Pas turneut final të Ligës Unike, skuadrat kosovare të basketbollit vazhdojnë garën në Superligë. Në program është xhiroja e 26-të. Dy ndeshje janë të shtunën e dy të tjera të dielën.
Tashmë dihen gjashtë skuadrat që do të paraqiten në plejof, por jo edhe pozita e tyre. Deri në fund janë edhe tri xhiro, ndërsa gara është e hapur për pozitën e parë, pozitën e dytë dhe po ashtu për tri pozitat e tjera. Pas xhiros së 28-të, skuadra e parë dhe e dytë avancojnë direkt në gjysmëfinale. Në çerekfinale luan skuadra e pozitës së tretë me skuadrën e pozitës së gjashtë dhe skuadra e pozitës së katërt me skuadrën e pozitës së pestë.
Pas javës së 25-të lider është Bashkimi me 43 pikë. Trepça e Sigal Prishtina i kanë nga 41. Peja është e katërta me 38 pikë, ndërsa pasojnë Vëllaznimi e Golden Eagle Ylli me nga 37 pikë. Bora e vendit të shtatë do të luajë në plejaut, ndërsa Proton Cable Prizreni i vendit të fundit bie nga Superliga. Bora i ka 33 pikë, ndërsa Prizreni 30-të.
Të shtunën prej orës 20:00 janë ndeshjet Trepça – Proton Cable Prizreni dhe Bashkimi – Golden Eagle Ylli. Derisa Trepça nuk pritet të ketë telashe për të fituar dy pikë të reja, Bashkimi do të sfidohet shumë seriozisht në “Sezai Surroi”.
Ylli në tri xhirot e kaluara kampionale mposhti skuadra pretendente, Pejën, Prishtinën dhe Trepçën.
Yllit i duhet fitorja për të “sulmuar” pozitën e pestë e potencialisht edhe pozitën e katërt. Bashkimit i duhet patjetër fitorja për të mbajtur diferencën me përcjellëset.
Ylli u mposht në gjysmëfinale të Ligës Unike nga Vëllaznimi, ndërsa ndeshjen për vendin e tretë, të planifikuar për të enjten, nuk e zhvilloi fare. Ylli është dashur të përballet me Besëlidhjen e Lezhës.
“Ky vendim u mor për shkak të mbingarkesës së lojtarëve, duke pasur parasysh se luajmë ndeshje të shtunën me Bashkimin dhe për shkak të situatës me shumë lëndime, sidomos në xhirot e fundit”, ka njoftuar Ylli.
Të dielën vëmendja do të jetë në derbin e madh mes Pejës e Sigal Prishtinës. Peja kërkon fitore për t’u stabilizuar në vendin e katërt, ndërsa Prishtinës i duhen pikët për të mbetur në garë për vendin e parë.
Në ndeshjen tjetër që zhvillohet të dielën nga ora 20:00, Vëllaznimi llogaritet favorit ndaj Borës. Vëllaznimi do të ketë motiv shtesë në këtë ndeshje. Të enjten e ka fituar Ligën Unike.
Superliga në basketboll – XXVI
E shtunë (20:00)
Trepça – P.C. Prizreni
Bashkimi – G.E. Ylli
E diel (20:00)
Peja – S. Prishtina
Vëllaznimi – Bora
Xhiroja XXVII
G.E. Ylli – Vëllaznimi
Bora – P.C. Prizreni
S. Prishtina – Bashkimi
Peja – Trepça
Xhiroja XXVIII
P.C. Prizreni – G.E. Ylli
Trepça – Bora
Bashkimi – Peja
Vëllaznimi – S. Prishtina