Trepça është finalistja e parë në plejofin e Superligës së Kosovës në basketboll. Trepça ka vazhduar dominimin e plotë ndaj Sigal Prishtinës me fitoren e tretë në serinë gjysmëfinale. Të dielën mbrëma në palestrën e stërmbushur “Minatori” në Mitrovicë, Trepça fitoi me rezultat bindës, 82:69.
Trepça i ka fituar katër ndeshjet e stinorit të rregullt me Prishtinën, ndërsa e ka mposhtur këtë skuadër edhe në garën për Kupë të Kosovës, për Superkupë dhe në Ligën Unike. Për Prishtinën me ndeshjen e së dielës përfundoi edicioni 2023/2024.
Ndërkohë Trepça do të ketë të paktën një javë kohë për ta përgatitur finalen e parë të plejofit. Do të përballet me Golden Eagle Yllin apo Pejën. Ylli udhëheq 2:1 në atë seri gjysmëfinale, ndërsa ndeshja e katërt zhvillohet të mërkurën në Suharekë.
Të përkrahur fuqishëm nga tribunat, lojtarët e Trepçës kanë dominuar nga fillimi e deri në fund ndaj Prishtinës.
Çereku i parë përfundoi 24:19 në të mirë të “xehetarëve”. Edhe më bindës vendasit ishin në çerekun e dytë, 21:12. Çereku i tretë ishte i barabartë, 18:18, por kështu Trepça mbajti avantazhin bindës. Edhe çereku i katërt ishte i barabartë, 20:19 për Prishtinën.
Brandon Edwards shkëlqeu te Trepça me 20 pikë e 12 kërcime. Darnell Edge i kishte 15 pikë e katër asistime, ndërsa Kevin Bracy-Davis ndeshjen e përfundoii me 14 pikë. Mikaile Tmushiq i kishte 12 pikë e katër kërcime.
Henrik Shirko udhëhoqi Prishtinën me 10 pikë e shtatë kërcime. Donte Clark e Malcolm Armstead i kishin nga 16 pikë dhe ishin më efikasët te Prishtina. Diamond Stone ndeshjen dhe kampionatin e përmbylli me 12 pikë e nëntë kërcime. Por sërish mungoi kontributi i lojtarëve vendorë. Kapiteni Dardan Berisha e kishte vetëm një pikë.
Trepça ka fituar Kupën e Kosovës, Superkupën dhe Ligën Unike. Tani është favorite e madhe edhe për titull të kampionit.