Vëllaznimi e fitoi ndeshjen e parë me 18 pikë dallim ndaj Golden Eagle Yllit, 100:82, dhe kjo i ka shërbyer që të avancojë në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në basketboll.
Në gjysmëfinale të Kupës, Vëllaznimi do të takohet me Bashkimin e Prizrenit, që e eliminoi Borën.
Gjysmëfinalja tjetër do të jetë ajo mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës.
Trepça është kampione dhe fituese në fuqi e Kupës së Kosovës.
Skuadra gjakovare të enjten mbrëma në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, e humbi ndeshjen nga Golden Eagle Ylli me rezultatin 98:91, por ka mjaftuar fitorja në ndeshjen e parë.
Tek Ylli me 19 pikë, pesë kërcime e tri asistime u dallua Jalen Nesbitt.
Arian Azemi ishte i pandalshëm te “kuqezinjtë”. Azemi ndeshjen e mbylli me dyshifror të dyfishtë prej 22 pikëve e dhjetë kërcimeve, ndërsa shtoi edhe shtatë asistime.
Michael Nuga pati lojë të mirë po ashtu te mysafirët me 19 pikë, tri kërcime e katër asistime.
Ndeshjet gjysmëfinale Sigal Prishtina – Trepça dhe Bashkimi – Vëllaznimi, do të luhen me sistem vajtje-ardhje.