Golden Eagle Ylli ka fituar të dielën në Suharekë dhe ka barazuar në 2:2 rezultatin në serinë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Ylli e mposhti Trepçën me rezultat 75:71. Ndeshja ishte shumë e fortë dhe shumë dramatike. Dhe në fund festuan vendasit.
Kampioni i Kosovës në basketboll caktohet të enjten në “Minatori” në Mitrovicë, në ndeshjen e pestë dhe vendimtare. Ndeshja e së enjtes zhvillohet prej orës 19:00.
Trepça shfaqi më tepër në pjesën e parë dhe në pushimin e gjatë shkoi me epërsi prej katër pikësh, 33:29. Çereku i parë përfundoi 15:13 për mitrovicasit, ndërsa i dyti 18:16.
Kthimi i madh u bë në çerekun e tretë, të cilin Ylli e fitoi 20:13. Megjithatë dallimi pas çerekut të tretë ishte vetëm tri pikë, 49:46.
Në çerekun e katërt suharekasit u shkëputën deri në 12 pikë, 64:52 e 66:54. Trepça ia doli të afrohet, por pa rrezikuar fitoren e Golden Eagle Yllit që kishte telashe me gabime personale të lojtarëve. Në fund dallimi ishte vetëm katër pikë, 75:71.
Alonzo Verge Jr sërish ishte enigmë për skuadrën e Trepçës. Fundori i shpejtë ndeshjen e mbylli me 27 pikë, gjashtë kërcime e shtatë asistime. Statistikat më të mira tek Ylli i kishte Jalen Nesbitt, që ndeshjen e përfundoi me 15 pikë e nëntë kërcime. Nate Grimes kontribuoi me 11 pikë e gjashtë kërcime.
Kontribut të çmuar, sidomos në minutat e fundit, dha Valon Bunjaku. Ai ndeshjen e përfundoi me gjashtë pikë e katër kërcime, por ndihmoi shumë në mbrojtje dhe në organizimin e sulmeve.
Te Trepça sërish më i miri ishte Kevin Capers me 17 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime. Dardan Kapiti i kishte 10 pikë e 11 kërcime, ndërsa Darnell Edge ndeshjen e mbylli me 15 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime. Por mungoi kontributi më i madh i të tjerëve dhe kështu vetëm ndeshja e pestë do ta përcaktojë kampionin.
Trepça do të ketë përkrahje të zjarrtë nga tifozët të enjten në shtëpinë e saj. Mitrovicasit janë në kërkim të titullit të pestë. Titullin e katërt e kanë fituar plot 12 vjet më parë. Ndërkohë Ylli po e kërkon titullin e tretë. Dy titujt e parë i ka fituar në vitet 2021 e 2022. Palestra në Suharekë të dielën ishte e stërmbushur me shikues. Përkrahja për Yllin, por edhe për Trepçën ishte e madhe. Festa në fund megjithatë u takoi atyre që ishin shumicë, tifozëve të Yllit.
Trepça në epërsi pas pjesës së parë
Trepça është në epërsi prej katër pikësh pas pjesës së parë të ndeshjes ndaj Golden Eagle Yllit në Suharekë.
Pas 20 minutave lojë rezultati është 33:29 në të mirë të ekipit mitrovicas.
Palestra “13 Qershori” është e stërmbushur me shikues për ndeshjen e katërt të serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Me fitore, Trepça shpallet kampione. Mitrovicasit fituan çerekun e parë me rezultat 15:13 dhe të dytin me shifrat 18:16.