(Përditësuar - 21:10) - Ndeshja e pestë do të përcaktojë finalistin e dytë në Superligën e Kosovës në basketboll. Kampionia në fuqi, Peja, ka barazuar rezultatin në 2:2 në serinë gjysmëfinale, me fitoren e shënuar të mërkurën mbrëma në Suharekë. Peja fitoi 81:80 ndaj Golden Eagle Yllit.
Ndeshja e pestë zhvillohet në fundjavë në Pejë, pa praninë e shikuesve.
Takimi në Suharekë ishte shumë i fortë dhe dramë e vërtetë. Por në fund festuan basketbollistët pejanë. Katër sekonda para fundit, Larry Thomas bëri kërcim në sulm dhe shënoi për dy pikë e kështu edhe për fitoren shumë të madhe.
Ylli ishte shumë afër fitores. 2:13 minuta para fundit, Alonzo Verge Jr shënoi për epërsinë 79:70 të Yllit. Por më pas vendasit sikur u ndalën, duke bërë gabime dhe duke huqur gjuajtje.
Justin Edler Davis shënoi për 79:72 e më pas realizoi edhe dy gjuajtje të lira për të ngushtuar rezultatin 79:74. Verge humbi sulmin pasues dhe 41 vsekonda para fundit, Larry Thomas realizoi për tri pikë për të ngushtuar rezultatin në 79:77. Për Thomasin asistoi Musab Mala. Sërish lojtarët e Yllit dështuan të shënojnë. Jan Palokaj nuk ishte i saktë. Dhe 17 sekonda para fundit Musab Mala barazoi rezultatin në 79:79. Nëntë sekonda para fundit kishte faul për Alonzo Verge Junior, që shënoi vetëm një gjuajtje të lirë për 80:79.
Peja e kishte aksionin e fundit. Rami Hadar përgatiti skemën që Musab Mala të gjuaj për tri pikë. Mala nuk ishte i saktë, por Thomas kërceu në sulm dhe gjuajti shpejtë për 81:80. Verge Jr kishte edhe një gjuajtje të fundit nga largësia, por të pasaktë.
Kështu kampionia aktuale ka bërë kthim të madh. Ylli i kishte fituar dy ndeshjet e para, por të shtunën në Gjakovë dhe të mërkurën në Suharekë fituan pejanët, që tani janë në situatë më të mirë për të kaluar në finale.
Ndeshja ishte shumë e luftuar, nga fillimi e deri në fund.
Justin Edler Davis u shqua te Peja me 22 pikë e 11 kërcime. Larry Thomas e përfundoi ndeshjen me 17 pikë, ndërsa Mala i kishte nëntë pikë, pesë kërcime e katër asistime. Por Mala dha kontribut të madh në momentet vendimtare. Kwame Vaughn i kishte 14 pikë për Pejën.
Alonzo Verge Jr nuk e kishte qetësinë e duhur në momentet vendimtare, por ndeshjen e përfundoi me “triple-double” të rrallë për basketbollin kosovar. I kishte 32 pikë, 12 asistime e dhjetë kërcime. Jalen Nesbitt i kishte 13 pikë, tri kërcime e tri asistime. Nate Grimes ndeshjen e mbylli me 11 pikë e tri kërcime.
Kështu Trepça duhet të presë ende për të mësuar kundërshtarin e finales. Trepça finalen e siguroi të dielën. E mposhti Sigal Prishtinën në tri ndeshje.
Ylli në epërsi prej një pike pas pjesës së parë
Golden Eagle Ylli e Peja po zhvillojnë ndeshje të fortë në Suharekë. Pas pjesës së parë rezultati është 47:46 në të mirë të Yllit.
Ndeshja po zhvillohet në Suharekë dhe është e katërta e serisë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Aktualisht Ylli është duke udhëhequr 2:1 në ndeshje. Me fitore Ylli kualifikohet në finale. Nëse fiton Peja, finalisti përcaktohet në ndeshjen e pestë, që do të zhvillohej në Pejë.