Në fundjavë zhvillohen ndeshjet e treta gjysmëfinalen në plejofin e Superligës së Kosovës në basketboll. Golden Eagle Ylli dhe Trepça janë nga një fitore larg finales. Dhe finalen synojnë ta sigurojnë që në ndeshjet e treta.
Të shtunën nga ora 19:00 takohen Peja e Golden Eagle Ylli. Peja është vendase, por ndeshja zhvillohet në Gjakovë. Në “Karagaçi” është turneu final i Kupës së Kosovës në hendboll.
Ndeshja po ashtu luhet pa praninë e tifozëve. Pra, këto janë rrethana lehtësuese për Yllin e Suharekës që tashmë udhëheq 2:0.
Ylli një javë më parë kishte fituar 87:84 në Pejë, ndërsa në mesjavë fitoi në Suharekë me shifrat 92:86.
Të dielën prej orës 19:00 është gjysmëfinalja e tretë mes Trepçës e Sigal Prishtinës. Ndeshja zhvillohet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Trepça udhëheq 2:0 dhe me tjetër fitore siguron finalen.
Fillimisht të dielën e kaluar Trepça kishte fituar në “Minatori” me rezultat 87:81. Të enjten mbrëma në Prishtinë dy skuadrat zhvilluan ndeshje të fortë e shumë dramatike. Prishtina ishte në epërsi gjatë gjithë kohës, por jo edhe në sekondat e fundit. Trepça kaloi në epërsi 86:85 me shënimin e Darnell Edge, ndërsa prishtinasit humbën aksionin e fundit. Kjo bëri që Trepça të shënojë fitore dhe t’i afrohet finales.