Ndeshja e tretë mes Trepçës dhe Golden Eagle Yllit vlerësohet të jetë “hap i madh” drejt titullit të kampionit, për njërën apo skuadrën tjetër. Ndeshja e tretë e serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll zhvillohet të enjten prej orës 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.
Rezultati momentalisht është 1:1 në ndeshje. Të enjten e kaluar në Mitrovicë, Ylli ishte duke fituar deri në 13 pikë, por Trepça festoi në fund duke triumfuar 77:68. Të dielën në Suharekë, Ylli ishte duke udhëhequr me 21 pikë në fillim të çerekut të katërt. Por në fund mezi fitoi me një pikë dallim, 80:79.
Ndeshje e fortë pritet edhe të enjten në “Minatori”, ndërsa përkrahja për Trepçën do të jetë e madhe. Interesimi për një biletë vazhdon të jetë i jashtëzakonshëm në Mitrovicë.
“Përgatitjet kanë shkuar mirë. Jemi duke finalizuar gjërat e fundit para ndeshjes së tretë. Ne e njohim shumë mirë Yllin e po ashtu skuadra rivale na njeh shumë mirë neve. Shpresojmë që së bashku me tifozët tanë të dalim triumfues në fund. Dihet që ndeshja e tretë është shumë e rëndësishme për ta bërë hapin final drejt trofeut të kampionit, që është synimi ynë i madh dhe më i rëndësishëm”, ka thënë Drilon Hajrizi, njëri prej basketbollistëve më të rëndësishëm të Trepçës.
Trepça ka fituar Kupën e Kosovës, Superkupën dhe Ligën Unike. Titullin është duke e pritur që nga viti 2012. Ka katër tituj të Kosovës, ndërsa po e kërkon të pestin.
Ylli e kërkon titullin e tretë. Dy të parët i fitoi në vitet 2021 e 2022.
“Do të luftojmë në ndeshjen e tretë. Do të jetë shumë vështirë, si gjithmonë. Do të tentojmë të jemi të gatshëm mentalisht dhe fizikisht për ndeshjen tjetër të rëndësishme”, ka thënë trajneri i Yllit, Petar Mijoviq.
Trepça e Ylli këtë edicion janë takuar shtatë herë, në të gjitha garat. Trepça i ka katër fitore e Ylli tri.
Kampione shpallet skuadra që i shënon tri fitore. Ndeshja e katërt do të jetë të dielën në Suharekë.