Basketboll

Vëllaznimi fiton Ligën Unike

Vëllaznimi fiton Ligën Unike

Vëllaznimi i Gjakovës është fitues i edicionit të katërt të Ligës Unike. Të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Vëllaznimi e fitoi ndeshjen ndaj Sigal Prishtinës me rezultatin 91:88 pas vazhdimit prej pesë minutash.

Sfida ishte dramatike dhe vazhdimi u vendos në sekondat e fundit. Sigal Prishtina kishte epërsi 78:77. Pasuan disa tentime të gabuara nga të dyja skuadrat.

Arian Azemi i Vëllaznimit katër sekonda para fundit e shënoi vetëm gjuajtjen e parë të lirë ndërsa dështoi në të dytën për 78:78.

Rashid Mahalbashiq bëri kërcim në mbrojtje por më pas bëri pasim të gabuar, kurse një sekondë para fundit Arbër Sinani i skuadrës gjakovare nuk shënoi për tri pikë dhe ndeshja u vendos në vazhdime.

Edhe vazhdimi prej pesë minutash ishte dramatik, por ishin “kuqezinjtë” që triumfuan.

Kapiteni Atik Koshi i shënoi dy pikë nga gjuajtja e lirë për 89:86, ndërsa Clark i Prishtinës realizoi për 89:88. Menjëherë në kundërsulm, Sinani realizoi pikë të lehta për 91:88. Fisnik Rugova nga gjysma e fushës tentoi për tri pikë, por nuk realizoi dhe ndeshja u mbyll me festën e madhe të Vëllaznimit.

Më i miri në fitoren e Vëllaznimit ishte Azemi që shënoi 24 pikë, gjashtë kërcime e tri asistime.

Te Prishtina me lojë të mirë u dallua Mahalbashiq, që pati 19 pikë, nëntë kërcime e katër asistime, por të pamjaftueshme për ta shmangur disfatën.

Me turneun që u zhvillua në Prishtinë, përfundoi edhe edicioni i zbehtë i ligës që përbëhet nga skuadra të Kosovës e Shqipërisë.

Këtë e konfirmon më së miri fakti se Golden Eagle Ylli të enjten gjatë ditës, njoftoi se nuk do të udhëtojë në Prishtinë për ta zhvilluar ndeshjen për vend të tretë ndaj Besëlidhjes së Lezhës. Ylli e pati fituar edicionin e parë të Ligës Unike, të dytin Peja ndërsa në edicionin e kaluar triumfoi Trepça. Trepça e Peja nuk ishin pjesëmarrëse në këtë edicion të Ligës Unike. Klubi nga Suhareka, Ylli, ka thënë se për shkak të ndeshjes që e luan ndaj Bashkimit të shtunën, mbingarkesës dhe lëndimeve të shumta të basketbollistëve të saj ka vendosur mos ta zhvillojë këtë ndeshje. Ylli u mposht dje në gjysmëfinale nga Vëllaznimi, ndërsa Besëlidhja humbi nga Prishtina.

Te basketbollistet, Ligën Unike e fitoi Flamurtari që në finale e mposhti skuadrën Peja 03. Finalja te basketbollistet u organizua në Palestrën Sportive “Flamurtari” në Vlorë.