Basketboll

Trepça, një fitore larg titullit

KB Trepça

Skuadra e Trepçës është vetëm një fitore larg titullit të parë që prej vitit 2012.

Trepça shfaqi më shumë edhe në ndeshjen e tretë në serinë finale të plejofit ndaj Yllit, dhe arriti që ta marrë epërsinë serisë finale në 2:1.

“Xehetarët” të enjten mbrëma në “Minatorin” e stërmbushur me shikues fituan me rezultatin 85:78.

Tani do ta kërkojnë edhe një tjetër fitore në Suharekë për ta festuar titullin e shumëpritur. Skuadra që shënon tri fitore shpallet kampione e edicionit aktual në Superligën e Kosovës në basketboll.

Ylli tregoi paraqitje të mirë në fillimin e ndeshjes.

Çerekun e parë suharekasit e fituan me rezultatin 21:11.

Por periudha e dytë i takoi në tërësi Trepçës, që në pushimin e gjatë shkoi me gjashtë pikë dallim, 37:31.

Suharekasit e drejtuar nga trajneri Petar Mijoviq, megjithatë, u kthyen në lojë duke e përmbysur rezultatin në 39:37 në të mirë të vet, tetë minuta pa u mbyllur çereku i tretë.

Megjithatë, nuk e pati forcën që ta mbajë epërsinë. Në çerekun e katërt Ylli hyri me një pikë disavantazh, 55:54.

Trepça e drejtuar nga Adis Beqiragiq e shfrytëzoi cilësinë dhe përvojën në skuadër për të triumfuar në fund me shtatë pikë dallim.

Nga katër basketbollistët e Trepçës që patën pikë dyshifrore në këtë ballafaqim, më i dalluari në statistika ishte Kevin Capers.

Capers ndeshjen e mbylli me 19 pikë, shtatë kërcime e shtatë asistime.

Erion Kastrati pati lojë të mirë me 16 pikë, katër kërcime e dy asistime, ndërsa kontribut dha edhe Brandon Edëards me 12 pikë, pesë kërcime e një asistim.

Darnell Edge shënoi 15 pikë, gjashtë kërcime e gjashtë asistime.

Nga ana tjetër, Alonzo Verge Jr tek Ylli shkëlqeu me 28 pikë, dy kërcime e pesë asistime, por kontributi i tij nuk mjaftoi që suharekasit ta shmangin disfatën.

Nate Grims i pati shtatë pikë, 12 kërcime e tri asistime.

Edhe dy ndeshjet e kaluara ishin të zjarrta e shumë të luftarake. Të enjten e kaluar, Ylli ishte duke fituar deri në 13 pikë, por në fund festoi Trepça. Të dielën, Ylli udhëhiqte me 21 pikë, por në fund fitoi me vetëm një pikë. Tani ballafaqimi i radhës në fundjavë në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, mund të jetë përcaktues i kampionit të sivjetmë. Nëse Ylli fiton, luhet edhe dueli i pestë, vendimtar.

Trepça e synon titullin e pestë, kurse Ylli të tretin pas viteve 2021 e 2022.

Mitrovicasit në edicionin aktual kanë fituar në Kupën e Kosovës, Superkupë dhe në Ligën Unike.