Golden Eagle Ylli e ka fituar me 18 pikë dallim ndeshjen e parë çerekfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Por suharekasit nuk janë shumë të kënaqur me paraqitjen në ndeshjen e së dielës ndaj Bashkimit të Prizrenit.
Ylli kishte fituar në Suharekë me rezultat 87:69 për të bërë hapin e parë drejt gjysmëfinales së plejofit. Ndeshja e dytë është të enjten prej orës 18:00 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Në rast të fitores, Ylli kualifikohet në gjysmëfinale. Në rast se fiton Bashkimi, zhvillohet ndeshja e tretë, sërish në Suharekë. Fituesi i kësaj përballjeje takohet me kampionen në fuqi, Pejën, në gjysmëfinale.
“Na pret ndeshje e vështirë në atmosferë të mirë në Prizren. Pas ndeshjes së parë, të cilën nuk e kemi luajtur mirë, kemi pushuar dhe jemi përgatitur për një tjetër ndeshje të vështirë. Do të bëjmë çdo gjë që të fitojmë dhe ta përfundojmë serinë 2:0, që të kemi sa më shumë pushim para gjysmëfinales me Pejën”, ka thënë basketbollisti i Yllit, Jan Palokaj.
Peja si e dyta e stinorit të rregullt, ka kaluar direkt në gjysmëfinale të plejofit.
Palokaj në fitoren e së dielës kontribuoi me nëntë pikë, tri kërcime e dy asistime. Bashkimi mori goditje të rëndë në atë ndeshje, pos humbjes. Mbeti pa fundorin amerikan Isiah Umipig, që pësoi lëndim serioz. Për Umipigun, që ishte prej lojtarëve kryesorë të Bashkimit, ka përfunduar edicioni.
Prizrenasit megjithatë nuk janë dorëzuar.
Kapiteni Altin Morina ka thënë se llogaritin në përkrahjen e shikuesve për ta ndalur Yllin.
“Ylli po tregon formë të mirë ekipore prej se ka ardhur trajneri Petar Mijoviq. Ndeshja e parë ishte mjaft cilësore. Shpresojmë që në Prizren, në palestrën tonë, të kemi përkrahjen e tifozëve dhe të barazojmë serinë në 1:1”, ka thënë Morina.
Në çerekfinalen tjetër të plejofit po përballen Sigal Prishtina e Vëllaznimi. Vëllaznimi fitoi 66:65 ndaj Prishtinës, të martën mbrëma në Gjakovë dhe barazoi serinë në 1:1. Ndeshja vendimtare do të zhvillohet në Prishtinë.