Golden Eagle Ylli është finalisti i dytë i plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Në gjysmëfinale, Ylli e eliminoi kampionen në fuqi, Pejën. Ylli fitoi serinë gjysmëfinale me rezultatin 3:2. Ndeshja vendimtare u zhvillua të shtunën mbrëma në "Karagaçin" e zbrazët.
Ndeshja ishte shumë e fortë dhe e hapur deri në aksionet e fundit. Skuadra suharekase fitoi në fund me rezultat 88:84, për t'iu bashkuar Trepçës në finale.
Ndonëse kishte shumë dështime, sërish më i miri tek Ylli ishte fundori Alonzo Verge Jr. Ai ndeshjen e përfundoi me 25 pikë, shtatë kërcime e shtatë asistime. Por trajneri i Yllit, Petar Mijoviq ka kritikuar shpesh fundorin amerikan dhe e ka lënë në bankë në momente të rëndësishme.
Jalen Nesbitt i kishte 12 pikë e tetë kërcime, ndërsa 12 pikë e tri kërcime i shtoi kapiteni Gëzim Morina.
Kontribut të madh dha Vincent Cole, që kishte 17 pikë e katër kërcime, derisa Jan Palokaj realizoi 14 pikë.
Larry Thomas i kishte 14 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime te Peja. Deandre Davis i kishte 16 pikë e pesë kërcime, ndërsa Arian Qallakaj 12 pikë e tri kërcime. Jimmy Hall realizoi 14 pikë, ndërsa në momentet vendimtare u shqua Musab Mala. Ai e mbylli ndeshjen me 13 pikë.
Ylli i kishte fituar dy ndeshjet e para, por më pas Peja u kthye me dy fitore rresht. Kështu finalisti u caktua vetëm në ndeshjen e pestë. Ndeshja u zhvillua pa praninë e shikuesve pasi Peja ishte dënuar me zhvillimin e dy ndeshjeve në palestër të zbrazët për shkak të hedhjeve në ndeshjen e parë. Një prej objekteve të hedhura kishte goditur në kokë Verge Jr.
Trepça finalen e ka siguruar një javë më parë, duke fituar 3:0 ndaj Sigal Prishtinës. Ndeshja e parë finale do të zhvillohet në Mitrovicë. Dhe Kosova do të ketë kampion të ri në basketboll.