Basketboll

Trepça e nis me fitore mbrojtjen e trofeut të Superkupës

Trepca

Klubi i basketbollit Trepça e ka nisur me fitore mbrojtjen e trofeut të Superkupës së Kosovës. 

Trepça të shtunën u bë gjysmëfinalistja e parë, pasi e mposhti Borën me rezultatin 85:76. Bora në edicionin aktual debuton në elitën e basketbollit kosovar. 

Çereku i katërt ishte vendimtar në triumfin e mitrovicasve. 

Bora i fitoi dy periudhat e para 23:22 dhe 21:19, për të shkuar në pushim me tri pikë epërsi, 44:41. 
Trepça më pas fitoi 20:18 në çerekun e katërt dhe e ngushtoi epërsinë në një pikë, 62:61, kurse në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes fitoi bindshëm me dhjetë pikë dallim, 24:14. 

Trepça e vazhdon formën e mirë nga kampionati i kaluar kur e fitoi titullin pas 12 vjetësh. Kishte triumfuar edhe në Kupë, Superkupë dhe në Ligën Unike. 

Sammy Hunter ishte më i dalluari në fitore me dyshifror të dyfishtë prej 24 pikëve, 12 kërcimeve. Ai kontribuoi edhe me dy asistime. 

Lojë të mirë pati edhe Larry Thomas me 18 pikë, shtatë kërcime e gjashtë asistime. 

Ardarryl Lajuane Clay Jr ishte më i miri te skuadra e Borës me 23 pikë, gjashtë kërcime e shtatë asistime, por të pamjaftueshme për ta shmangur disfatën. 

Ndeshjet e turneut të Superkupës së Kosovës në basketboll zhvillohen në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, që është nikoqir i këtij edicioni. 

Turneu i Superkupës në Prizren përfundon më 11 shtator. 

Sonte nga ora 20:00 zhvillohet edhe gjysmëfinalja tjetër mes Sigal Prishtinës dhe Vëllaznimit.