Basketboll

Rikthim dramatik, Bashkimi kalon në finale

KB Bashkimi

Bashkimi e humbi gjysmëfinalen e parë nga Vëllaznimi me rezultat 80:71. Pas pjesës së parë të gjysmëfinales së dytë, Bashkimi ishte duke pësuar me gjashtë pikë dallim, 41:35.

Por prizrenasit bënë rikthim dramatik në pjesën e dytë të ndeshjes së dytë dhe u kualifikuan në finale të Kupës së Kosovës në basketboll. Fituan me rezultat 90:73.

Gjysmëfinalja e dytë u zhvillua të enjten mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Palestra ishte e stërmbushur, e përkrahja për Bashkimin shumë e madhe. Presioni ndaj Vëllaznimit ishte po ashtu i madh.

Kthimin e madh Bashkimi e nisi në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 25:16. Pas 30 minutave lojë, skuadra e “portokalltë” ishte në epërsi 60:57. Kjo megjithatë nuk mjaftonte për kalim në finale. Bashkimit i duhej fitorja me dhjetë pikë dallim.

Ishte Mack Smith që realizoi treshe, 7:22 minuta para fundit, për epërsinë e parë prej dhjetë pikësh të Bashkimit, 69:59. Vëllaznimi u afrua në 69:62 me treshen e Atik Koshit. Pasoi një treshe e Lejson Zeqiri për 72:62. Më pas epërsia e prizrenasve ishte mbi dhjetë pikë, ndërsa u rrit edhe më shumë në minutat e fundit. Në fund dallimi ishte 17 pikë.

Kështu prizrenasit e siguruan finalen e Kupës pas kthimit dramatik. Në finale, Bashkimi do të përballet me Trepçën. Trepça të mërkurën e mposhti dhe e eliminoi Sigal Prishtinën. Finalja pritet të zhvillohet më 12 shkurt në Prishtinë.

Lejson Zeqiri shpërtheu në pjesën e dytë në ndeshjen e së enjtes në Prizren. Ai i shënoi 22 pikë, ndërsa i shtoi edhe pesë kërcime. I shënoi disa treshe vendimtare. Jayveous Mckinnis i kishte shtatë pikë, nëntë kërcime e katër topa të rrëmbyer. Mack Smith i realizoi 11 pikë, tetë kërcime e pesë asistime. Fundor Wendell Green realizoi 19 pikë e pesë asistime, ndërsa kontribut dhanë edhe Altin Morina me 10 pikë, Valon Bunjaku me 11 pikë dhe Samir Zekiqi me 10 pikë e tri kërcime.

Jericole Hellems ishte më i miri te Vëllaznimi me 22 pikë e pesë kërcime. Trey Anderson i kishte 17 pikë e gjashtë kërcime. Don Polloshka i shënoi gjashtë pikë, ndërsa shtoi shtatë asistime e gjashtë kërcime.


Vëllaznimi në epërsi pas pjesës së parë të ndeshjes në Prizren

Vëllaznimi i Gjakovës po udhëheq 41:35 ndaj Bashkimit pas pjesës së parë të gjysmëfinales së dytë të Kupës së Kosovës në basketboll.

Ndeshja po zhvillohet në palestrën “Sezai Surroi”, që është e stërmbushur. Vëllaznimi ndeshjen e parë në Gjakovë e kishte fituar me nëntë pikë dallim dhe tani është në situatë të mirë.

Në fund të çerekut të dytë ka pasur tension në fushën e lojës. Të përfshirë ishin Arian Azemi i Vëllaznimit dhe Altin Morin e Mack Smith të Bashkimit.