Basketboll

Ylli – Prishtina, derbi i xhiros

KB Ylli

Në fundjavë zhvillohen ndeshjet e xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Xhiroja hapet me takimin Vëllaznimi – Trepça, që zhvillohet të shtunën nga ora 17:15 në Gjakovë. Trepça të mërkurën e mposhti Golden Eagle Yllin, ndërsa nuk e ka luajtur ende ndeshjen e xhiros së parë.

Vëllaznimi në xhiron e parë e mposhti Pejën, ndërsa në të dytën pësoi thellë nga Bashkmi, 72:51.

Të dielën janë dy ndeshje interesante.

Derbi i xhiros mes Golden Eagle Yllit e Sigal Prishtinës zhvillohet nga ora 17:00 në Suharekë.

Të dy skuadrat e kanë nga një fitore ndaj Borës. Një humbje pos Yllit e ka edhe Prishtina, që në xhiron e parë pësoi nga Proton Cable Prizreni.

Prej orës 19:00 të dielën është derbi i qytetit mes Proton Cable Prizrenit dhe Bashkimit.

Ndeshja mes Borës dhe Pejës është të martën nga ora 19:00. Kjo ndeshje zhvillohet më vonë për shkak të paraqitjes së Pejës në FIBA Europe Cup.