Basketboll

Zvicra ka siguruar kualifikimin, ndaj Kosovës ua jep rastin lojtarëve të rinj

Zvicra - Kosova

Zvicra ka dominuar në Grupin A të raundit të parë të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Kosovës 2027 në basketboll. Një xhiro para fundit, Zvicra e ka siguruar vendin e parë në grup dhe avancimin në raundin e dytë të parakualifikimeve. “Helvetikët” i kanë fituar të gjitha pesë ndeshjet e deritashme.

Të enjten mbrëma në Fribourg zviceranët fituan bindshëm, 85:54, ndaj Irlandës.

Në fakt Zvicra i ka fituar bindshëm të gjitha ndeshjet e deritashme. Një vit më parë fitoi 72:53 ndaj Azerbajxhanit në shtëpi dhe 86:63 ndaj Irlandës në udhëtim. Në nëntor të vitit të kaluar Zvicra fitoi 75:43 ndaj Kosovës në shtëpi dhe 85:55 ndaj Azerbajxhanit në Baku.

Tani e mposhti Irlandën me 31 pikë dallim, ndërsa ndeshjen e fundit e ka në Prishtinë ndaj Kosovës, të dielën nga ora 19:30.

Derisa për Kosovën ndeshja është vendimtare për të shpresuar në kualifikim tutje, për Zvicrën ndeshja do të jetë pa ndonjë ngarkesë sa i takon rezultatit.

Selektori i Zvicrës, greku Ilias Papatheodorou, ka paralajmëruar se rastin do t’ua japë lojtarëve të rinj.

“Do t’u japim disa minuta lojtarëve të rinj. Kemi shumë të tillë. Jemi krenarë edhe për ta pasi gjenerata e re është këtu. Dhe ky është synimi ynë kryesor, t’u japim minuta por të mbajmë nivelin e ekipit përfaqësues dhe t’i përgatisim për të ardhmen”, ka thënë Papatheodorou.

Kosova të enjten fitoi me shumë mund ndaj Azerbajxhanit, me rezultat 81:79. Tani është e dyta në grup me shtatë pikë, sa i ka edhe Irlanda në vendin e tretë. Azerbajxhani është i katërti me gjashtë pikë.

Me fitore ndaj Zvicrës, Kosova e siguron vendin e dytë në grup. Me humbje, pozita e dytë do të varet nga rezultati i ndeshjes mes Azerbajxhanit e Irlandës. Nëse Azerbajxhani e mposht Irlandën dhe Kosova pëson nga Zvicra, atëherë pozita e dytë do t’i takojë Azerbajxhanit. Me fitore të Irlandës dhe humbje të Kosovës, pozita e dytë i takon Kosovës, për shkak të bilancit më të mirë në ndeshjet e ndërsjella.

Kosova ka bilanc 1:1 me të dy përfaqësueset, por ka koshdallim më të mirë se Irlanda e më të keq se Azerbajxhani, në ndeshjet e ndërsjella.

Por pozita e dytë nuk është garanci se Kosova avancon. Do të avancojë vetëm përfaqësuesja më e mirë e vendit të dytë prej tri grupeve sa janë gjithsej në raundin e parë të parakualifikimeve.

Për të shpresuar në kualifikim, Kosovës së pari i duhet fitorja ndaj Zvicrës.