Basketboll

Ylli mposht Pejën në derbin e parë të xhiros

Lis Shoshi, KB Ylli

Golden Eagle Ylli ka mbajtur vazhdimisht epërsi të lartë, por në fund ka fituar me vetëm tetë pikë dallim ndaj Pejës.

Të shtunën mbrëma në Suharekë, Ylli fitoi me rezultatin 92:84. Ishte ky derbi i parë i xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Suharekasit nisën furishëm ndeshjen dhe çerekun e parë e fituan me rezultat 39:16. Në periudhën e parë, lojtarët e Yllit kishin efikasitet shumë të lartë dhe u shkëputën shpejtë.

Epërsi prej 20 e më shumë pikëve, Ylli mbajti deri në mesin e çerekut të katërt.

Çereku i dytë përfundoi 20:18 për Pejën, ndërsa rezultati i çerekut të tretë ishte 19:16 për Yllin.

Në minutën e 33-të epërsia e vendasve ishte 25 pikë, 83:58. Më pas ishte momenti i Pejës, që ia doli të afrohet në vetëm tetë pikë. 89:81 në të mirë të Yllit ishte rezultati 1:15 minuta para fundit të ndeshjes. 52 sekonda para fundit, Malcolm Armstead bëri asistim mjeshtëror për Arian Qallakajn që realizoi për rezultatin 91:81. Kështu rikthimi i pejanëve u bë i pamundur. Në fund dallimi ishte tetë pikë.

Jalen Nesbitt u dallua tek Ylli me 20 pikë e nëntë kërcime. William Tavares i kishte 22 pikë, katër kërcime e katër asistime. Lis Shoshi e ndihmoi fitoren me 14 pikë e 11 kërcime, ndërsa Armstead i kishte 15 pikë, nëntë asistime e pesë kërcime. 16 pikë i realizoi Qallakaj.

Dardan Berisha ishte më i miri te Peja me 24 pikë, tri kërcime e tri asistime. Terwell Beck i kishte 19 pikë. Lojtarët e tjerë kishin më pak se dhjetë pikë.

Ndeshja u zhvillua në praninë e pak shikuesve.

Ylli tani e kalon Pejën në tabelë. Skuadra suharekase i ka gjashtë fitore e pesë humbje. Peja mbetet me pesë fitore, ndërsa e pësoi humbjen e gjashtë.

Derbi tjetër i xhiros së 11-të është të dielën mbrëma. Takohen Sigal Prishtina e Trepça.  Të dielën është edhe takimi Proton Cable Prizreni – Vëllaznimi.