Basketboll

Trepça dominuese ndaj Sigal Prishtinës në gjysmëfinalen e parë

Trepça dominuese ndaj Sigal Prishtinës në gjysmëfinalen e parë

Kampionia në fuqi e Kosovës në basketboll, Trepça, ka shfaqur të shtunën gjithë potencialin në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së plejofit ndaj Sigal Prishtinës. Dhe në palestrën e stërmbushur “Minatori” në Mitrovicë, e ka festuar fitoren e parë. I duhen edhe dy fitore për të avancuar në finale. Mitrovicasit kanë dominuar nga fillimi dhe në fund fituan me rezultatin 80:65. 

Ndeshje e fortë dhe me atmosferë të zjarrtë pritet të jetë edhe të mërkurën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, në ndeshjen e dytë të serisë gjysmëfinale. 

Trepça i kishte humbur tri prej katër ndeshjeve kampionale të edicionit aktual nga Sigal Prishtina, por të shtunën nisi me ritëm të lartë. E fitoi çerekun e parë 18:17. Para se skuadrat të shkonin në pushim, “xehetarët” ndryshuan lojën duke shfaqur përqendrim më të madh në mbrojtje e saktësi më të madhe në sulm. Pjesa e parë përfundoi 41:27 në të mirë të vendësve. Me rezultatin 23:17 fituesja e Kupës së Kosovës, Trepça, e mbylli periudhën e tretë. Deri në fund nuk e rrezikoi fitoren dhe e administroi mirë lojën, ndonëse skuadra e kaltër u mundua duke e shkrirë madje edhe epërsinë e 23 pikëve nga periudha e tretë. Megjithatë, nuk arriti të bëj diçka më shumë. 

Michael Myres Jr ishte më i miri te Trepça me 19 pikë, pesë kërcime e pesë asistime. Tekele Cotton dha kontribut me 21 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime, ndërsa Drilon Hajrizi shtoi 17 pikë, katër kërcime e dy asistime. 

Te Sigal Prishtina me lojë të mirë u shqua Donte Clark që shënoi 19 pikë e tri asistime. 

Vetem Clark dhe Jordan Davis kishin pikë dyshifrore te kryeqytetasit. Davis i pati 15 pikë, dy kërcime e një asistim. 

Sigal Prishtina, që përfundoi e treta në stinorin e rregullt, në gjysmëfinale arriti pas fitores ndaj Vëllaznimit 2:1. Ndërkohë, Trepça ishte e dyta dhe e nisi garën e plejofit nga gjysmëfinalja. 

Të dielën nga ora 19:00 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren luajnë Bashkimi dhe Peja. Bashkimi ishte i pari në stinorin e rregullt, ndërsa Peja e pesta. 

Në çerekfinale të plejofit, pejanët eliminuan skuadrën nga Suhareka, Golden Eagle Ylli. Ndaj Yllit, Peja fitoi me rezultatin 2:1, ndonëse suharekasit e kishin përparësinë e terrenit vendës.