Basketboll

Ylli ndal serinë e gjatë të fitoreve të Trepçës

Klubi i basketbollit Ylli

Golden Eagle Ylli e ka ndalur serinë e 20 fitoreve rresht të Trepçës në elitën e basketbollit të Kosovës. 

Të enjten mbrëma në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, Ylli mposhti Trepçën me rezultatin 81:79. 

I është revanshuar për disfatën në finale të Ligës Unike të dielën, të cilën e fituan mitrovicasit. 

Trepça javë më parë e fitoi edhe Kupën e Kosovës dhe ishte në ecuri të jashtëzakonshme të fitoreve. 
Periudhën e parë e fitoi Ylli me rezultatin 19:18, ndërsa të dytin Trepça, 23:20, për të shkuar në pushim me dy pikë epërsi, 41:39. 

Suharekasit e fituan periudhën e tretë 20:15, e cila i mjaftoi për të triumfuar në fund, pavarësisht se 10-minutëshin e fundit, Trepça e fitoi 23:22. 

Ishte ndeshja e fundit e stinorit të rregullt, ndërsa Trepça e mbyll si lidere me 25 fitore e tri disfata. Plejofin e nis nga gjysmëfinalja.  

Ylli i dyti ka 19 fitore e nëntë disfata, ndërsa në plejof do të luajë kundër Bashkimit në çerekfinale. Sigal Prishtina – Vëllaznimi është çerekfinalja tjetër e plejofit. 

Alonzo Verge Jr ishte më i dalluari në fitoren e Yllit me 35 pikë, shtatë kërcime e dy asistime. 

Trepçës nuk i ndihmoi ta shmangë humbjen paraqitja e mirë e Darnell Edge, që e mbylli ndeshjen me 26 pikë, dy kërcime e tri asistime.