Basketboll

Trepça e ndal ecurinë e Bashkimit, fiton thellë

KB Trepca

Bashkimi kishte ecuri prej shtatë fitoreve të njëpasnjëshme në nismë të edicionit të ri të Superligës së Kosovës në basketboll. Serinë pozitive të rezultateve, Bashkimi e kishte nisur ndaj Trepçës në xhiron e parë. Por të shtunën në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Bashkimi u mposht me rezultat të thellë, 82:52. 

“Xehetarët” për asnjë moment nuk lejuan që t’u rrezikohet fitorja në këtë ballafaqim, që prej nisjes së ndeshjes. 

Trepça i afrohet Bashkimit lider në vetëm një pikë, me gjashtë fitore e dy humbje. Bashkimi ka shtatë fitore e një disfatë. 

Trepça krijoi epërsi që në fillim dhe nuk e lejoi Bashkimin të realizonte pikë për afro tre minuta. Në çerekun e parë e ndali në vetëm shtatë pikë gjithsej, derisa i shënoi 24. Vendësit që e patën edhe paraqitjen e madhe të shikuesve, shkuan në pushim me 23 pikë epërsi, 46:23. 

Me rezultatin 19:13 dhe 17:16, Trepça i mbylli edhe dy periudhat e fundit, për të fituar me plot 30 pikë epërsi. 

Trajneri i Trepçës, Adis Beqiragiq, pas ndeshjes tha se mbrojtja e fortë ua solli fitoren nga kjo ndeshje. Por, pati kritika sërish për fazën ofensive. 

“Mbrojtja e shkëlqyer e skuadrës tonë ka qenë çelësi i kësaj fitoreje”, ka theksuar Beqiragiq pas ndeshjes. 

Ndërkohë, Darko Raduloviq, trajneri i skuadrës prizrenase, e përgëzoi Trepçën për paraqitjen. Ai shtoi se lojtarëve që ai i drejton u mungoi motivimi. 

“Lojtarët e Trepçës sot ishin shumë të shpejtë, të saktë dhe më të disponuar për lojë. Lojtarët tonë ishin të plogësht. Kjo nuk është fytyra e vërtetë e Bashkimit. Ata dukeshin sikur ishin pa motivim dhe kjo na kushtoi”, theksoi Raduloviq pas ndeshjes. 

Statistikat më të mira në këtë ballafaqim te vendësit i pati Larry Thomas që shënoi 15 pikë, shtatë kërcime e katër asistime. 

Kontribut dha edhe Malik Johnson me 15 pikë, katër kërcime e nëntë asistime. 

Mikaile Tmushiq i pati 12 pikë, kurse Samuel Hunter i shënoi 11 pikë. 

Bashkimit nuk i ndihmoi loja e mirë e Jayveous Mckinnis që e mbylli ndeshjen me nëntë pikë, tetë kërcime e një asistim.