Basketboll

Xhiroja e fundit vendos për pozitën e parë

KB Bashkim

Gara interesante në stinorin e rregullt në Superligën e Kosovës në basketboll përfundon në fundjavë. Në program janë ndeshjet e xhiros së 28-të, përkatësisht të fundit.

Dhe pikërisht xhiroja e fundit vendos se cila skuadër do të startojë në plejof nga pozita e parë dhe kështu do të ketë rrugë më të përshtatshme drejt titullit të kampionit.

Një xhiro para fundit, Bashkimi është lider me 46 pikë, një më shumë se Trepça e vendit të dytë.

Trepça luan të shtunën dhe pret fitore ndaj Borës. Ndeshja zhvillohet nga ora 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Bora përfundon kampionatin në vendin e shtatë dhe luan në plejaut.

Ndërkohë Bashkimi luan të dielën nga ora 17:00 në “Sezai Surroi” ndaj Pejës. Bashkimit i duhet fitorja që të përfundojë në vendin e parë. Në rast se mbetet me pikë të njëjta me Trepçën, përkatësisht në rast të disfatës nga Peja, Bashkimi përfundon i dyti në tabelë. Kur skuadrat kanë pikë të barabarta, atëherë pozitë më të lartë ka ajo që ka bilanc më të mirë në ndeshjet e ndërsjella. Bashkimi e Trepça kanë nga dy fitore në përballjet direkte, por “xehetarët” kanë koshdallim më të mirë.

Sigal Prishtina starton prej pozitës së tretë të plejofit. I ka 43 pikë dhe dy humbjet e fundit e nxorën nga gara për vendin e parë.

Në plejof paraqiten edhe Peja, Golden Eagle Ylli dhe Vëllaznimi. Por pozita e tyre ende duhet të caktohet. Aktualisht Peja është e katërta me 41 pikë, sa i ka Ylli në vendin e pestë. Vëllaznimi është i gjashti me 40 pikë.

Punën më të lehtë e ka Ylli, që të shtunën prej orës 17:00 takohet në udhëtim me Proton Cable Prizrenin. Prizreni ka shumë xhiro që është pa gjasa që të mbetet në Superligë, ndërsa është goditur edhe nga lëndimet. Pritet fitore e Yllit që mund ta dërgojë në pozitën e katërt për plejof.

Të dielën nga ora 19:00, Vëllaznimi e pret Sigal Prishtinën.

Bashkimi e Trepça kualifikohen direkt në gjysmëfinale të plejofit. Në çerekfinale, Prishtina e vendit të tretë luan me skuadrën e vendit të gjashtë. Ndërkohë në çerekfinalen tjetër përballen skuadra e vendit të katërt me skuadrën e vendit të pestë.

Në basketbollin kosovar, e sidomos në plejof, terreni vendas është përparësi e madhe. Për këtë arsye të gjitha skuadrat luftojnë për pozitë më të mirë në tabelë.

Gara për titull pritet të jetë e fortë e dramatike. Kampione në fuqi është Trepça.

Superliga në basketboll – XXVIII

E shtunë

P.C. Prizreni – G.E. Ylli (17:00)

Trepça – Bora (19:00)

E diel

Bashkimi – Peja (17:00)

Vëllaznimi – Sigal Prishtina (19:00)


Tabela