kaluarën kur ta zëmë ndryshon norma tatimore e TVSH-së, kemi pas praktikën e ngjashme kur ka ndryshuar nga 16 në 18% dhe është dashur të përditësohen kontratat, ngjashme do të duhej të ndodhte edhe kjo, me kontratat ekzistuese. Çfarë është e nevojshme dhe ne kemi diskutuar për këtë çështja, është që KRPP-ja, pra Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik të përditësoj rregulloren apo edhe sqarimet e tyre në mënyrë që t’u mundësohet autoriteteve kontraktuese të cilat kanë kontrata të tilla aktive pra që t’i përditësojnë. Por sa i përket pagës minimale, paga minimale është në fuqi dhe pra që nga tetori nuk guxon të ketë pagë nën vlerën 350 euro, përveç me orar të shkurtuar. Përndryshe u nënshtrohen dispozitave ligjore, ndëshkimeve ligjore që parashihen edhe me ligjin e punës”, ka deklaruar ministri Murati.
Osman Vishaj, Kryetar i Bordit të KRPP-së bëri të ditur se aktualisht është duke u bërë ndryshimi i Rregullores së Prokurimit Publik, dhe kjo çështja, ndryshimi i pagës minimale ose vendime të ngjashme të qeverisë, janë përfshirë në legjislacion, vetëm për të mënjanuar situata të ngjashme si kjo me të cilën po ballafaqohen bizneset si operator ekonomik në kontratat e nënshkruara me institucione të ndryshme për ofrime të shërbimeve.
“Është futë klauzola te neni 72 nëse nuk e gaboj, ku është ndryshimi i kontratës për ndryshim të çmimeve, është futë edhe kjo klauzolë”, ka deklaruar ai.
Pyetje: Në cilat raste lejohet ndryshim i kontratës?
Kur ka ndryshim të berzës, ndryshimet e çmimeve, ndryshimet e vendimeve të qeverisë, taksat tatimore, TVSH e ato, rrjedhimisht kontrata duhet me u modifiku, me u ndrshu. E kemi shtu edhe te paga minimale. Ky problem nuk ka me u shfaqë më”, ka thënë Vishaj, për “Betimi për Drejtësi”.