Ndeshja Trepça – Kamza ka shënuar riaktivizimin e Ligës Unike në basketboll. Liga e përbashkët e klubeve të basketbollit nga Kosova e Shqipëria ishte ndërprerë në nëntor të vitit 2022, ndërsa u riaktivizua me ndeshjen e së mërkurës pasdite në Vlorë.
Liga Unike është organizuar në formë turneu, ndërsa Trepça e Kamza u përballën në çerekfinalen e parë. Liderja e Superligës së Kosovës, Trepça, fitoi bindshëm, 90:46, për të bërë vend në gjysmëfinale të Final 8.
Dallimi i skuadrave në cilësi ishte shumë i madh dhe kjo u vërejt menjëherë në ndeshjen e luajtur në praninë e pak shikuesve.
Darnell Edge udhëhoqi mitrovicasit me 16 pikë, shtatë asistime e tri kërcime. Erjon Kastrati i kishte 17 pikë e gjashtë kërcime. Brandon Edwards i kishte 12 pikë, tetë kërcime e katër asistime.