BETIMI PËR DREJTËSI

"Beteja" për pronën milionëshe në Veternik

Beteja për pronën në Veternik, deri tash Themelorja dhe Apeli kanë marrë 8 vendime

“Beteja” ligjore për pronën milionëshe në Veternik po vazhdon. Derisa ndërtimet po vazhdojnë, çështja lidhur me urdhrin për sekuestrim të përkohshëm ka shkuar sa në shkallë të parë, sa në shkallë të dytë. Protagonisti kryesor që dyshohet se pronën e fitoi me dokumente të falsifikuara ende gjendet në arrati, ndërsa i dyshuari tjetër si bashkëpunëtor i tij është arrestuar dhe dërguar në masën e arrestit shtëpiak.

Prona rreth 3 hektarëshe, për të cilën “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar më 13 shtator 2021, dhe kishte zhvilluar debat në emisionin “Tempus”, dyshohet se iu është marrë Nexhat dhe Gursel Sadikut përmes “mashtrimit” dhe dokumenteve të falsifikuara. Në kohën kur ekipi kishte hulumtuar për këtë rast, kjo ndërtesë ishte në themelet e saj, ndërsa tani kjo ndërtesë numëron plotë 9 kate.

Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht gjykatësja e procedurës paraprake, Edita Çanta, më 18 dhjetor 2022 do të lëshonte urdhrin për sekuestrim të përkohshëm.

“Është shumë interesante sepse urdhëresën e parë kur është lëshuar me datë 18.11. 2022, nuk është ekzekutuar siç ndodhë në të gjitha urdhëresat menjëherë pas lëshimit sepse ankesa nuk e ndalon ekzekutimin, mirëpo, është ekzekutu me  datën 25.11.2022. dhe atë pas presionit që e kemi bërë ne si palë të dëmtuara në Gjykatë, ku kemi kërkuar pse, sqarim nga gjyqtarja e procedurës paraprake, edhe nga prokurorja e çështjes se pse nuk është ekzekutu në terren urdhri të cilin e ka leshu gjyqtarja e procedurës paraprake”, ka thënë Saranda Keqekolla-Sadiku, avokate e Nexhat dhe Gursel Sadikut.

Vendosja e shiritave në këtë pronë, do ishte “beteja “ e parë ligjore, të cilët palët Sadiku do konsideronin se e kishin fituar. Por, kjo zgjati shumë pak. Për më shumë se një vit, Themelorja e Apeli do merrnin 8 vendime, por që asnjëri nuk vendosi në mënyrë meritore mbi propozimin për sekuestrimin e pronës dhe ndalimin e ndërtimit deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

Beteja ligjore për një urdhër të sekuestrimit që në kuptimin ligjor është masë e përkohshme është tejzgjatur, e që sipas palëve ka ndodhur për shkak të vendimeve kontradiktore të Gjykatës Themelore.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, konkretisht zonja Edita Çanta kishte nxjerrë urdhëresën për sekuestrim të përkohshëm me datë 18.11.2022. Dhe ketë urdhërese e kishte nxjerrë mbi bazën e  provave që kishte ofruar Prokuroria dhe kryesisht kishin qenë ekspertizat, e të cilat kanë qenë dy grafologjike nga eksperti i gjyqësor i licencuar dhe të cilat kishin konstatuar që dokumenti më të cilin zonja Zojë Hyseni është shpallur pronare, ka qenë dokument i falsifikuar edhe për nga nënshkrimi i personit përgjegjës që konsiderohet ose supozohet që ka nënshkru, por edhe vula e përdorur në këtë vendim ka qenë e falsifikuar”, ka thënë Florim Shefqet, po ashtu avokat i palëve Sadiku.

Por, përveç ekspertizës së bërë nga familja Sadiku, prokuroria nuk kishte kërkuar deri në vitin 2023, për të parë nëse dokumentet janë falsifikuar.

“Unë nuk di çfarë lloj ekspertize është po konsideroj se do duhej që prokurori do duhej që t’u urdhërojë një ekspertizë institucionale, që është zyrtare në kuadër të Institutit të Forenzikës, që aty të pastaj ai sqaron shumë çështje se a kemi të bëjmë ose nuk kemi të bëjmë me vepër penale që pastaj edhe e lehtëson punën e gjykatës për ta miratu kërkesën për të shqiptu këtë  masë”, ka thënë Fjezullah Hasani, profesor universitar dhe ish-Kryetari i Gjykatës Supreme.

Sipas tij,  nëse flitet se prona derivon nga një dokument i falsifikuar, atëherë  prokuroria s’do duhej të ndërmerrte asnjë hap në drejtim të paraqitjes së kërkesës për masë të përkohshme, vetëm nga baza e një ekspertize, të cilët ia kanë sjellë të dëmtuarit dhe që nuk është urdhëruar nga ana e institucioneve ë përkatëse.

Prokuroria ekspertizën e dokumentit “Resenje Broj”, e ka kërkuar tek më 29 gusht 2023, afër një vit pas fillimit të hetimeve për Ylber Hysenin, pasi dokumentet i ishin gjetur Afrim Gashit pas arrestimit të tij.

Deri në këtë kohe, që nga urdhri për sekuestrim ishin marrë 8 vendime.

Agjencia e Kosovës për Forenzikë, në një përgjigje më shkrim, ka bërë të ditur se dokumenti është ekzaminuar në shtator 2023 dhe i është dërguar prokurorisë.

Por ky ekzaminim i dërguar përmes Policisë së Kosovës, prokurorisë i është dërguar më 6 shkurt 2024, pra pas 4 muajve.

Policia e Kosovës, thotë se raporti i ekspertizës i është komunikuar gojarisht  prokurores së lëndës, ndërsa raporti me shkrim i është  dorëzuar pas një kohe së bashku me raportin mbi zbatimin e autorizimit në lidhje me veprimet hetimore të kryera.

“Betimi për Drejtësi”, ka arritur të sigurojë raportin e ekzaminimit të Forenizikës, i cili ka krahasuar disa mostra, por nuk ka arritur të sqarojë asnjë rrethanë.

“Nënshkrimet të rubrika “Sekretar”, në dy dokumentet e titulluara “Resenje” me numër të njejtë 461/61 të datës “7.viii.1961”, njëra është e printuar me teknikën e printimit Black toner laser  dhe tjetra me Colour toner  laser. Nënshkrimet në fjalë janë ekzaminuar mirëpo nuk mund të krahasohen me shkrimet në dëshminë EX#2 sepse nënshkrimet në EX#1 janë me karaktere ndërsa shkrimet në EX#2 përmbajnë shkronja.

Duke pasur parasysh këto rrethana në raport thuhet se nuk kanë arritur në ndonjë rezultat përfundimtar dhe rezultati është pa konkludim.


Thuhej se ishin në Arkiv, ende nuk dihet nëse ekzistojnë dokumentet origjinale të pronës në Veternik

Rreth tre hektarë tokë në Veternik, dyshohet se përmes legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit, iu është marrë palëve Nexhat dhe Gursel Sadiku, duke kaluar në emër tani të ndjerës Zojë Hyseni dhe më pas prona ka kaluar të djali i saj Ylber Hyseni, i cili edhe po hetohet.

Sa i përket dokumenteve origjinale, të cilat në aktgjykime thuhej se ekzistojnë në arkivat përkatës të Komunës së  Prishtinës, në nëntor 2023, Prokuroria kishte bërë kërkesë për gjetjen e këtyre dokumenteve në arkivin ndërkomunal të Prishtinës, por të cilat nuk janë gjetur.

“Nga evidencat dhe lëndët fizike që ky arkiv posedon për ruajtje nga FONDI: Sekretariati për Financa-Prishtinë (eksproprijim), ky dokumentacion dhe këto të dhëna të kërkuara nga ana e juaja nuk janë të ruajtura në Arkivin Nërkomunal  në Prishtinë)”, thuhej në përgjigjen e Arkivit për Prokurorinë.
Prokuroria më 8 shkurt 2024, kërkesën e njëjtë ia ka drejtuar Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Deri me tani, dokumentet e kërkuara nga Prokuroria në emër të Zojë Hysenit nuk janë gjetur.
Ekipi i “Betimi për Drejtësi”, ka hulumtuar gjithashtu në Arkivin e Kosovës, në librat e eksproprijimit por nuk ka arritur të gjejë dokumente të Zojë Hysenit.

Sidoqoftë, kjo iu mbetet zyrtarëve të arkivave që të hulumtojmë edhe më tej dhe të dalin me një përfundim nëse ekzistojnë apo jo dokumente të tilla dhe nëse është bërë ndonjëherë kërkesë nga Zojë Hyseni për marrjen dhe noterizimin e këtyre dokumenteve.

Në anën tjetër, ndaj urdhrit ndalues, më 29 nëntor 2022, ankesë kishte bërë pala e tretë, në këtë rast avokati Venhar Hana, që përfaqësonte Kompaninë ndërtuese “Lirimi & ACL”. Sipas ankesës së palës së tretë fillimisht Prokuroria dhe gjykata gabimisht i janë referuar veprës penale “uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, pasi pronarët në këtë pronë janë legjitim dhe posedojnë vendime të formës së prerë të gjykatës, me certifikata të pronësisë dhe leje ndërtimore.

Përfaqësuesi i kompanisë ndërtuese, në ankesë kishte përmendur të gjitha vendimet ku Zojë Hysenit i njihej e drejta e pronësisë dhe në anën tjetër refuzohej padia e palëve Sadiku. Andaj, sipas ankesës, lëshimi i urdhrit sekuestrues do i shkaktonte dëm kompanisë pasi nuk do mund t’i përmbushte detyrimet kontraktuale.

Kolegji shqyrtues, me Albina Shabani Rama, Kryetare e kolegjit dhe anëtaret Mentor Bajraktari dhe Sabit Sadikaj kishte vendosur që të anulojnë urdhrin për sekuestrimin e përkohshëm, duke e kthyer çështjen në rivendosje.

Kolegji i gjykatës, kishte arsyetuar se sekuestrimi i pronës së përshkruar në urdhër për sekuestrim është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurave penale pasi urdhëresa si e tillë është e paqartë dhe e pa-ekzekutueshme, ngase nuk kuptohet se ndaj kujt dhe për cilën vepër penale është bërë sekuestrimi i pronës si dhe mbi cilën bazë.

Sipas Kolegjit, nga shkresat e lëndës, shihet se Prokuroria Themelore ka nisur hetimet ndaj Ylber Hysenaj në drejtim të veprës penale “legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe veprës penale të “mashtrimit”, ndërkohë që parcela figuron në emër të disa personave por jo edhe në emër të dyshuarit Ylber Hysenaj. Dhe se atyre asnjëherë nuk iu është dorëzuar urdhri për sekuestrimin e pronës që të kenë mundësi t’i paraqesin kundërshtimet e tyre.

“Ky kolegj, në mënyrë të gabuar, kishte konstatuar që në këtë pronë ngastër nuk kishte pronë edhe i dyshuar Ylber Hyseni. Që kjo nuk qëndron, sepse nga vendimet tjera që ne duhet të shpalosim, ju mundni me pa qe edhe aktualisht pjesë e bashkimit të ngastrave gjendet një pronë, e cila është në emër të Ylber Hysenit tani më i pandehur dhe i kërkuar sipas informacionit tona me dhe arrest ndërkombëtar”, ka thënë Florim Shefqeti, avokat i palëve Sadiku.


Palët i konsiderojnë paradoksale arsyet e Themelores për refuzimin e sekuestrimit të pronës

“Beteja” ligjore për pronën milionëshe në Veternik lidhur me urdhrin për sekuestrim të përkohshëm ka shkuar sa në shkallë të parë, sa në shkallë të dytë. Kjo pronë dyshohet se përmes legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit, iu është marrë palëve Nexhat dhe Gursel Sadiku, duke kaluar në emër tani të ndjerës Zojë Hyseni dhe më pas prona ka kaluar të djali i saj Ylber Hyseni, i cili është në arrati.

Gjyqtare e procedurës paraprake, Edita Çanta pas kthimit të rastit për herë të parë në rivendosje, ka refuzuar kërkesën për sekuestrimin e parcelës në Veternik.

Sipas arsyetimit, edhe pas kërkesë së plotësuar të Prokurorisë nuk janë ofruar prova të mjaftueshme se prona e paluajtshme për të cilën është paraqitur kërkesa për sekuestrim mund të shërbejë si provë në procedurën penale.

Sipas përfaqësuesit të palëve Nexhat dhe Gursel Sadiku, avokati Florim Shefqeti, paradoksi qëndron se e njëjta gjyqtare kishte lëshuar urdhër arrest për Ylber Hysenin për po këto pretendime.
“Ndaj të pandehurit në këtë rast, e njëjta gjyqtare e kishte lëshuar urdhër arrest. në kohën kur e ka nxjerrën urdhëresën për sekuestrim, thashë pas këtij kthimit në rivendosje, ndonëse urdhër arresti i lëshuar ndaj të pandehurit në fuqi refuzohet kërkesa e prokurorisë për urdhër sekuestrues”, ka thënë ai.

Gazetarja: Pra, po thoni që kemi një anomali mes asaj që ka vepruar gjyqtarja…

“Absolutisht që ne ndoshta, jo që s’e kemi provuar në praktikë për shkak të kohëzgjatjes në profesion. Por s’e kemi dëgjuar më herët të ketë ndodhur. Mund të ketë ndodhur, por ne s’kemi dëgju diçka tjetër se i njëjti gjyqtar që lëshon në arrest për të pandehur e cakton urdhrin dhe pas kthimit në rivendosje e refuzon këtë urdhër. Atëherë, për neve del dhe në kuptimin që herën e parë kur është caktu ka pas prova më pak, ndërsa herën e dytë kishte më tepër prova”, ka shtuar ai.

Pas refuzimit të kërkesës për sekuestrim, Prokuroria dhe avokatët e palës së dëmtuar, ishin ankuar në Gjykatën e Apelit.

Shkalla e dytë, çështjen e kishte kthyer në rivendosje, duke konstatuar se shkalla e parë gabimisht kishte aplikuar dispozitat ligjore, pasi ekziston një provë materiale si dokumenti “Resenje Broj”, i cili dyshohet se është i falsifikuar dhe ka vend për dyshimin e veprave penale të pretenduara nga prokuroria.

Veç tjerash, thuhet se Gjykata e shkallës së parë, nuk e ka arsyetuar faktin se parcelat të cilat janë paraqitur për sekuestrim të përkohshëm, a kanë pasur ndërrim të subjekteve si pronar dhe se vendimi është kontradiktor.

Apeli, kishte kërkuar që shkalla e parë të evitojë shkeljet.

Edhe pas kthimit në rivendosje, gjykatësja Edita Çanta, refuzon kërkesën për sekuestrimin e përkohshëm të pronës,  mbi bazën e njëjtë.

Sipas gjykatës, pronat figurojnë në emër të personave të tretë dhe jo në emër të pandehurit Ylber Hysenaj, andaj konsideron që nuk janë plotësuar kushtet ligjore për sekuestrimin e parcelave.
“Për t’u sekuestruar një send, pasuri, duhet qe këto sende ose pasuri të përshkruhen se si mund të jenë prova të veprës penale, duhet të ekzistoje dyshimi i bazuar se e njëjta është përfituar me vepër penale, është mjet i kryerjes se veprës penale, dhe te dyshohet se është dobi pasurore e fituar me ane te kryerjes se veprës penale, qe mund të shërbejë si prove për kryerjen e veprës penale”, thuhej në vendim të gjykatës

Për herë të dytë, rasti do atakohej në Apel.

Në vendimin e 14 prillit 2023, Gjykata e Apelit, serish konstaton shkelje të shkallës së parë. Fillimisht, thuhet se gjyqtarja iu ka referuar Kodit të ri të Procedurës Penale, ndërsa veprimet i kishte marrë me Kodin e vjetër të Procedurës Penale.

Në rastin konkret, sipas Apelit do duhej të zbatoheshin dispozitat në fuqi.

Në një përgjigje zyrtare me shkrim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë thuhet se prokurorja e rastit Nebahate Salihut, ka vepruar sipas rekomandimeve të Apelit dhe kishte lëshuar urdhër të përkohshëm ndalues.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, nga prokuroria kishte kërkuar plotësimin dhe korrigjimin e kërkesës për urdhër përfundimtar, duke kërkuar që brenda tre ditësh, gjykatës t’i dërgohen dëshmitë se a i është dorëzuar të gjitha palëve që kanë interes për këtë pronë, kërkesa për urdhër ndalues përfundimtar.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, thotë se më 1 qershor 2023, ka njoftuar gjykatën se palët janë njoftuar me postë, duke ia bashkangjitur kopjen e regjistrit të Prokurorisë.

Prokuroria thotë ka njoftuar të pandehurin, palën ankuese dhe avokatin Venhar Hana si përfaqësues i subjektit juridik “Lirimi&ACL” shpk dhe përfaqësues i të gjithë bashkëpronarëve të ngastrës në fjalë.
Gjykata Themelore për herë të tretë refuzon kërkesën për urdhër ndalues përfundimtar. Vendim i marrë më 19 qershor 2023, kësaj here nga gjykatësi Adnan Kamberi, vlerëson se prokurorja nuk ka cekur në detaje dhe në mënyrë të saktë se në emër të kujt janë të evidentuara këto prona, kush është pronar apo kush ka interes juridik në këto pasuri/paluajtshmëri.

“Ne e kemi thënë edhe në ankesë, si e din gjykata se kush janë personat të interesuar dhe ne nuk kemi marrë përgjigje”, ka thënë avokati Shefqeti.

Profesori universitar Fejzullah Hasani, njëherësh ish-kryetari i Gjykatës Supreme, thotë se gjykata duhet të jetë e kujdesshme kur lëshon urdhrin përfundimtar, pasi ky urdhër ka pasoja për palët e përfshira.

“Meqenëse shkaktohen dame të mëdha të personave ndoshta edhe pa bazë duhet me qenë shumë i vëmendshëm, i kujdesshëm, gjykata kur të aplikon këto masë duhet të ekzistojë një besueshmëri e lartë e provave që vërtet ajo pasuri është përfitu me vepër penale. Nuk do duhej të ndodhte, as nuk do duhej të praktikohej që me një supozim ose me një hamendësim, gjykata ta aprovojë këtë masë, se ju thashë mund të shkaktojë dame të mëdha, mund të shkaktojë probleme investime, mund pastaj shteti të marrë mbi vete rrezikun për të pagu detyrime për shkak të dameve që i shkakton palëve në procedurë”, ka thënë ai.

Për kërkesën për sekuestrimin e përkohshëm,  për herë të pestë do vendos Gjykata Themelore në Prishtinë.


Arsenal armësh e qindra dosje i ishin gjetur të arrestuarit Afrim Gashi

Prona rreth 3 hektarësh në Veternik, dyshohet se përmes legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit, iu është marrë palëve Nexhat dhe Gursel Sadiku, duke kaluar në emër tani të ndjerës Zojë Hyseni dhe më pas prona ka kaluar të djali i saj Ylber Hyseni, i cili është i dyshuari kryesor në ketë rast dhe gjendet në arrati.

Ndërkohë, më 25 gusht 2023 Policia kishte arrestuar Afrim Gashin, i dyshuar si bashkëpunëtori kryesor i Ylber Hysenit për dallavere me këtë pronë.

Gashit, policia i kishte gjetur: katër pushkë ajrore, një pistoletë, dy pistoleta me gaz, 1 karikator dhe mbi 50 fishekë.

Rreth 450 dosje me dokumente të ndryshme që lidhen me prona si; Aktgjykime, fletë poseduese, autorizime, kopje të planeve, harta, padi, fletëpagesa e  dokumente tjera edhe në gjuhë serbe.

Veç këtyre, të dyshuarit Gashi i janë gjetur afër 6 mijë euro para të gatshme, dhe valuta tjera. Më 29 gusht, Prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e gjitha këtyre, përfshirë edhe telefon e laptopë.
Një ditë pas arrestimit, Prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgimit. Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, duke i caktuar vetëm masën e arrestit shtëpiak.

Afrim Gashi, dyshohet se në bashkëkryerje me Hysenin kanë kryer veprën penale të “Mashtrimit” dhe “Legalizimit të përmbajtjes së rreme”.

Gashi me të dyshuarin Hyseni, thuhet se kanë parcelizuar dhe më pas kanë filluar shitjen dhe tjetërsimin e parcelave.

Prokuroria kishte arsyetuar se me lënien e të dyshuarit në liri, ekziston rreziku i arratisjes, rreziku i ndryshimit të provave apo ndikimit tek të dëmtuarit apo dëshmitarët. Për më tepër, thuhet se sipas databazës së Policisë së Kosovës, i dyshuari Gashi është recidivist pasi edhe në të kaluarën ka kryer veprat penale të mashtrimit dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.

Mbrojta e Gashit, avokatja Kosovare Kelmendi, kishte kundërshtuar kërkesën me arsyetimin se kërkesa dhe aktvendimi për zgjerimin e hetimeve janë kontradiktore.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, Naime Krasniqi-Jashanica, kishte vlerësuar se caktimi i masës alternative, në këtë rast arresti shtëpiak, është i mjaftueshëm për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale dhe nuk paraqet rrezik për përsëritjen e veprave penale për të cilën dyshohet.
Sipas hetimit të Prokurorisë, Gashi ka shitur 22 parcela, prej të cilave ka përfituar  mbi 5 milionë euro, prej tyre veç për 340 mijë ka dëshmi se kanë kaluar në llogari të Ylber Hysenit.

“Duke i parë transferet bankare të cilat i ka bërë Afrim Gashi, ku në bazë të kërkesës për caktimin e paraburgimit shihet se i njëjti që nga viti 2020, ka realizuar qarkullim bankar diku 5 milionë euro dhe vetëm 340 mijë euro ia ka transferuar të dyshuarit tjetër Ylber Hyseni. Të gjitha tjerat nuk dihet se ka kanë shku. Dhe pikërisht kjo e ka bërë akoma me të bazuar se si për 5 milionë euro qarkullim bankar, se si për një pronë milionëshe i dyshuari do të mund të themi i dyshuari kryesor për parcelën 1743, të lihet ne arrest shtëpiak, kjo do të thotë nuk e plotëson as minimumin e masës të cilën e parasheh Kodi i procedurës penale”, ka thënë Saranda Keqekolla-Sadiku, avokate e Nexhat dhe Gursel Sadikut
Një ditë pas caktimit të arrestit shtëpiak për Afrim Gashin, më 28 gusht 2023,Gjykata e Apelit, ka kthyer për herë të tretë rastin në rivendosje çështjen e sekuestrimit të pronës.

Apeli vlerëson sërish se vendimi i shkallës së parë është kontradiktor me arsyetimin e  vendimit dhe ka shkelje me dispozitat ligjore të KPPRK-së.

Sipas Apelit, kërkesa e prokurorisë është refuzuar për arsye formale dhe nuk ka vendosur për besueshmërinë e kërkesës dhe si i tillë është i paqëndrueshëm.

Kolegji i Apelit, vlerëson se aktvendimi i Themelores, nuk është arsyetuar fare ndërlidhur më bazën ligjore mbi të cilën është marrë aktvendimi.

Shkalla e dytë, i rekomandon shkallës së parë që të vlerësoj përpjekjet e prokurorisë që kërkesën ta dërgoj tek të gjitha palët, të vlerësoj kërkesën e prokurorisë lidhur me masën eventuale të përkohshme dhe pastaj të merr vendim bazuar në dispozitat përkatëse të KPPRK-së.

Më 30 tetor 2023, Gjykata e Shkallës së parë refuzon për herë të katërt kërkesën për sekuestrim të pronës.

Arsyetimi i gjykatës, nuk dallon shumë nga tre arsyetimet tjera.

Sipas gjykatës, pasuria e specifikuar në kërkesë nuk i plotëson kushtet ligjore për tu lëshuar urdhri ndalues përfundimtar.

“Kushti tjetër që prokuroria e shteti nuk e ka përshkruar domosdoshmërinë e urdhrit ndalues dhe dyshimin e bazuar se pasuria është pasuri e specifikuar, ngase sipas provave që gjenden në shkresat e lëndës, këto prona janë në pronësi të personave të tretë dhe jo në emër të te dyshuarve Ylber Hyseni”, thuhet në një pikë të arsyetimit.

Veç kësaj, sipas gjykatës prokuroria nuk ka arritur të bindë gjykatën se prona që po kërkohet urdhri ndalues është një formë ose tjetër derivat i veprës penale. Si dhe sërish, gjykata thekson se prokuroria nuk ka specifikuar në mënyrë të saktë se kush janë pronarët e ngastrave.

“Për me marrë ju përgjigjen, mundeni  vetë me pa në kërkesë, në vendimin e vetë gjykatës ku vetë gjykata i përmend kush janë pronarët. Si i diti gjykata se kush janë pronarë nëse s’i ka marrë me kërkesë të Prokurorisë? Absolutisht që nuk qëndron ai konstatim i gjykatës për secilën pronë”, ka thënë avokati i palëve Sadiku, Florim Shefqeti.

“Prokuroria ka disponuar me informata të cilat i ka siguruar nga zyra e Kadastrit të komunës së Prishtinës dhe kanë qenë të saktësuara siç i ka ofruar Komuna që besoj që i ka informatat më të sakta sepse të gjitha ndryshimet janë bërë në Kadastër”, thotë në anën tjetër, Keqekolla-Sadiku.

Vetë prokuroria në përgjigjen dhënë për “Betimi për Drejtësi” thotë se vendimi i gjykatës është i paqëndrueshëm dhe i paarsyeshëm.

Gjyqtarja e rastit, ka refuzuar të përgjigjet në lidhje me vendimet për këtë pronë, duke thënë se rasti është në procedurë paraprake dhe se aktualisht gjendet në Apel.

As përfaqësuesi i palëve të treta, avokati Venhar Hana, i cili sipas vendimit për leje ndërtimore është bërë edhe bashkëpronar në këtë pronë nuk i është përgjigjur ftesës për intervistim.


Hasani e quan paradoks në vete faktin se ka arrest shtëpiak ndaj të dyshuarit dhe s’ka urdhër për sekuestrim përfundimtar të pronës

Mbajtja e Afrim Gashit në arrest shtëpiak dhe moslëshimi i urdhrit sekuestrues përfundimtar, sipas profesorit Fejzullah Hasani, përmban një paradoks në vete.

“Pak a shumë është kontradiktore, në atë kuptimin që edhe të masa për sigurimin e të pandehurit edhe atje duhet të ekzistojë një dyshim i bazuar se ka kryer vepër penale. Edhe për bindjen time është bajagi e paqartë të thuash këtu se nuk ekziston dyshimi i bazuar që ka kryer veprën penale, ndërsa atje të thuash që nuk ekziston dyshimi i bazuar se dhe njëra edhe tjetra nuk mund të shqiptohen pa ekzistu dyshimi i bazuar. Sido që të jetë është paradoksale, unë besoj që kemi të bëjmë më dy gjyqtarë të ndryshëm”, ka thënë ai.

Afrim Gashi, u arrestua më dyshimin për mashtrim dhe legalizim të përmbajtjes së rreme, në rastin kur e ndjera Zojë Hyesni kishte fituar në gjykatë rreth 9 hektarë tokë në Veternik, në mesin e tyre edhe rreth 3 hektarë për të cilët Nexhat dhe Gursel Sadiku pretendojnë që janë pronar. I dyshuari kryesor në këtë rast është Ylber Hyseni, djali i Zojë Hysenit dhe gjendet në arrati.

Ndonëse bëhet fjalë për rastin e njëjtë, rasti i Afrim Gashit ka marrë numër tjetër në Gjykatë, dhe jo numrin të cilin e ka lënda e Ylber Hysenit, edhe pse të dy janë të dyshuar për mashtrimet për pronën në Veternik.

Më 13 tetor 2023, prokurorja e rastit kishte bërë kërkesë tek gjyqtarja e Procedurës Paraprake Edita Çanta, për bashkimin e lëndëve. Gjykatësja Çanta, kishte njoftuar prokuroren se bashkimin e procedurës deri në ngritjen e aktakuzës është kompetente ta bëjë prokuroria duke iu referuar nenit 34, pika 9 të Kodit të Procedurës Penale.

Kjo lëndë vazhdon të jetë e ndarë, ndërsa kërkesa për bashkim të procedurës, nuk i është drejtuar as kryetares së Gjykatës.

Në anën tjetër çështja e sekuestrimit për herë të katërt shkon në Apel.

Gjykata e Apelit, më 18 dhjetor 2023, për herë të katër ka kthyer çështjen në rivendosje. Apeli edhe njëherë ka konstatuar se vendimi i Themelores është i paqëndrueshëm dhe kontradiktor, dhe se shkalla e parë nuk ka vendosur për besueshmërinë e kërkesës por e ka refuzuar për arsye formale. Vendimi thuhet se nuk është arsyetuar fare ndërlidhur me bazën ligjore, pasi flet për mos specifikim në mënyrë të saktë të personave që kanë interes në këtë pronë. Sipas Apelit, nga shkresat e lëndës rrjedh dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer veprat penale. Gjithashtu, thotë se palët e treta nuk e kanë ditur dhe as kanë mundur ta dinë që kjo pronë mund të jetë derivat i veprës penale.

“Ecja, shëtitja  unë nuk e kuptoj pse mund të ndodhë te masa e përkohshme gjithë kjo shkurje, ardhje ose prishje, kthyere sepse  këtu në Gjykatë të Apelit mund ta shoh në vendimin e parë, në ankimimin e parë mund ta shoh se a ekziston a është plotësu ai kriteri ligjor që kërkohet ose kërkesa ligjore që të ekzistojë një besueshmëri në prova që kjo pasuri mund të jetë e përfituar me nevojë penale dhe ai ka të drejtën, ka mandatin e Gjykatës të Apelit, ka të drejtën në Gjykatë të Apelit që o ta ndryshojë o ta vërtetojë masën ose ta ndryshojë o ta heqë masën e përkohshme nëse nuk janë ofru nga ana e prokurorit prova të besueshme se pasuria mund të jetë përfitu me vërë penale. Kështu që, kthyrja  ose loja e pingpongut, kthyerja për masë të përkohshme disa herë në Gjykatën Themelore vërtet është për mua është e pakuptueshme pse”, ka thënë Hasani.

Ai tha se kjo edhe te palët dhe opinioni krijon mosbesimi, se njëra gjykatë nuk ka të drejtë.

“Nëse vazhdon kështu vetëm për masë të përkohshme, domethënë nuk i shihet fundi”, ka thënë ai.
Në lidhje me kthimin e shpeshtë në rivendosje ketë rast, Gjykata e Apelit në një përgjigje me shkrim ka theksuar se kolegjet gjykuese kur kanë të bëjnë me masa të sigurisë, në rastin konkret lidhur me urdhrin përfundimtar sekuestrues, vendosë varësisht prej rastit dhe provave që gjendjen në shkresat e lëndës.

Sipas Apelit, kolegji gjykues vendos sipas bindjes së tyre të lirë mbi gjendjen faktike duke shtuar se jo çdo kthim në rivendosje dëmton palët, pasi duhet të evitohen shkeljet e bëra.

“Përndryshe ju njoftojmë se në bazë të të dhënave zyrtare të cilat disponojmë rezulton se Gjykata e Apelit, brenda periudhës së vitit 2023, në rigjykim ka kthyer vetëm 12.47 % të rasteve”, thuhet në përgjigje.


Kush është Afrim Gashi që dyshohet për mashtrime dhe falsifikime me pronën në Veternik

Përderisa, Gjykata Themelore refuzon kërkesën për sekuestrimin e pronës me arsyetimin se nuk ka dyshim të bazuar se është derivat i veprës penale, Afrim Gashi vazhdon të mbetët nën masën e arrestit shtëpiak, pikërisht me dyshimin e bazuar se me vepër penale në bashkëkryerje e kanë fituar këtë pronë.

Por kush është Afrim Gashi dhe pse kishte autorizim për të gjitha shitblerjet e kësaj prone?

Sipas të dhënave të siguruara nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Afrim Gashi bashkë me tre persona tjerë, ka edhe një aktakuzë aktive qysh nga viti 2008.

Gashi akuzohet se në bashkëkryerje kishin vënë në lajthitje Gjykatën Komunale në Prishtinë duke falsifikuar një dëftese se kinse kanë pranuar 300 mijë euro nga e dëmtuara A.S dhe një autorizim të cilën kinse e kanë vërtetuar në Nish, Këtë dokumentacion të falsifikuar e kishin përdorur në një rast gjyqësor pikërisht për  një pronë. Për këtë, Gashi dhe tre të tjerë po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”.

Gashi, po në aktakuzë akuzohet serish për “legalizim të përmbajtës së pavërtetë”, pasi kishte venë në lajthitje gjykatën komunale duke prezantuar një certifikatë dhe kopje të planit të pavërtetë.

Sipas përgjigjes së Gjykatës, lënda është ende në procedurë dhe se seanca është caktuar të mbahet në prill 2024. Veç këtyre, Prokuroria në kërkesën për paraburgim, kishte cekur se sipas të dhënave nga Policia, Gashi ka katër vepra penale të mashtrimit, 3 vepra penale të falsifikimit të dokumenteve dhe vepra tjera penale.

“Afrim Gashi është një person që flitet se ka lidhshmëri me shumë persona që kanë ndikim në sistem të drejtësisë, qoftë në prokurori apo Polici. Sipas hetimeve që janë zhvillu në prokurori të shtetit lidhja e Afrim Gashit, me Ylber Hysenin do të thotë ka filluar në bazë të hetimeve që nga momenti kur Ylber Hyseni është shpallë si trashëgimtar ligjor i parcelës 1743, trashëgimtar ligjor i nënës së tij,  Zojë Hyseni ku si dëshmitarë ka qenë Afrim Gashi me bashkëshorten e tij, Melihate Gashi”, ka thënë avokatja e palëve Sadiku, Saranda Keqekolla-Sadiku.

“Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të marrë në intervistë edhe avokaten e Gashit, Kosovare Kelmendin, por në një përgjigje me shkrim ajo ka thënë se me marrëveshje me te njëjtin, ka revokuar autorizimin për të qene me tutje mbrojtëse e tij.

Mirëpo, nga gjykata thonë se ende nuk kanë pranuar revokim të autorizimit.

Autorizimi për Afrim Gashin nga Ylber Hyseni do të fillonte qysh kur lënda për vërtetim të pronësisë ishte ende në Gjykatë. Hyseni pronën në shkallë të parë e kishte fituar më 14 shtator 2015, ndërsa vendimi ishte bërë i plotfuqishëm më 22 gusht 2019.

“Betimi për Drejtësi”, ka siguruar një parakontratë të lidhur më 24 gusht 2015 tek noterja Valdete Ademi mes Afrim Gashit si i autorizuar dhe S.M si blerës.

Ajo çfarë le pikëpyetje në këtë parakontratë është fakti se thuhet se “Pronarja Zojë Hyseni e cila përfaqësohet nga djali i saj Ylber Hyseni, i cili përfaqësohet në bazë të autorizimit nga Afrim Gashi. Në këtë parakontratë nuk tregohet nëse vetë Ylber Hyseni kishte autorizim nga nëna e tij për të marrë veprime në lidhje me këtë pronë, pasi ligji njeh autorizimin dhe jo përfaqësimin.

Sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, neni 72 parasheh përfaqësimin me autorizim. Ndërsa në neni 74 thuhet se “përfaqësuesi nuk mund të bëjë bartjen e autorizimeve ta veta në tjetrin, përveç nëse kjo i është lejuar me ligi ose me kontratë.

Për këtë, “Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar intervistë me noteren Valdete Ademi, por ajo ka refuzuar të përgjigjet

Tutje, sipas të dhënave të siguruara del se po kjo notere kishte noterizuar edhe dokumentin “Resenje Broj”, që palët pretendojnë së është i falsifikuar dhe dokumentet tjera në këtë rast.

Për këtë, avokatët hedhin dyshime për lidhje familjare mes të dyshuarave dhe noteres.

“Në bazë të hulumtimeve që janë bërë në Internet, shifet se noterja Valdete Ademi ka shoqëri të ngushta me Melihate Gashin, bashkëshorten e Afrim Gashit. Dhe lindje pyetja, tash lindë dyshimi se akoma mbetet për tu hetuar se me të vërtetë Ylber Hyseni e ka posedu dokumentin origjinal kur e ka noterizu të noterja apo kjo është bërë për shkak të shoqërisë?”, ka thënë avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku.

Në lidhje me ketë,  “Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të kontaktojë edhe me bashkëshorten e Afrim Gashit, por deri në publikimin e këtij emisioni nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkaq, ekipi ka siguruar deklaratën e noteres Ademi dhënë në Polici, ku kishte thënë se me përgjegjësi të plotë deklaron se i është prezantuar vendimi origjinal pasi që nuk vërteton dokumente pa e pasur dokumentin origjinal.  Ndërsa, kishte thënë se nuk i njeh as Ylber Hysenin e as Afrim Gashin.

Palët Sadiku kanë ushtruar kallëzim penale ndaj noteres Valdete Ademit për keqpërdorim të pozitës zyrtare.


Mbi 5 milionë qarkullim bankar, palët hedhin dyshime pse vetëm 350 mijë euro i kaluan pronarit legjitim

Duke qenë se Ylber Hyseni, konsiderohet pronar i ligjshëm i pronës në Veternik, avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku hedh dyshime në faktin se pse nga gjithë ai qarkullim i parave, vetëm 350 mijë euro kaluan në llogarit të tij?

“Sipas një logjike sepse autorizimi nënkupton që me kry punë në emër dhe llogari të dikujt tjetër do të thotë sipas analizës dhe në mënyrë të rregullt të gjitha të hollat do duhej të kalonin në emër të Ylber Hysenit sepse pronari legjitim tani po llogaritet që është Ylber Hyseni. Qysh është pronar legjitim? Është procedurë në hetime qysh ka arritur të bëhet”, ka thënë ajo.

Në këtë pronë tashmë janë bërë disa pronarë. “Betimi për Drejtësi”, ka arritur të sigurojë dëshmitë e dhëna në Polici të disa prej blerësve të kësaj prone.

Një prej blerëseve, SH.K kishte dëshmuar se është hera e dytë që blenë këtë pronë. Hera e parë ata thonë ta kenë blerë prej familjes Sadiku qysh në vitin 2000.

“Jo nuk është paraqitur askush për te na penguar apo diçka te ngjashme ne lidhje me pronën tone, ne çdoherë kemi paguar tatim dhe tek në fundin e vitit 2020 ne komune e kemi pare se prona figuronte ne emrin e Ylber Hysenit qe ne pastaj jemi interesuar dhe kemi rene ne kontakt me të jemi takuar kemi folur dhe jemi marrur vesh qe brenda murit te oborrit qe i ka pasur rreth 17.5 ari ne ti mbajmë për vete vetëm 9.02 ari ndërsa pjesen tjetër ta merrte Ylberi dhe pagesa për këto 9.02 ari ka qene 21..900 euro ku dhe e kemi kontratën tek noteri”, thuhet në deklaratën e dhënë në Polici.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar me të, por ai nuk ka dashur të flas më shumë duke thënë se janë dëmtuar dy herë.

“Unë jam i dëmtuar prej dy palëve, na e këna ble edhe prej atyre edhe prej atyre kështu që na nuk jemi palë në kontest. Kemi kaluar në një periudhë që u kanë bajagi, e vështirë, u kanë edhe e ranë për neve se qatu këna banu, d.m.th jena kanë katër familje nuk e kemi ditë as çka po bohet”, ka thënë Sh.K.


Zyrtari policor raportohet në Inspektorat, ai është bashkëpronar në pronën në Veternik

Për zvarritjet në këtë rast, avokatët e palës së dëmtuar, qysh në fillim kishin hedhur dyshime se po bëhej pasi në këtë pronë kanë hyrë emra të fuqishëm.

Njëri nga pronaret e përmendur në këtë rast, është edhe zyrtari policor Nevruz Hasani për të cilin palët pretendojnë që është i përfshirë në veprimet kriminale për këtë pronë. Zyrtarin policor Nexhat dhe Gursel Sadiku në nëntor 2023 e kanë denoncuar edhe në Inspektorat Policor, denoncim të cilin e kanë plotësuar më 26 shkurt 2024.

Sipas denoncimit thuhet se Hasani tashmë është pronar në pronën në Veternik dhe dy prona në Mati 1, në të cilën në njërën prej tyre ishte po ashtu Afrim Gashi si i autorizuar për shitje.

Veç, kësaj, palët kanë cekur edhe deklaratën e zyrtarit Hasani dhënë në polici, duke thënë se parat për pronën në Veternik, i kishte siguruar nga shitja e një lokali në rrugën C dhe pas blerjes së pronës, ai i kishte shitur një garazh gjithashtu në Rrugen C, Ylber Hysenit.

Në këtë denoncim ata hedhin dyshime për shpëlarje të parave, duke kërkuar të hetohet origjina e parave të tij, shoqëria sipas tyre më Afrim Gashin, etj.

IPK, nuk ka kthyer përgjigje nëse ka nisur hetimet mbi këtë denoncim.

Nevruz Hasani për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se këtë pronë e ka blerë në mënyrë të rregullt.

“Dëgjo unë e kam blerë atë në mënyrë legjitime, konform kushteve të tregut, edhe e kam regjistru krejt në mënyrë të rregullt, me djersë teme e kam ble. Çka kam me thanë unë ma tepër”, ka thënë ai.
Ai deklaratat e palës së dëmtuar i ka quajtur të anshme dhe subjektive, duke thënë se është në dorë të organeve të shtetit për të vërtetuar dyshimet në lidhje me këtë pronë. Teksa thotë se ka bërë padi për fyerje dhe shpifje ndaj avokates Keqekolla-Sadiku për deklaratat e dhëna në emisionin “Tempus”.
Në lidhje me çmimin e shitjes së këtyre parcelave, avokatët e palës së dëmtuar thonë se është shitur shumëfish më lirë se çmimi real.

Pronari i kompanisë ndërtuese në këtë pronë, ka thënë se të gjitha faktet janë në gjykatë dhe se puna e tyre është legjitime.

“Të gjitha informatat janë sqaruar nuk kam çfarë të shtoj, informatat janë të qarta, informatat janë ligjore d.m.th., ato çka i keni dëgju ju përmes televizionit të njëjtat informata nuk kemi çfarë të shtojmë më shumë”, ka thënë pronari i kompanisë ndërtuese, Hysen Haxha.

Dëmi po konsiderohet i madh, ndërsa Themelorja do vendos për herë të pestë nëse përfundimisht do urdhëroj sekuestrimin apo jo të kësaj prone.

“Pikërisht, kjo është çudia ma e madhe, kërkesa për urdhër të përkohshëm, kur dyshohet se ka vepër penale, siç është rasti konkret qiten shiritat dhe nuk lejohet që dëmi me u bo ma i madh. Në rastin konkret lind dyshimi se vetë gjykata duke e zvarritur lëndën në shkallë të parë në shkallë të dytë po e lejon që problemi të bëhet ma i madh, investimet në pronë te tejkalojnë vlerën e pronës”, ka thënë avokatja e Saranda Keqekolla-Sadiku.

“Sigurisht që kjo zvarritje ka me prodhu pasoja të dëmshme varësisht nga procesi penal ose nëse eventualisht fundi rezulton se prona derivon nga një veprim kriminal dhe vendoset me vendim formës prerë. Çdo gjë do të kthehet në zero. Pastaj, gjithë ato investime të këtyre njerëzve, ato kanë një kosto të lartë që është problem të rikuperohen”, është shprehur profesori Fejzullah Hasani.