Golden Eagle Ylli ka njoftuar se nuk do të udhëtojë sot (e enjte) në Prishtinë për ta zhvilluar ndeshjen e vendit të tretë në Ligën Unike kundër Besëlidhjes në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.
Klubi nga Suhareka ka thënë se për shkak të ndeshjes që e luan ndaj Bashkimit të shtunën, mbingarkesës dhe lëndimeve të shumta të basketbollistëve të saj ka vendosur mos ta zhvillojë këtë ndeshje.
“Sot, pas takimit të Bordit të Golden Eagle Yllit, është marrë vendimi që ekipi ynë nuk do të udhëtojë për të zhvilluar ndeshjen për vendin e tretë në Ligën Unike. Ky vendim është marrë për shkak të mbingarkesës së lojtarëve, duke pasur parasysh që luajmë ndeshjen të shtunën në kuadër të Superligës kundër Bashkimit dhe situatën me shumë lëndime gjatë këtij sezoni, veçanërisht në javët e fundit”, thuhet në njoftimin e Yllit.
Ylli u mposht dje në gjysmëfinale nga Vëllaznimi, ndërsa Besëlidhja humbi nga Prishtina.
Ndeshja për vendin e tretë ishte paraparë të luhej sot nga ora 17:00. Ndërkohë finalja do të luhet nga ora 20:00.
Ylli e pati fituar edicionin e parë të Ligës Unike.