Basketboll

Ylli avancon në gjysmëfinale të plejofit

Bashkimi - Ylli

Golden Eagle Ylli ka avancuar në gjysmëfinale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll.

Skuadra suharekase të enjten mbrëma e fitoi edhe ndeshjen e dytë çerekfinale ndaj Bashkimit. Ylli në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren fitoi me rezultatin 86:75. 

Në gjysmëfinale, Ylli do të luajë kundër kampiones në fuqi të Kosovës, Pejës.  Pjesa e parë ishte e barabartë. 

Ylli fitoi në çerekun e parë 20:14, kurse 23:17 përfundoi periudha e dytë në të mirë të Bashkimit dhe skuadrat në pushim shkuan me rezultatin e barabartë, 37:37. 

Vendimtare në këtë fitore të mysafirëve ishte periudha e tretë, të cilën e fituan 28:22. 
21:16 u mbyll çereku i fundit në të mirë të Yllit, që fitoi me 11-të pikë epërsi. 

Alonzo Verge Jr ishte i pandalshëm me 31 pikë, katër kërcime e tetë asistime. 

Kontribut të madh dha edhe Nate Grimes me 21 pikë, 13 kërcime e dy asistime. 

Jalen Nesbitt shtoi 13 pikë e katër kërcime, kurse kapiteni Gëzim Morina pati tetë pikë, gjashtë kërcime e dy asistime. 

Bashkimit nuk i ndihmoi loja e mirë e Eric Copes që e mbylli ndeshjen me dyshifror të dyfishtë prej 20 pikëve, 11 kërcimeve e një asistimi. 

Trepça është gjysmëfinalistja tjetër, ndërsa e pret fituesin e duelit Sigal Prishtina – Vëllaznimi. Seria e çerekfinales së këtyre dy skuadrave është 1:1. Ekipi që i shënon dy fitore avancon tutje.