Trepça kalon Keravnosin në kualifikimet e Championsit
Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, e ka kaluar pengesën e parë në Ligën e Kampionëve.
Të mërkurën në Belek të Turqisë, skuadra mitrovicase mposhti kampionin qipriot, Keravnos. Trepça fitoi me rezultatin 82:79.
Ndeshja i takoi çerekfinales së raundit kualifikues të Championsit. Tani "xehetarët" luajnë ndaj skuadrës çeke Nymburk të premten, që vlerësohet favorite e madhe e turneut të dytë kualifikues.
Trepça bëhet skuadra e parë kosovare që kalon kundërshtar në kualifikimet e Championsit. Këtë nuk e kishte arritur Prishtina në tri raste, e po ashtu Golden Eagle Ylli e Peja. Prishtina kishte fitore kur faza e parë kualifikuese ishte në dy ndeshje, por pa kaluar kundërshtar.
Ndeshja e Trepçës me Keravnosin ishte shumë dramatike. Në aksionin e fundit qipriotët i kishin tri gjuajtje të pasuksesshme për tri pikë dhe kështu festa ishte për skuadrën kosovare.
Trepça dominoi në çerekun e parë, të cilin e fitoi 23:14. Keravnosi u kthye në të dytin, duke e fituar 30:21.
Pas 20 minutave lojë rezultati ishte 44:44.
Skuadra e Adis Beqiragiqit u shkëput sërish në çerekun e tretë, që përfundoi 19:12.
Çereku i katërt ishte dramatik. Keravnosi u kthye në lojë dhe madje kaloi në epërsi deri në tri pikë.
29 sekonda para fundit Desmond Cambridge realizoi për tri pikë për epërsinë 80:79 të Trepçës. Më pas Malik Johnson realizoi dy gjuajtje të lira për 82:79, pasi qipriotët humbën topin. Ata nuk shfrytëzuan as aksionin e fundit.
Mikaile Tmushiq u dallua te Trepça me 20 pikë e gjashtë kërcime. Cambridge i kishte 22 pikë, kurse Samuel Hunter realizoi 10 pikë, gjashtë asistime e katër kërcime.
Trepça për herë të parë po paraqitet në kualifikimet e Championsit. Në vitin e fundit ka dominuar plotësisht në basketbollin kosovar. Vjet bëri hapa para në FIBAEurope Cup e tani edhe në Champions.
Në çerekfinalen tjetër të turneut të dytë përballen Kutaisi i Gjeorgjisë me Levicen e Sllovakisë. Fituesi i kësaj ndeshjeje luan ndaj Kalevit të Estonisë në gjysmëfinale. Finalja është të dielën.
Trepça po barazon në Champions pas pjesës së parë
Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, po barazon me Keravnosin qipriot pas pjesës së parë të ndeshjes në Belek të Turqisë.
Pas 20 minutave lojë rezultati është 44:44. Trepça ishte bindëse në çerekun e parë, por qipriotët u kthyen në të dytin.
Ndeshja i takon çerekfinales së fazës kualifikuese të Ligës së Kampionëve në basketboll.
Desmond Carmbridge i ka shënuar 13 pikë për Trepçën, ndërsa Mikaile Tmushiq i ka 12.