“Betimi për Drejtësi” ju sjell hulumtimin për një mal pretendimesh për vepra penale të ish-administratores së Gjykatës në Gjilan ndaj kryetarit të gjykatës.
Si institucioni ku rëndom zgjidhen kontestet gjyqësore u bë shkak që të lindin vet ato?
Si u punësua Florina Jerliu si administratore në Gjykatën e Gjilanit?
Si pas shtatë vitesh të një ping-pongu me këtë lëndë të punësimit, konkursi u anulua përfundimisht?
Si Jerliu pati konflikte me ish-kryetarin e Gjykatës, Ramiz Azizi?
Si Azizi thotë se e toleroi Jerliun për shkak të lidhjeve familjare?
Si kulmuan konfliktet me kryetarin aktual të gjykatës Venhar Salihun?
Cilat janë akuzat e Jerliut ndaj Salihut?
Çfarë shkruan në ditarin e Florina Jerliut?
A pati ngacmime seksuale, keqtrajtim në vendin e punës e keqpërdorim të detyrës zyrtare?
Çka dëshmojnë audio-incizimet në raportet kryetar i Gjykatës-administratore?
A pati ndikim dhe frikësim edhe përmes shefit të AKI-së, Petrit Ajeti?
Si përfshihet në gjithë këtë ngjarje bashkëshorti i Florina Jerliut?
Çka thonë në Prokurorinë Speciale për gjithë këto pretendime?
Për këto dhe të tjera ndiqeni emisionin “Betimi për Drejtësi”, i cili transmetohet çdo të shtunë nga ora 20:00, në KTV, TV Arta dhe “Betimi për Drejtësi”.
Akuzat mes ish-administratores dhe kryetarit të gjykatës u bënë subjekt i hetimeve të PSRK-së
Institucioni në të cilin rëndom zgjidhen kontestet gjyqësore, në rastin e Gjykatës Themelore në Gjilan në fakt u bë shkak që të lindin vetë ato.
Mjaftuan shtatë vjet punësim nga viti 2016 deri më 2023 për ish-administratoren e kësaj gjykate, Florina Jerliu, që të krijoheshin një mori e problemeve.
Ato u bënë edhe subjekt i hetimit të Prokurorisë Speciale.
Dyshimet u ngritën fillimisht për mënyrën se si Jerliu, pretendohet se pa i plotësuar kriteret e nevojshme, ishte punësuar si administratore e Gjykatës Themelore në Gjilan, për çka kishte pasur ankesa për shkelje të konkursit nga kandidatët.
Si Jerliu pati konflikte me ish-kryetarin e Gjykatës, Ramiz Azizi, e i cili thotë se e toleroi atë për shkak të lidhjeve familjare.

E si më pas avazi i konflikteve nuk përfundoi me largimin e Azizit, por vazhdoi dhe kulmoi me kryetarin aktual të Gjykatës, Venhar Salihun.
Sipas Jerliut, problemet me Salihun kishin filluar kohë më parë, kur ajo ia kishte ndërruar zyrën, siç thotë ajo, “dashnores” së Salihut, të cilin me pas e ka akuzuar edhe për ngacmim seksual, për keqtrajtim në vendin e punës, për ndikim dhe për frikësim edhe përmes shefit të AKI-së, Petrit Ajeti.
Jerliu e akuzon kryetarin Salihu për përfshirje në një rast të ndërhyrjes në sistemin elektronik të gjykatës SMIL. Akuzat nuk ndalen me kaq nga Florina Jerliu dhe bashkëshorti i saj, Avdyli, por për këto pretendime mungojnë provat e prekshme dhe dëshmitë, për të cilat pretendime ka zhvilluar hetim edhe Prokuroria Speciale, e cila ka hudhur poshtë të gjitha pretendimet në rrafshin penal.
Të gjitha këto pretendime, për Kryetarin Venhar Salihu, ish-Kryetarin Ramiz Azizi dhe zyrtarët e tjerë të apostrofuar të gjykatës, janë trillime e shpifje të Florina Jerliut, përmes të cilave, sipas tyre, ajo ka synuar të arsyetojë dështimet e saj në menaxhimin e administratës në gjykatë.
Për të gjitha këto pretendime, “Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar tash e gjashtë muaj dhe në këtë emision paraqet gjetjet dhe pretendimet e të gjitha palëve të përfshira në këtë konfrontim të ish-administratores Jerliu me dy kryetarët e Gjykatës.
Më 14 prill 2016, Gjykata Themelore në Gjilan lëshoi njoftimin se në konkursin për administrator të kësaj Gjykate, fituese doli Florina Jerliu.
Gjykata e Gjilanit aso kohe drejtohej nga Kryetari Zyhdi Haziri.
Procesi që e solli Jerliun në pozitën e administratores së Gjykatës së Gjilanit u kontestua vazhdimisht. Herë në Gjykatë e herë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyes Civil. Përfundimisht, pas shtatë vitesh, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyes Civil më 18 prill 2023 morri vendim për të anuluar këtë proces. Rrjedhimisht, edhe akt emërimin e Jerliut.
Ish-kryetari i gjykatës pranon se i dha vlerësim maksimal administratores shkaku i lidhjes familjare
Fillimisht, “Betimi për Drejtësi” ka gjetur se ish-administratorja Florina Jerliu nuk kishte pasur raporte të mira me ish-kryetarin e Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi.
Për problemet me Azizin, Jerliu i kishte shkruar letër edhe ish-kryesuesit të KGjK, Nehat Idrizi, duke pretenduar për dhunë psikologjike.
Në këtë letër për Azizin, Jerliu theksonte për të se “më ka vendosur presion prej ditës së parë që ka ardhur duke më shantazhuar në çdo formë. Ky Kryetar z. Ramiz Azizi është hera e tretë që më ka bërë për terapi psikiatrike, është i pa skrupullt në fjalor dhe i pa sjellshëm në çdo aspekt. Presioni i tij më ka ardhur gjithmonë i shtyrë nga znj. Valbona Dulahu që mos po më bëjnë të dorëzohem, e kam njoftuar edhe Kryesuesin për të gjitha këto presione dhe ai nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Tani krejt vonë e kuptova se edhe Kryesuesi është pjesë krejt kësaj maskarade që ta gjunjëzojnë moralisht një nënë të 4 fëmijëve…”.
Jerliu i abstrahon problemet që kishte me Azizin aso kohe, duke shprehur çudi pse ai flet kundër saj.
“Paramendoje, kryetari i Gjykatës, Ramiz Azizi, që unë kam punu për katër vjet radhazi me ta, me vlerësim të performancës 5.00, i njëjti jep një deklaratë krejt të kundërt me atë të vlerësimit”, ka thënë ajo.
Në një intervistë të dhënë për “Betimi për Drejtësi”, ish-kryetari Azizi tashmë në pension, thotë se Jerliu kishte menaxhim të dobët dhe se ai vet kishte kryer punët e saj gjatë kohës sa ishte kryetar.
“Menaxhimi ka qenë i dobët, po falë eksperiencës time qe e kam pasë edhe përpara kam qenë kryetar edhe një mandat ma herët, domethënë në gjykatë komunale, kam pas njohuri edhe sa i përket anës menaxheriale, kështu që atë zbrastirë e kam plotësu edhe me punëtorë të tjerë sa i përket punës dhe organizimin brenda gjykatës, edhe përkundër asaj qe unë nuk kam qenë i kënaqur me punën e të njëjtës”, është shprehur ish-kryetari i gjykatës.
Azizi thotë se gjatë kohës sa ishte kryetar kishte kryer edhe punët e administratores.
“Po, po, 99% punën e vet të administratës e kam kryer duke i delegu detyrat tek punëtorët tjerë”, ka thënë ai.
Sa i përket vlerësimit të performancës, Azizi thotë se vlerësimin pozitiv e kishte dhënë për shkak të raporteve familjare që kishte me ish-administratoren Jerliu.
Për këtë sjellje, Azizi e pranon se ishte nepotizëm.
“Është gabimi im që e kam vlerësu por ju tregova që për shkak raporteve që i kam pas, raporteve familjare që e ceka ma herët, kurrë nuk e kam vlerësuar siç m’i ka pru shënimet, unë i kam nenshkru pa lexim, pa e këqyrë, që kom bo shkelje është e ditur ajo, se është dashtë unë ta vlerësoj mirëpo se kam vlerësu për shkak të lidhjeve familjare, dhe gjithmonë i kom thënë që këtë vlerësim që i ke bo vet vetvetes nuk e meriton por unë s’du të mirrem me ta dhe nuk jam marr me to. Vlen të ceket se edhe në zyrë nuk e kam pranu asnjëherë vet, gjithmonë e kom pranu ose ka qenë zyrtarja ligjore ose asistentja ime apo ka qenë ndonjë punëtor”, ka thënë tutje ai.

A ishte kjo nepotizëm?
“ Po, po nepotizem po, fakt është, e pranoj atë që ka pas nepotizëm”, ka thënë Azizi duke thënë se kanë pasur probleme të vazhdueshme me të por thotë që ky është rasti i vetëm kur iu është shmangë obligimeve për shkak të raporteve familjare.
Azizi thekson se ishte informuar se ish-administratorja Jerliu e kishte akuzuar edhe për ngacmim seksual.
Mirëpo, sikurse për vlerësimin jokorrekt të punës së saj për shkak të lidhjeve familjare, shprehet ta ketë administruar edhe në rastin e akuzave për ngacmim.
Gazetari: Jerliu, ju ka akuzuar juve se ju e keni ngacmu edhe seksualisht.
“Po, po që s’është e vërtetë, ajo ka mujt me qenë edhe femiu im, aq më pak që kom edhe lidhje familjare, për atë nuk kam dashtë mu marr”, është shprehur ai.
Në një rast tjetër, Azizi thotë se në Gjykatë kishte ardhur edhe burri i ish-administratores, Avdyl Jerliu, që sipas tij kishte tentuar ta frikësojë.
Megjithatë, përkundër se ishte kryetar i gjykatës, nuk e kishte raportuar rastin në polici.
“Po ka ardh me burrin e saj në zyre, saktësisht komunikimi nuk ka qene i mirë, ai ka nis me tone të larta ka kujtu që po më frikëson ose diçka tjetër, kam kërkuar ose të ma lirojë zyrën ose i thirri organet edhe e drejtojë këtë punë. I njëjti kur e ka pa që unë jam i vendosur, u çu ka kërkua falje, të dy kane dalë prej zyrës. Kështu që mandati sa kam qenë unë kryetar ai asnjëherë më nuk ka ardhë bile aq ka qenë domethënë iu ka përmbajt asaj se as në oborr të gjykatës nuk ka hy asnjëherë, deri e kom kry mandatin këto raporte kanë qenë kësi soji, raporte të ftofuna, raporte që i kam kryer punët e administratores me punëtorë tjerë”, ka thënë ai.
Tutje, Azizi thotë se Jerliu ishte pranuar kundërligjshëm si administratore.
“Azizi: Ajo është pranu në punë në mënyrë jo të rregullt, që tash po figuron se e njëjta edhe është e suspendune nga puna për arsye se Këshilli Gjyqësor e ka pranu në mënyrë të kundërligjshme. Sigurisht nuk i ka plotësu kushtet e konkursit për atë”, është shprehur Azizi.
I pyetur se nëse ka qenë gabim procedural, ai thotë se ishte i qëllimshëm. A ka qene ndonjë gabim procedural..?
“Azizi: Unë e kuptoj që ky ka qenë jo gabim procedural po gabim me qellim.
Gazetari: Nga kush?
Azizi: Nga personat qe e kane zgjedh, titullarët qe kane qene ne gjykate në atë kohe qysh u pranu, pse mu pranu ajo kur ka mujt me shku me konkurs te brendshëm, zgjidhet problemi i administratës që edhe ligji thotë..”, ka vazhduar ish-kryetari i gjykatës.
Në këtë rast, pretendimi i Azizit, ndërlidhet me pranimin e Jerlitu në punë, në kohën sa gjykata udhëhiqej nga ish-Kryetari, Zyhdi Haziri. Ky i fundit, është avancuar në Gjykatë të Apelit dhe në kërkesën me shkrim për t’u intervistuar për këtë temë, nuk është përgjigjur fare.
Me këto pretendime të ish-Kryetarit Ramiz Azizi, ish-administratorja Jerliu pas zhvillimit të intervistës së parë, nuk ka pranuar më të ballafaqohet, duke i konsideruar fabrikime të gjitha pretendimet ndaj saj
Ish-administratorja thotë se Salihu i shkoi në shtëpi me shefin e AKI-së
Problemet me ish-kryetarin Azizi mbetën pothuajse minore, kur në shprehje vjen kryetari i ri i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu.
Ish-administratorja e Gjykatës Themelore në Gjilan, Florina Jerliu, ka ngritur kallëzim penal ndaj Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu. Kallëzimi penal është ngritur për një sërë veprash penale si: kanosje, ngacmim, ngacmim seksual, marrje e deklaratës me anë të shtrëngimit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar etj.
Në këtë kallëzim penal, Jerliu pretendon se kryetari Salihu gjatë kohës kur ishte kandidat për kryetar kishte shkuar në shtëpinë e Jerliu bashkë me shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Petrit Ajeti.
Sipas Jerliut, kjo vizitë lidhej me një vizitë që dy zyrtarë të AKI-së ia kishin bërë asaj gjatë punës në gjykatë, ku sipas saj, ata ishin interesuar për kandidatët për kryetar, përfshi edhe Venhar Salihun.
“Dikun pas disa dite, në korridor, gjyqtarin Venhar, unë kështu në mënyrë kolegiale i thom po interesohen AKI-ja për juve kandidatëve. Një muaj para se m’u zgjedh kryetari i Gjykatës, është ngjarja tjetër, kryetari i gjykatës, atëherë gjyqtar, më thërret në telefon, ka qenë dikun ditë e diel, më thërret Venhar Salihu në telefon edhe më thotë, po du me ardhë në shtëpinë tënde. Unë i thom, nuk muj me ju pritë se bashkëshortin nuk e kam në shtëpi, thotë unë nuk po hy brenda, po veç deri te dera. Unë i thom eja. Edhe kur vjen, vjen me një xhip, me ngjyrë të mbylltë me xhama të zi, edhe del prej pjesës së majtë, gjyqtari Venhar, ndërsa prej pjesës së djathtë, zbret kryeshefi i AKI-së, Petrit Ajeti. Më folin përdore edhe unë po të tregoj shumë sinqerisht, u ndjeva jashtëzakonisht keq, se nuk e dita arsyen pse kanë ardhë këta njerëz”, ka thënë Jerliu.
“Me një farë mënyre më tha që po vi vet edhe kam me bisedu diçka, në të kundërtën ish ardh me shefin e AKI-së, edhe nuk më tregojë arsyen se pse po vjen. U nijta shumë e shqetësume edhe ju ofrova për më hy në shpi. Të njëjtit thanë jo nuk po hyjmë në shpi, po hyp ti në kerr. Kom hyp unë në kerr, pa e mendu, absolut se, as pasojat as absolut kurgjo. Jom hi në kerr mbrapa edhe e pash vetën që shumë jom sikletav. Më tha qetësohu, më tha çka ki. Po unë nuk po e di arsyen pse je ardhë ti në shtëpinë time. Po tha tash unë do të pyes, dhe ti sigurisht se ki me u përgjigj drejtë. Po, do të përgjigjem drejtë për atë çka e di”, vazhdon ajo.
Sipas Jerliut, shefi i AKI-së kishte kërkuar verifikimin e agjentëve, të cilët sipas saj, ishin interesuar për kandidatin Salihu.
“Petrit Ajeti më thotë administratore po du me ditë kush ka ardhë prej AKI-së në zyrën tane. Unë i them, nuk muj me tregu, se besoj që është konfidenciale edhe nuk kom drejtë me tregu. Thotë po unë jom drejtori i AKI-së dhe ti je e obligme mem tregu. Kur më thotë ashtu, unë i tregojë kush ka qenë me emër dhe me mbiemër. Po thotë çka ke thanë ti për gjyqtarin Venhar? A është kandidat i mirë për kryetar? Unë jam kanë para aktit të krym dhe për shkak që ishte prezentë edhe gjyqtari Venhar në veturë, po thash është i mirë, është i ri dhe besoj që ja vlen m’u kanë kryetar. Edhe më thotë, a po beson që është i mirë? Thom po. Thotë kësmet do ta bajmë kryetar Gjykate”, pretendon të jetë shprehur Jerliu.
Ajo thotë se kjo ishte biseda që ata kanë zhvilluar dhe se pasi që ka shkuar në shtëpi, ka menduar gjithë natës se cila ishte arsyeja e këtij takimi që Salihu kishte shkuar me zyrtarin e AKI-së.
“…Pse s’me ka njoftu, me një farë mënyre më ka pre në besë, ardhja e tij, me drejtorin e AKI-së. Me një farë mënyre po thom sinqerisht, unë nuk e kam parë anën e errët të Venhar Salihut dhe pretendimet e tina, se çka don me ba në të ardhmen. Por, një çka unë mendojë çka ka qenë një prej faktorëve, ka qenë faktori se mos unë po muj me interferu në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, për përzgjedhjen e Kryetarit, gjë që s’është kjo e vërtetë, për arsye se unë nuk kam pas raporte me anëtarët e Këshillit Gjyqësor, por tjetra pjesë e errët e kryetarit të gjykatës Venhar Salihu kishte qenë edhe përtej kësaj”, ka shtuar ajo duke thëne se me pas e ka kuptuar se çfarë mendime sipas saj “të mykura” ka pas, çfarë fuqie ka dhe se kush është pas shpinës së tij.
Gjatë një bisede në mes të ish-administratores Jerliu dhe kryetarit Salihu, të cilën Jerliu e kishte incizuar në zyrën e Kryetarit, diskutohet edhe çështja e Shefit të AKI-së. Gjatë këtij diskutimi, Jerliu pretendon se kjo bisedë dëshmon se Shefi i AKI-së, Petrit Ajeti, e kishte vizituar atë në shtëpinë e saj
Audio incizimi:
Salihu: Më ke akuzuar se më ke ardhur me shefin e AKI-së në shtëpi, mos me ba ksi fore.
Jerliu: Po, po.
Salihu: Leje more kam ardhur me ta gjujt, me ta gjujt fytyrës, mos rrej, mos rrej mos u merr me sene palidhje se je e vogël me u marr me ato sene.
Jerliu: Po pse ke ardhur pra në shpin time për qët punë.
Salihu: Jo jo, nuk ka ardhur për qët punë.
Jerliu: Qëkjo është me të ardhur në shtëpi.
Salihu: Kam ardhur me ta gjujt për fytyre atë çka ke bo.
Jerliu: Çka kam ba unë.
Salihu: Qato që ke rrejt.
Jerliu: Jo jo nuk kam rrejt, (ka ardhur një person, a po don sqarim).
Salihu: Jo, jo nuk ka nevoj me sqaru, ke thanë para tri katër, a ajo ka ndodhur para 6 muajve, pikërisht për lëndën që e ka pasur të unë”.
Pretendimi për këtë vizitë të Shefit të AKI-së, shihet si absurd nga Kryetari Venhar Salihu, duke e quajtur shpifje, pasi sipas tij, as nuk ka ndodhur e as nuk ka pasur arsye të ndodhë një takim i tillë.
Ky pretendim për këtë vizitë, është edhe pjesë e kallëzimit penal të parashtruar në Prokurori. Aty Jerliu thotë se kjo vizitë ishte realizuar me 13 mars 2022.
Por, në komunikimet e realizuara në mes të Kryetarit Salihu dhe ish-administratores Jerliu, të cilat i prezanton Salihu, rezulton se me atë datë, sipas tij, ish-administratorja Jerliu nuk kishte qenë fare në shtëpi.
Në ora 14:13, përmes platformës Viber, Kryetari Salihu e kishte telefonuar ish-administratoren, e cila nuk ishte lajmëruar.
Në ora 16:49, Jerliu i përgjigjet kryetarit Salihu me fjalët:
“Përshëndetje, Gjyqtar! Me paske thirr. Jam te vëllau”, derisa Salihu në ora 18:27 i përgjigjet me fjalët “Të kam thirrë, ma herët këtu e tona në valë. Natën e kalo mirë!”.
Pretendimin e Jerliut për këtë vizitë të Shefit të AKI-së, Salihu e cilëson si trillim të tepërt, pasi sipas tij, nuk ka logjikë as të besohet se mund të ndodhte një gjë e tillë, pasi Jerliu nuk ishte kurrfarë faktori që mund të kishte ndikim në përzgjedhjen e tij
“Pse është dashtë me shku në çfarë faktori ka qenë ajo pse është dashtë me ardh dy zyrtarë të AKI me vet për procesin e rekrutimit të kryetarit apo në rastin konkret të kryetari të Gjykatës Themelore në Gjilan pra a s’po ju doket pak trillim i tepërt dhe kur them në shtëpinë e zyrës Jerliu kam qenë një herë për të pame dhe s’më kujtohet viti kush ka vdekë e nëse s’gaboj ka vdekë vjehrra apo vjehrri. Me gjithë kolegët dhe s’kam qenë asnjëherë here tjetër as me shefin e AKI-së dhe as me dikan tjetër”, është shprehur Salihu duke thënë se duke njohur tipin e Jerliut ajo do kishte incizim, ndonjë fotografi apo dëshmi tjetër.

Për më tepër, në lidhje me këtë vizitë, Salihu thotë se ishte pyetur edhe nga prokuroria, dhe sipas tij, ideja për ta trilluar vizitën e Shefit të AKI-së, ndërlidhet me faktin se ai e ka shok të fëmijërisë Shefin e AKI-së, Petrit Ajeti, fakt të cilin e dinë shumë gjilanas dhe se po ashtu, sipas bisedës së incizuar, ku përmendet kjo vizitë, përmendet edhe një lëndë e një ish-agjent i AKI-së e kishte pasur në punë tek Venhar Salihu si gjykatës.
Sipas Salihut, këtë ndërlidhje ka tentuar ta bëjë Jerliu, duke i ditur këto informata, për të cilat kishte incizuar fshehurazi, ajo ka manipuluar dhe bisedën e ka zhvilluar në kontekstin që të nxjerrë fjalët nga konteksti dhe ta ndërtojë një ngjarje të paqenë. Në anën tjetër, Jerliu mohon se ka manipuluar bisedën, duke insistuar se vizita ka ndodhur.
“Nuk ka pas absolut kurgjo për me s’gjuajte para fytyrës, po thjesht ka dashtë me arsyetu vetën edhe ardhjen e tina në shtëpinë time.
Gazetari: Edhe tjetra që e kemi nxjerrë që na del prej këtyre bisedave, ai iu thotë juve që ka ardhë pikërisht për landën që e ka pas tek unë. Për çka bëhet fjalë?
Florina Jerliu: Edhe kjo, nuk ka pas lidhje me lëndë, nuk është diskutu për asnjë lëndë po me shfajësua, këta ka dashtë me thanë për me shfajësua vetën, kjo ka qenë.
Gazetari: D.m.th. Takimet e mëngjesit kur i keni mbajte kur është diskutu edhe për këtë vizitë me drejtorin e AKI-së, ai nuk e mohon që ka qenë drejtorit i AKI-së?
Florina Jerliu: Jo, ai nuk e mohon e tregon që ka qenë në shtëpinë time.
Gazetari: Çka thotë sipas juve?
Florina Jerliu: E përmend një landë diçka po aty nuk ka pas lidhje me landen, ky ka qenë vetëm një arsyetim i tina për se me njëfarë mënyre, nëse nuk gaboj prezent ka qenë edhe nënkryetari i Gjykatës me shfajësu vetën edhe me tregu që kam qenë të ti a nuk e di arsyen, nuk e di, nuk e kam të qartë ketë pjesë për shka e ka bo ai”, shprehet Jerliu gjatë intervistës.
“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar të intervistojë Shefin e AKI-së, Petrit Ajeti, po ai njëjti nuk i është përgjigjur kërkesës me shkrim.
Salihu i quan shpifje akuzat e ish-administratores së Gjykatës në Gjilan
Pas një serë akuzave të ish-administratores së Gjykatës së Gjilanit, Florina Jerliu, ndaj kryetarit aktual të kësaj Gjykate, Venhar Salihut, ajo e akuzon edhe për përfshirje në një rast të ndërhyrjes në sistemin elektronik të gjykatës SMIL.
“Kryetari i Gjykatës në periudhën 2019, atëherë ishte si gjyqtar i Gjykatës në Gjilan, në vitin 2019, pas orarit të punës, pas orës 4, d.m.th pa autorizim në mënyrë tinëzare, ka hy në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni Penal, aty ku është pjesa, ku bëhet regjistrimi i lëndëve. Ka hy pas orës 4, më dy zyrtarë të SMIL-it dhe po në atë ditë janë fshirë nga regjistri i lëndëve, diku 22 lëndë. Sipas të gjitha gjasave, ka qenë ajo ditë e premte dhe të hënën dy zyrtarë apo referenta që i kanë pranu shkresat e lëndëve, më kanë njoftuar mua drejtpërsëdrejti si administratore, se janë fshi nga regjistri 22 lëndë”, thotë ajo.
Jerliu thotë se menjëherë ka kërkuar deklaratat e dy referentëve, dhe nga zyrtari i IT-së, t’i shikojë kamerat dhe ta njoftojë se çka ka ndodhë me kamerat.
“Njëkohësisht e kam lajmëru Kryetarin e Gjykatës, në atë kohë Ramiz Azizin, se dikush paska hy në Departament dhe i paska fshi 22 lëndë. Po në atë ditë zyrtari i IT-së i ka kontrollu kamerat, dhe më ka ardhë më ka njoftu verbalisht se në Departament ka hy gjyqtari Venhar Salihu me dy zyrtarë të SMIL-it dhe aty dihet që i kanë fshi 22 lëndë prej regjistrit”, shton ajo.
Kryetari Salihu thotë se edhe ky pretendim është shpifje, për shkak se verifikimi i IT-ve ka dëshmuar se nuk ka pasur ndërhyrje pasi në kompjuterin e zyrtarit nuk është futur askush.
“Në bazë të IT-së më pas kur është ngrit si pretendim unë jam marrë me këtë çështje se në atë kohë nuk kam pas njohuri e as s’ma ka përmend kurrkush, por në bazë të zyrtarit të IT-së, Shkodran Haziri tregon që kanë kërku verifikim a është fut ndokush në kompjuterin e zyrtarit të pranimit dhe konfirmimi ka qenë se nuk është fut askush”, ka thënë Salihu.
“Si çdo pretendim tjetër edhe ky është një gënjeshtër dhe nëse kthehemi mbrapa në vitin 2019 unë nuk kam qenë objektivi. Objektivi ka qenë sigurisht dikush tjetër, që unë nuk e di kush ka qenë. Pse po e them këtë pasi që si gjyqtar apo edhe si shef i departamentit të përgjithshëm ku përfshin lëmine penale, civile, kundërvajtëse, kam pas të drejtë me hy edhe pas orës 4, por asnjëherë me fshi, asnjëherë me e pas qëllim fshirjen e këtyre lëndëve”, ka shtuar ai.
Njëri prej librave të protokollit që mbajnë Gjykatat është regjistri Administratat Gjyqësore, në të cilin regjistër regjistrohen komunikimet e Gjykatës me institucione të tjera. Këtë libër e kishte mbajtur vazhdimisht ish-administratorja Jerliu, pasi thotë se ishte autorizuar nga Këshilli Gjyqësor.
“Çka ka ndodhë me atë libër? Prej ardhjes tina si kryetar ka kërku, kryetari i gjykatës atë libër mos me e mbajtë unë. Dikun nja pesë-gjashtë herë ka kërku me largu unë librin. Unë i kam shpjegu Venhar Saliut që ai libër nuk mundet m’u dorëzu pa një autorizim. Autorizimin unë e kam pas prej Këshillit Gjyqësor të Kosovës edhe për vulën që unë e posedoj dhe ia kam argumentu me dëshmi që unë duhet me mbajte këtë libër ose bën më me shkru ose me imell, ose çfarëdo forme dërgo me imell që unë me dorëzu këtë libër, i njëjti asnjëherë nuk me ka shkru me imell po veç ka dashtën me dorëzu unë këtu pa asnjë konfirmim”, ka thënë Jerliu.

Kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan Venhar Salihu, ka thënë se regjistra e AGJ-së, është komunikimi i gjykatës me të gjitha institucionet tjera, jashtë gjykatës duke përfshirë Këshillin, Policinë, AKI-në për çështje të ndryshme.
“Është një regjistër mund të them ndoshta edhe i zyrës së kryetarit të komunikimit. Shtrohet pyetja pse ato regjistra duhet të jenë në zyrën e administratorit, pastaj edhe arkiva e atyre regjistrave, siç e dijmë çdo regjistër, civil, penal, çka do… kundërvajtjes, krimeve të randa, masat e fshehta regjistrohen poshtë edhe mbesin në libër të regjistrave, por pse duhet të jetë regjistri. Këta kam kërku jo njëherë por disa herë kam kërkuar gojarisht dhe sipas saj që e ka dorëzuar, përfunduar regjistrin, arkivin e ka dorëzu në arkiv… por një gjë të tillë nuk e ka bërë, d.m.th koncepti i saj sipas mendimit tim, këtë rastin konkret po e foli ka të bëjë me çështje të kontrollit”, ka shpjeguar Salihu.
Një kërkesë për këtë regjistër thotë se kishte bërë më shkrim.
“Po e kam bë, kam zhvillu procedurë disiplinore, pse duhet nëse në takim formal unë kërkoj që nga data kaq kaq, dhe në atë takim thotë po në rregull jemi dhe kur zbresim poshtë i dorëzoj dhe kur të kthehem pas 1 muaji, pas 2 muji përsëri se ka bë të njëjtën gjë. Plus se ai na ka thënë, ja kam dorëzu edhe vërejtjen e shqiptuar në arsyetim e keni, edhe imellen që kam kërkuar ta dorëzoj autorizimin se ka pretendu se ka autorizim nga Këshilli, një autorizim i tillë asnjëherë nuk është paraqitë dhe nuk mund të jetë autorizim për ata”, ka shtuar ai.
Ish-administratorja tregon se kur nisën problemet me kryetarin e gjykatës
Sipas ish-administratores Florina Jerliu, problemet me tashme kryetarin e Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihun kishin filluar kohë më parë, kur Salihu nuk ishte kryetar i Gjykatës.
Sipas Jerliut, çështja lidhej me një zyrtare të Gjykatës, e cila sipas Jerliut, ishte dashnorja e Kryetarit Salihu.
“Në fund të vitit 2019, përfolej me të madhe se gjyqtari Venhar Salihu, kishte një të dashur brenda gjykatës së Gjilanit. E njëjta zyrtare, ishte me kontratë të përkohshme të punës dhe përfolej se ai po qëndron pas orës 4, dikun rreth orës 6. Nuk ka qenë vetëm një rast që më kanë informuar që këta dy persona po rrijnë pas orës 4, po ka qenë edhe prej rojeve të sigurimit, prej zyrtareve ligjore, prej përkthyesve, edhe sigurisht po ju them me sinqeritet të plotë, aty edhe zogjtë e malit e dijnë që ai e ka pasur të dashurën brenda gjykatës”, ka thënë ajo.
“Kur e pash që gjithçka është serioze, menjëherë kam shku e kam informu kryetarin e gjykatës në atë kohë, Ramiz Azizin, dhe e kam njoftu për rastin dhe për detajet se çka është t’u ndodhë brenda gjykatës. I njëjti më thotë, të njëjtën zyrtare, dërgoje me zyre në katin e parë, me i largu prej njani-tjetrit. Unë me të marr konfirmimin e Kryetarit, të njëjtën zyrtare e kam dërgu në katin e parë. Të nesërmen vjen gjyqtari Venhar Salihu në zyren time dhe më thotë, me e kthy zyrtaren në katin e tretë aty ku ka qendru në të kaluarën ajo zyrtare”, ka shtuar ajo në intervistë.
Këto pretendime për dashnore dhe ndërrim zyresh për inate, cilësohen trillime e shpifje të ulëta nga Kryetari Salihu.
Ai thotë se arsye e ndryshimit të zyrës së zyrtares në fjalë ishte ardhja e disa punëtorëve të rijnë në Gjykatë. Sipas tij, kjo dëshmohet edhe me vetë ditarin e punës së Jerliut, e cila këtë situatë e kishte përshkruar në ditar.
“Sa i përket ndërrimit të zyrës kjo është një trillim i saj pasi që edhe provat e deponuara siç është deklarata e ish-kryetari Ramiz Hazizit, gjyqtarit Dibran Jusufi që ka qenë praktikant dhe vet fletorja e saj e punës e vërtetojnë të kundërtën arsyeja pse ju ka ndërru zyra e zyrtares në fjalë nuk ka qenë një por disa zyrtare në një zyre dhe ka të bëjë me faktin se me dy dhjetor të vitit 2019”, thotë ai.
Sipas tij, atë kohë nuk e ka ditur por në bazë të ish ish-kryetarit, vet ditarit edhe deklaratës se gjyqtarit Dibran Jusufi që ka qenë bashkëpunëtor në vitit 2019, më 2 dhjetor përkatësisht vitit 2019 janë pranuar 5 bashkëpunëtorë profesionalë që të fillojnë punën në gjykatë dhe e vetmja zyre që ka pas kapacitete për 5 punëtorë ka qenë ajo zyra aty.

Arsyetimin e tij, kryetari Salihu e mbështet edhe në një ditar të punës së ish-administratores Jerliu. Në këtë ditar, të cilin e kishte lënë në Gjykatë, për këtë ngjarje, ish-administratorja Jerliu shkruante “më 25 nëntor 2019 kam kërkuar nga programi SMIL me shku në katin e parë për shkak që vijnë bashkëpunëtorët profesional me datën 2 dhjetor 2019 dhe duhet të rregullohet zyrja e punëtorëve të rinj. Unë i kam informuar me kohë këta punëtorë të SMIL-it që të largohen në bashkëpunim me Kryetarin Ramiz Azizi. Me datën 27 nëntor 2019 kërkoj përsëri që të largohen nga zyrja sepse zyrja në katin e parë është gati dhe ata akoma nuk ishin transferuar.”
Kryetari Salihu thotë se këtë ditar e kishin gjetur në zyrën e Jerliut, pasi që kur ishte larguar nga puna, Jerliu nuk ishte kthyer për të marrë gjërat e saj dhe zyra kishte mbetur e mbyllur.
“Ditari i saj në momenti kur ushtruesja e administratës ka themelu komision për me hap zyrën pasi që në momentin që ka lanë zyre na ka njoftu që do të vije të hënë që do të vijë për të marrë gjërat e saj në zyre. S’ka ardhë e kemi thirr në telefon ushtruesi i detyrës ka themeluar komision dhe në atë zyre i është gjet ditari dhe nëse jam i saktë me 27 vet me dorën e vet që e shënon se ka pas problem me 25 muaji 11.2019 ka pas problem me zyrtar të SMIL ku ka kundërshtuar me liru zyrën, arsyet si di pse e kanë kundërshtu po sido që të jetë me datën 27 përsëri shkon në zyrën e tyre dhe sipas shënimit del se kanë pas mosmarrëveshje të njëjtat në ditarin e punës shënon se arsye pse s’kanë dal edhe pjesa tjetër përmend edhe një emër tjetër të mashkullit që u sjell në mënyrë të vrazhdë për kërkesën e saj si provë kopje të ditarit ja kam dorëzu edhe juve për e vërtetu se nuk qëndron ky pretendim dhe se është vetëm një trillim”, ka thënë Salihu.
Salihu thotë se kanë pasur të drejtë qasje në atë ditar, pasi s’ka qenë personal por në ambientin e saj të punës për punë.
“Hundët t’i thej”, çka tregon audioincizimi mes kryetarit të gjykatës dhe ish-administratores
Drama mes ish-administratores së Gjykatës Themelore të Gjilanit Florina Jerliu dhe kryetarit Venhar Salihu, vazhdon, pas një serë akuzash mes tyre, ish-administratorja ankohet për gjuhën që përdorte kryetari Salihu gjatë takimeve me të.
Në këtë rast kjo mbështetet nga një audio-incizim.
“Gjatë bisedës që ka bërtite, qatë kohë qatë ditë që isha me nënkryetarin dhe me dy udhëheqëset e divizionit edhe atë ditë ka vjelle zi e terr që problemi qenka të administratorja dhe me m’ba mu thjeshtë presion e ka goditë tavolinën. Në tavolinë ka qenë një xham diku 2 centimetra edhe e ka goditë aq fortë, mu ka drejtu mu edhe thotë ti administratore i ke krejt fajet në këtë gjykatë. E ka thy në dy pjesë atëherë e pash që nuk muj, nuk mujta me u përmbajtje kam fillu me qa edhe jam çu prej zyrës po du me dal, tha kthehu e mos u bon viktimë, tha se mendojnë që njerëzit edhe punëtorët se ku me ditë shka të kom bo unë ty”, rrëfen ajo.
Biseda nga audio-incizimi:
Salihu: Po çfarë motivi i ke dhënë për 6 vjet bre, çfarë motivi, s’ta ka rras kërkush i madhë e i vogël, të kanë hi e kanë dal kur kanë dashtë i ke dhanë motiv, nuk ke pas kurnifarë autoriteti, kurnifarë seni, ta kanë bë rrafsh si kurgjo hiq. Ka tri javë, katër javë i ke koqit punët, po s’është në rregull, se nuk është momentumi se ti nuk merr vesh kurgjo, ti edhe 4 muaj i këqyrë dhe nuk merr vesh kurgjë…”
Salihu: çfarë auditori me atë send, ku ka auditori për atë send, hë çka ka lidhje auditori?
Jerliu: Hanez na del neve kjo?
Salihu: Hë çka del ajo, pse del, pse nuk e ke mshel me vaktë”.
Jerliu: Po nuk e kam mshel.
Salihu: Pse, sigurisht Ramizi të ka bë presion, nuk të ka lënë mi kry punët e tua, Valbona tu ka përzu”.
Jerliu: Godit bre kryetar, godit, godit çka dush.
Salihu: Jo, jo duhesh me kon e sinqert.
Jerliu: E ke mundësinë kryetar, godit, godit.
Venhar: Çka me godit?
Jerliu: Se ti nuk ke lënë gjë pa më thënë, ani bre kryetar.
Salihu: Oj administratore qikjo osht’ problem që nuk e ke çmuar këtë drejtpërdrejtshmërinë teme, se me të godit unë n’të rafte më në mend mu çu ti, n’të raft mend mu çu najkund.
Jerliu: Nuk mundesh ti bash në atë masë se në fund të fundit edhe unë kam familje.
Salihu: Çka ka të bëjë kjo me familje, s’ka ka të bëjë kjo me familje, çka ka të bëjë, pse a mirë po të duket që e ke pru burrin në atë pozicion a, në atë gjendje me ardhë me ta qite përjashta a?
Jerliu: Po, ani faleminderit shumë.
Salihu: Po qysh, po pse.
Jerliu: Po mire ja ke bë, se ke pi kafe me të, bashkë me të, kur je njeri me kërkuar raporte ndër njerëzore.
Salihu: Çfarë ka lidhje, çfarë raporte mund me kërku, mund me kërku me ty, mos u gut, mos u gut, mos u gut.
Jerliu: Po unë kam shkuar te neuropsikiatri, ai ka kërkuar ndihmë, çka ishte gruja jem tu gabu që ma keni bë gruan ashtu.
Salihu: Qysh more po gruan tonde jam t’u e lut qe 6 muaj ditë, jam t’u e lut gruan tonde sen s’jam t’u i be, as inati s’ja kom.
Jerliu: Qysh bre, kryetar me thua të shtrydhi si limon?
Salihu: Për çka, për çka, hundë të kom thonë t’i thej jo të shtrydhi si limon, e ke gabim”.
I pari i gjykatës në Gjilan thotë se nuk i kujtohet të ketë përdorur një gjuhë të tillë
“Mua nuk me kujtohet që i kam thënë apo ta kem përdorur një gjuhë të tillë, pasi që në etiketimin tim nuk është, por as ndaj këtyre dy zyrtarëve apo ish-administratores, por as ndaj personit tjetër, por nëse eventualisht e pasna përdor kjo, ka qenë çështje për llogaridhënie pasi që fjalët apo kërkesat e vazhdueshme për punë për disiplinë nuk kanë hasur edhe në kuptim figurativ kom mujt me përdor një terminologji të tillë nëse e kam përdorur”, ka thënë Salihu.

Ish-administratorja e akuzon edhe për ngacmim seksual, kryetari i quan çmenduri shpifjesh
Pas akuzave për presion psikik, ndërhyrje në sistemin SMIL të gjykatës, e akuza tjera, në kallëzim penal të parashtruar nga ish-administratorja e Gjykatës Themelore të Gjilanit, Florina Jerliu pretendon për disa raste, që sipas saj, ajo është ngacmuar seksualisht nga kryetari Venhar Salihu, gjë të cilën ky i fundit e mohon dhe e konsideron shpifje të ulët të Jerliut.
“Pretendimet e atina kam pa që unë me u nënshtru moralisht ndaj atij dhe ai me keqpërdor, me m ‘keqpërdor mua në aspektin moral apo seksual, mandej me përdor pozitën time me si administratore me i marrë të gjitha kompetencat, edhe kompetencat e kryetarit dhe me njëfarë mënyre me privatizu gjykatën. Nuk kam leju, në asnjë formë, në asnjë mënyrë, me ra pre e një kryetari të Gjykatës”, është shprehur Jerliu.
Jerliu thekson disa përvoja, që sipas saj, është ngacmuar seksualisht. Në një rast, pas vizitës që kishin bërë bashkë në Degën e Kamenicës, sipas saj, pas kthimit nga vizita, Kryetari Salihu, kishte kërkuar të ndalonin në një restaurant afër moteleve, duke i thënë se aty është mirë të shkojnë më shpesh për drekë.
“I ka thënë vozitësit shtinë veturën këtu. Kur e kam pa ku jemi ndalë, afër, menjëherë objekti është i ngjitë me aty me villa apo motel apo qysh me thanë. Kemi hi aty dhe aty nuk ka qenë vendi frekuentum. Kemi hi dhe kemi porosit bukën, kur e kemi porosit bukën s’ka pas njerëz aty, dy burra më kanë kështu mu në pikë shënjestër, për çka kjo femër ka ardhë këtu me kur ky vend nuk është vend i frekuentum”, pretendon të ketë ndodhur Jerliu.
“E porositën bukën edhe njanën anë e kam pas kryetarin, në heshtje, administratore është mirë na dy me ardhë këtu ma shpesh. Besoni as një kafshatë në gojë s’ kam mujt me e marr, jemi çu prej atij lokali dhe jemi shku në këtë gjykatë. Kam hi brenda në zyrë ku më ka nja dy orë, çka me bo ky njeri, nuk është t’u mujt përsëri me më kuptu që nuk duhet me u nënshtru seksualisht ndaj atij personi”, vazhdon ajo.

Në një rast tjetër, ajo thotë se ishte përballur me ngacmim seksual në zyrën e Kryetarit.
“Shkoj si çdo ditë në takimin e mëngjesit edhe t’u raportu, kryetari Venhar Salihu ngritët në kamë, e shpërthekon rrypin e pantallonave. Patentin e zbrit teposhtë dhe drejtohet në drejtim nga unë. Unë nuk kam pas fuqi. Nuk kam mënd që duhet në atë sekondë me incizu, s’me ka funksionu truni. E kam kap fletoren edhe kam dalë prej zyrës. – Jam shku, nuk e di a kam pa dikon gjatë rrugës deri në zyrë, jam shku e kam mbyllë zyrën edhe mo nuk kam dalë edhe ton kohën kam kajtë”, ka thënë Jerliu.
Të gjitha këto pretendime për ngacmim seksual, Kryetari Salihu, i cilëson si çmenduri shpifjesh e trillimesh të ngritura në kallëzim penal.
“Sa i përket kallëzimit penal për mua nuk ka qenë e papritshme. kam pritur një kallëzim të tillë duke marrë parasysh paraardhësit e mi duke marrë parasysh personaliteti e ish-administratores duke marrë parasysh veprimet e saj në të kaluarën dhe nuk kam ndonjë shqetësim jam t’u i marrë në mënyrë të relaksime pasi që të gjitha janë gënjeshtra trillime dhe të sajuara jo vetëm nga administroja por edhe nga bashkëshorti i saj ec i cili i cili në çdo hap e përcjell dhe mundohet ta shty apo edhe të trillojë gjëra të ndryshime unë qysh jam përgjigj juve do t’i përgjigjem edhe kujtdo tjetër për pretendime të tilla jo serioze siç thash më lartë këto vijën si pasoj si kujdo nga kushdo koftë do të ishte në vendim tim s’të lypke llogari përgjegjësi punë njëjtën fat e kish pas si fatin tim në rastin konkret m’u përballë me akuza të njëjta nga një person që është pa punëtor është e padijshme është jo serioze sa i përket raportit të punës”, ka thënë kryetari Salihu.
Në dramën me kryetarin u përfshi edhe burri i ish-administratores, thotë se ndihen të kërcënuar
Florina Jerliu më nuk është administratore e Gjykatës Themelore në Gjilan. Procesi i vlerësimit të konkursit në lidhje me punësimin e Jerliut ishte një maratonë e gjatë.
Ky rast u kthye në rivendosje nga Gjykata, derisa Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyes Civil rreth 7 vjet pas, e anuloi konkursin në të cilin Jerliu u përzgjedh si administratore. Anulimi i këtij konkursi ishte bërë pas ankesave dhe padive të vazhdueshme të kundër kandidates së Jerliut, Valbona Dulahut. Jerliu e akuzon Dulahun se përmes lidhjeve të ndryshme ka arritur që të ndikojë dhe të merret vendimi në favor të saj.
“Ju njoftoj se pretendimet e Florina Jerliu janë gënjeshtra, askund nuk kanë asnjë bazë ligjore. Kjo është produkt i imagjinatës se saj të prishur sepse asnjë lidhje familjare nëse i merrni provat, i keni kam ushtru ankesë, në shkallë të parë me është refuzu kam ushtru në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës është refuzu, kom paraqit padi. I keni të gjitha shkresat e landës, ish kryetari i atëhershëm Zyhdi Haziri fillimisht për me m’largu nga gara ma ka organizu, ka ka orkestru një peticion se gjoja mua nuk me dojnë punëtorët, çka nuk është e vërtetë fare. Kjo, me ka bo me kuptu në rastin në gjykatë kur Florina Jerliu dhe Avdyl Jerliu me katër folldera ka ardhë me prezantu në seancë edhe provë materiale i bjen peticionin e Valbona Dulahut se nuk e dojnë punëtorët. Kjo e kam kuptu në atë kohë, që ka qenë e orekstrume kry e këput nga Zotri Haziri, për m’e diskriminu mu nga gara për administrator edhe me m’pru pa e plotësu as një kusht elementar Florina Jerliu, as nuk e ka plotësu përvojën profesionale as përvojën menaxheriale”, ka thënë ajo.
Në ngjarjet në mes të Kryetarit Salihu dhe ish-administratores Jerliu do të përfshihej edhe burri i kësaj të fundit, Avdyl Jerliu.

Avdyl Jerliu thotë se pasi e kishte parë të mërzitur gruan e tij, kishte shkuar në Gjykatë që ta takojnë Kryetarin Salihu.
“Ka ardhun e mërzitun dhe ka pas raste disa here kur edhe ma ka thanë se unë jam e interesume me e lëshu krejt punën, s’du me punu ma ne gjykatë. Unë jam befasu, pse me e lshu punën!? Kam presion, kam presion. Unë edhe kam thanë kështu, si menaxher që jam vetë në institucione publike edhe kam thanë kadale se ndoshta këto gjashtë mujt e parë gjithë menaxherat janë pak a shumë mundohen ma të rrepte me e tregu vetën kishe gjoja se po bajnë diçka edhe kjo ka shku veç t’u u rëndu situata, ka shku veç tu u rëndu situata edhe me ni periudhë të caktume veç bashkëshortja ra në depresion, ra në depresion të thellë dhe me ramjen në depresion të thellë, atëherë e morra shumë seriozisht edhe unë u involvova me pa se ku qëndron problem dhe pas ramjes në depresion, unë të them të drejtën kërkova takim me kryetarin e gjykatës. Disa herë kam kërku takim nja dy tri ditë, me të thanë të drejtën ike me disa arsye edhe s’u takojke”, është shprehur bashkëshorti i ish-Administratores.
Jerliu thotë se pasi e kishte pyetur Kryetarin Salihu se çfarë kishte ndodhur mes tij dhe Kryetarit Salihu, ky i fundit i kishte thënë se nuk ke të drejtë me u përzier dhe i kishte kërkuar ta lirojë zyrën.
“Ai përsëri m ‘kërkon me dal jashtë- unë i tham; Kushdo që abuzon në këtë gjykatë seksualisht, moralisht, me ia lanë faji Florinës unë nuk do të lejoj si bashkëshort i saj, ti ju ke hakmarrë në një rast ja ke marrë zyrën për shkak të shfalerkës tane. Para tri vjete ta ka dërgu shfalerkën poshtë në zyrë, ti iu ke hakmarrë mas tri vjete ja ke marrë zyrën e ke dërgu në të njëjtën zyre ku ajo ta ka dërgu ajo shfalerken ti e ke dërgu këta. Edhe kur e përmendi unë shfalerken ai shuket edhe veç i ngjiten buztë”, shton ai.
“Edhe i thom; Kush ngacmon seksualisht- ka qenë në pyetje për një gjyqtar ndaj një praktikante edhe i thom; Kush ngacmon në këtë gjykatë dhe t’i lihet faji Florinës është e papërgjegjshme, është e patolerueshme. Kush abuzon me detyrën zyrtare që ka qenë për këtë, pikërisht për Venhar Salihun, në 2019 që ka hi ka fshi landë në departament them; Kush abuzon me detyrën zyrtare brenda gjykatës t’i lihet faji Florinës është e patoleroushme, mbaje mend- duke dal prej zyrës i kam thanë; Mbaje mend, ka me ta rrezu këtë kullë prej letrës që e ke ndërtu, kështu i kam thanë në formë demonstrative dhe m’ka kerku- ‘Dil jashtë se përndryshe..” sigurimin e ka thirr sigurimin, unë kam dal përjashtë, ditën e mirë edhe me kaq e kemi mbyllë”, vazhdon ai.
Venhar Salihu, kryetari i Gjykatës Themlore në Gjilan, thotë se ky takim ka qenë më 21 tetor 2022, një ditë pas pasi ai i kishte shqiptuar vërejtjen për regjistrin e AGJ-ve dhe sipas tij qëllimi i Jerliut ka qenë ta frikësojë por që nuk është ndjerë i kërcënuar.
“Jo, nuk ka pas kërcenim sepse sikur të kish pas sigurisht që e kisha paraqitë. Jo aspak, e kam vlerësu si një veprim jo të matur, jo të ndershëm, jo burrëror”.
Bashkëshorti i Florinës, Avdyli, për këtë situatë, ishte takuar edhe me kryesuesin e KGjK-së, Albert Zogaj.
“A din, edhe kështu tha çka koftë tha puna e sajna tha. Kështu bisedë e sipër tha çka koftë puna e sajna tha s’po bon tha me Afrimin, s’po banë tha me Ramizin, tha s’po ban tha me Vehnarin tha a din. Kjo ka qenë ni deklaratë që ma ka thanë edhe mu Venhari në takim kur jam taku. A din të njëjtin llaf, para se me u taku me kryesuesin, ai ma ka thanë- tha çka koftë kjo, s’po bon tha me Afrimin, s’po bon me mu, tha s’po bon me Ramizin edhe unë me këta iu kom kthy e thash qysh kryesues ti a po fol thash me fjalë thash t’Venhar Salihut a, thash ti thash po përgjigjesh me fjalë t’Venhar Salihut. Veç ma ka ba ‘unë tha po pergjigjna me fjalë t’Venhar Salihut a?” thash po, tha ditën e mirë. Veç ia ka ba gjyqtare u kry takimi. U qu, m’la n’zyre edhe shkoj. Kjo u kanë ai takimi i parë edhe unë meta keq ashtu në situatë t’palakmushme edhe dola prej zyrës, shkova”, thotë të ketë ndodhur bashkëshorti i ish-administratores.
Ai shtoi se pas shkarkimit të bashkëshortes se saj ka takuar edhe një takim, e ku sipas tij, kësaj here kryesuesi ishte më konstruktiv dhe bashkëpunues.
KGjK nuk është përgjigjur në kërkesën e “Betimi për Drejtësi” në lidhje me rastin Jarliu.
Pas këtyre ngjarjeve dhe ngritjes së kallëzimit penal, çifti Jerliu thonë se ndihen të kërcënuar nga siç thonë ata, njerëz të fuqishëm që kanë pushtet në krye me Venhar Salihun, nga të cilët kërkojnë mbrojtje nga krerët e institucioneve në vend.
Pas hulumtimit të temës dhe sigurimit të provave dhe dëshmive për të cilat nuk kanë pranuar çifti Jerliu që të ballafaqohen sërish, duke i konsideruar të gjitha si fabrikime, Avdyl Jerliu thotë se kërkon debat të drejtpërdrejtë me Venhar Salihun e jo të flasë, sipas tij, për provat e fabrikuara. Njëherësh ai kërkon ndihmën e institucioneve për ta mbrojtur familjen, pasi sipas tyre, çdo ditë janë të kërcënuar.
“Idea është se nuk kena asnjë problem mu ballafaqu me realitetin, por nuk dojmë të ballafaqohemi me përgjigje të konstruktume nga ai grup, faktikisht për mu ai grup i padenjë, mos ta quaj grup kriminal definitivisht, se kur janë ma tepër se 2,3 veta veç lirisht quhen grup kriminal. Kanë konstruktu përgjigje që nuk kanë asnjë bazë, në të cilat bazohen. Përgjigje që janë konstruktu, pasiqë e kanë marr kallëzimin penal dhe pasi që i kanë pa pretendimet e bashkëshortës time Florinës, ata kanë konstruktu përgjigje, kanë gjet njerëz që ju kanë ndihmu në ato përgjigje, dhe të cilat nuk kanë asnjë bazë ligjore. Nuk janë dokumente relevante, unë veç çka mi ke tregu disa prej tyre, ato janë të konstruktune dhe do të thotë nuk kanë asnjë peshë ato, ato prova”, ka thënë tutje ai.
Sipas tij, ata presin të ballafaqohen para organeve të drejtësisë.
“Nëse na kemi konstruktu, janë organet e drejtësisë, edhe neve ne të shkojmë në përgjegjësi, nëse kemi kontsruktu. Ne nuk jemi të çmendur, nuk jemi qu në mëngjes një ditë edhe… kemi mujt me konstruktu edhe për Betimin, kemi mujt me konstruktu edhe për 20, 30 gjyqtar tjerë që janë aty, kemi mujt me konstruktu edhe për plotë njerëz tjerë, nëse kokshmi ashtu, po nuk është e mundur ajo. Ajo veç kur njeriu e hup toruan, atëherë mundohet me gjithçka me arsyetu vetveten. Nëse ata janë aq të pastër, atëherë pse nuk ballafaqohen me neve. Pse nuk ballafaqohen, po ballafaqohemi në studio bre po i qesim hapur senet”, ka thënë Jerliu.
Bashkëshorti i ish-administratores, ka thënë se qëllimi nuk është më kthimi në vendin e punës së Florinës por glorifikimi i figurës së saj.
“I kom 3 vajza para martesës, qëllimi jem është me glorifiku figurën e Florinës, të cilën e kanë njollos, e kanë baltos për një vit e ca, nëpër krejt Anamoravën, jo vetëm në qytetin e Gjilanit, duke thanë se Florina është largu nga puna për shkak të amoralitetit, për shkak të abuzimit me detyrën zyrtare, për shkak të korrupsionit. Kjo nuk qëndron, as e para, as e dyta, as e treta. Florina është largu nga puna për shkak të mosnënshtrimit moral ndaj Venhar Salihut, e të cilit i ka ndihmu me majt atë pozitë Petrit Ajeti”, ka thënë ai.
Ai ka kërkuar nga institucionet që sipas tij t’ia mbrojnë familjen.
“Unë po kërkoj edhe njëherë institucioneve të shtetit, Presidentit, Kryeministrit, Kryeparlamentarit, deputetëve institucioneve të drejtësisë, mbroma familjen ju lutem. Familja jem është në rrezik. Nesër çka do që ndodhë, përgjegjësinë me të vërtetë ka më bartë shteti.
Letrën që ish-administratorja Jerliu ia kishte dërguar KGJK, me 22 nëntor 2022, KGjK ia kishte përcjellë Gjykatës Supreme, si autoritet kompetent për Kryetarët e Gjykatave. Këtë rast, ish-ushtruesja e detyrës së Kryetares së Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj, e kishte refuzuar si të pabazuar.
“Se pari parashtruesja e ankesës të thënat në ankesë nuk i argumenton, në fakt edhe pse pretendimet në ankesë sa i përket shkeljeve të cilat pretendon se janë kryer nga kryetari i gjykatës i ndan në ngjarje për asnjërën nga to nuk ofron asnjë provë qoftë materiale apo personale. Së dyti, nga provat të cilat kryetari i Gjykatës ia ka bashkëngjit deklaratës së tij sa i përket pretendimeve të parashtrueses së ankesës del se të thënat e saj janë të pabazuara” thuhet ndër të tjera në vendimin për refuzimin e ankesës disiplinore.
Lidhur me trajtimin e këtij rasti, “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar intervistë edhe nga Memaj. Ndër të tjera, pyetjet përfshinin edhe atë se pse nuk është intervistuar edhe parashtruesja e këtij rasti, ish-administratorja Jerliu, por vetëm Kryetari Salihu dhe gjyqtarët e tjerë.
Sipas përgjigjeve të dërguara, kjo kërkesë për intervistë e kishte befasuar Memajn. Krahas befasisë së shprehur, ajo thotë se vendimin e ka marrë duke u bazuar në Ligj, duke shtuar se “ju nuk jeni institucion qe e vlerësoni ligjshmërinë e vendimit të apostrofuar”. Krejt në fund, gjyqtarja citon Kushtetutën e Republikës së Kosovës që gjyqtarit i garanton imunitet nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi nga funksioni, për vendimet e marra, votimin e bërë, mendimin e shprehur dhe për veprimet e tjera të ndërmarra që janë brenda fushëveprimet të detyrave dhe përgjegjësive të tyre si gjyqtarë.
“Betimi për Drejtësi” i kujton gjyqtares Memaj se dërgimi i kërkesave për intervista dhe përgjigja ndaj atyre ftesave, brenda kornizave të lejuara, paraqet transparencë para publikut, derisa bashkëpunimin me mediat dhe shoqërinë civile, KGjK e proklamon si vlerë. Ndërsa, sa i përket imunitetit, që i mbron gjyqtarët nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi nga funksioni, “Betimi për Drejtësi” i kujton gjyqtares Memaj se realizimi i intervistës nuk është as ndjekje penale, as padi civile dhe as shkarkim nga funksioni. Është thjesht rrugë për informimin e publikut.
Të gjitha këto pretendime të ish-administratores Jerliu janë trajtuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Kjo Prokurori tanimë ka nxjerrë aktvendim përmes të cilit ka hudhur këtë kallëzim penal. Sipas këtij aktvendimi, nuk janë gjetur prova se Kryetari Salihu ka kryer veprat penale sipas kallëzimit penal.