Basketboll

Ylli e fiton ndeshjen dramatike, barazon rezultatin në serinë finale

Basketboll - Golden Eagle Ylli

 

Golden Eagle Ylli i ka mbijetuar një ofenzive të Trepçës në çerekun e katërt për ta fituar ndeshjen e dytë të serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Rezultati tani është 1:1, ndërsa skuadra që i shënon tri fitore shpallet kampione.

Të dielën pasdite në Suharekë, Ylli e fitoi me rezultat maksimalisht të ngushtë, 80:79, ndeshjen shumë dramatike ndaj Trepçës.

Në sekondën e fundit, Devonte Upson i Trepçës e kishte gjuajtjen për tri pikë, përkatësisht për fitore. Por Upson nuk ishte i saktë dhe festa u takoi vendasve. 3 sekonda para fundit, Jan Palokaj i Yllit i huqi dy gjuajtjet e lira për ta mbajtur Trepçën në lojë për aksionin e fundit.

Ylli ka dominuar tre çerekët e parë dhe në çerekun e katërt hyri me avantazh prej 19 pikëve, 60:41. Më pas kishte epërsi edhe prej 21 pikëve, 62:41.

Por mitrovicasit, të frymëzuar nga Mikaile Tmushiq, realizuan seri prej 10:0 dhe u afruan në 62:51. Rikthimi dramatik i Trepçës vazhdoi. 1:55 minuta para fundit Trepça u afrua në vetëm një pikë, 72:71. Alonzo Verge Jr më pas realizoi dy gjuajtje të lira për 74:71. Jalen Nesbitt shtoi dy pikë për 76:71 e më pas realizoi edhe për 78:71. Tmushiq shënoi një tjetër treshe, 41 sekonda para fundit për 78:74.

37 sekonda para fundit, u diskualifikuan Verge Jr i Yllit dhe Kevin Capers i Trepçës për shkak të një përplasje. Ata përleshjen e vazhduan edhe rrugës për në dhomat e zhveshjes dhe kjo solli tensione tjera në palestër dhe një ndërprerje prej rreth dhjetë minutash.   

Loja vazhdoi dhe Nesbitt realizoi dy gjuajtje të lira për 80:74. Por drama nuk përfundoi. 23 sekonda para fundit, Upson ngushtoi rezultatin në 80:76. Dejuan Graff i Yllit humbi topin në aksionin pasues dhe Tmushiq realizoi tjetër treshe për 80:79. Ndodhi kjo 14 sekonda para fundit. Më pas Palokaj u faulua dhe humbi dy gjuajtjet dhe Upson ishte i pasaktë fare në fund. Kështu Ylli e fitoi me shumë fat ndeshjen që e dominoi për tre çerekë.

Jalen Nesbitt ishte më i miri tek Ylli me 14 pikë, dhjetë kërcime e tri asistime. Verge Jr i kishte 27 pikë, tri kërcime e katër asistime. Natte Grimes i kishte 11 pikë e shtatë kërcime, ndërsa 13 pikë i realizoi Palokaj.

Tmushiq ishte më i miri te Trepça me 17 pikë, tri kërcime e tri asistime. Upson ndeshjen e përfundoi me 11 pikë e gjashtë kërcime, ndërsa Edge i kishte 12 pikë, gjashtë kërcime e pesë asistime.

Ndeshja e tretë e serisë finale zhvillohet të enjten në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

Në Suharekë atmosfera ishte e zjarrtë, ndërsa gjysma e tifozëve ishin nga Mitrovica dhe përkrahën Trepçën.