Basketboll

Trepça kërkon fitoren ndaj “gladiatorëve” nga Skocia

Trepca

Të mërkurën prej orës 18:30, Trepça e luan ndeshjen e tretë në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup. Në palestrën “Minatori”, buzë lumit Ibër, mitrovicasit përballen me skuadrën nga Skocia, Caledonia Gladiators.

Trepça ka humbur dy ndeshjet e para dhe kërkon rastin për sukses pikërisht ndaj “gladiatorëve” nga East Kilbride. Caledonia garon në ligën britanike. Në edicionin e kaluar u rendit e treta. 

Në stinorin e rregullt në FIBA Europe Cup, në edicionin e kaluar, Caledonia Gladiators kishte tri fitore e tri humbje dhe nuk kishte avancuar. Në grup e kishte Bilbaon nga Spanja, Anwilin polak dhe skuadrën rumune Sibiu.

Këtë edicion po paraqitet më zbehtë. Në xhiron e parë u mposht nga Ludwigsburgu me rezultat 86:62. Në xhiron e dytë Caledonia ishte vendëse, ndërsa humbi nga Dijoni francez me shifrat 90:54. Trepça në xhiron e parë pësoi 118:73 nga Dijoni, ndërsa para një jave në Mitrovicë humbi 70:57 nga Ludwigsburgu gjerman. Por ndaj Ludwigsburgut, “xehetarët” ofruan luftë të madhe në parket dhe ishin në lojë thuajse deri në fund.

Qasje e njëjtë pritet edhe të mërkurën mbrëma ndaj Caledonias. Për Trepçën është rast i madh për fitoren e parë këtë edicion në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup.

“Caledonia është ekip me cilësi të barabarta me ne. Shanset janë më të mëdha se me Dijonin e Ludwigsburgun. Është ekip me profil tjetër. Ka mjaft lojtarë shtatlartë. Gjatësia është në anën e tyre, por do të përgatitemi për këtë”, ka thënë ndihmëstrajneri i Trepçës, Petrit Zeqiri.

Trepça në fundjavë e fitoi me rezultat 94:85 ndeshjen dramatike ndaj Pejës. Në kuadër të xhiros së pestë kishte fituar ndaj Proton Cable Prizrenit. Këto dy fitore dhe paraqitja ndaj Ludwigsburgut, ndonëse në humbje, dhanë shenja se skuadra e Adis Beqiragiqit kaloi minikrizën, gjatë të cilës dëshpëroi në Francë dhe humbi nga Bashkimi e Sigal Prishtina në Superligë.

Sinjale të tjera priten të mërkurën mbrëma.

Sa i takon avancimit në raundin e dytë të FIBA Europe Cup, Trepça është thuajse pa gjasa. Vetëm fituesi i grupit e ka të sigurt avancimin, ndërsa në raundin e dytë kalojnë edhe gjashtë prej dhjetë skuadrave më të mira të pozitave të dyta. Dijoni dhe Ludwigsburgu vlerësohen nivel dukshëm më i lartë se Trepça e Caledonia Gladiators. Por secila fitore në skenën evropiane do të ishte me shumë peshë për Trepçën dhe basketbollin kosovar në përgjithësi.