Superndeshje është zhvilluar të shtunën mbrëma në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Arena ishte e mbushur plot me shikues për ndeshjen e dytë të çerekfinales së plejofit Vëllaznimi – Sigal Prishtina.
Dhe falë ndihmës së madhe të tifozëve, Vëllaznimi arriti fitore. Me fitoren 90:73, Vëllaznimi ka bërë që vendimtare për avancim në gjysmëfinale të plejofit të jetë ndeshja e tretë në Prishtinë të mërkurën. Rezultati i serisë aktualisht është 1:1. Sigal Prishtina në shtëpi e fitoi ndeshjen e parë 71:69. Ekipi që i shënon dy fitore kualifikohet dhe ballafaqohet me Trepçën që stinorin e rregullt e mbylli në pozitën e dytë, prapa Bashkimit.
Çerekun e parë e fitoi Sigal Prishtina 28:16. Loja e mirë e “bardhekaltërve” vazhdoi edhe në periudhën e dytë. Madje, në fund të dhjetëminutëshit të dytë, Sigal Prishtina pati epërsi prej 21 pikëve, 46:25. Por, “kuqezinjtë” u kthyen fuqishëm në çerekun e tretë duke e barazuar rezultatin në 63:63, 50 sekonda pa nisur periudha e fundit, dhe kaluan më pas në epërsi.
Jericole Hellems shkëlqeu në momentet vendimtare. Hellems dhe lojtarët e tjerë të Vëllaznimit e vazhduan të njëjtën lojë të mirë edhe në periudhën e katërt, për barazimin e serisë çerekfinale.
Hellems ishte lojtari i ndeshjes pasi e mbylli ballafaqimin me plot 37 pikë, ndërsa kontribuoi edhe me dhjetë kërcime e katër asistime. Trey Anderson te Vëllaznimi shtoi 28 pikë, shtatë kërcime e katër asistime Jason Jitoboh realizoi dhjetë pikë, ndërsa momente të mira pati edhe Atik Koshi që e mbylli ndeshjen me shtatë pikë.
Sigal Prishtinës nga ana tjetër nuk i ndihmoi loja e mirë e Jordan Davisit që realizoi 17 pikë, shtatë kërcime e dy asistime.
Në ndeshjen tjetër çerekfinale të plejofit të dielën prej orës 19:00 në “Karagaçi” të Pejës luajnë Peja e Golden Eagle Ylli. Peja ka epërsi nga ndeshja e parë pasi në Suharekë fitoi 77:71. Ajo ndeshje ishte ndërprerë për kohë të gjatë pas një incidenti. Edhe ndeshja e së dielës pritet të jetë e zjarrtë. Peja me fitore më pas do të luante ndaj Bashkimit në gjysmëfinale. Në rast të disfatës, do ta zhvillonte edhe një ndeshje tjetër në Suharekë të enjten.