Basketboll

Verge Jr gati për Trepçën: Askush s’kishte menduar se mund të arrinim këtu

Alonzo Verge Jr

Basketbollisti kryesor i Golden Eagle Yllit, Alonzo Verge Jr, është tejet i motivuar për ndeshjen e tretë ndaj Trepçës, duke thënë se arritja në finale e klubit suharekas nuk ishte menduar nga askush pas startit të dobët në fillim të sezonit.

Ndeshja e tretë e serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll mes Yllit dhe Trepçës zhvillohet të enjten [sot] prej orës 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Të dyja ekipet e kanë fituar nga një ndeshje.

Verge Jr, i cili në ndeshjen e parë shënoi 32 pikë e në të dytën 27, është i vetëdijshëm që problemi i Yllit është çereku i fundit. Por është optimist se do t'ia dalin.

“Kemi pasur kontroll në pjesën më të madhe ndaj Trepçës, problemi i madh është përfundimi i ndeshjes. Nëse mund ta përfundojmë ndeshjen ashtu siç e nisim, do të jemi mirë. Ne duhet të qëndrojmë agresivë në mbrojtje dhe të vazhdojmë të luajmë si ekip në sulm. Fitorja është qëllimi kryesor në fund të ditës sido që ta arrijmë. Kjo është e gjitha. Kjo është shumë e rëndësishme për Suharekën sepse askush nuk e kishte menduar se do të arrinim deri këtu, por duhet të përgatitemi ndeshje për ndeshje”, ka thënë 25-vjeçari në një prononcim për KOHËN.

Të enjten e kaluar në Mitrovicë, Ylli ishte duke fituar deri në 13 pikë, por Trepça festoi në fund duke triumfuar 77:68. Të dielën në Suharekë, Ylli ishte duke udhëhequr me 21 pikë në fillim të çerekut të katërt. Por në fund fitoi me vetëm një pikë dallim, 80:79.

Trepça ka fituar Kupën e Kosovës, Superkupën dhe Ligën Unike sivjet. Titullin është duke e pritur që nga viti 2012. Ka katër tituj të Kosovës, ndërsa po e kërkon të pestin.

Ylli e kërkon titullin e tretë. Dy të parët i fitoi në vitet 2021 e 2022.

Trepça e Ylli këtë edicion janë takuar shtatë herë, në të gjitha garat. Trepça i ka katër fitore e Ylli tri.

Kampione shpallet skuadra që i shënon tri fitore. Ndeshja e katërt do të jetë të dielën në Suharekë.

LEXO EDHE: