Basketboll

Vetëm humbje, disa shumë të thella, për përfaqësueset e reja në basketboll

Përfaqësueset e reja në basketboll

Ekipet përfaqësuese U14 për djem dhe vajza të Kosovës në basketboll gjatë javës së kaluar u paraqitën në turneun zhvillimor të FIBA-s, të mbajtur në Bullgari. Është ky një aktivitet që mbahet çdo vit e që për qëllim ka zhvillimin e lojtarëve të rinj.

Por Kosova vazhdimisht ka telashe sa u takon rezultateve, në konkurrencë me Rumaninë, Maqedoninë e Veriut, Turqinë dhe Bullgarinë. Edhe këtë vit ekipet përfaqësuese të Kosovës kanë pësuar vetëm humbje.

“Rezultatet nuk ishin të favorshme, derisa synimi mbetet të zhvillojmë lojtare e lojtarë për të ardhmen”, ka shkruar Federata e Basketbollit e Kosovës të martën.

Në ditën e parë, vajzat e Kosovës pësuan 54:36 nga Rumania, ndërsa djemtë pësuan 94:46. Më pas vajzat humbën 78:26 nga Turqia, derisa djemtë pësuan 109:49. Nga Maqedonia e Veriut, vajzat pësuan 54:44, ndërsa djemtë 103:63. Dhe në fund ekipet e Kosovës u përballën me Bullgarinë. Vajzat humbën 74:40, ndërsa djemtë 66:54. 

Në basketbollin kosovar investohen milionë euro çdo vit, por pak shkojnë në kategori të reja. Dhe rezultatet në këtë turne zhvillimor, por edhe në kampionate evropiane të grupmoshave, dëshmojnë që investimet nuk bëhen në mënyrë të duhur.