Basketboll

Wembanyama i Spursit arrin shifrën unike “5x5”

Victor Wembanyama

Victor Wembanyama e ka nisur me shkëlqim edhe edicionin e ri të ligës NBA të basketbollit.

Ai të enjten pas mesnate realizoi shifrën unike që në NBA njihet si “5x5”.

Wembanyama shënoi 25 pikë, ndërsa kontribuoi edhe me nëntë kërcime, shtatë asistime, pesë bllokada e pesë topa të vjedhur.

Është hera e dytë që Wembanyama lë gjurmë në pesë kategori të ndryshme brenda një ndeshjeje, shkruan “BBC” të premten.

Bashkë me Hakeem Olajuwonin dhe Andrei Kirilenkon, janë të vetmit që e kanë përsëritur këtë më shumë se një herë në NBA.

Spursi në fund fitoi me rezultatin 106:88 ndaj Utah Jazzit.

Ndërkohë, Memphis Grizzlies e mposhti Milwaukee Bucksin 122:99. Formë të jashtëzakonshme në këtë ballafaqim pati Ja Morant, që shënoi dyshifror të trefishtë për herën e 12-të në karrierë.

Ai realizoi 26 pikë, 14 asistime dhe 10 kërcime.

Giannis Antetokounmpo i shënoi 37 pikë për Bucksin, por që nuk ishin të mjaftueshme për ta shmangur disfatën e katërt rresht.

Phoenix Sunsi përfitoi nga loja e mirë e Devin Bookerit dhe arriti që ta mposhtë Los Angeles Clippersin, 125:119.

Booker shënoi 40 pikë.