Bashkimi kishte shtatë fitore të njëpasnjëshme në nisje të edicionit të Superligës së basketbollit. Por i humbi dy duelet e fundit, nga Trepça dhe Vëllaznimi. Megjithatë Bashkimi vazhdon të mbetet prej skuadrave të forta të këtij sezoni.
Bashkë me Trepçën, Bashkimi i prinë tabelës me 16 pikë.
“Portokallezinjtë” të shtunën nga ora 17:00 luajnë në derbin e qytetit ndaj Proton Cable Prizrenit, që ka formë dukshëm më të dobët. Është ndeshje e xhiros së dhjetë, dhe e para pas pushimit shumë të gjatë shkaku i angazhimit të lojtarëve te Përfaqësuesja e Kosovës, që pësoi dy humbje në parakualifikimet për Botërorin 2027, nga Zvicra e Irlanda.
Ndeshjet e kaluara në Superligë u zhvilluan më 9 e 10 nëntor. Prej atëherë, një pjesë e skuadrave kanë pësuar ndryshime të mëdha.
Proton Cable Prizreni aktualisht është i parafundit me 11 pikë, me dy fitore e shtatë disfata.
Fitoret e vetme i ka ndaj Borës në xhiron e gjashtë dhe ndaj Sigal Prishtinës në xhiron e parë.
Te Bashkimi synojnë që të kthehen në rrugën e duhur dhe të jenë konkurrent i fortë për pozitën e parë në tabelë.
Njëri prej lojtarëve më të dalluar te kjo skuadër, Mack Smith, ka thënë se vetëm të bashkuar dhe me ushtrime të forta mund të arrijnë suksese.
“Mund të kthehemi në rrugën e duhur duke stërvitur fort, e që më pas do të shihej në arenën e lojës. Ne duhet të vazhdojmë të rritemi si ekip, të gjithë, dhe gjithçka do të jetë në rregull më pas”, ka thënë për KOHËN organizatori i lojës së Bashkimit.
Smith ka thënë se ndaj Proton Cable Prizrenit duhet përqendrim për t’u kthyer te fitorja.
“Pritshmëria për këtë ndeshje është që të dalim në parket dhe ta kemi përqendrimin e plotë dhe ta luajmë lojën me të cilën e nisëm sezonin. Ta ndjekim parimin tonë dhe të luajmë bashkë, për njëri-tjetrin. Kjo do të ishte e shkëlqyer”, deklaroi amerikani.
Te Proton Cable Prizreni, që në ndeshjen e parë të sezonit ndaj Bashkimit u mposht thellë, 95:68, në xhiron e tretë, kanë thënë se në derbi do të hyjnë për rezultat pozitiv.
Trajneri i skuadrës, Arbnor Rifati, ka thënë se skuadra e tij nuk do të hyjë e dorëzuar.
“Pritet të jetë ndeshje derbi, si çdo ndeshje tjetër kur takohen dy skuadra të një qyteti. Ne për momentin kemi bërë ndryshime në skuadër me lojtarët e huaj. Për shkak të ndryshimeve në skuadër, Bashkimi është favorit për një nuancë, por ne sigurisht se nuk do të hyjmë në lojë me flamur të bardhë”, ka deklaruar Rifati.
Nga Proton Cable Prizreni ditë më parë janë larguar John Walker, Wayne Arnold dhe Trevon Spencer. Të premten, skuadra prizrenase prezantoi transferimet e reja, Omar Jamaleddine, Jeremiah Kendall dhe Darryl Jordan Jr.
Derbi prizrenas është i vetmi takim që luhet të shtunën.
Të dielën në program janë tri ballafaqimet e tjera.
Trepça luan ndaj Vëllaznimit, Peja e pret Borën, ndërsa Sigal Prishtina ballafaqohet me Golden Eagle Yllin.
Sigal Prishtina e Bora kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Superliga – X
E shtunë
Bashkimi – Proton Cable Prizreni (17:00)
E diel
Trepça – Vëllaznimi (17:00)
Peja – Bora (19:00)
Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli (19:00)